Demaskimet para popullit, një në kinema e një në lëmë! – nga Gëzim Baruti

Gezim Baruti

Gezim Baruti

Demaskimet para popullit, një në kinema e një në lëmë!

nga Gëzim Baruti

Pjesë nga libri “Jetëshkrim” që  përgatit për botim

Lufta e klasave sa vinte e bëhej edhe më e egër! Pasi kalonin muaj pa arrestuar ndonjë njeri, pushteti komunist nëpërmjet Sigurimit organizonte demaskime përpara gjithë popullit, që detyrohej të grumbullohej në lëmin e sektorit ose në sallën e kinemasë. Në një nga këto raste u bëmë objekt demaskimi Sadik Poda, Bajame Çeliku, unë dhe një i katërt që nuk më kujtohet kush ishte. Sa herë që bëheshin mbledhje të tilla i gjithë kampi ndjehej i terrorizuar. Nëse nuk do të kishte ndonjë arrestim do të kishte ndonjë demaskim publik sipas shembullit të revolucionit kulturor-proletar të Kinës Komuniste!
Pasi bënë një panoramë të politikës botërore dhe asaj shqiptare e duke folur gjithmonë në favor të rendit socialist, u hodhën në pengesën që haste në vendin tonë ndërtimi i socializmit dhe ushtrimi i diktaturës së proletariatit për arsye të sabotimit nga elementë armiq si ne të sipërpërmendurit.
E filluan me Sadik Podën.
-Ky njeri, – ja nisi sekretari i partisë – në një ditë që binte shi e që një puntor vazhdonte të punonte i lagur e i bërë qull i ka thënë këtij puntori: “Lëre punën e mos u lag se aq lek sa do të marrësh duke punuar në shi nuk të dalin as sa për të blerë një kallëp sapun, që të duhet për të larë plaçkat që të janë bërë me baltë!”
Sadiku nuk e pranoi dhe ata filluan të flasin për kohën para pushtimit komunist veç që ai të pranonte diçka. Por Sadiku nuk ua dha atë kënaqësi; e deri në fund të ligjëratës së tyre në formën e akuzës nuk foli asnjë fjalë.
Pastaj sekretari, si pelivan që ishte, duke qënë përballë Sadikut i thotë ashtu si pa gjë të keqe: “Apo ashtu si ai fshatari yt, ai Gëzim Baruti, që merret me gjuhë të huaja e që vërshëllen këngë italiane; apo ajo Bajamja nga Kukësi, Bajame Çeliku a si e ka ajo, që i pëlqen muzika e huaj! Gëzim Baruti dhe Bajame Çeliku po marrin në qafë edhe shokët e shoqet e tyre me shfaqjet e tyre dekadente alla perëndimore!” Përgjegjësi i sektorit, Zenel Guçe shtoi sa për të thënë, por me një humor të hollë që nuk iu mungon lebërve kurrë: “Barut e Çelik u bë puna këtu sot!” Mua më përshkoi një drithmë. Nëse do t’i nënshtrohesha një analize gjaku në atë çast, shiringa s’do të ishte mbushur me gjak të kuq por me limfë; me siguri që gjaku do të qe kthyer në ujë! Tronditjet e mëdha, të marrura për dore nga një frikë edhe më e madhe, japin rezultate befasuese nganjëherë.
Zenel Prodani, Savër 1956

Zenel Prodani, Savër 1956

Gjatë kësaj kohe sekretari kishte filluar të propagandonte avantazhet e të mirat e sistemit socialist dhe u zgjat për nja njëzet minuta me atë llafollogji, për të cilën ishte i bindur edhe vetë që nuk e besonte veç një numër i pakët njerëzish naivë. Në fund bëri një thirrje për të punuar e për t’ia shpërblyer partisë duke i dënuar këta elementë armiq që bëhen pengesë për ecjen përpara të shoqërisë socialiste – siç u shpreh ai! Turma u shpërnda në heshtje të plotë. Kështu shpërndahen dhentë kur, fare papritur, ndjejnë erën e ujkut në mes të kopesë
Mbledhje të tilla ishin të zakonshme në atë kohë. Sa herë që e ndienin veten të dobët apo kur “zbulonin” ndonjë grup antiparti, ata lart dërgonin emisarët e tyre për të bërë masat puntore “të ndërgjegjshme”- siç ishin mësuar të thoshin. Sidoqoftë më të vështirat, për ne, ishin demaskimet politike ndaj intelektualëve me formim dhe kulturë perëndimore.
Më kujtohet rasti kur demaskuan Lazër Radin, i shkolluar dhe i lauruar nëpër universitetet e Evropës, para pushtimit komunist të vitit 1944.
Na kishin mbledhur në sallën e madhe të kinemasë. U ngritën këmbët e i ranë kokës, për gati dy orë, me shpifje nga më bajatet e më vulgaret. Mirëpo koka s’mund të pranonte gjëra që nuk i kish thënë! Panë ç’panë e iu drejtuan të birit për mbështetje. Jozefi u ngrit e i doli në mbrojtje atit të tij pa iu trembur syri; pra, ishte “i biri i tet” – siç themi ne të jugëlindjes në gjuhën e folur, për një fëmijë që i ngjan shumë atit të tij për nga karakteri. Lexuesi e merr me mend se shënjestra e re, tanimë, ishte bërë Jozefi mbi të cilin ranë të gjitha rrufetë e Jupiterit e të cilin nuk e lejuan të fliste më deri në fund; dhe aq më mirë për të! Nuk ishin të rralla rastet kur të arrestonin në vend!
Të tilla demaskime do të bëheshin në çdo ndërmarrje e në çdo fshat të Shqipërisë deri më 1990; dhe jo më pak se dy herë në vit! Mjerë shqiptarët e ndershëm ç’kanë hequr!
.
Marrë nga muri i Fb i Gëzim Barutit, 19 maj 2020
Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta, Shkrime mbi Dr. Radin  Etiketat: , , , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook