De Moraes dhe rastësitë fantastike të njoftjeve… Jozef Radi

Vinicius de Moraes 1913-1980

Vinicius de Moraes 1913-1980

 Rastësitë fantastike të njoftjeve

nga Jozef Radi

Bankarelat e librave t’përdorun, janë nji prej humbakohjeve të mia ma të kandshme… Nji ditë, ndërsa gërmoja dhe ndjeja at aromën karakteristike të librave të pashfletosun kahera, shoh nji libërth të vogël me nji fetë të madhe shalqini si kopertinë… Buzqesha… pse libri ishte mjaft i vogël dhe ajo thelë shalqini aq e madhe dhe aq e ndezun…! Vazhdova me gërmue dhe me kqyrë ndër ata libra të përdorun, po n’mendje m’kish mbetë ajo kopertina shalqinore etjeshuejtëse, e cila m’detyroi me e kthye te ajo vëmendjen… Ishte nji Vinicius de Moraes...!!! me 55 poezi të vetat… As përkitas, ai emën s’ma kishte shkelë mendjen… as pikë jehone ai kumbim latin s’kish pasë ndonjiherë n’veshët e mi! E mora pra ashtu qetsisht dhe nisa me e shfletosë me nge, mbasi aty nën hije t’blinave s’ndjehesh edhe aq fort as vapa… Vinte prej nji familje të mirqenun… paksa ma i madh se im Atë… po kish vdekë shumë ma herët se ai… “Mirqenia s’të ndihmonka me jetue gjatë, ashtu si edhe vuejtja s’të ngushton me hikë fort shpejt!”… Kishte qenë dipllomat… pra kishte shetitë botën… i kishte kushtue mjaft kohë muzikës… n’veçanti asaj popullore… Rio-ja ishte qyteti i ardhjes dhe i ikjes së tij… prej kësaj bote… ndërsa unë e shfletoja dhe e shfletoja at libërth që tash m’ishte ngjitë mbas duerve, a thue prej atij langut të shalqinit… Haha… qesha pa e lëshue librin prej dore…
S’di sa mund të kem ndejtë aty nën hije të blineve, duke u shty faqe mbas faqeje… e duke u hutue varg mbas vargu… di që e paskam habitë shitësin dhe dikur m’u afrue qetësisht e m’foli si me dashtë me m’zgjue prej gjumi…
As e pyeta për çmimin, po kur i shkova me portofol n’dorë, e pashë se ishte pothuej falas… (Si duket kishte aq kohë ajo kopertinë ashtu kafe me at thelë provokuese shalqini, e kishte lodhë) Edhe pse verë, ajo s’ia kishte trazue shpirtin askujt… dhe ai çmim i mbetun me lireta (t’harrueme) n’kopertinë, s’kishte joshë askënd… veç meje!!
Tash e kisha pronë temen kët libër t’mërzitun n’shoqninë gjanave të përdoruna…
Prej asaj dite, Vinicius de Moraes gëzoi privilegjin që prej shpërfilljes atje n’bankarelë, me ndejtë te koka e shtratit tim… dhe për çdo mbramje, si nji ritual, fletët e tij hapeshin qetsisht dhe m’i merrte jo vetëm sytë po edhe nji pjesë të shpirtit… dhe ma bante gjumit ma të lehtë, e më shtynte të merresha ma shumë me të…
S’them dot sa herë i kam lexue poezitë e tij… di se kët libër sa ma shpesh e lexoja, e shijoja shumë e ma shumë, dhe mbas çdo here… zhytesha thellë e ma thellë në zjarrin e tij…
Dhe jo veç vetë… po shpesh fllova të ftoj edhe tjerë, me i qirasë me langun ekzotik të poezisë së de Moraesit të Madh, derisa nji ditë të zhegtë vere, besova se de Moraesi duhej t’lexohej dhe t’recitohej edhe prej asaj gjuhe që unë i përkisja… sepse ai m’jepte mundësi me e pasunue leksikun dhe verbin poetik, m’dhuronte fantazi, dhe me të mundesha me mbrritë edhe n’skutat ma të thella të shpirtit dhe sensibilitetit njerzor…
Dhe kështu… prej asaj dite vere, u ula bashkë me de Moraesin dhe mbas së parës kafe bashkë… pimë dikur edhe nga nji gote birrë… e mandej e ftova me udhëtue bashkë edhe nëpër gjuhë shqipe… I sigurt se s’ka me ndodhë kurrë që ai t’pendohet prej kësaj ftese, dhe as prej ktij udhëtimi… Sot, jam unë ai që duhet me iu gëzue ma fort botës magjike të de Moraesit, që fillimisht ma pushtoi shpirtin, mandej mundi me folë lirshëm me mue… tash edhe me ju edhe me tjerë… në kët t’vorfnën… gjuhën tonë…!!!
10 korrik 2011

Vincius de Moraes - 55 poezi

Vincius de Moraes – 55 poezi

100 vjetori i Vinicius de Moraes (1913 – 1980)

Katër poezi (nga libri “55 Kangë Dashnie”)

Soneti e devotshmënisë

Kjo grua që derdhet e gjitha, e ftohtë
n’krahët e mi rrëshqet, e me gjoksin
e saj më mposht, më puth, më mërmërit
vargje, premtime dashnie… edhe psallme

Kjo grua, kjo lule trishtimi që tallet
me drojen time të squllët, asht e vetmja
midis krejt atyne që u kam dhurue ledhe
që kurrë s’do t’doja t’ia falja nji tjetre…

Kjo grua që n’çdo dashni të saj shpall
mjerimin dhe lavdinë e gjithkujt që e dashuron
e që n’vetvedi ruen edhe shenjat e dhambve të mi

Kjo grua asht bota vetë! – Ndoshta, shfaqet
edhe si putanë, po n’korrnizë të nji shtrati
asnji grua s’mund të jetë ma magjike se ajo…
Rio 1937

Soneti i pendimit të thellë

Unë të dashuroj Mari, të dashuroj fort
aq sa gjoksi m’dhemb si prej ndonji sëmundje,
dhe sa ma shumë dhimbje ndjej aq ma e madhe
ma e fuqishme bahet magjepsja e shpirtit tim

Ashtu si nji fëmijë që rropatet me këndue
përballë misterit të pafundësisë pezull
ashtu dhe zemra ime si nji ninull turbulluese
përkund vargje të nji malli t’pafundmë…

Jo s’asht ma e madhe zemra se shpirti
dhe aspak ma e mirë prania se malli
veç dashnia, kur ia ndjen qetsinë asht hyjnore…

prej asaj qetsie përplot me përvujtni
sa ma shumë e kuptoj që je veç e imja
aq ma pak i amshuem ndjehem n’jetën tande…
Rio 1938

Epitaf

Këtu prehet Dielli
që krijoj agimin
që dritë i dha ditës
dhe mbramjes ushqim

Bariu i magjishëm
me duer hirëplota
pllenon trandafilat
e nji nga nji i çvesh

Këtu prehet Dielli
hermafroditi i ambël
dhe i dhunshëm, që

mbasi zotnoj format
e krejt grave të botës
ra dekun mbi detë
Oxford, 1939

Soneti i dashnisë së plotë

Të dua fort, shpirti im… po mos i këndo
zemrës njerzore me t’vërtetën ma t’plotë,
të dua si nji mike, si nji të dashtun
n’ato shfaqjet e tua gjithnji ndryshe…

Të dua pse ngjajmë, n’dashni të qetë e t’hirshme
të dua përtej gjithçkaje, përtej pranisë në nostalgji,
të dua n’fund të fundit me krejt forcën e lirisë
n’përjetësinë e çdo çasti që bashkë e ndajmë…

Të dua njashtu… krejt thjesht si bishë,
me dashni pa asnji mister dhe asnji virtyt
me nji dëshirë t’fuqishme e t’përhershme…

e duke të dashtë kështu, shumë edhe gjithnji
nji ditë befas mbi trupin tand kam me u shue
pse t’kam dashtë shumë ma tepër se kam mujtë!
Rio 1951

(Përkth. Jozef Radi)

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Arkivi Jozef Radi, Artikuj, Gazeta, Përkthime  Etiketat: , , , ,
5 Përgjigje
  1. Jozef Radi Tha:

    ‪Elida Hysenbegasi
    Rastësisht e kam njohur dhe unë de Moraes,nga disa këngë me tekste të tij Bossa Nova Jazz dhe ishte vërtet një rastësi e mrekullueshme…
    Faleminderit për këtë sjellje shumë të bukur të zërit të tij, plot ndjeshmëri, pasion dhe jetë…
    (marrë nga muri i fb. 9 qershor 2014)

  2. Jozef Radi Tha:

    Advie Hoxha
    Vinicius de Moraes!
    Zot! Kam shumë, shumë vjet, që e kërkoj kët poet. Në atë kohë isha gjimnaziste dhe kishim një konkurs të fjalës artistike. Rastësisht në një revistë “Nëntori”, (që dilte një herë në muaj), gjej një poemë, që më la pa frymë… Një poemë e shkruar me një pasion të paparë, një dashuri aq të madhe, sa nuk e përshkruaj dot, por edhe një revolte që mua më shkonte shumë për shtat… Di që fitova çmim të parë, plotësisht të merituar!! Këtë meritë më shumë ja vë asaj Perle, që nëpërmjet fjalës dhe artikulimeve të mia, kishte mbrritur tek spektatori, ashtu siç do të donte vetë i madhi poet De Moraes, që e mbyllte poemën me emrin e tij të madh, e që mua më është skalitur në mendje: Vinicius De Moraes!
    Të flm miku dhe shoku im i mirë, Jozef… dhe nëse në at librin tënd të vogël, ndodhet ajo poemë Aq e Madhe, ma bëj një shërbim të vogël… ma nis! (marrë nga fb.15.08.13)

  3. Jozef Radi Tha:

    Pra pak ditësh Vinicius de Moraes, kangtar dhe poet i famshëm brazilian, kishte 33 vjetorin e vdekjes së tij, po njiherësh kët vit, me 19 tetor, ai ka edhe njiqind vjetorin e lindjes… Meqë prej kohësh merrem me poezinë e tij, e ndjej të domosdoshme ta them se me lexue de Moraesin, asht nji pasuni e pahumbun… asht si ta rijetosh dashunisë…

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook