back to top
11.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Dashnia nuk fiton gjithmonë, asht ciklike edhe ajo… – nga Astrit Cani

Gazeta

Astrit Cani
Astrit Cani

Dashnia nuk fiton gjithmonë, asht ciklike edhe ajo…

nga Astrit Cani

 
Nja tre vjet kam jetue në Tiranë, në kohë të Salës. N’at kohë kam maturue edhe idénë e plotë mbi atdheun, që asht aq e randsishme për ekuilibrin psiko-shpirtnor. Nji gja që kushdo duhet ta zgjidhë në dashtë me ecë përpara. E pashë që jemi shoqni e smundë. 
Gjaja ma e mirë ishte ndeja në kafe, njiherit edhe gjaja ma e keqe. Kafekultura ishte nji lloj psikanalize për shtresat e ulëta, që e kryente funksionin në disa nivele, por e kryente kaq mirë funksionin sa kthehej në funksion.
Industria kulturore ishte në dorë të komunistave ose neokomunistave. Pd-ja ishte në dorë të katundarve dhe katundarët në dorë të saj kuptohet. Kah ana tjetër kato-komunistat mundoheshin me rrue ndoj fond. Pronat ishin horror. Na rrejti Sala, mendojsha. Fallso ishte edhe filoevropianizmi, leksikon i ngushtë interesaxhijsh, që ojqizoheshin nëpër zyra. Pjesa ma e neveritshme ishin ata ma të hekurosunit, ose të hekurosunit për vdekje. Jakat e bardha, që shkonin jashtë me bursa dhe ktheheshin drejtora, dhe banin sikur përfaqonin politikisht demokracinë perendimore, pa pasë mrritë kurr me përfaqsue vedin. 
Zhgënjimi ma djegës ka qenë në dy raste. Për 1 maj dhe për Vit të Ri. Bulevardet u mbushën me mija të rij prej rrethinave që dilnin me pi kafe, krejtsisht pa perspektivë, dhe kurr s’kisha pa’ nji kapital ma t’madh njerzor se ai komplet i falimentuem në tentativë. Viti i Ri ishte edhe ma keq, se duhej shkue prap në kafe, me ndryshimin se ekspresi kushtonte dyfish, si Vit i Ri që ishte. Nuk jam ndie ndojherë ma keq. 
Mashtrimi dhe poshtërsia mbisundonin kudo, me mbështetjen e politikës. Nji armatë mediokrish kishin në dorë gjithçka. Po t’ishe i lidhun politikisht të lidhnin disa rroga, kurse pa lidhje politike, nuk merrje as hakun e punës, ishe jashtë zinxhirit ushqimor të mutmëdhenjve. 
Lobi i Kadaresë dominonte politikën letrare, distribucionin e librit. Tri herë ju solla rrotull nji distributori të madh ish-shofer që më bante si njeri me pozitë, iu solla si ujku hienës, dhe e mori mesazhin.
Me Kadarenë nuk kam asgja të përbashkët, as gjuhën shqipe, por veç faktin se kena jetue në Tiranë. Sigurisht un në Tiranën e kuqrreme, ku racizmi kundër veriorëve i përziem me nji sens të projektuem inferioriteti, nuk mungonte n’asnji kontekst. Ai në Tiranën e kuqe. Ndryshimi me Kadarenë asht se ai pati disa dashnore ndër letrarkat e Tiranës dhe la nji vazhdë shkrimtarucesh që kakarisin ende sot. Un refuzova disa prej ktyne karrieristesh të thata dhe kto banë karrierë politike, çka m’ban krenar për idealistin që kam qenë asokohe, por m’ban edhe me mendue ironikisht se ndoshta kam lanë nji trashëgimi edhe ma të randë se ajo e Kadaresë. 
Në fakt asokohe u realizuen disa gjana, që i dhanë nji dimension ma të gjanë, mendjengushtësisë tipike shqiptare. Mbaj mend kur xhami i zi i ambasadës italiane u zëvendësue me nji xham transparent, no more visas. Ndoshta Berisha nuk e donte me xhama të zij Shqipninë. Dhe para se me ikë për të dytën herë, iu thosha kuriozve: tashti vizat ua hoqa, jam i lirë me ikë. Vizat i hoqi Sala, më thoshin. E keni gabim, çdo lirim vjen prej poetit, politikani merr meritat, poeti merr energjinë. U realizue edhe Rruga e Kombit, që asht ndër veprat e shekullit, ku vodhi sa mundi edhe Luli. Edhe Natoja që nji ditë do t’shohim a ka me na mbrojtë prej alienve që jena vetë. Mirëpo gjithsesi kto janë gjana materiale, kanë randësi gazetareske, nuk e bajnë ma të jetueshme Shqipninë. Veni re se pamvarsia nuk e ka ba ma të jetueshme Kosovën. 
Por zhgënjimi jem përfundimtar ishte fallsiteti i ndjenjave. Njerz që të pengonin gjithë ditën, tue ba sikur të duen të mirën. Ose që rrinin sa me të spiunue se ça je tue ba. Të gjitha kto i kam portretizue te romani jem Tirana, por sidomos te novela Komshitë e letërsisë. 
Mendoj se të gjitha për robin janë, si thotë ajo shprehja, por fallsitetin e ndjenjave nuk mundem me e kapërdi. 
Dhe pabesia tipike që dominon në të gjitha nivelet, kjoftë sociale kjoftë profesionale, asht shum e vështirë me u përballue pa dhunë. Nji gja asht e sigurt: të gjithve ju kruhet, por kurrkush s’pranon se i ka ra krroma. 
Tashti të kthehem te Berisha pak. Mendoj se njeriut me karrierë politike asht inferior ndaj njeriut me spiritualitet të zhvilluem, at-herë pse m’intereson!? M’intereson kah ana antropologjike, si model i njerzores. Pamvarsisht të gjitha gabimeve, nuk m’duket se ai ka fallsitet ndjenjash. Dhe kte nuk e mas te dashnia e tij për Shqipninë. Nse doni me ditë nse nji shqiptar asht patriot, shihni a e don Kosovën. Dashnia nuk fiton gjithmonë, asht ciklike edhe ajo. Por kur fiton i len ven vedit ngahera.
.

Marre nga Muri i FB i Astrit Canit, 14 janar 2022

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.