back to top
15.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Dhjetё akuza pёr Bedri Spahiun – nga Prenjo Imeraj

Gazeta

Prenjo Ymeraj & Bilbil Sefer Imeraj, New York 2003
Prenjo Ymeraj & Bilbil Sefer Imeraj, New York 2003

Dhjetё akuza pёr Bedri Spahiun

nga Prenjo Imeraj

E pata dëgjuar këtë emёr qysh në fëmijëri. Vargjet e kënges së atëherëshme: “Tradhëtarët po si miu, i dënon Bedri Spahiu”, këndoheshin dhe kërceheshin vazhdimisht ditëve të festave, nëpër rrugët e Tiranës. Në fantazinë time të atyre viteve, këto fjalë më kallnin tmerr! Ato më sillnin në mendje kob, pushkatime,varje, gropa dhe varre.
Zotin Bedri Spahiu e pata parë edhe nëpër filmat dokumentarë, të cilët çfaqeshin në ato kohë të pas luftës, përpara filmave artistike sovjetekë me pralla si: “Porosia e Humbur”, “Kashej i Pavdekshëm”, “Me Urdhër të Peshkut” e të tjerë. Pati rastisur njëherë ta shihja edhe nga afër, në oborrin e ish Politeknikumit Mjeksor, ish Medresea, kur sapo zbriti nga makina e tij, në mos gabohem, kur ishte Ministër i Arsimit, rreth viteve 1953-1954.
Më vonë, gjatë viteve të rinisë time, dëgjova për dënimet e padrejta, që i kurdisi atij familjarisht “sulltani” i kuq Enver Hoxha. Prandaj, takimin me z. Bedri Spahiu në korrik të vitit 1991, e prita me kërshëri por edhe me keqardhie!
Më 13 shtator të vitit 1943, në Grehot të Gjirokastrës, mua më është vrarë babai im Sefer Ismail Imeraj, hija e të cilit mua familiarisht,vëllazërinë time dhe fëmijët tanë, na ka ndjekur pas tërë jetën. Në ndërgjegjen time unë kurrsesi nuk mundesha të pranoja që: Babai im, njeri patriot, trim dhe i ndërgjegjshëm, cilësi këto që edhe sot i përmendin pleqtë e motshëm, të shoqёrohej me shokë jo të denjë, të binte pre e aventurierëve, të vritej si “qeni në vreshte” siç ka shkruar “ hazreti” Enver! Unë, gjithmonë në mendjen time, në zemrën time, thellë në qenien time, ndrydha mendimin, ndrydha ndjenjën se: Babai im nuk ka vdekur kot, se miqtë dhe shokët e tij të luftës nuk kanë qenë frikacakë. Ata nuk kanë qenë dallkaukë, por të ndershëm dhe fisnikë deri në amëshim. Ata nuk ishin tradhëtare, por patriotë të devotshëm. Pikërisht kjo shpresë më bënte të prisja e të besoja në drejtsinë e Zotit, që më në fund erdhi.
Demokracia që përjetojmë, megjithëse nëpërmjet një varfërie të tmerrëshme, na solli mundësinë që: Të mendojmë, të bisedojmë dhe të shkruajmë lirshëm nën dritën e fakteve e të sinqeritetit. Fakte i kërkova edhe unë Z. Bedri Spahiu, gjatë takimit me të. Ai ka qenë komandant partizan i Zonës parë Operative Vlorë-Gjirokastër, dhe ka patur lidhje direkte me ngjarjen e Grehotit, në mos ka qenë autori i saj. Mirëpo gjatë një ore që qёndruam së toku në kafenen’ e hotel-restorant “Arbëria”, z. Bedri Spahiu jo vetëm nuk ndriçoi asgjë rreth kësaj ngjarjeje, por filloi të më bënte leksion mbi “polarizimin e shoqërisë njerëzore”, gjë që e pata mësuar qysh në shkollën e mesme. Për fat të keq ai ishte tepër plak, tepër i rënë fizikisht dhe i rrjedhur nga trutë. Të më falë lexuesi për ekspresionin, por nuk gjeta fjalë tjetёr ndër shqipe, që të shprehë grupin e shenjave të demencës senile si quhet në gjuhën mjekësore. Me keqardhie për vuajatjet e tij dhe dhembshuri për gjendjen që qe katandisur, u ndava nga Z. Bedri Spahiu.
.
14 shtator 1943
14 shtator 1943
Pas takimit arrita në mendimin se: Artikullin e dt. 6 qershor 1991 në gazetën “Republika” me titull “Bedri Spahiu Revizionon Bedri Spahiun” nuk e ka shkruar ai. Aq më tepër artikullin e dt. 4 mars 1992 në gazetën Zëri i Rinisë me titull “E Vёrteta e Pёrdhunuar” nuk e ka shkruar me dorën e tij, gjë që në një farë mënyre del edhe nga fundi i shkrimit. Atëherë, kush fshihet pas Z. Bedri Spahiu, duhet të dalë hapur, sepse atë unë e akuzoj:
1.Ai, d.m.th. kush fshihet pas shkrimit po vazhdon të ruajë nostalgjinë për kohën e luftës partizane, për ideollogjinë “e pavdekshme” marksiste-leniniste, për Titon, për Stalinin, e pse jo edhe për Enverin, nga të cilët Shqipëria dhe tërë kombi shqiptar pësoi shkatërrimin më të madh ekonomik, shpirtëror dhe moral, gjatë tërë historisë së tij.
2.Jo pa qëllim fshihet e kaluara e Z. Bedri Spahiu sepse, kur përmendet ish togeri i Zogut Ismail Golemi, pse nuk përmendet fakti që edhe z. Bedri Spahiu ka qenë N/Toger i Zogut?
3. Me qëllim të keq hiperbolizohet lufta e komunistëve, duke lënë në harresë ose minimizohet lufta e nacionalistëve shqiptarë, të organizuar në “Ballin Kombëtar”. Si shpjegohet që, kur përmenden 3-4 mijë forcat partizane të vendosura në gufën e Viroit, lihen në harresë 8000 forcat e Ballit të vendosura për rreth Gjirokastrës, ku ndodhej kampi i divizionit “Peruxhia”? Ju, Hysni Lepenicën e konsideroni kundërshtar të denjë të komunistëve, ndërsa cilësitë morale që i atribuon atij Z. Hysni Alimerko, Ju as i përgënjeshtroni e as i konfirmoni. Edhe njeriu më naiv e kupton se: – Ju jini xhelozë për burrërinë e Hysni Lepenicës, për trimërinë e tij, për ideollogjinë që ai përqafoi, për luftën madhështore që ai bëri jo kundër komunistëve, por kundër fashistëve, ashtu sikurse luftoi edhe aventurierët, kriminelët, tradhëtarët e kombit, dhe të gjithë ata që i binin popullit në qafë. Ja sesi populli i Gjirokastrës e përjetson në vargje Kapedan Hysni Lepenicën: “Në shtator katërmbëdhjetë, Kapedan more Hysni, sos jeshe vetëm Ti”… Dijeni pra o “lugetër” të maskuar se, shteti demokratik shqiptar që po lind, veprën e Hysni Lepenicës së shpejti do ta vendosë në altarin e kombit.
4.Ju nuk doni të hidhni dritë mbi tragjedinë e Grehotit, sepse: nuk doni të demaskoni vehten si thurës dhe zbatues direkt të direktivave të famkeqit Enver Hoxha, pas të cilit fshiheshin Miladini, Dushani dhe Tempoja.
5.Tragjedia e Grehotit ndodhi fill pas prishjes së marrëveshjes së Mukjes nga ana e Partisë Komuniste. Me asgjësimin e çetës “Shqiponja”, që përbëhesh nga më trimat, dhe të gjithë komandantë çetash, i u pre njëherë e përgjithmonë “koka” Ballit Kombtar” në Shqipërin’ e Jugut.
.
Përkujtimorja e Heronjve të Gërhotit - Shtator 1943
Përkujtimorja e Heronjve të Gërhotit – Shtator 1943
6.Duke penguar popullin e Gjirokastres të jepte veglat e punës për varrimin e këtyre 36 heronjve, ju u treguat antishqiptarë të urryer. Por populli fisnik i Gjirokastrës pasi i qau me lotë, i varrosi me duar e me thonj bijtë e saj atje ne oborrin e Teqesё së Lazaratit. Pikërisht në këtë kohë, ju me partizanët tuaj shoqëruat efektivin me disa mijëra ushtarë të divizionit fashist italian, të armatosur deri në dhëmbë. Se nga kush i mbronit ata, koha edhe për këtë do të japë faktet e saj…
7.Ju mundoheni që dënimit të Bedri Spahiut nga diktatori Enver Hoxha, ti jepni ngjyra politike, d.m.th. për mosmarrëveshje ideollogjike, gjë që nuk është e vërtetë. Grindjet e Bedri Spahiut me Enverin kanë qenë për karrierë dhe, ato patën nisur qysh nga viti 1942. z. Bedri Spahiu është njohur nga bashkëkohësit dhe bashkëqytetarët e tij si tëper i zgjuar dhe shumë e përgatitur ushtarakisht. Ai kurrsesi nuk mundesh të pranonte mbi krye një bufon mediokër siç ishte Enver Hoxha, të cilin e përdorën Serbët si “fantin spathi” për të fituar lojën e kumarit. Z. Bedri Spahiu i njihte Enverit dhëmbë e dhëmballë dhe, Enveri tepër dinak siç ishte, e pati shumë të vështirë ta asgjësonte atë me njëherë.
8.Ju i justifikoni krimet, hetimet, dënimet e Bedri Spahiut nën maskën e ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare për kriminelët e luftës, pa e shpjeguar se kush i thuri ato ligje e kujt i shërbenin ato. Çfarё krimesh patën bërë Dr. Tare Kalo, Emin Kokalari, Ismail Xhaferi me shokët e tyre vetë i shtatёmbëdhjetë, të cilët Bedri Spahiu i pushkatoi me dorën e tij? Çfarë krimi pati bërë nacionalisti dhe patrioti i ndershëm Bahri Omari, të cilin Bedri Spahiu e rrethoi në Gjirokastër, e plagosi në Himarë dhe e pushkatoi me gjyq formal në Tiranë, në vitin 1945? Bahri Omari vetëm një gabim bëri: Kur mbrojti nëpër skutat e Tiranës një aventurier si Enver Hoxha, që e hodhi popullin tonë në një luftë vllavrasëse të paparë dhe, e futi Shqipërinë në rrugën e shkatrrimit.
9.Ju shkruani se: Historiku i ngjarjes së Grehotit ka nevojë për korigjime. Si duket ju po ngatrroni fjalën korigjim me studim. Ish oficeri anglez Tilman jeton dhe deponimi i tij do të jetë një provë, ashtu si do të gjenden prova të tjera nëpër arshivat e huaja të Romës, Beogradit, Londrës e pse jo edhe në Moskë, në rast se “sambistët” e penës staliniane nuk i kanë zhdukur me kohë, për sa e sa krime të tjera tuajat të kryera në emër të “yllit partizan me pesë cepa”, në emër të ideollogjisë tuaj të dështuar.
10.Ju nuk kini kurajon që, në emër të Bedri Spahiut të bëni autokritikë, ashtusi Z. Istref Hamzaraj në gazetën Balli i Kombit më datën 3.3.1992, ku përmenden emra personash dhe data atentatesh, duke u kërkuar falje familjeve të viktimave. “Revizionimi i Bedri Spahiut nga Bedri Spahiu” është një mashtrim për opinionin publik, sepse Bedri Spahiu disident nuk mundet të revizionojë Bedri Spahiun kriminel. Testamentin “Hallallosja” në vitet gjashtëdhjetë ai i a drejtonte K.Q. të PPSH, dhe jo popullit dhe as familjeve, të cilëve ai u pat vrarë njerzit e tyre më të dashur.
Historia e Shqipërisё së re, por jo ajo që na sollët Ju me Enverin në fundin e vitit 1944, por e Shqipёrisë demokratike që, “po lind gërmadhash”, do të vendosë çdo gjë në vendin e vet. Edhe z. Bedri Spahiu, me të këqiat dhe të mirat e tij, do të zerë në këtë histori vendin që i takon.
Në fundi të këtyre radhëve më duket me vend të ripërmend fjalët e arta të Xhorxh Oruell (George Orwell): “Kush kontrollon të kaluarën, kontrollon të ardhmen; kush kontrollon të tashmen kontrollon të kaluarën”.
Prenjo Imeraj, Lushnjë
Dërguar në gazetën “Zëri i Rinisë” më dt. 24.03.1992
.
Bedri Spahiu (1908-1998)
Bedri Spahiu (1908-1998)

Bedri Spahiu (Gjirokastër 13 korrik 1908 – Tiranë 11 janar 1998)

ka qenë ushtarak, partizan, prokuror në Gjyqin Special dhe në atë të Koçi Xoxes, sekretar i agjipropit, min. i Arsimit dhe i Kulturës dhe më pas i përndjekur prej luftës brenda llojit. Spahiu përfshihet në listën e përpiluar nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, që përmbledh pjesëmarrësit që kanë përgjegjësi direkte për krimet e Partisë Komuniste Shqiptare dhe të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, duke qёnё, sipas ligjit nr. 41, anëtarë të strukturave politike dhe ushtarake “që kanë inspiruar, organizuar, urdhëruar, ekzekutuar ose ndihmuar forcat partizane në vepra kriminale”. Një prej funksionarëve të lartë të regjimit komunist i cili kërkoi falje për krimet e kryera.
Leu në lagjen “Palorto” të qytetit të Gjirokastrës. E ëma i vdes herët. Gjatë fëminisë gjendja ekonomike e familjes së tij ishte shumë e rëndë. Babai i tij, Sinani, shkoi në kurbet me shpresë për t’u mëkëmbur. Gjatë kësaj kohe Bedri Spahiu ishte në shkollën fillore dhe deri më 1923 mbaroi filloren me nota të shkëlqyera. Në pamundësi ekonomike për të vazhduar ato klasa që i mbeteshin si dhe gjimnazin, më 16 maj 1923, u nis për Izmir, ku ndodhej edhe babai, me shpresë për të vazhduar shkollën.
Mbaroi shkollën fillore italiane në Stamboll dhe mori dëftesën e lirimit. Në Turqi qëndroi për katër vjet e gjysmë, prej 16 Maj 1923, deri 15 Shtator 1927.
Kthehet në Shqipëri dhe i mundësohet të ndjekë Gjimnazin e Shkodrës. Vazhdon Shkollën e Oficerëve në Tiranë, pasi e kreu emërohet toger i dytë. Me pushtimin italian vishet oficer këmishëzi dhe pastaj punësohet në Agjencinë e Transportit Automobilistik në Gjirokastër.
Kur u formua Shtabi i Përgjithshëm, ai zgjidhet anëtar i këtij Shtabi. Në Berat u zgjodh anëtar i Byrosë Politike dhe me këtë funksion ishte deri në 17 qershor 1955. Arrestohet sapo kaloi derën e sallës ku bëhej plenumi i KQ të PPSH-së më 17 qershor 1955 dhe izolohet për pesë ditë në një shtëpi. Kjo erdhi si pasojë e luftës së tij të gjatë kundër politikës së Enver Hoxhës. Mbas 15 ditësh, më 23 qershor 1955 internohet familjarisht në Elbasan. Më 1 qershor 1957, arrestohet dhe izolohet në Kalanë e Kaninës në Vlorë, prej ku transferohet në 4 janar 1958 për Tiranë. U dënua me 25 vjet. Në 6 tetor 1974 lirohet nga burgu dhe internohet drejt e në Selenicë. Lirohet nga internimi më 10 maj 1990, ditën kur u shpërnda Komisioni i Internim – Dëbimeve.
Vdiq më 11 janar 1998

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.