Dhjetë poezi nga libri “Kujtesa e Mjegullës” i Jozef Radit

Kujtesa e Mjegullës 2000

Kujtesa e Mjegullës 2000

 Dhjetë poezi nga “Kujtesa e Mjegullës” Jozef Radi – RD

Apokalips

Bota po u përgatit kapelet
të mbeturve pa kokë…

Ndër arkivole pafund
monton gjithfarë hekurishtesh
e nëpër muzg ato shfaqen të frikshme
si autoblinda…

Në kët çmendinë të përjetshme
dikush në telefon më cërriti
“Jetoj në harmoni të plotë,
me pjesën time të vdekur!”
…dhe unë s’di ç’të bëja
me të gjallët e mi!!

Bota po përgatit kokë hekuri
atyre që u ka mbetur veç kapelja!
1990

Shpëtojeni Venecien!

Shpëtojeni Venecien!
Qytetin që humb pak nga pak nën puthjen e detit,
perlën që peshqit e fshenin ndër velza
ta shetisin thellë n’humnera të harresës!

Shpëtojeni Venecien!
Qytetin pulbardhë të gurit pa flatra,
qytetin gondol, qytetin ëndërr,
qytetin që vuan prej detit
e që pa detin… vdes!

Shpëtojeni Venecien!
Se gjithnji do të jetë një qytet
që vuan t’mos e humbasë tokdetin e vet,
ndoshta çdonjeri prej nesh
në det të dëshpërimit
është ndjerë nji Venecie,
po ka dalë dikush prej jush
dhe n’ulërimë ka thirrur
Shpëtojeni, shpëtojeni Venecien!
1987

Ftesa e vdekjes

Vdesim përditë nga pak,
dhe vdekjen s’e presim me ftesë!

Eja vdesim nji copet…
le të jemi edhe ne
në festën ku askush s’na thërret,
le t’i gëzojmë marrëzitë tona
prej fjale dhe mllefi,
le t’i bashkojmë urat e këputura t’ëndrrave
e të rilindim prej gurëve…
Eja t’i rrëshqasim kësaj bote
ku s’paska vend t’jetosh njerzisht
e ku askush s’të pengon të vdesësh!
1990

Hapësirë Blu

Zvarrë më ke marrë
n’at det pa brigje,
zhag më ke hequr
me at shtat sirene
në nji ishull të paemër,
më fshehe…
dhe bashkë me diellin
çdo mbrëmje më mbysje!

Deti,
pyll i mistereve të tua
mrekullia jote prej uji dhe frike
hapsira blu ku veç ne të dy
shihnim ç’ka s’dukej…

Deti,
shkretëtira e magjive të tua
marrëzia ku ti humb, mbytesh
dhe rishfaqesh nëpër dallgë,
e ngado më merr zvarrë
shpirti yt prej sirene…
1996

Mjegull dhimbjeje
(në harkun e nji viti, humba të dy prindët)

Gishtat e verbër
s’mund të prekin asgja
në detin e kësaj mjegulle
ku jam zhytur.

Fytyra e shumfishtë e vdekjes
me ndjek gjithkah
nëpër mjegull…
e nëpër mjegull
edhe fjalët e të ikurve
m’rëndojnë si gurë në shpirt…

Me gishta të verbër
gërmoj detin e dhimbjeve të nënës
dhe kthimin e tim eti nga qiejt,
si shpend me krahë misteri
mjegulla e dhimbjes ma përpin…
1998

Vjeshta dhe ti

Nëse vjesht vjen me portretin tënd
askush s’do ta quante vjeshtë,
dhe rënia e gjetheve s’do shihej askund…

(Qielli u struk ndër bebzat e tua
e shirat pezull si bistakë argjendi rrinë…)

Pemët imitojnë flokët e tu…
dhe prarimi yt ndjell
një pyll duarsh që zgjaten e zgjaten…

Nëse vjeshta derdhet prej shpirtit tënd
s’do të quhej vjeshtë, tjetër emër do t’kishte,
ndër flokë gjethsh do dremisë qielli
dhe deti do përlotej
me sytë e tu të pafajmë…
1993

Lojë me kafka
Mbasi leximit të librit “Hedh një kafkë te këmbët tuaja” të Visar Zhiti

Në vend të dorashkës
Visari përplasi “kafkën” e vet
n’at shesh ku vrasësit
jani gati për regbinë e përgjaktë
të pafrikur prej krimesh të freskëta…

Do t’i lodhë shqelmat e tyre ajo kafkë
të qeshurën jeniçere do ta lodhë
do ta çmëndi barin ngjyra e gjakut
dhe ajo kafkë plot krrela si habi e pafajtë…

Vrasësit nuk ndalen në meslojë,
e qeshura e tyre vret më zi se tërbimi
dhe s’është çudi nji ditë
ta marrin sërish kokën time, kokat tuaja
për lojën e tyre makabre
për lojën e tyre të përjetshme
përplot me kafka dhe visarë…
1994

Sizif…

E vuaj kohën prej nga vij
pa ia gjetur pse-të…
I vuaj ditët e mbytura drite
nëpër lodhje të patrajta,
e vuaj konkretësinë e gjithçkaje
që më endet ndër sy,
kapistallin e fatit që për fyti m’tërheq
e besimin ma shterr…

Ende është vuajtje
t’i ngjisësh gëzimet e vogla
në malin e madh të kohës
nga vijmë…
1998

Kohë e dytë

Me natë dola rrugëve
të lyp pak robëri
të mbetur nga koha
e Mureve dhe Kloneve…

I lodha pemët me lypjen time,
i lodha rrugët me hijen që lyp
i lodha sytë me përvuajtje sysh…
Kaq shumë liri për ta lypur terrin
ne që nëpër terr lypnim liri!

Jo s’më dhëmb vdekja e përditshme
që vërtitet si vrundull brenda mjeje,
as ky qiell plumbash
që s’i lëshon fill balonës
dhe rreket ta përpijë kët jetë të çmendur
me duart e mbetura bosh…

Ma hidhni një rreze drite në kapele,
jo kët stinë, s’e kam lypë kurrë!
1997
(poezi të përzgjedhura nga libri “Kujtesa e Mjegullës” V. Zhiti)
(RD, e dielë, 20 gusht 2000)

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Arkivi Jozef Radi, Poezia  Etiketat: , , , , , ,
Një përgjigje
  1. lola shehi Tha:

    Poezi të trishta… po njëkohësisht edhe shumë po shumë të bukura, në varg të lirë, në mendim dhe shpirt të lirë… Edhe pse i vuajtur, prap ka dritë!

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook