back to top
13.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Dinamika e Demokracisë Shqiptare esse Dr. Lazër Radi

Gazeta

Lazër Radi - Savër 1989
Lazër Radi – Savër 1989

Dinamika e Demokracisë Shqiptare

esse nga Dr. Lazër  Radi (1991)

Shprehja se “Shqipëria nuk ka tradita pluraliste e demokratike”
më dha shtysë të shkruaj këtë esse sqaruese…!
lazer radi
.
P.S. Ky artikull iu dorëzua për botim kryeredaktorit të parë të RD-së, Frrok Çupit,
një muaj para zgjedhjeve të para pluraliste, të 31 marsit 1991,
posa kishte filluar fushata e parë elektorale pluraliste.
Lazër Radi mendonte se kjo esse, mund të kishte ndikim pozitiv
në shtypin që po niste të ishte i lirë. Mbas dhjetë ditësh z. Çupi,
ia ktheu shkrimin autorit, me nji buzqeshje cinike, duke mos gjetë asgja të randsishme
për botimin e këtij shkrimi të gjatë, të cilin autori mendoi se mund të botohej
në disa numra… o thjesht thelbi i tij! Uroj që lexuesi i sotëm, t’i japë të drejtë z. Çupi!
jozef radi
.
Demokracia, si nocion filozofik dhe si praktikë shoqërore, ka origjinën e hershme, shumë para erës kristiane. Grekët e vjetër jo vetëm e pagëzuan dhe i vunë emrin Demokraci, po edhe e zbatuan deri n’atë shkallë cilësore sa ajo demokraci e tyre u bë model për gjithë njerëzimin.
Në sistemin e tyre politik të demokracisë të gjithë njerëzit gëzonin liri të plotë e të drejta të barabarta. Qytetarët e thonin fjalën e tyre lirisht për të gjitha çështjet, qofshin këto politike a shoqërore. Njeriu ndjehesh i lirë, dhe lejonte të tjerët ta gëzonin lirinë…
.
Pjesë e Akropolit
Pjesë e Akropolit

Demokraci Kanunore

Pёrkëndej Pindit, ku malet “kuvendojnë me qiellin”, pa ditur as për filozofi e as për sociologji – ishin krijuar vatra të vërteta të lirisë e të organizimit shoqëror të jetës në formën më demokratike. Në këto treva të ashpra e të thyera, pikërisht forca e traditës u bë shkak që të krijohen e të ruhen të pastra e të zhvillohen në mënyrë origjinale doket dhe zakonet tona. Kjo pastërti e virtytshme nuk u lind pa një arsye, por erdhi si pasojë e mbështetjes në nocione etiko-morale në ritet, në doket, në besimet e popullit, në karakteristikat e psikologjisë etnike.
E kudo ku zhvillohet një jetë e brendshme, ku krijohen marrëdhënie ndërnjerëzore aty lind edhe nevoja të krijohen rregulla që të harmonizojnë bashkëjetesën e njerëzve. Me kalimin e kohës, këto venoma u konsakruan dhe morën një fizionomi të përcaktuar duke u kthyer në norma kanunore. Bazë e këtyre normave ligjore ishte nderi, burrnia, liria, besa dhe sidomos barazia midis njerëzve: “I miri dhe i keqi shkojnë një për një!”, siç thotë kanuni. Vlerësohesh lart mbajtja e fjalës së dhënë, trimëria, mikpritja dhe sakrifica për t’i shërbyer njeriut.
Fillimisht këto ishin vetëm norma me karakter etiko-moral, por më vonë, u sanksionuan dhe u bënë norma kanunore, u bënë ligje të pashkruara që rregullonin krejt jetën e bashkësisë në mënyrë demokratike.
Sipas këtyre normave njeriu s’mund të dënohej me burg dhe as të gjymtohej d.m.th. të torturohej sepse kjo, sipas këtyre normave, ishte shkelje e parimit të lirisë, të ndjenjës së nderit të burrit dhe të fyerjes së dinjitetit njerëzor. Një koncept i tillё human nuk haset në asnjë kanun të botës, të asnjë fisi dhe te asnjë bashkësie njerëzore në asnjë qoshe të globit. U deshën revolucione dhe shekuj, u deshën legjislacione të përsosura për të arritur te Karta e të Drejtave të Njeriut…
Po le të kthehemi te kanuni i ynë.
Çështjet kryesore zgjidheshin duke dëgjuar gjithë popullin; “Burrë për shtëpi”. Pra krijohej një parlament i vogël në kuptimin e vërtetë të fjalës. Ç’demokraci e mrekullueshme ato kuvendet e maleve: burrat e bashkuar në kuvend në formë gjysëmrrethi për të pà e për ta dëgjuar sa më mirë njëri-tjetrin. Njeri, i ngarkuar nga kuvendi, paraqet arsyet e mbledhjes, pastaj, në rregull e disiplinë të vetëdijshme, gojtarët më të mirë – pa dallim: krerë, pleq, stërpleq apo djelmni e vllaznive të fisit – paraqisin mendimet e tyre për zgjidhjen sa më drejtë çështjes në diskutim. Pra, burrat e dheut, pa e ditur kuptimin filozofik të fjalës “demokraci”, ishin vërtetë demokratë, pa e dijtur kuptimin politik të fjalës “pluralizëm”, ishin pluralistë të vërtetë.
Ka raste në Kanunin tonë kur Kuvendet kanë marrë vendime të padrejta. Atëherë, thirrej sërishmi Kuvendi dhe rishqyrtonte çështjen. Kur vërtetohej anësi në gjykim, kuvendi i burrave, merrte masa kundra pleqve e bajraktarëve që kishin gjykue keq.
Për djelmëninë, kanuni kishte një konsideratë të “veçantë”. Djelmënia ishte krahu më demokratik i mbledhjes dhe i jepte tonin bisedimeve të kuvendit.
.
Kanuni Lekë Dukagjinit
Kanuni Lekë Dukagjinit

Provat e para demokracisë si shtet

Barka e pasigurt e shtetit shqiptar – në vitet pas pavarsisë – po notonte ndër ujra të turbullta. Populli vazhdonte të ishte i tulatur n’atë vorbull shqetësimesh politike e në atë pasiguri përcaktimi të kufijve shqiptar. Por, ashtu i sakatosur, populli e ndjente nevojën për një shtet kushtetues dhe ligjor. Ai ishte i vetëdijshëm se Kushtetuta është themeli i një shteti juridik. Por, kush do ta bënte kushtetutën?
Mehmuret e Anadollit mendonin se n’atë lloj Shqipërie, siç ishte ajo e deri në vitin njëzet; e varfër, analfabete, pa kulturë politike, pa eksperiencë për fushatat elektorale, pa parti rivale, të pozitës dhe të opozitës – fushata e zgjedhjeve ose do të kthehej në “komedi elektorale” ose në “kasaphanë”. Si njerën ashtu edhe tjetrën e konsideronin të mundshme pikёrisht sepse mungonte tradita politike…
Më 5 dhjetor 1920, u shpall “Ligji i Zgjedhjeve”.
Si gjithmonë – kur Atdheu ishte në rrezik – populli shqiptar di të gjejë forca të mjaftueshme për të përballuar dhe për t’i kapërcyer vështirësitë. Ndonse pa eksperiencën e duhur politike, ajo fushatë zgjedhjesh pesë-mujore, qe një mrekulli e vërtetë: mjeshtrat e politikës, të kulturës në përgjithësi dhe të asaj juridike në veçanti e të njohjes së parlamentarizmit modern europian, i vunë themele të shëndosha demokracisë shqiptare. Që në fillim u krijuan dy rryma politike: ata që përkrahnin platformën e Kongresit të Lushnjes dhe kundërshtarët e saj, pra grupi “popullor” në vijën e Kongresit dhe grupi “përparimtar” në opozitë.
Më vonë, në grupin “popullor”, filloi të fitojë një rëndësi politike Ahmet Zogu. Doemos, korifejtë e demokracisë si Fan Noli, Luigj Gurakuqi, Stavri Vinjau, Gjergj Fishta, etj., etj., që ia njihnin tendencat e “dorës së fortë” Zogut, nuk mund të pajtoheshin me të, kështu ata krijuan një grupim të fuqishëm politik “opozitën”.
Shqipëria, qysh në këtë periudhë të foshnjërisë së saj si shtet i organizuar, hyri me titull të plotё në rrugën e zhvillimit demokratik e shumëpartiak.
Lufta në Parlament – apo në Këshillin Kombëtar siç quhej atëherë – e grupit të opozitës mund të quhet vërtet një periudhë e artë e demokracisë shqiptare. Kushtetuta e asaj kohe trajtonte, ndoshta për të parën herë në Ballkan, të drejtat dhe liritë themelore të shtetasve. Edhe Parlamenti ishte unikal: fjalimet dhe replikat e Nolit, të Vinjaut e të Gurakuqit janë filipike të vërteta, janë “xhevahire” parlamentare sa që i detyruan ata të partisë “popullore” të mos dilnin në shesh, po të fshihen nga opinioni publik, vetëm e vetëm pse ishin kundërshtarë të demokracisë.
Një tjetër provë demokratike u bë në gusht të vitit 1923.
Propozohej zgjedhja e Asamblesë Kushtetuese. Pikat e propozuara kishin karakter antidemokratik. Një komision juristësh, i përbërë në pjesën më të madhe nga opozita demokratike, arriti të imponohej, përmes një lufte të ashpër parlamentare!
Fushta e zgjedhjeve dhe diskutimi i ligjit i kapërceu muret e parlamentit. Opozita, ndonse në pakicë, por e zgjedhur, arriti të fusë në projekt ndryshimet dhe përmirësimet që ajo propozonte.
Më 30 shtator 1923, Parlamenti u shpërnda!
Opozita së bashku me organizatat demokratike filluan me zjarr fushatën elektorale. U krijuan grupime politike në formën e partive: “Partia Liberale”, “Grupi demokrat”, “Grupi as i pashës as i beut”, “Grupi Xhoka” dhe në Shkodër “Ora e Maleve”.
Edhe pse me mjaft mangësi të kulturës politike, u krijua një pluralizëm i vërtetë politik.
Secili prej atyre grupimeve kishte programin e vet politik, por që të gjitha puqeshin në idenë kryesore: demokratizimi i aparatit shtetëror, votime të përgjithshme, direkte dhe të fshehta, garanci kushtetuese kundër vendosjes së çdo diktature personale, sigurimi i lirive demokratike, pavarësia e gjykatave, garanci kushtetuese për përdorimin e mirë të të ardhurave të shtetit, lirinë e shtypit, të ndërgjegjes, etj.
Nuk është e vërtetë se vendit tonë i mungon një preçendencë demokratike. Qysh në hapat e parë, Shteti i ynë ende i brishtë e i pakonsoliduar dha prova se e donte demokracinë dhe se dinte ta përdorte atë në mënyrë të kulturuar. Ne mund të mburremi se në atë kohë kemi patur shtetin pothuaj më demokratik të Ballkanit.
.
Ahmet Zogu me drejtues te Shteti Shqiptar
Ahmet Zogu me drejtues te Shteti Shqiptar

Edhe nën diktaturën e Zogut, pati demokraci

Në fund të dhjetorit 1924 rierdhi në fuqi Ahmet Zogu. Në fillim President e më pas, më 1 shtator 1928, si Monark. U shpall si regjim “demokratik parlamentar” – por që në fakt ishte diktaturë e monarkut dhe e klikës së tij, u quajt diktaturё e “ndritshme”.
Të detyruar nga rrethanat politike dhe ekonomike si dhe për ta qetësuar fermentimin e popullit, Ahmet Zogu u detyrua të hapë një dritare drejt demokracisë.
Më 21 tetor 1935, Kryeministër i Shqipërisë bëhet Mehdi Frashëri. Në fakt, Mehdiu, gëzonte një reputacion të mirë, gëzonte simpati si në qarqet intelektuale ashtu edhe te rinia. Ai vinte nga shtypi, si publicist. Njihej si demokrat-liberal dhe ishte për reforma ekonomike dhe kulturore. Me një fjalë ishte idhtar i lirive demokratike. Posa erdhi në fuqi lejoi lirinë e shtypit dhe të fjalës – duke përjashtuar nga kjo liri vetëm kritikat kundër mbretit dhe familjes…
Ne, dëshmitarët e asaj kohe, i ndjehemi mirënjohës Mehdi Frashërit, sepse dha mjaft liri të flisnim dhe të shkruanim për shumë çështje, të ashtuquajtura tabu. Pikërisht në këtë kohë, grupet e grupime të ndryshme, shfrytëzuan kushtet e reja, të krijuara nga kjo qeveri liberale për ta ndezur edhe më tej luftën kundër regjimit.
Është fakt i pamohueshëm se pikërisht në këtë kohë vendi i ynë pati një hop të vërtetë zhvillimi në fushën e kulturës dhe të artit. Krijimet më të mira të kohës si, ato të Lasgushit, Koliqit, Migjenit, Stërmillit e shumë të tjerëve mbajnë vulën e kësaj periudhe…
Qeveria jetëshkurtë e Mehdiut qëndroi në fuqi vetëm një vit e shtatëmbëdhjetë ditë, po në konceptin e rezultateve ishte një kohë e mjaftueshme për njё hop cilësor kulturor.
Pse u rrëzua qeveria e Mehdi Frashërit?
Arsyet mund të jenë të ndryshme, po unë mendoj se si synonte që gjatë qeverisjes së tij të bëheshin zgjedhjet parlamentare. Mendonte se në parlamentin e ardhshëm, deputetë dominues do të ishin “të rinjtë”, kundërshtarët e “të vjetërve”. Në një parlament ku Mehdiu mendonte të kishte shumicën, do të mund të nxirrte ligje të reja, demokratike, liberale; duke u përpjekur që pa u ndjerë ta dobësonte disi pushtetin e fortë të monarkut. Po edhe Zogu, s’e kishte kollaj ta pranonte humbjen e parlamentit, pasi dobësohej fuqia e tij dhe mund të rrëzohej.
Zgjedhjet, ishin një lojë e rrezikshme për të!
Në këtë kohë në duart e “të vjetërve” ra një qarkore sekrete e Ministrisë së Brendshme, dërguar prefekturave, ku u kërkohej të kontrolloheshin listat e kandidatëve për deputetë. Qarkorja u shpall në shtypin e “të vjetërve”. Zogu u tremb! Detyrimisht u bashkua sërish me korin e “të vjetërve”, dhe kështu më 7 nëntor 1936, rrëzoi qeverinë e Mehdi Frashërit, duke e zëvendësuar me elementë të krahut të vet. Zogu e vlerësonte mjaft rëndësinë e parlamentit. Në asnjë mënyrë ai s’mund të lejonte që kjo instancë e lartë e legjislativit, t’i ikte nga duart.
Kështu, zgjedhjet parlamentare u bënë shkaku i rënies së qeverisë së Mehdi Frashërit, të këtij Kryeministri demokrat e liberal.

Abuzimi i demokracisë

Demokracia është një sistem politik në të cilin pushteti ushtrohet nga populli nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe ku njerëzit gëzojnë liri e të drejta të barabarta. Demokraci mund të ket vetëm atje ku ka pluralizëm, dmth atje ku ka ma shumë se një parti, ku ka grupe e forca shoqërore, botëkuptime e pikëpamje të ndryshme. Në të kundërtën nuk ka demokraci: ka diktaturë, sundim absolut të një njeriu, ka nëpërkëmbje të të drejtave të njeriut, shkelja të lirive, etj., etj. Është interesant fakti se pikërisht sundimet më të egra e më ç’njerëzore janë përpjekur të paraqiten me veshje demokratike, me etiketa nga më tërheqëset dhe, nën maskën e këtyre bëhen të gjitha shkeljet e ligjishmërisë, bëheshin padrejtësitë më të mëdha, ushtrohej dhunë dhe terror i paskrupullt. Aq shumë abuzonin këto regjime me fjalën demokraci sa e shtynin në inflacion: demokraci socialiste, (“tipi më i lart i demokracisë”!), demokraci proletare, demokraci popullore, demokraci e klasës puntore, (diktatura e proletariatit – është demokracia e vërtetë”), etj., etj.
Pra, nga kjo shihet se armiku më i madh i demokracisë janë diktaturat e në mënyrë të veçantë diktatura e proletariatit… ku demokracia shëndrrohet në një sllogan, në një fasadë, për të fshehur thelbin e së vërtetës së saj.
.
Renia e bustit-Enver Hoxha
Renia e bustit-Enver Hoxha

Kontestim i një përmendoreje

Sheshet plot gjelbërim dhe monumente janë dekoret që i japin gjallëri një qyteti. Skulptorët më të mirë derdhin në bronx a në mermer artin e tyre, shpirtin e tyre. Monumentit dhe personazhet e historisë, kulturës, politikës vazhdojnë të jetojnë ndër shekuj nëpër këto sheshe. Që të jetë i përjetshëm një personazh duhet të jetë thellë në zemrat dhe shpirtin e njerzve. Bëmat e tij, sa ishte gjallë, duhet të kenë tërhequr simpatinë dhe dashurinë e bashkëkohësve dhe ata, këtë dashuri dhe mirënjohje ua transmetojnë brezave që vijnë në trajta krejt të natyrshme, ashtu siç di vetë dashuria: rrjedhshëm, pa sforcime, pa imponime, në mënyrë të veçantë pa dekrete të ngutshme!!!
Në seleksionimin e vet, historia e përcakton mirë – me gjykim të drejtë e gjakftohtë – veprën dhe vlerën e njeriut! Kur kjo vepër është pozitive dhe ka një vlerë mbarëkombëtare, historia nuk kursehet, e nxjerrë edhe nga balta e heshtjes, dhe reflekton në trajtën më tërheqëse, duke e paraqitur në tërë madhështinë e vet staturën reale historike të një vepre apo të një personazhi.
Historia nuk ia “ha hakun” askujt. Përkundrazi…
Një personazh i tillë i lartuar në monument flet me pavdekësi: jeton Skënderbeu, jeton Çerçiz Topulli, jeton Mihal Grameno, jeton De Rada jeton, jeton Naim Frashëri, jetojnë ndër monumente; po jeton edhe Ismail Qemali, edhe Fan Noli, edhe Gjergj Fishta, megjithëse pa ndonjë monument…
Ka raste kontestimesh: disa e pranojnë dhe e vlerësojnë pozitivisht një personazh, disa të tjerë s’e pranojnë, pasi e vlerësojnë negativisht. Në këtë rast, idhtarët e personazhit të kontestuar duhet të kenë kujdes, në mënyrë të veçantë kur këta janë në fuqi. Një veprim i tyre i pamatur mund të shkaktojë irritim, zemrim dhe revoltë në popull. Krijohen kontraste që papritmas mund të shpërthejnë. Vetëm faraonët kanë patur aq fuqi sa të urdhëronin përsëgjalli ngritjen e varreve monumentale për veten e tyre, piramidat që kushtonin aq jetë njerëzish…
Por, koha e Faraonëve ka vdekur!
E pashë rrëzimin e monumentit të diktatorit. Një figurë e kontestuar edhe pse ata që e adhurojnë mitin e tij nuk janë të pakët.
Në atë përkulje të ngadaltë dhe përplasjen në tapetin e blertë, përcjellë nga ajo klithëm gëzimi e qindra mijra njerëzve – ndjeva përmbysjen e një epoke, të një periudhe gjysëm shekullore që aq kobe i kishte sjellë këtij populli të shumëvuajtur… Njëkohësisht, edhe reagimi i idhtarëve të tij nisi të marrë një rrugë të rrezikshme. Tersiti – edhe i vdekur – sillte efektin e vet shkatërrues. Plaga nisi të mahisej përsëri…
Mençuri do të qe, që vlerësimi i një vepre apo i një njeriu të bëhet përmes historisë, dhe jo përmes emocioneve. Le të jetë historia ajo që do ta thotë fjalën e fundit, pa marrë parasysh as simpatitë e as antipatitë e njerëzve, as pasionet e ndezura elektorale!
Historia mbetet gjykatësja më e drejtë e veprave dhe njerëzve…
.
Burgu i Spaçit
Burgu i Spaçit

Nën samarin e frikës

Prej dhjetorit të ’90-ës, një puhi e freskët shprese, u derdh mbi vendin tonë. Janë erëra jetëdhënëse, që i bëjnë pemët të lulëzojnë e më pas të japin fruta, janë erëra që zhdavarisin letargjinë e njerëzve të strukur skutave për t’u përballuar me vështirësitë e kohës, janë erëra që ripërtërijnë funksionet jo vetëm jetësore por edhe shpirtërore përkohësisht të fjetura, të topitura…
Mitingjet, ishin tregues të ringjalljes shpirtërore, të shkundjes letargjike. Aty kishte solidaritet njerëzor për të shprehur ndarjen nga e keqja dhe gëzim e dëshirë për të fituar, në qëllimet e tyre vërtet pozitive drejt së ardhmes. Për të evituar ekseset ato u organizuan dhe u drejtuan me qetësi e mençuri.
Me veprime të pamatura dhe kur masa provokohet – krijohet momenti i konfuzionit dhe veprimi i pakontrollueshëm ku masat kthehen në turma të përbindshme… Dihet se një masë heterogjene e grumbulluar qoftë edhe rastësisht krijon një psikologji të vetën, dhe sado që të kontrollohet prej forcave të rendit publik, ajo vepron sipas ligjeve të veta. Në atë grumbull njerëzish mund të ketë edhe njerëz të kulturës e të arsimuar, po në atë çast të caktuar ata bëhen një brum i vetëm, po aq i paarsyeshëm dhe veprojnë sipas psikologjisë së turmës. Nëse kjo masë njerëzish kalon në ekses, ajo nuk mbahet më! Kemi kaq shembuj: englezët në Belgjikës, në Hajsell, në atë ndeshjen e famëshme Juventus-Liverpul, në eksesin e tyre shkaktuan një tragjedi të vërtetë me shumë të vdekur. Këtë masakër e bënë englezët. Po, a mund të akuzohen englezët si një popull i paqytetëruar dhe pa edukatë demokratike? Po në stadiumet italiane?
Në këto raste duhet patur kujdes, sidomos gjakftohtësi.
Tash së fundi janë në modë “antimitingjet”!
Antimitingjet janë rezultat i një pasioni kundërvënës. Prandaj, gjithsesi ato janë të rrezikshme. Antimitingjet e kohëve të fundit që u zhvilluan në viset e thella jugore ngjallën panik në popull dhe krijuan përshtypjen se me të vërtetë ndodhemi përballë një konflikti të madh civil! Parulla: “Me gjak e fituam, pa gjak s’e lëshojmë!” është nga të përbindshmet. Nuk ju kishin mjaftuar pesëdhjetë vite gjak, u duhet akoma… pёrgjakja!? Njerëz të tmerruar filluan të mendojnë “O burra të ikim nga ky vend, sa s’kemi lënë lëkurën…”
Eksodet e fundit për tokë e për det – përveç varfërisë – te kjo frikë e kanë kryesisht origjinën e tyre. Kundërvëniet që mund të përfundojnë në aksione të rrezikshme duhen evituar. Duhet t’u hiqen armët njerëzve që i mbajnë kot. Duhet bërë një punë serioze për ta zhdukur ndjenjën e frikës dhe fitimin e besimit ndaj institucioneve shtetërore.
.
Lazer Radi 1916-1998
Lazër Radi 1916-1998

Urrejtja si shkencë

Një nga fatkeqësitë më të mëdha të vendit tonë – një kataklizëm e vërtetë (jo natyrore – ka qenë pikërisht kultivimi sistematik i urrejtjes. Nuk e besoj se në ndonjë vend tjetër, të planetit stalinian – urrejtja të ketë arritur kulmet e veta aq sa të ngrihet në shkencë! Urrehet “armiku” (hipotetik) i klasave, urrehen fëmijtë e nipërit e tij deri në brezni të pasosura, urrehet e vërteta, urrehet e drejta, urrehet ai që hesht po dhe ai që flet, urrehet prona, urrehet bota, urrehet zhvillimi, urrehet çdo njeri që dyshohet si kundërshtar i mundshëm në të ardhmen…
Në kaq pak njerëz kaq shumë urrejte, duket disi e pabesueshme…
A pritet ndonjë e mirë nga një vend që për dekada e dekada është mëkuar me kët qumësht të helmët urrejtjeje?
Nuk mund të ishte ndryshe. Vendi i ynë i sakatosur kaloi periudhën e vet me të errët të dekandencës shpirtërore. Një gjë e tillë vërehej kudo: në rënien e vlerave të traditave tona më të mira, në rënien morale, juridike, politike e kulturore. Zhdukja e fesë dhe shpallja e ateizmit shtetëror si kurs zyrtar i mbarëvendit, ka qenë vula themelore e kësaj dekadence. Gjithçka u bë materiale: u materializuan ndjenjat… deri edhe dashuria. A do të ketë forca të mjaftueshme ky popull aq i vuajtur ta shkulë me rrënjë këtë urrejtje të përbindshme dhe ta zëvendësojë me dashuri njerëzore? A do të mund të krijojë mirëkuptimin, sjellje fisnike dhe mirësi në veprimet e veta ky popull i përdhunuar barbarisht?
Në rend të parë duhet të luftojmë me veten tonë. Po nuk u përpoqëm të pastrohemi shpirtërisht – nuk do të mund t’i shpëtojmë kancerit të urrejtjes. Vetëm me synime të qarta, pa urrejtje në shpirt, pa ballkanizma çoroditëse do të mund t’i afrohemi Europës dhe të bëhemi pjesë e denjë e saj.
.

Kultura e zgjedhjeve

Më 31 mars populli shqiptar shkon në votimet e para të lira dhe pluraliste. Në këtë rast vetvetiu na bëhet të pyesim: a do të dijë ky popull ta përdorë si duhet, me dinjitet dhe urtësi, pa eksese dhe i qetë atë dhuratë hyjnore që ka në dorë: lirinë për të zgjedhur? A do të dijë ky popull të tregojë se diktatura dhe shtypja gjysëm shekullore nuk e ka tulatur, po e kanë kalitur si hekurin në kudhër?
Mos të harrojmë se projektorët e globit i janë mbi Shqipëri. Bota do ta shohë me sytë e vet, për të parën herë këtë popull, për të cilin ka dëgjuar shumë, herë mirë e herë keq, por më shumë keq, sepse e tillë ishte propaganda kundra vendit tonë.
I qetë dhe i vendosur do të shkojë në zgjedhjet. I armatosur me dy armë të fuqishme: dëshirën për të ndryshuar dhe vullnetin për të kapur kohën e humbur. Pluralizëm s’do të thotë vllavrasje por, pikëpamje e platforma të ndryshme, të cilat në fund konvergojnë në një objektiv të vetëm: Të shkohet kah liria, demokracia dhe mirëqënia për të gjithë.
Pas zgjedhjeve duhet të përgënjeshtrohet mendimi që qarkullon se do të bëhet masakër. Le të fitojë ajo parti që ka më shumë mbështetje në popull. Nuk mund të fitojnë të gjitha partitë. Njëra do të fitojë. Partitë e tjera janë të detyruara të njohin vullnetin e shumicës dhe t’i nënshtrohen bashkëpunimin me partinë fituese duke mbetur në opozitë. Nevojitet përpjekja e gjithë popullit për ta futur denjësisht vendin tonë në Europë, në atë shtëpi të madhe, të përbashkët, pa kufij e pa shovinizma shkatërrimtare ballkanase.
.
Jam i bindur se ky popull – si kurdoherë në çastet e veta më të vështira – do të dijë ta tregojë veten si liridashës, i qytetëruar dhe demokrat.
.
1990-1991

Related Images:

More articles

2 KOMENTET

    • Për fatin e keq… Për fatin shumë të keq, për 50 vjet rresht kanë zëvendësuar “Romën për Tomën”!! Kultivimi sistematik i urrejtjes për të ndershmin, për të diturin, per të pafajshmin, kush e ka njoftë Lazër Radin, (e unë jam një nga ata), ka pasë respektin më të madh për të… Shqipëria është një nënë që ka shumë fëmijë jo të gjithë dalin të mirë… normale apo jo!!!!!!!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.