back to top
12.5 C
Tirana
E martë, 23 Prill, 2024

Detyra e tagjiburisit në rrethana të vështira nga rrëfimet e Lazrit

Gazeta

Ushtria Otomane ne Rrethimin e Kostandinopojes
Ushtria Otomane ne Rrethimin e Kostandinopojes

Detyra e tagjiburisit në rrethana të vështira

nga rrëfimet e Lazrit

Lazër Radi pos tjerash, ishte një rrëfimtar i këndshëm e i rrallë!
Shpesh përmes ndonjë barcaletë, anekdote, ngjarjeje të vetën, paraleleje historike ose parabole filozofike të rrëmbente me mënyrën e tij të thjeshtë dhe të fuste në reflektime të thella. Sigurisht përmes këtyri rrëfimeve të linte të kuptoje se kjo ishte nji ftesë për të kuptuar edhe atë çka nuk mund të thuhesh qartas në atë kohë të vështirë. Një nga historitë e rrëfyer mjaft herë dhe me mjaft kënaqësi, ishte ajo e tagjiburisit!
Histori të cilën unë do mundohem ta përsëris, mbasi shumë prej historive të rrëfyera prej tij, unë jo pa humor e ngacmoja: Lëre o babë se e tregoj unë ma mirë se ti…
Dhe kënaqesha tej mase me atë nervozizmin dhe shfrymjen e tij mjaft karakteristike, që ishte efektive…
.
Në kohën e perandorisë osmane nji nga problemet më të rëndësishme të organizimit ishte ushqimi i ushtarëve, por mjaft i rëndësishëm ishte edhe ushqimi i kuajve. Kuajt dhe kalorësia ishin praktikisht determinues të luftës: e para pse përfaqësonin shpejtësinë dhe dinamikën e lëvizjes dhe manovrave, e dyta ishin mjaft të nevojshëm edhe në transportin e mallrave!
Në çadrën e nje kryekomandanti osman vjen i alarmuar intendenti dhe i thotë: Shkëlqesi, kuajt s’e lëvizin një hap nga vendi!
“Si është e mundur – e pyeti Pashai i madh!”
Ka mbaruar krejt tagjia dhe s’ka perëndi që i vendos kuajt në lëvizje!
Mbasi e vrau pak mendjen kryekomandanti i urdhëron intendentin: Të lajmëronte urgjent tagjiburisi (burizani, i cili me buri lajmëronte oraret e ushqimit të e kuajve) të paraqitet në çadër!
Sa hap e mbyll sytë, tagjiburisi u paraqit përpara pashait në çadër!
.
Amadeo Preziosi (1816-1882) - albanians mercenaries in the ottoman army
Amadeo Preziosi (1816-1882) – albanians mercenaries in the ottoman army
-Kalorësia është ndalur. Kuajt janë pa ushqim! Ne duhet të mbrrijmë gjallë vdekur në fushim brenda pak orëve! Kuajt s’po lëvizin për mungesë tagjie! Urgjentisht me një kalë të ushqyer mirë, ti do të largohesh në një distanë të pranueshme aq sa të mund të dëgjohet buria e tagjisë (kuajve u jepej tagjia me orar dhe me një melodi të caktuar). Atje do t’i biesh borisë derisa kuajt të vihen në lëvizje! Ndërkohë që kuajt nxitojnë, ti duhet të largohesh me shpejtësi në një tjeter vend dhe posa kuajt të ndjehen të lodhur, ti do t’i biesh sërish me forcë borisë! Të jesh i sigurt se mbas tri-katër herësh të përsëritura, ushtria do ketë mbrritur në destinacion, ku na pret fushimi edhe ushqimi i kuajve! More vesh, mora thuaj!
Porosia u krye me përpikmëri! Kuajt, edhe pse kokëfortë e të rraskapitur, posa dëgjonin burinë e tagjisë, viheshin në lëvizje si të çmendur! Ndërkohë tagjiburisi ishte spostuar disa kodra më larg, dhe kur kuajve po u sherrnin fuqitë, ai sërish i gjëmonte burisë së tagjisë… dhe ata edhe një herë u jepnin hov këmbëve.
Mbas përsëritjes për të tretën o te katërtën herë ushtria dhe kuajt kishin mbërritur në destinacion, falë idesë brilante të pashait, dhe zbatimit të përpiktë të tagjiburisit!…
.
Këtë histori Lazri e rrëfente shpesh, për të treguar se në nji rrugë të gjatë e të vështirë, humb shpresa dhe besimi! Atëherë duhej një tagjiburis, pra dikush që përcjelli një mesazh shprese jo vetëm për kuajt (siç është rasti i këtij rrëfimi) por edhe për njerëzit, për gjithçka! Kur na vë përposhtë lodhja, na vritet besimi dhe na merr përpara dëshpërimi, nevojitet domosdoshmërisht nji tagjiburis, që të na e mbajë shpresën gjallë.
Ajo çka më shumë i është nevojitur njeriut dhe njerëzimit, në të gjitha kohrat!!!
Po jo Tagjiburisë që të thërrasin nga gremina!
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.