back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Deja Vu… nga Ilir Seci

Gazeta

Fëmija që mëson në rrugë...
Fëmija që mëson në rrugë…

Deja Vu…

nga Ilir Seci

Dikush kishte postu në Facebook nji foto të nji fëmije që lexonte libra ulun në trotuar para peshores… E kundrova gjatë atë foto… dhe m’u duk se u ktheva mbrapa në kohë, në femininë teme! Pashë veten teme në atë foto!
Kështu kam pasë mësue edhe vetë, kështu i kam pasë ba edhe vetë detyrat e shkollës… Bash në nji formë si kjo, qysh nga klasa e parë fillore në vendlindjen time Markaj…
Sa mbaronte mësimi me vrap na duhej të shkonim e të ruanim bagëtinë…
Turr e vrap!
Ashtu i bënim detyrat duke ngahë mbas bagëtisë, herë ndalonim për çerek ore nën nji lis e herë diku nën një kështajë, deri sa errej e aviteshim te shpia… Kjo kur ishte moti i mirë e nuk binte shi, se kur binte shi na duhej t’i banim detyrat mbasi ktheheshim të drobitun nga rendja mbas bagëtisë…
N’ato raste rrinim duke ba detyrat deri natën vonë e shpesh vetëm me dritë të kandilit…
Të nesërmen shkonim në shkollë tanë gzim se të paktën deri mbasdite rrinim ulun në banka!… Kur mbaronte viti shkollor vinin pushimet verore… Çfarë ironie! Vetëm pushime nuk kanë kenë ndonjihere ato për ne! Tanë verës na duhej të punonim… Ngriheshim në pesë të mjesit dhe ngjiteshim në Livadhe mbi Markaj… Dy-tre orë thik përpjetë ngjitje deri në krye të Livadheve ose në Cukal për me mbledhë dredhëza, (luleshtrydhe)…
Mbushnim nga nji krozhen, (shportë), dhe të nesërmen delnim me i shitë në qytetin e Bajram Currit… Ah ajo e dalun me shitë… Mundimi e stërlodhja e ngjitjes deri në Maje të Shtyllës, Cukalit apo Rudinës, nuk ishte kurrgja krahasue me zorin që kishim me i shitë ato dredhëza në qytet! Pa llogaritë marren që na vinte, pa llogaritë ndejtjen tanë ditën në pikë të diellit në zhegun e korrikut, po hallin ma të madh e kishim me policët që nuk na e linin vendin kurrkund! Kudo na përzenin… n’ato kohna një fëmijë i varfën që dilte me shitë dredhëza, konsiderohej mikroborgjez që donte të ringjallte pronën private! Nji mikroborgjez që shiste dredhëza e nuk hante gja prej gjaje tanë ditën e lume!Prej nadjes deri në mbramje!Apo nuk janë të gjata ditët e korrikut me diellin që të pjek si saç! Kur mbaronin dredhëzat shisnim kumbulla verore, molla verore… Mblidhnim bimë mjeksore pa pushue nje minute gjate pushimeve verore… Njashtu kalonin pushimet tona verore!… Një në Livadhe me mbledhe dredhëza e të nesërmen me i shitë në qytet… Njikshtu i banim lekët me ble teshat e reja për vitin e ri shkollor si dhe me ble librat e ri të shkollës në shtator…

Gezimi i Bjeshkeve...
Gezimi i Bjeshkeve…

Tanë fëmijët mërziteshin kur mbaronin pushimet verore ndërsa na gëzoheshim që mbaronte ajo torturë! Në shtator niste gjjthçka nga e para… Megjithatë ajo jetë e vështirë nuk më ka pasë pengu asnjiherë me dalë me notat ma të mira në shkollë!Kam pasë mësu shumë mirë! Edhe lexoja shumë!… Më kujtohet nji rast që nuk e harroj kurrë!
Isha në klasë të parë fillore… Në pranverë erdh nji shok e ma dha me lexue librin “Princi dhe i Varfëri” të Mark Tuejn, (Mark Twain)… Gati kishim mbarue Këndimin dhe unë kisha zbulue librat… Atë ditë mezi prita me mbarue shkolla për me e lexu atë libër… Si përherë mbas mësimit me vrap u nisëm me ruejtë bagëtinë… Unë u ula diku dhe nisa të lexoj me nji fryme “Princi dhe i Varfëri” …U krodha në botën magjike të asaj kryevepre të mjeshtrit Mark Tuein… Hupa krejt n’arrati t’asaj bote që përshkruente Tuein… Vetëm kur e kam mbaru së lexuemi librin jam kthye edhe njiherë në shqisa dhe kam kuptue që gati qe errë dhe… kishin humbë bagëtia! Deri në nadje një shpi rob i kena kërkue nëpër mal bagëtinë që për fat i gjetëm shëndoshë e mirë…
Sa herë më kujtohet ajo ditë!
At përjetim që kam provue atë ditë duke lexue Mark Twain në Lug të Raçave nuk kam mujtë me e gjetë kurrë ma deri sot!…

Bariu i vogel
Bariu i vogel

As vite ma vonë kur fati e solli që si turist me e vizitue Buckingham Palace, Pallatin Mbreteror në Londër nuk e kam gjete atë perjetim! Edhe pse po vizitojshe bash njatë Pallatin magjik të Princit që përshkruente aq bukur Tuein në libër! Nuk e kam gjetë at përjetim as kur e kam vizitue Shpinë-Muze të vetë Mark Tueinit në Hartford Connecticut, të Amerikës… Nuk e gjeja ma at përjetim sepse ai përjetim asht vetëm i asaj kohe, atyne rrethanave e atyne kushteve…
E kqyra edhe e kqyra gjatë atë foto…
Vazhdo dhe lexo o fëmijë i mbarë!
Lexo!… Mëso… Përpiqu!… Përpiqu se Zoti dhe Fati e ndihmojnë atë që perpiqet!… Zoti për ata që besojnë në të… Fati për ata që kanë dyshime!

 

 

 

 

 

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Ashtu si Flora Resulaj Cela edhe unë e gjeta veten time në këto rreshta, njëlloj si ju edhe ne, i njejti fenomen, e njejta jetë, por nuk u penguam kurrë të mësojmë mirë dhe të lexojmë çdo copë libri që na binte në dorë, shpesh herë dhe pa titull e autor, nga ata librat që i dërgonin në fabrikën e letrës në Lushnje për ti grirë dhe ne ashtu fshehurazi fusnim krahët e hollë përmes hekurave dhe tërhiqnim ndonjë libër e vrap në shtëpi për ta lexuar…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.