Dedë Gjonmarkaj – Hero i Qëndresës – kundra diktaturës komuniste nga Lek Pervizi

Dedë Gjonmarkaj (1921-2015)

Dedë Gjonmarkaj (1921-2015)

Dedë Gjonmarkaj -

Hero i Qëndresës – kundra diktaturës komuniste

nga Lek Pervizi

Lajmi i vdekjes, solli një trishtim të madh në të gjithë ata që e kanë njohur Dedë Gjonmarkajn, në kushtet e burgjeve dhe kampeve të internimit, ku ai kaloi gjithë jetën. Pavarësisht nga mosha e madhe, 94 vjeç, figura e tij mbetet gjithmonë ajo, e Njeriut që qëndroi stoik n’ato rrethana të vështira në të cilat na kishin bashkue dënimet e njipasnjishme të regjimit komunist. Deda i përkiste Familjes të Madhe e të nderuar të Gjomarkajve, Kapidanave të Mirditës, që edhe Turqia ua kishte njohun titullin e lartë princor dhe, e siç dihet, Mirdita ishte e vetmja krahinë e mbetur krejtësisht katolike, e ku perandoria osmane nuk pati ndikim.
Nuk ka dyshim, se kjo trashëgimi historike peshoi randë edhe mbi shpatullat e Dedës, si pinjoll i asaj familje. Kjo do të thoshte, se ai duhej t’i përgjigjej situatës së randë që e kishte përfshi krejt Gjonmarkajt. Dhe koha do të tregonte se ai kurrë s’ia lejoi vetes të mposhtet sado të vështira ishin të kushtet thuejse të padurueshme të regjimit.

Të rinj të internuar në Kuç 1957 (Bardh Kupi, Valentin Pervizi, Dedë Gjonmarkaj, Lek Pervizi)

Të rinj të internuar në Kuç 1957
(Bardh Kupi, Valentin Pervizi, Dedë Gjonmarkaj, Lek Pervizi)

Si bashkëvuejtës dhe si i afërt i tij, “nip e dajë”, jemi gjetë në të njejtat rrethana, jo vetëm si familje të destinuara nga diktatura që të asgjesohen, por edhe në rrethana vetjake, ku na kërkohej qëndresë e vendosmëri për mos t’u përkulë para dhunës po edhe joshjeve nga regjimi.
Diktatura komuniste përdorte të gjithë mënyrat e mjetet për ta thye qëndresën e mjaft personave që vinin nga familje të mira e të mëdha për t’i denigruar dhe përulur.
Kemi mjaft raste ish të burgosurish e të internuarish që e kanë paraqitur veten si flamurtarë të qëndresës duke rreshtue dënime të njipasnjishme e duke u vetquajtë Mandela… në kurriz të atyne që ua kishin kalue sa e sa herë Mandelave… dhe Deda ishte nji nga ata, që nuk doli kurrë me rrahë gjoksin, e as me e ngritë zanin. Ai ishte tepër fisnik e s’mund ta ulte veten aq poshtë sa me e reklamue veten si burrë i mirë për vuejtjet që pësoi.
Ndaj sot, në këtë ditë të zezë të vdekjes së tije gjithë reklama e tij shpaloset me madhështinë e saj… si njeriu që për 46 vjet rresht i tha diktaturës: “Ndalu, me mue nuk ia del, as me forcë dhe as me të mirë (dinakëri)!”.
I lindun më 1921, në moshën 22 vjeç arrestohet dënohet me 5 vjet burg. Mbas burgut njeh tmerrin e kampeve të punës si: Maliqi, Vloçishti, Bedeni e Lekaj deri 1950. Këtu, Deda lirohet për plotësim dënimi dhe vjen në Tiranë e bashkohet me ne dajat e kushërinjtë e tij. Ku të shkonte? Krejt familja e tij ishte në internim në Tepelenë. Vllaznit e malit, Marku dhe Lleshi ishin vra. I ati me dy vllaznit e tjerë ishin arratisë jashtë shtetit dhe nuk kishin asnji mundësi lidhjeje me familjen e tyne, e aq ma pak me Dedën.

Kulla e Markagjonëve në Shkodër

Kulla e Markagjonëve në Shkodër

Shtëpia në Shkodër konfiskue. Sarajet e Oroshit qenë djegë. Menjiherë u kuptue se lirimi tij ishte ba me qëllim. Spiunët u dyfishuan vigjilencë ekstreme ditë e natë ndaj tij. Ky qëllim rrinte mbi skrivanitë e Mehmet Shehut dhe Kadri Hazbiut. Kjo dyshe e tmerrshme po sajonte nji lojë për asgjësimin e gjithë të arratisurve, sidomos atyne të Veriut, ku kishte fillue hedhja e diversantëve nga ajri dhe hyrja nga kufiri jugosllav. Duhej gjetur njeriu që mund ta realizonte atë punë. E kush mund ta bante më mirë se Dedë Gjomarkaj, ky pinjoll i Kapidanëve të Mirditës!!
Arrestohemi në dy vllazni. Deda paraqitet se u paskej shpëtue e dalë në mal. Ndërkohë që unë dhe Valentini mbyllemi në Kalanë e Portopalermos, “hapet fjala” se Dedë Gjomarkaj ishte arratisur, dhe djemtë e Prenk Pervizit i kishin zhdukur. Kjo fjalë shkoi në veri, Mirditë, Kurbin, Krujë, Lezhë, Pukë. U shpall me fjalë, se Dedë Gjomarkaj, djal’i Kapidan Gjonit, i ftonte të gjithë të arratisurit të mblidheshin në nji vend të quejtun Zall-Herr, për të krijue bashkimin e gjithë të arratisurve dhe organizimin e qendresës së armatosun kundër komunistëve, me ndihmën e jashtme…
Sigurimi, me në krye Kadri Hazbiun, krijuen gjoja grupe me të arratisur (sigurimsa) për me ra në kontakt me të arratisunit e malit. Po Deda ku ishte? Duke kujtue se Deda do ta pranonte at lojë, me premtimet shumë joshëse, pra “me të mira”, krenët e Sigurimit, si Mehmeti ashtu Kadriu u gjetën para nji refuzimi kategorik. Deda mbahej në izolim të plotë. Askush s’dinte asgja për të. Kështu që prralla se ka dalë në mal bahej e besueshme. Në Portopalermo sollën do Mirditorë. Të pyetun prej nesh mos dinin gjë. Ata e besonin daljen e Dedës në mal dhe u çuditën kur na gjetët ne aty. Sepse ne quheshim të zhdukur. Duke mos ia dalë as me të mirë e as me të keq me Dedën, Kadri Hazbiu e ndryshon lojën. Gjetën nji të burgosun (tiranas) të cilin e kurdisën të paraqitej si Dedë Gjomarkaj në atë mbledhje të Zall Herrit. Nji si sozi e tij. Në kët plan, Kadri Hazbiu u bë si i arratisun e me disa njerëz të Sigurimit shkoi në Kurbin, e drejt e në Skuraj. Me anë të disa spiunëve arrin të këtë njië takim nga larg me Ndue Gjergjin, kushëri i Dedës dhe yni. Ndou ishte i arratisuni ma i randësishëm për krahinat veriore, Kurbin, Mirditë, Pukë e Lezhë dhe gëzonte edhe reputacionin, si nip i Gjeneral Prenk Pervizit… Takimi bëhet dhe Kadriu e lëshon zërin nga larg, duke i bërë të fala nga Dedë Gjomarkajt, i cili e ftonte në Zall Herr ku do të mbahej mbledhja e të gjithë të arratisurve. Ndou ishte përgjigjë, se nëse Deda ishte arratisë e ka vendin këtu në Skuraj e jo në Zall Herr.

Ded Gjonmarkaj, i pari ulur në Kuç të Kurveleshit të Vlorës 1957, Skënder Qyteza, Nikoll Paluca, Ernest Dosti, Thabit Rusi. Në këmbë Lek Pervizi, Viktor Dosti, Mit'hat Araniti, Valentin Pervizi, Fatbardh Kupi, Tomorr Dine.

Ded Gjonmarkaj, i pari ulur në Kuç të Kurveleshit të Vlorës 1957, Skënder Qyteza, Nikoll Paluca, Ernest Dosti, Thabit Rusi.
Në këmbë Lek Pervizi, Viktor Dosti, Mit’hat Araniti, Valentin Pervizi, Fatbardh Kupi, Tomorr Dine.

Loja e Kadriut dështoi dhe ai u kufizue me shti në kllapa të arratisun të Krujës, Durrësit, Kavajës, Elbasanit, etj., ku Dedën nuk mund ta njihte kush si pamje.
Tani diçka e çuditshme: si shkoi ajo mbledhje. Kam dëshminë e dy të arratisurve kruetanë pa ndonji randësi, që i internuan në Tepelenë. Ata tregonin, se kur ishin mbledhë në një si barakë të madhe, ç’të shihje: mbushë plot e përplot me t’arratisun, ulur grupe grupe kambëkryq me armët në prehën. Kur del nji njeri që qëndroi mbas nji tavolinë e dikush foli. Ju njohim me kapidanin e Mirditës, Dedë Gjomarkajn. Duartrokitje. Deda i rremë qëndisi nji fjalim të bukur, sa na u bë zemra mal. Kur mbaroi, ne nisëm të duartrokasim e të brohorasim. Kur befasisht na i vunë nga tri gryka pushkësh në bri. Prangat dhe shqelmat dhe drejt e në birucat e Sigurimit. Disa u pushkatuen e të tjerë u kalbën burgjeve. Ne shpëtuem kot… Kështu mbaroi edhe ajo lojë që Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu kishin nisë me të madhe, po ama disa të arratisur i zunë.
Po Deda? Nga izolimi i madh në një qeli të ngushtë e t’errtë, ushqye vetëm me buk e ujë, Deda ishte dobësue shumë, mbas tri vjetësh izolim të plotë. Atij i kishin ba presione të mëdha, vetë Mehmet Shehu bashkë me Kadriun, me premtime dhe privilegje, duke kërkue ta detyronin t’i shkruente t’atit, Kapidan Gjonit, e me ra në marrëveshje me ta, etjera punë…
Nji ditë sollën aty nji mjek. Kur ai e pa Dedën ashtu të katandisun aq keq, u kishte thanë oficerëve që e shoqëronin: “Shpejt shkoni e blini mollë, portokalle e fruta. A nuk e shihni se e ka zënë skortbuti? Ky po vdes për mungesë vitaminash…” dhe Deda falë tij i shpëtoi asaj gjendje.
Për të justifikue atë lojë të ndytë e nxorrën në gjyq ku, për ta dënue, e akuzuan për arratisje në marrëveshje me ne. Deda ishte përgjigjë, që m’i nxirrni këtu përpara ata kushërijtë e mi… gja që nuk ndodhi… ai qe nji sebep ipoër ta përkulë. U zhvillua nji gjyq formal dhe Deda e dënuan me shtatë vjet, duke e izolue në Kala të Gjinokastrës, pa mundësi kontakti me askënd.

Portrete të Dedë Gjonmarkajt, Mit'hat Aranitit e Thabit Rusit nga Lek Pervizi - Kuc 1958

Portrete të Dedë Gjonmarkajt, Mit’hat Aranitit e Thabit Rusit
nga Lek Pervizi – Kuc 1958

Ne dhe familja jonë në internim në Tepelenë nuk dinim asgjë. Unë dhe Valentini e kishim kuptu me Dedën po luhej nji lojë. Arratisja e tij ishte nji prrallë e sajueme. Ngjarjet u rrotulluan dhe unë e Valentini përfunduem në kampin e Kuçit të Vlorës, ku më 1957, sollën edhe Dedën. Atëhere u muer vesh krejt historia e përpjekjeve të shtetit për ta thyer Dedën, siç e treguem edhe më sipër. Deda na kallzoi se: “Unë vendosa me dekë, po në asnji menyrë me u dorëzue…!”
Ky nuk asht nji tregim për me rrëfye torturat e diktaturës, por nji deshmi me tregue vullnetin e pathyeshëm të këtij njeriu, që si Gjomarkaj i vërtetë, e ka tregue me fakte se i përkiste nji familje nga ma fisniket e Shqipërisë. Nji familje me dinasti princore shekullore dhe e përfshime në historinë e Shqipërisë. Këtë qëndrim të vendosur të tij, nuk ia fali pushteti komunist. E arrestuan përsëri megjithëse i internuar në Gjazë, duke e dënue me 10 vjet të tjerë, që gjithsejt iu bënë 22 vjet burg e 24 vjet internim, 46 vjet.
Në dënimin e tretë në Lushnje, ku nuk kishte pranuar në asnji mënyrë të firmoste proces-verbalin e hetuesve, kur doli në gjyq, pas fjalës së akuzës e pyesin se ç’kishte për të thanë. Me bini nji letër dhe nji penë, ishte përgjigja. Kur ia sollën, vuri firmën në fund të letrës së bardhë… “Tani – u tha, – ju mund të shkrueni ç’të doni!” Hetuesi i drejtohet, a e di se ç’të pret nga kjo firmë. Deda ia ktheu, “Pse e di, e kam firmosë!” Kjo ngjarje bëri që ai hetues pas do kohe të jepte dorëheqje, sepse Deda i kishte dhanë atë mësim që nuk mund të ia jepte askush tjetër. Pse, ai e kuptoi se si hetues ishte kthye në nji vegël qorre të regjimit, për të dënue njerëz të pafajshëm kot.

Familja Markagjoni ne interrnim

Familja Markagjoni ne interrnim

U shtyva pak gjatë në kët tregim ku përfshihet Deda, për të nxjerrë në dritë se ky njeri, që pësoi kaq dënime dhe u tregue aq i pamposhtur, e kishte në natyrë dhe genin nga i cili rridhte që të qëndronte sypatrembun e ballëhapun ndaj atyne që s’kishin lanë krim pa krye dhe poshtërsi pa ba në Shqipëri. Deda dhe familja e tij nuk e përfillën atë diktaturë çnjerëzore dhe në çdo sjellje e qëndrim të tyre, qëndruan lartësisht fisnikë e të pathyeshëm, qoftë burrat ashtu dhe gratë. Motrat e Dedës, edhe ato janë heroina të vërteta, po aq të vendosuna, të pamposhtuna e trimëresha si ai.
Për këtë hero të vërtetë që i qëndroi burrnisht i pamposhtur diktaturës me t’egër që kishte sundue mbi shqiptarët, asnji nga gjashtë Presidentët, duke fillue nga i pari, dhe nji aradhe e gjatë kryeministrash nuk denjuan të venë ujin në zjarr (popullorçe) që ta nderojnë me dekoratën ma të lartë që mund të meritojë nji njeri, e kët njeri e kanë pasë aty, para syve tash 25 vjet, pa u kujtue nji herë për të. Po se edhe mos ua vari ai atyne!
Nuk ka ma turp për nji shtet që të mos njohë e mos vlerësojë qytetarët e vet, sipas meritave reale dhe jo sipas thashethemeve e prrallave me mbret që kohët e fundit qëndisin në Shqipëri, heroj të paqenë e histori të paqena. Jo që kanë mbrritë deri aty sa të dekorojnë kriminelë që kanë derdhë gjak shqiptari.
Dedë Gjomarkaj, për ata që e kanë njohun nga afër, mbetet nji njeri shëmbull, edhe për sjelljen e tij jashtëzakonisht njerzore dhe të afrueshme. Ai kurrë nuk imponohej me autoritetin që i vinte nga origjina, si pinjoll i derës së lartë së cilës i përkiste. Fisnikëria e tij imponohej, e para përmes nji qëndrimi si të thuesh popullor, gjithë urtësi mirditore, ku fjala që thuhej merrte vlerë për mesazhin që jepte. Deda ishte mjeshtër i bisedës dhe humorit, ku dallohej zgjuarsia tradicionale e trashëguar në shekuj në familjen e tij. Me urtësinë, me fjalën e ambël dhe kuptimplote, me marrjen me të qeshur edhe situatat ma të vështira, Deda fitonte simpatinë dhe respektin shoqnisë dhe imponohej vërtetsisht si nji bir i denjë i asaj familje që i qëndron e pandame dhe bashkangjitë historisë shqiptare.
Deda edhe nëse nuk do të përmendet si nji personazh historik, patjetër do të përmendet, do të kujtohet e do të nderohet si nji hero dhe martir i lirisë dhe demokracisë…

Ded Gjonmarkaj dhe Lek Pervizi 2014

Ded Gjonmarkaj dhe Lek Pervizi 2014

Do të ishte mirë që ky shkrim të shkonte në veshët e këtij Presidenti ose pasardhësit, (më që paraardhësit s’banë asgja) të kishin mirësinë me u përulë para të tilla figurash madhore të qendresës së pamposhtur ndaj diktaturës komuniste.
Dedë Gjomarkaj asht ai shqiptar i përdjekun politik, i burgosun dhe internuem për 46 vjet, simbol i nji qëndrese të rrallë, jashtëzakonisht burrëror e fisnik që e meriton të quhet e të shpallet Hero i Qëndresës kundra diktaturës komuniste, Hero i Lirisë e Demokracisë dhe përçues i virtyteve ma të larta shqiptare…
shkurt 2015

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook