back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Dhunimi i Varrit të Mid’hat bej Frashërit – Opinione

Gazeta

Mid'hat Frasheri (1880-1949)
Mid’hat Frasheri (1880-1949)

Dhunimi i Varrit të Mid’hat bej Frashërit – Opinione

“Një varr nuk mbulon kurdoherë një njeri të vdekur.
Shumë herë jeta e vërtetë, rrojtja shpirtërore, fillon kur mbaron fryma.
Ç’ka të bëjë zhdukja e trupit në qoftë se ideja rron,
kur ajo ide ngjall njëmijë shpresa dhe entuziazëm te të tjerët?
Dhe bash këto janë jetë e vërtetë”.
Mid’hat Abdyl Frashëri (Lumo Skëndo)

Varri i dhunuar i Mid'hat Frasherit ne Tirane
Varri i dhunuar i Mid’hat Frasherit ne Tirane

Vandalizimi i varrit të Mid’hat Frashërit nuk është rastësi

Miq, vandalizimi i varrit të Mid’hat Frashërit nuk është rastësi. Edhe pse në amshim, pinjolli mendjehollë i derës fisnike dhe patriotike të Frashërllinjve të Përmetit përbën shqetësim në qarqe të caktuara. Pra, le të mos kemi iluzione: Edhe pse Frashërllinjtë nuk kanë armiq, dhunimi nuk është rastësi!
Nuk ka dyshim se cilët janë armiqtë e Mid’hatit. Armiqtë e tij janë armiqtë e Shqipërisë. Idetë kombëtare të Mid’hatit, kulti i tij i mëmëdheut dhe edukimi i shqiptarëve me të bukurën, përparimtaren, të mirën, paraqesin rrezik për armiqtë tanë. Mjerisht, jo rrallë ndodh që armiqtë janë shqipfolës injorantë, dallkaukë të rrezikshëm dhe bukëshkalë të pandreqshëm.
Pra, buzëholli ynë – siç e quajti studiuesi Aurel Plasari – mund të mbetet i dhunuar, por idetë e tij jetojnë në eterin e kësaj bote, sa të pabesë aq edhe të etur për lirinë dhe përparimin.
Administratori i Faqes Mid’hat Frashëri

Kur Kryeministri ligjeronte mbi varr te Mid'hat Frasherit
Kur Kryeministri ligjeronte mbi varr te Mid’hat Frasherit

Trishtim ndjellakeq – nga Behar Gjoka

Shkatërrimi i varrit, dhunimi i bustit dhe pllakës së mermerit, të Mid’hat Frashërit, më la shije të athët, më dëshpëroj pa mase. Dhunimi i vdekjes dhe të atyre që nuk janë më në jetë, shënon një atavizëm të frikshëm, qe me sa duket i ka rrënjet diku ne atavizmin ideologjik, të monizmit, që ende na është lidhur lak në fyt, e natën e bën terr, e ditën natë. Errësira e territ, o njerëz, është ulur këmbëkryq, mjafton të mendosh “legalizmin” e patronazhistave, në gjoja demokraci, si dikur në motet e diktaturës, se ku akoma kemi mbetë gjallë. Trishtim ku të pritet fjala, pa grimën e mëshirës, sepse jemi peng i së djeshmes, madje si mendësi jemi totalisht në të djeshme, që vriste e priste, dhunonte dhe shkatërronte jetët njerëzore. Dëshpëruese, sa nuk rrëfehet, sepse kjo marrëdhënie me matanjetën, na le pa të sotme, madje më shumë na la çipllak dhe pa të nesërme. Mid’hat Frashëri është pjesë e historisë sonë, me fitimtarë dhe humbës, është pjesë e kulturës sonë, është pasardhës i Abdyl Frashërit. Dje, sistemi diktatorial, vetëm pse krijoi Ballin Kombëtar, pra duke i rrezikuar pushtetin komunizmit, e shpalli armik. Sot, në motet e gjoja demokracisë, e gjoja lirisë, e lirisë së skllavërimit ia dhunojnë varrin, e vrasin së dekmi… Çfarë ka mbetur pa u bërë, në gjallje dhe në amshim, mbi emrin, veprën dhe praninë e kësaj figure të historisë sonë, të përjashtimeve të frikshme, në këtë nahinë tonë… Edhe kur sollën eshtrat e Faik Bej Konicës, mbaj mend që ia dhunuan bustin, se nuk durojnë famën e beut mençurak dhe sqimatar. A ka vend për tjetrin ndër ne? A ka hapësirë për të ndryshmin? A dimë të heshtin mbas vdekjes? Jemi kundër vetes, vëllezër dhe motra shqiptare, e kur je kundër vetes, kush po të don komshi. Nëse e fshijmë si Mid’hat, pa Lumo Skëndon, kultura do të humbte shumë, do ishim pa pasurinë e revistës Dituria, pa Kalenderin Kombiar, pa veprat letrare, pa pasurinë e librave që ia dhuroi bibliotekës kombëtare. Mbi të gjitha dhunimi i Mid’hat Frashërit apo Faik Bej Konicës, tregon se ideologjia komuniste ka lënë një humnerë në mes shqiptarëve, një humnerë që na rrëshqet drejt humbjes së arsyes, së paku të vdekurit të lihen të prehen në amshim. Zoti na dha Shqipërinë, aq të bukur, me male dhe fusha, me det e lumenj, me liqene e kodra, me shumë begati. Na bekoi me diell, me dritë, e na në luftë me vetvedin, po çudisim botën. Kur preket vdekja, te vdekurit, tregon se ende nuk po e gjejmë udhën e Zotit, paqen me veten dhe me botën, shtegun për demokraci dhe liri.
Fali mjeranët se nuk dinë se çfarë bëjnë.
Heshtni, o hije të së djeshmes, se fjala e thanme vetëm sa iu çnderon. Duan apo nuk duan ata që kanë mbetë në kohën e Babaqemos, Mid’hat Frashëri, është pjesë e jona, e historisë dhe kulturës sonë, me dritëhijet që ende na qarkojnë këmbët, mendjen, duart, hapat për të vlerësuar figurat që kanë lënë gjurmë në ngrehinën e kultures arbnore…

Varri i dhunuar i Mid'hat Frasherit ne Tirane
Varri i dhunuar i Mid’hat Frasherit ne Tirane

Dhunuesi kurajon e ka prej nesh… Marash Mirashi

Pati një përpjekje për ta paraqitur dhunimin e bustit të Mithat Frashërit, thjesht si një veprim individual e të izoluar të një personi iks apo të një “biri të paudhë të popullit!” Jo! Sipas meje, kjo është një vepër kolektive e shoqërisë tonë. Të gjithë kemi kontribuar nga pak që dhunuesi të ketë kurajon e mjaftueshme për të bërë vepra të tilla, kaq të ulta! Nuk kemi pse distancohemi duke treguar me gisht dhunuesin e se gjoja, ne të tjerët qenkemi të pastër kristal, e për më tepër, nuk paskemi as dhe përgjegjësinë më të vogël!

Tre Vellezerit Frasheri - Abdyli - Naimi - Samiu
Tre Vellezerit Frasheri – Abdyli – Naimi – Samiu

Dekomunistizmi proces i gjatë e i vështirë – Dodë Mëlyshi

Ata që dhunojnë bustin dhe varrin e Mid’hat Frashërit sot, nuk janë më pak primitivë se parardhësit e tyre që dhunuan varrin e Fishtës me eshtrat në lumë dje.
E njëjta monstër, e njejta rracë kriminale.
“Eshtë qesharake të merremi me komunizmin, se ai tashmë nuk ekziston! – na thonë të shumëditurit e Hiçit.
Nuk ekziston si korpus pushtetar, ligjor dhe istitucional në fakt, por ekziston “helmi” i tij, i akumuluar gjerësisht në hibridin famëkeq të “njeriut të ri”.
Ndaj dekomunistizmi është një proces i gjatë, i vështirë dhe shumë i mundishëm, sepse ka lidhje pikësëpari me kokën e sëmurë e të infektuar te njeriut.

Varri i dhunuar i Mid'hat Frasherit ne Tirane
Varri i dhunuar i Mid’hat Frasherit ne Tirane

Madhështi e Mid’hat Frashërit është e përjetshme – Nini Dede

Në vitin 2018 i pranishëm në ceremoninë e sjelljes së eshtrave të Mid’hat Frashërit përjetova: “Emocion dhe përmbushje shpirtërore të jeshë i pranishëm për një kolos si Mid’hat Frashëri…!”
Nuk jetova në një epokë me të, por jetova në kohën kur pesha e fisnikërisë së tij oshëtiu bindshëm përtej mureve të Akademisë së Shkencave dhe depërtoi më thellë se zemra e çdo shqiptari!”
Sot në vitin 2022, kuptova që ishte e pamundur t’i dhunoje eshtrat e kolosit të shqiptarizmës në SHBA, prandaj duheshin sjellë në Shqipëri për ta pasur më të lehtë për ta poshtëruar figurën e tij!
Ende i kam para syve uniformat amerikane që shoqëruan kortezhin mortor të rivarrosjes së eshtrave të tij në Shqipëri atë ditë sipas amanetit, të cilët e mbronin njëlloj sikur të ishte gjallë derisa ta dorezonin në “duart e sigurta”, ato duar që do ta qëllonin pabesisht 4 vjet më vonë!
Gjithsesi sado të mundohen për të kundërtën, madhështia e Mid’hat Frashërit jo vetëm që nuk zhduket por për mendimin tim është e përjetshme!
Do vijë një ditë që brezat e ardhshëm do të na gjykojnë mbi veprimet dhe mosveprimet mbi figurën e tij!
Zoti e shpëtoftë një ditë Shqipërinë!

A prishen Varret?! nga Jaho Brahaj

Mirë që nuk i duam bustet dhe i prishim, po me varret tregojmë se jemi në gjendjen e egërsisë çnjerëzore!
-Vandalët dhe të ashtuquajtur njerëz jetojnë mes nesh. Shoqëria duhet të shkundet dhe të shikojë se po bashkëjetojmë me qenie të ashtuquajtura njerëzore, por janë në primitivitetin e epokës së egërsisë.

Rivendosja e Bustit te Mid'hat Frasherit
Rivendosja e Bustit te Mid’hat Frasherit

Shqiptarët e paguar të krimit – nga Bedri Çoku

Shkatërrimi i bustit të Mid’tat bej Frashërit, padyshim që, ata që e kanë bërë këtë akt vandalist, kam dyshim se ky vandalizëm, ndaj një shqiptari të shquar, simbol i atdhedashurisë, është bërë nga shqiptarë të paguar, të cilët vrasin nënën dhe babanë e tyre për ca para…
Eshtë koha më e ashpër kundër shqiptarëve që e duan dhe luftojnë për sovranitetin e Shqipërisë e të Kosovës..

Më quani balliste – është krenari njerëzore – Nashi Brooker

Pavarësisht faktit se nuk aderova apo aderoj në asnjë parti politike, kush është me Ballin të jetë vetëm krenar dhe asgjë tjetër.
Para disa vjetësh një komuniste e vendosur derisa të vdesi në vendet imperialiste-kapitaliste recitonte “Epopenë e Ballit Kombëtar”. Kjo grua shprehte urrejtjen e mbjellë brenda saj për çdokënd që sipas “Epopesë” së Musarajit “Ballistet” vetëm hëngrën pula dhe bënin pallë e qejf o qerrata. Kurse partizanët e saj, në fakt kjo komuniste nuk pati partizanë në luftë, dhanë jetën për liri. Kjo komunistja e Epopësë së Ballit Kombëtar nuk e kupton as sot se ishte spiune e Hoxhës. Çdo komunist duhet të sillej si komunist të spiunonte. Kjo vepër është vepra më e shëmtuar njerëzore.
Shoh edhe miq të nderuar që nuk pushojnë se shkruari për heronj të luftës. Nuk kanë lënë shkolla, rrugë, emra lagjesh, librarish pa i vënë emrin e dikujt që vetëm u vra në luftë. Nuk lënë 5 maj, festa nëëndori pa shkruar. Nuk i shoh të ulen dhe të kujtojnë apo të thonë një fjalë për viktima e komunisteve të Hoxhës.
Sikur janë në mbledhje fronti dhe sot të jenë të parët me flamur të kuq. Emrat që vranë komunistët edhe kur vihen, me forcë.
Disa shëmtohen.
Disa rrënohen.
Busti i Mit’hat Frashërit rrënohet.
Shkolla me emrin Kristaq Rama. Kristaq Rama “artist” leshi kur thotë populli, i cili firmosi vdekjen në litar të një poeti. Dhe djali i tij po “artist leshi”, një vagabond në çdo qelizë të tij, përdhos çdokënd si edhe ballistët si Mit’hat Frashëri.
Unë kam pasur ballista në miqësinë e familjes së tim ati. Njerëz që vetëm ulnin kokën dhe punonin pa bërë zë. Çfarë ballisti ishte një fshatar nga Tunja e Gramshit apo fshatrat e Beratit dhe Elbasanit kur nuk kishin bërë as dy klasë shkollë. Por sipas tyre ata mendonin se kombi ishte i pushtuar nga italianet dhe ju bashkuan çetave të Ballit. Ashtu si bëri xhaxhai po i pashkolluar ju bashkua partizanëve dhe ishte në brigadën e Mehmet Shehut. Me siguri që përdorej për transporte armësh apo punë të tjera ndihmëse. As nuk do bëhej komisar politik as komunist, por gjyshi ishte patriot, kishte mundësi ekonomike që një djalë ta çonte partizan.
As nuk e kishin takuar Mid’hat Frashërin.
Rrezik se as emrin nuk ia dinin.
Si jo të gjithë komunistët nuk dinin as atëhere as tani se në fakt kush ishte Enver Hoxha.
Ballistët, miq tanët, akuzoheshin për vrasjen e tre partizanëve në një fshat të Elbasanit. Se cila ishte e vërteta vetëm Zoti e di se e vërteta e komunistëve nuk është e vërtetë. Fjala ballist le të përdoret sepse askush nuk duhet të ofendohet për një ide politike.
Ka anëtar Partie, por ka dhe komunistë. Komunistët hoxhistë janë fanatikë dhe tragjikisht injorantë.
Me shkollat e Partisë ose më mirë të “putanisë” shqiptare të krekoseshin kur as brekët e tyre nuk dinin te lanin.
Vepra e Enver Hoxhës nuk ka emër tjetër përveçse: Holokausti i Kuq Hoxhist.
Fjala komunist i Enver Hoxhës kush e meriton është me saktësi përdoret për persona që janë spiunë, injorantë, hakmarrës, shkelës të dinjitetit njerëzor udhëhequr nga ndjenjat e tyre shtazarake ku ka rrënjë vetëm urrejtja për tjetrin!

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.