back to top
14.5 C
Tirana
E martë, 23 Prill, 2024

Dhimitër Berati – Bashkëpunëtor i ngushtë i At Fishtës dhe Koliqit – nga Frank Shkreli

Gazeta

Dhimitër Beratti (1886-1970)
Dhimitër Beratti (1886-1970)

Dhimitër Berati – Bashkëpunëtor i ngushtë i At Fishtës dhe Koliqit

nga Frank Shkreli

me rastin e 50-vjetorit të vdekjes

Ishte fillimi i shtatorit të vitit 1970. Po bëhesha gati që brenda një ose dy muajsh të udhëtoja për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me statusin e refugjatit politik. Në përgatitje e sipër, fillova t’u them lamtumirën e fundit miqëve dhe të njohurve të komunitetit shqiptar në Romë dhe në kampet e refugjatëve. Fillova takimet me Ernest Koliqin, i cili më sugjeroi që para se të nisesha për Amerikë të takohesha me Dhimtër Beratin. Unë nuk e njihja, por Koliqi mori përsipër që të më takonte me të. Fatkeqësisht, nuk kaluan as 2-3 ditë dhe u hap lajmi i zi në komunitetin shqiptar të Romës se Dhimtër Berati kishte vdekur në një aksident kur një makinë e kishte përplasur nga shpejtësia duke e lënë të vdekur në vend, ditën e martë të 8 Shtatorit, 1970.
Fatëkeqësisht, mbeta pa u takuar me njeriun e fundit të nënshkruesve të Pavarësisë së Shqipërisë dhe ndihmësin e vyer të delegacionit shqiptar në Konferencën Paqes në Paris, me 1919 dhe njërin prej personaliteteve më të njohura të diasporës shqiptare, të arratisur nga regjimi komunist.
Me gjithë meritat e mëdha kombëtare, Dhimitër Berati mbetet ndër ata të harruarit ose ndër ata të dëbuarit, siç janë At Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Martin Camaj e tjerë. Miku i tij Ernest Koliqi fliste me admirimin më të madh për Beratin dhe për veprimtarinë e tij patriotike, si në fushën politike ashtu edhe në publicistikë. Dhimitër Berati dallohej qysh në moshë të re për veprimtarinë e tij patriotike, që në fillim të shekullit të kaluar. Ai ishte njëri prej atyre fatbardhëve që nënshkruan Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912, në Vlorë. Si përfaqësues i kolonisë shqiptare në Rumani, ai veproi me çka kishte dhe me çka dinte për rilindjen e Shqipërisë dhe si përfaqësues i komunitetit shqiptar me influencë në atë kohë në Rumani, ai udhëtoi për në Vlorë nga Bukureshti së bashku me Ismail Qemalin dhe Luigj Gurakuqin.
.
Gjergj Fishta - Luigj Bumci - Dhimiter Berati - Paris 1919
Gjergj Fishta – Luigj Bumci – Dhimiter Berati – Paris 1919
Nënshkrimi i Dhimitër Beratit dallohet qartë ndër nënshkrimet e 40-patriotëve të asaj kohe që e shpallën Shqipërinë të pavarur. Veprimtaria e tij ishte e shumëllojshme dhe në fushë të ndryshme.
Në faqen e tij të fejsbukut, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e kujtoi dje Dhimitër Beratin me rastin e 50-vjetorit të vdekjes me disa të dhëna nga jeta e tij që m’u dukën tepër të seleksionuara. Kryeqeveritari shqiptar Beratin e cilëson si njërin prej bashkëpunëtorëve “të ngushtë” të Ismail Qemalit, ndonëse sikur duket se ankohet për rolin politik të tij në në vitet e fashizmit, duke thenë se “Berati u josh nga vegimet e viteve ’39-’43, por pa rënë pre e dogmave totalitare”. Në të vërtetë, ai ishte më shumë se joshës, se Berati ka shërbyer si Ministër Sekretar i shtetit i Kulturës Popullore, 1941-1943. Duhet të vlerësohet fakti se këto tre vjet që ka shërbyer në qeverinë fashiste, të paktën duket se në sytë e Ramës, nuk ia mohon Dhimitër Beratit të gjithë kontributin patriotik e publicistik ashtu siç po ndodhë me bashkpuntorët e tij të ngushtë, si Fisha e Koliqi. Megjithë vlerësimet pozitive të Kryeministrit shqiptar për Dhimitë Beratin, është gjithmonë e rrezikshme kur një politikan bën vlerësime historike të ngjarjeve dhe personaliteteve, sepse do s’do, është natyra e politikës që disa i trajton ca si të nënës e të tjerët si të njerkës, në këtë rast, bazuar në trashëgiminë e ish-regjimit komunist. Ndërsa Fishta, Ernest Koliqi dhe Martin Camaj, ende cilësohen si poliagjentë dhe bashkpuntorë të fashizmit, Dhimitër Berati ka shërbyer në detyra të larta qeveritare në vitet 1941-1943, (lexo ndryshe nga të tjerët) vetëm “u josh nga vegimet e viteve ’39-’43, por pa rënë prè e dogmave totalitare”, shkruan Kryeministri Rama. S’ka dyshim se Dhimitër Berati duhet të kujtohet në ketë 50-vjetor të vdekjes, qoftë edhe nga Kryeministri, por politikanët duhet të jenë të balancuar dhe objektivë në vlerësimet e tyre, ose më mirë mos të flasin fare. Nuk ka asnjë dyshim për merita të mëdha kombëtare të Dhimitër Beratit, ashtu siç kanë edhe At Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Martin Camaj e të tjerë – por të cilët mbeten ende të përjashtuar dhe zyrtarisht ende cilësohen si kolaboracionistë dhe të “Dëbuem” nga Atdheu, do të thoshte Fishta – por me të cilët Dhimitër Berati ka bashkëpunuar ngushtë, për ideale të përbashkëta, gjithmonë në mbështetje të interesave të larta kombëtare.
.
Në Ministrinë e Turizmit - Niccolo Lo Russo Atoma, Eqrem Bej Vlora, Dhimitër Beratti, Hilmi Leka
Në Ministrinë e Turizmit – Niccolo Lo Russo Atoma,
Eqrem Bej Vlora, Dhimitër Beratti, Hilmi Leka
Në vitin 1919, kur Shqipërisë i kërcënohej pavarësia dhe kufijtë e saj, ku tjetër të gjendej Dhimitër Berati, përveçse si anëtar i delegacionit shqiptar për të mbrojtur të drejtat e kombit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, sëbashku me patriotë të tjerë të dalluar të kombit, përfshi At Gjergj Fishtën dhe Imzot Luigj Bumçin. Ishin këta lisa të mëdhej të kombit me rrënjë të thella dhe të pamohueshme në historinë e Kombit shqiptar, që përveç trajtimit të tyre çnjerëzor dhe anti-kombëtar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, ai bëri çmos që rrënjët dhe kontributet e çmuara të këtyre burrave të historisë kombëtare, të shlyheshin përgjithmonë. Enver Hoxha nuk ia doli të zhdukte krejtësisht nga historia, megjithëse kjo fushatë kundër tyre vazhdon edhe sot, ndonëse në heshtje…
Fatbardhësisht, Enver Hoxha dhe apologjetët e tij sot, nuk ia dolën këtij qëllimi, mbasi veprat dhe kontributet e këtyre burrave flasin vetë. Historia e vërtetë, që do të shkruhet një ditë pa pasione ideologjike dhe interesa partiake, do t’i njohë të gjithë këta viganë të Kombit shqiptar, përfshi Dhimitër Beratin dhe bashkëpuntorët e tij të ngushtë, At Gjergj Fishtën dhe Ernest Koliqin, ndër të tjerë, për meritat e tyre të veçanta dhe për kontributin e tyre të përbashkët në mbrojtje të interesave të Kombit të tyre.
Dhimtër Berati ka dhenë një kontribut të shquar si pjesëmarrës në ngjarjet më me rëndësi të historisë së shqiptarëve, përfshi Shpalljen e Pavarsisë së Shqipërisë dhe mbrojtjen e të drejtave të Shqiptarëve në Konferencën e Paqës në Paris, sëbashku me At Gjergj Fishtën, aty ku kundërshtoheshin dhe sulmoheshin të drejtat e shqiptarëve nga armiqtë dhe aleatët e tyre historikë aty gjendej mbrojtësi i këtyre të drejtave, Dhimitër Berati.
Në shtator të vitit 1970, para se të ndërronte jetë, Dhimtër Berati ishte i vetmi dëshmitar ende i gjallë ndër ata që kishin shpallur dhe nënshkruar Pavarësinë e Shqipërisë, por me gjithë rolin e tij historik, ishte detyruar të largohej nga Atdheu nën kërcënimin e diktaturës komuniste, vetëm e vetëm, se para vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, ai kishte pasur detyra të ndryshme në disa dikastere të qeverive të mëparshme, përfshirë atë fashiste.
Në mërgim, ai ishte bashkëpuntor i ngushtë i Profesor Ernest Koliqit dhe kontribues me shkrimet e tija në revistën Shejzat.
.
Dhimitër Beratti Ministër i Kulturës Popullore - dhe personeli i Ministrisë 1942
Dhimitër Beratti Ministër i Kulturës Popullore – dhe personeli i Ministrisë 1942
Në një shkrim të Dhimitër Beratit në revistën Shejzat të vitit 1961, siç shënon Karl Gurakuqi – edhe ky njëri prej të harruarve të Kombit – në librin, “Nëpër Vullajt e Shejzave”, Dhimitër Berati botoi me rastin e 90-vjetorit të lindjes së Gjergj Fishtës, artikullin, “Pater Gjergj Fishta – Kujtime e shënime”. Gurakuqi ka shkruar se miqësia midis Fishtës dhe Beratit, këtyre dy gjigantëve të Kombit, kishte filluar që në vitin 1908, në Kongresin e Bashkimit të Alfabeteve në Manastir dhe ka zgjatë, sipas Beratit, deri sa Fishtën e “Ndieu Perëndia në vjetin 1940”. Karl Gurakuqi nënvizon se Fishta dhe Berati kishin një miqësi të fortë ndërsa shton në shkrimin e tij kushtuar mikut të tij të madh Gjergj Fishtës, se Berati kujton ngjarje të bashkëjetuara, fjalë e fraza të paharrueshme, vizitat që kishin bërë bashkarisht, por edhe talljet që e karakterizonin Poetin, ka shënuar Karl Gurakuqi. Prandaj nuk është për t’u habitur që Berati e vlerëson mikun e tij të ngushtë me këto fjalë: “Për ne të gjithë, – shkruan Dhimitër Berati, – Gjergj Fishta është poeti – në kuptimin që kishte kjo fjalë për Grekët e, megjithëse kur kujtonin Omirin, Oliadha dhe Odisea ishte Bibla, ishte Ungjilli i tyre; ato dy poema ishin për ta udhëheqsa si për doktrinë fetare, si për njoftime historike ashtu edhe për çmuarjen vetiake e shoqnore të njeriut… Po ashtu duhet të jenë për kombin shqiptar, veprat, “Historija e Skëndërbeut” e Naimit dhe “Lahuta e Malcisë” e Fishtës. T’i këndojmë, t’i mësojmë e t’i nderojmë veprat e tyre më duket si një prirje e natyrshme ndaj “Atdheut, si një shënjë dashurie ndaj popullit t’onë…”, ka shkruar Dhimitët Berati për Fishtën dhe për Naimin.
Siç dihet me ardhjen e pushtetit komunist në Shqipëri, Dhimtër Berati nuk kthehet më në Shqipëri, por vendoset në Romë të Italisë, ku siç thashë më lart bashkpunon ngushtë me Profesor Ernest Koliqin dhe revistën Shejzat. Ndonëse, në moshë të shkuar, Berati merrte pjesë në çdo aktivitet të shqiptarëve, në raste përkujtimesh kombëtare dhe kulturore. Madje, ai kishte ardhur edhe në Nju Jork dhe Boston të Shteteve të Bashkuara në vitin 1969, për të marrë pjesë në kremtimet e organizatës Vatra. Me atë rast pat mbajtur një fjalim për komunitetin anti-komunist shqiptaro-amerikan, të pas luftës së dytë botërore – një manifestim ky, ndër më të shkëlqyeshmit që ka njohur komuniteti shqiptaro-amerikan, sot e kësaj dite – ku ishin të mbledhur arbëreshë dhe shqiptarë të Amerikës pa dallim besimesh, krahinash as rrymash politike a ideologjike. Ah, sikur të kishim takime të tilla edhe sot!
Miku dhe bashkëpuntori i tij i ngushtë, Ernest Koliqi ka shkruar për këtë burrë të madh të historisë së Shqipërisë se Berati, “Ishte dekani i gjallë i Rilindasve… dhe simboli i gjallë i idealeve që frymëzuen lëvizjen për Rilindjen Kombëtare dhe kunorëzimin e saj me 1912, mbas sa mundit e gjakut të derdhun…”.
Dhimitër Berati nuk duhet t’i harrohen as t’i anashkalohen meritat e tija patriotike – siç nuk duhet të harrohen as kontributet e bashkëpuntorëve ti tij të ngushtë: At Gjergj Fishta dhe Ernest Koliqi – por të kujtohen dhe të nderohen, pa paragjykime ideologjike e brez pa brezi, për kontributin e tyre të gjatë dhe për meritat e veçanta të tyre në shërbim dhe në interes të Kombit shqiptar, ashtu siç i ka hije një populli që jeton në shekullin 21.
.
Marrë nga Revista Kulturore “Kuqezi” nr.159

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.