Detyra e tagjiburisit në rrethana të vështira nga rrëfimet e Lazrit

Ushtria Otomane ne Rrethimin e Kostandinopojes

Ushtria Otomane ne Rrethimin e Kostandinopojes

Detyra e tagjiburisit në rrethana të vështira

nga rrëfimet e Lazrit

Lazri ishte një rrëfimtar mjaft i këndshëm dhe i rrallë! Shpesh përmes ndonjë barcaletë, anekdote, ngjarjeje të vetën, paraleleje historike ose parabole filozofike të rrëmbente me mënyrën e tij të thjeshtë dhe të fuste në reflektime të thella. Sigurisht përmes këtyri rrëfimeve të linte të kuptoje se kjo ishte nji ftesë për të kuptuar edhe atë çka nuk mund të thuhesh qartas në atë kohë të vështirë. Një nga historitë e rrëfyer mjaft herë dhe me mjaft kënaqësi, ishte ajo e tagjiburisit!
Histori të cilën unë po mundohem ta përsëris, mbasi shumë prej historive të rrëfyera prej tij, unë jo pa humor e ngacmoja: Lëre o babë se e tregoj unë ma mirë…
Dhe kënaqesha tej mase me atë nervozizmin dhe shfrymjen e tij mjaft karakteristike që ishte efektive…
Në kohën e perandorisë osmane nji nga problemet më të rëndësishme të ushtrisë ishte ushqimi i ushtarëve, por mjaft i rëndësishëm ishte dhe ushqimi i kuajve. Kuajt dhe kalorësia ishin praktikisht determinues të luftës: e para pse përfaqësonin shpejtësinë dhe dinamikën e lëvizjes e manovrave dhe e dyta ishin mjaft të nevojshëm edhe në transportin e mallrave!
Në çadrën e kryekomandantit osman vjen i alarmuar intendenti dhe i thotë se kuajt nuk lëvizin një hap nga vendi! “Si është e mundur – e pyeti Pashai i madh!” Ka mbaruar krejt tagjia dhe s’ka perëndi që i vendos kuajt në lëvizje!
Mbasi e vrau pak mendjen kryekomandanti i urdhëron intendentin që të lajmëronte urgjent tagjiburisin (burizani, i cili me buri lajmëronte oraret e ushqimit të e kuajve) që të paraqitet në çadër. Sa hap e mbyll sytë, tagjiburisi u paraqit përpara pashait në çadër!
.
Amadeo Preziosi (1816-1882) - albanians mercenaries in the ottoman army

Amadeo Preziosi (1816-1882) – albanians mercenaries in the ottoman army

-Kalorësia është ndalur. Kuajt janë pa ushqim! Ne duhet të mbrrijmë gjallë vdekur në fushim brenda pak orëve! Kuajt nuk lëvizin vendit për mungesë tagjie! Urgjentisht ti do të largohesh në një distanë të pranueshme sa të mund të dëgjohet buria e tagjisë (kuajve u jepej tagjia me orar dhe me një melodi të caktuar) dhe do t’i biesh borisë derisa kuajt të vihen në lëvizje! Ndërkohë që kujat nxitojnë, ti duhet të largohesh me shpejtësi dhe posa kuajt të ndjehen të lodhur ti do t’u biesh sërish me forcë bories! Mendoj se mbas tri-katër herësh të përsëritura, ushtria ka mbrritur në destinacion, ku na pret fushimi edhe ushqimi i kuajve! More vesh!
Porosia u krye me përpikmëri! Kuajt, edhe pse kokëfortë e të rraskapitur me të dëgjuar burinë e tagjisë, u vunë në lëvizje si të çmendur! Ndërkohë tagjiburisi spostuar disa kodra më larg dhe kur kuajve po u sherrnin fuqitë, ai sërish i gjëmonte burisë së tagjisë dhe ata edhe njiherë u jepnin hov këmbëve. Mbas përsëritjes për të tretën herë ushtria dhe kuajt kishin mbërritur në destinacion, falë idesë brilante të pashait dhe zbatimit me përpikmëri të tagjiburisit!…
Këtë histori Lazri e rrëfente shpesh, për të treguar se në nji rrugë të gjatë e të vështirë, kur humb shpresa dhe entusiazmi duhej një tagjiburis, pra dikush që të përcjelli një mesazh shpresëdhënës jo vetëm për kuajt (siç është rrasti i këtij rrëfimi) por edhe për njerëzit, për gjithçka. Kur na vë përposhtë lodhja, na vritet besimi dhe na merr përpara dëshpërimi, nevojitet domosdoshmërisht nji tagjiburis, që të na e mbajë shpresën gjallë. Ajo çka më shumë i është nevojitur njeriut dhe njerëzimit, në të gjitha kohrat !!!!
Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta  Etiketat: , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook