back to top
10.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Prill, 2024

Dhjetë pyetje Nexhmije Hoxhës nga Uran Butka

Gazeta

Historiani Uran Butka
Historiani Uran Butka

Dhjetë pyetje Nexhmije Hoxhës

nga Uran Butka

E ndoqa intervistën e gazetares R. Xhunga me Nexhmie Hoxhën mbrëmjen e shkuar. Me këtë rast dëshiroj t’i bëj disa pyetje, që nuk ia bëri gazetarja, për ta nxjerrë sa më të pëlqyeshme dhe të pacënueshme figurën e saj dhe të Enver Hoxhës. Besoj se do të më përgjigjet mua dhe shqiptarëve.
Nuk dua të hyj në polemika me të, për ato çfarë tha e nuk tha, sepse është e drejta e saj. Por nuk mund të hesht, kur cënohet e vërteta, kur provokohet një popull që ka vuajtur dhe është traumatizuar nga ai regjim, si edhe për hipokrizinë dhe mashtrimin e madh, që ka vazhduar gjysmë shekulli e që vijon edhe sot e kësaj dite dhe që ndikon, që njerëzit e thjeshtë, por edhe të zhgënjyerit, të kthejnë kokën pas me nostalgji.
Dua vetëm ta pyes lidhur për disa nga shoqet e saj, që i përmendi në intervistë.
Zonja Nexhmie, ju folët për aktivitetin tuaj revolucinar e antifashist në Institutin “Nëna Mbretneshë”, si edhe përmendët disa prej nxënseve të asaj shkolle, shoqet e tua, që kishin qenë edhe më aktiviste se ju, si Naxhije Dume, Selfixhe Ciu, Ramize Gjebrea, Fiqrete Sanxhaktari, Drita Kosturi, Safo Marko e të tjera, por nuk rrëfyet asnjë ndjesi për fatin e tyre dhe për përgjegjësinë tuaj.
Po i bëj pyetjet me radhë për ju, por njëherësh po jap edhe ndonjë informacion për ato, në mënyrë që lexuesi, sidomos brezi i ri, të dijë se për çka po flitet.

Ramize Gjebrea (1923-1944)
Ramize Gjebrea (1923-1944)

1.
Ju treguat sesi e kini njohur Enver Hoxhën në kohën e Luftës, sesi jeni dashuruar dhe takuar me të nëpër bazat ilegale etj. Kjo është një gjë e bukur dhe një shembull i mirë për atë kohë lufte. Ju pyes, përse Enver Hoxha u tregua tolerant, i sjellshëm, i dashur ndaj jush, ndërsa intolerant dhe armiqësor ndaj Ramize Gjebresë?! Përse edhe ju nuk e mbrojtët dashurinë e saj, siç u kujdesët për dashurinë tuaj? Ajo ishte një vajzë e re, një nga prijëset e demonstratave antifashiste në Tiranë, drejtuese e Rinisë komuniste në Bregun e Detit, publiciste e njohur, bijë e Kosovës, etj. dhe vetëm pse dashuroi Zaho Kokës, u dënua me pushkatim në lulen e rinisë. Edhe dashuria e saj me Zahon ishte e heshtur, e sinqertë dhe e kujdesshme, ashtu si edhe tuaja. U akuzua se Zahua i kishte hedhur kapotën ushtarake tek flinte… etj, ndërkohë që ajo ia kishte hedhur pallton e saj një partizani të ri të sëmurë. Pushkatimi i saj antihuman u aprovua nga Enver Hoxha, i cili si gjatë luftës, ashtu edhe pas saj, si komandant i përgjithshëm, miratonte ekzekutimet me vdekje (ekzistojnë qindra dokumente, ku ai ka firmosur: Aprovohet dënimi me vdekje, Enver Hoxha, d.v.).
Përse ju, duke e njohur Ramizenë si një vajzë e mrekullueshme, nuk ndihmuat që ajo të mos pushkatohej vetëm pse dashuronte, sikundër ju. Ajo nuk bëri asgjë tjetër, asnjë sjellje apo gjest që të dëmtonte moralin apo luftën. Dhe nëse nuk kishit një mundësi të tillë, pse nuk e keni dënuar kurrë këtë akt barbar dhe burracak!?

 

Drita Kosturi e re
Drita Kosturi e re

2.
Ju përmendët Drita Kosturin, si një nga aktivistet më të zjarrta, që merrte pjesë aktive në demonstrata, madje edhe me “kordele të kuqe” në kokë, siç e thoni edhe ju. Ndryshe nga ju, që punuat në ilegalitet në Tiranë, ajo u hodh në luftën partizane dhe ndihmoi si infermiere në mjekimin dhe shërimin e jetëve të tyre. Përse u dënua me burg në Burrel dhe u torturua, madje u përdor edhe elektroshoku ndaj saj, që ia rrëzoi flokët dhe dhëmbët. Përse nuk u kujdesët që këto makabritete të mos ndodhnin? A jeni edhe ju përgjegjëse?
Ju deklaruat në intervistë që “kam qenë bashkëpunëtore me Enver Hoxhën”. Vetë Drita ka theksuar në intervistat e saj, se jeni edhe ju vetë përgjegjëse për fatin e saj. Ndryshe nga ju, që nuk kini bërë asnjë reflektim, as kini kërkuar dhe as kërkoni falje, ajo e kuptoi kohën dhe gabimet e saj dhe ka thënë: “Gabimi më i madh i jetës sime, që nuk ia fal, është që u bëra komuniste!”.

Selfixhe Broja - Ciu
Selfixhe Broja – Ciu

3.
Ju kujtuat Selfixhe Ciun, (Broja) nga Gjirokastra, një poete dhe tregimtare, një nga aktivistet e para të Lëvizjes komuniste, e burgosur nga fashistët, pjesëmarrëse aktive në demonstratat dhe luftën antifashiste, bashkë më të shoqin, Xhemal Brojën, por që për motive “politike” u dënuan dhe u internuan në Kurvelesh dhe mandej në Gradishtë dhe vuajtën tmerrin e internimeve.
Nga internimi ajo ju dërgoi dorazi një letër, zonja Nexhmie, të cilën ju e morët, por kurrë s’i kthyet përgjigje dhe as u interesuat për fatin tragjik dhe të pafajshëm të shoqes suaj dhe të familjes së saj. A thua, e meritonte atë ndëshkim??

4.
Ju përmendët Naxhie Dumen, “komuniste e orëve të para”, aktiviste e Luftës NÇ, anëtare e KQ të PPSH, ministrja e parë e shtetit shqiptar, që u godit dhe u internua me gjithë familje, ashtu si edhe Liri Belishova, anëtare e Byrosë Politike, dhe pësuan trauma, siç ndodhi edhe fatkeqsia me vajzën e Lirisë, Drita Çomo, poetes së njomë që vdiq në internim…
Ju nuk mbani përgjegjesi për to?

Drita Como (1958-1981)
Drita Como (1958-1981)

5.
E përmendët edhe Fiqrete Sanxhaktarin, për veprimtarinë e saj antifashiste, po për shkak të rivalitetit tuaj me të, si edhe të luftës politike për pushtet, pas vrasjes së Mehmet Shehut dhe damkosjes së tij si poliagjent, u damkos me tortura edhe Fiqretja, doli në gjyq dhe shqiptarët nuk e njohën, sepse ishte tjetërsuar nga torturat tuaja. U dënua me vdekje, edhe eshtrat nuk i dihem, si mijëra kundërshtarëve të tjerë. Në atë kohë, ju zonja Makbeth ishit e fuqishme, edhe sipas të gjitha informacioneve dhe studimeve, ju kini gisht në gjithë këto dënime. Ndërsa sot, në intervistë thoni: “Shoku Enver ka marrë gjithnjë vendime të drejta! Gjithë sa thuhen janë legjenda dhe shpifje”!!!

6.
Nuk e përmendët Liri Gegën, të plotfuqishmen e KQ gjatë luftës, që ka organizuar vrasjen e Mustafa Gjinishit me urdhër të Enver Hoxhës dhe Miladin Popoviçit, por që Enver Hoxha e pushkatoi Lirinë bashkë më të shoqin, gjeneral Dali Ndreun, për motive politike. E vrau Lirinë kur ajo ishte shtatzënë dhe ju nuk e ndalët dorën e tij vrastare, kur ai vrau një grua me një fëmijë në bark. Një krim monsrtuoz, si shumë të tjerë, që ju e quani të drejtë.

Musine Kokalari para gjyqit...
Musine Kokalari para gjyqit…

7.
Kjo ndodhi me shoqet e tua, që përmendëm, por edhe me të tjera, ashtu siç ndodhi më parë edhe me nacionalistet dhe intelektualet e shquara shqiptare, si Musine Kokalarin, shkrimtaren e parë shqiptare, opozitaren e pare, që e dënuat pa faj me burg dhe internim deri sa vdiq me kancer, por edhe me intelektualen tjetër të shquar, Sabiha Kasimatin, shkencëtaren e parë shqiptare, pedagogen tuaj në Instituutin femëror “Nëna Mbretneshë”, që e pushkatuat si terroriste me pretekstin e hedhjes së një dinamiti në oborrin e Ambasadës Sovjetike.
Ju e dini që Sabihanë në listën e Vdekjes e vuri Enver Hoxha, për motive personale dhe intelektuale…
Zonja Nexhmije, ju pyes: A ishte Sabihaja terroriste? A e hodhi ajo bombën dhe ata 22 intelektualë të shquar që u pushkatuan pa gjyq dhe që u bënë kurbanë më themelet e miqësisë shqiptaro-sovjetike dhe të politikës staliniste të E.Hoxhës?

Sabiha Kasimati - Shqiptarja e parë shkenctare
Sabiha Kasimati – Shqiptarja e parë shkenctare

Znj. Nexhmije, a nuk kini edhe ju përgjegjësi për këtë masakër? Unë them se po! Në atë kohë që ndodhi ky incident ne Ambasadën Sovjetike, ishte mbledhur plenumi i KQ të PPSh, për t’i rrëfyer BS dhe Stalinit besnikërinë dhe miqësinë e pathyeshme. Ishit edhe ju në atë plenum, që e kam studiuar në një libër të veçantë, dhe ngritët dorën edhe ju për, t’i dënuar pa gjyq e pa faj 22 qytetarët e pafajshëm, ndër ta edhe pedagogen tuaj, Sabiha Kasimatin. Nuk ju erdhi ndopak keq, nuk iu dridh dora dhe qerpiku për të dhe nuk kini kurajo të kërkoni falje, të paktën për Sabiha Kasimatin, pedagogen dhe viktimën tuaj?!
Znj.Nexhmije, në intervistën tuaj ju thatë se kini qënë ilegale dhe se Enver Hoxha ju ka strehuar në baza të sigurta, si te shtëpia e Syrja Selfos, ku banonte me të fejuarën. Atje banuat bashkë më Enver Hoxhën gjatë okupacionit italian dhe Syrjai bashkë më të fejuarën e tij ju ruajtën dhe ju shpëtuan kokat, ju ushqyen dhe ju shërbyen. Ju pyes: Ç’u bë më Syrja Selfon dhe familjen e tij? Enver Hoxha e vrau strehuesin, besnikun, mikun, bashkëpatriotin Syrja Selfo me pabesi. E burgosi dhe e vrau në burg, pa e nxjerrë në gjyq, që të mos i dilnin në shesh horrlliqet. Dhe ia hodhi fajin Koçi Xoxes për këtë vrasje. Por Koçi, teneqexhiu, siç e përmendi ju, në gjyqin kundër tij, tha se të gjitha vrasjet janë bërë me urdhër të Enver Hoxhës!

Nexhmije Hoxha
Nexhmije Hoxha

Enveri yt i lau duart si Pons Pilati, ndërsa ju, zonja Nexhmije, vazhdoni t’i lani ende.
Në intervistën tuaj ju kërkoni që të rehabilitohet Enver Hoxha dhe shpresoni për këtë gjë. Ju siguroj si historian, se ajo kohë nuk kthehet më. Regjimin e Enver Hoxhës nuk e rrëzoi një person, as një grup njerëzish, po një popull i tërë. E rrëzuan studentët, që i hoqëm emrin Universitetit të Tiranës, e hodhën poshtë qytetarët antikomunistë të Tiranës e të gjithë Shqipërisë statujën e diktatorit më të keq të Europës, e dënoi historia dhe asnjë forcë nuk mund ta kthejë atë kohë, as dëshira iluzive dhe nostalgjike e juaja, znj. Nexhmije Hoxha.

Marrë nga https://ballikombetar.info/2016/02/11

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.