“Ç’tu desh Dasma në Karbunarë!” nga Jozef Radi

100 vjetori i Shkollës Karbunarë

100 vjetori i Shkollës Karbunarë 

“Ç’tu desh Dasma në Karbunarë!”

nga Jozef Radi

Dikur fshati Karbunarë ka qenë nënprefekturë, derisa nga fundi i shekullit të Nëntëmbëdhjetë, ajo njësi organizative administrative i kaloi qytetit të Lushnjes dhe “lavdia” e Karbunarës sikur u zbeh ca, e megjithatë ata s’e harrojnë kët gjë…!! Karbunarasit e vjetër ndjehen krenare për fshatin e tyre; Ata janë përgjithsisht 7-8 fise të vjetra, që në harkun e një shekulli janë shtuar mjaft, dhe ai fshati i dikurshëm në të dalë të qytetit sot është pjesë integrale e qytetit… po atyre u mjafton e besoj do t’u mjaftojë gjithnji të qenit karbunaras.
Vazhdimisht jam interesuar të lexoj historinë e shkruar të këtij fshati “të Madh”, por deri sot s’kam mundur të gjej asgjë të plotë, pra kam veç atë pjesë jete të kaluar aty rrotull, njohjet e shumta me miq që i kam pasur o shokë shkolla, o shokë pune, o shokë ushtrie, po mjaft edhe të njohur të rastësishëm.

Karbunarë - No comment...

Karbunarë – No comment…

Me aq sa njoh dhe sa kam dëgjuar, karbunarsit duhet të jenë malsorë të zbritur nga veriu dhe verilindja, më së shumti për hasmërira o për përzenie për shkak të shkeljes së ligjeve të Kanunit, dhe po të vëresh e të ndjekësh linjën e paskodrave të Myzeqesë, nga Karbunara deri në Peqin, përfshi edhe nji pjesë të mirë e Darsisë, janë nji seri fshatrash të populluara me të ardhur historikë nga veriu, gjë e cila dallohet lehtësisht nga emrat e fshtrave, nga mbiemrat e fiseve, nga fizionomia e individëve, po më shumë nga e folura dhe traditat, pasi edhe pse ardhja e tyre duhet të datojë disa shekuj, ende gjen aty akcent verior dhe verilindor në shqiptimin e shumë fjalëve, po dukshëm kjo shfaqet edhe në karakterin krenar dhe individualist, kokfortë, të paepur po edhe pak hakmarrës…
Karbunarasit, jo pa përçmim quhen ndryshe edhe karadakas, që në zhargonin lokal ka kuptimin njerëz kokshkretë, gjaknxehtë e të panënshtrueshëm… bile nji prej mundsive është, që ata të jenë malsorë shqiptarë të muslimanizuar të zonave të Malit të Zi, ose Karadakut siç quhet turqisht, të përzënë me dhunë… “Ka ba luftë me Karadakun” – ka kuptimin – ka ba luftë me malsorë të ashpër e kokkrisur të zonave midis Malsisë dhe Malit të Zi…
Këto janë thjesht biseda e diskutime të hershme me njerëz të kësaj zone, me ata që e njohin historinë, por qe ende s’ka asnji dokument të shkruar, (të paktën unë nuk kam kaluar ne duar) apo studim serioz, ndaj kjo hipoteze, që po rrëfej me të dëgjuar dhe me diskutime, mbetet që të vazhdojë me kërkime e studime ndër arkiva…
Meqë jemi te Karbunara, ajo shtrihet përgjat gjithë gjatësisë së kodrës që nis nga qyteti i Lushnjes deri te Brryli i Lunjës, përroi që shkon përskaj fshatit, dhe kjo quhet Karbunarë e Madhe, pse ekzistojnë edhe dy të tjera: Karbunara e Vogël disa kilometra më thellë dhe Stan-Karbunara pak me tej te Kodra e Mollasit fshat i banuar nga popullsi çobane (vllah).

Sheh Ibrahim Karabunara

Sheh Ibrahim Karabunara

Fiset më kryesore të Karbunarës së Madhe janë: Shehlerët, Ymerët, Xhekët, Çelët, Sulenjtë dhe Kasapët, po ka edhe fise më të vegjël si Mezinët, Lloshët, Çanakët, Mankot, Shkurtët, Manet, Saraçët e ndonjë tjetër që e bëjnë kët fshat karakeristik të jetës fisnore e klanore. Figura më e rëndësishme e historisë së këtij fshati mbetet padiskutim ajo e Ibrahim Sheh Karbunarës, njeriu që përkrahu dhe mbrojti Kongresin e Lushnjes, por që gjatë periudhës së komunizmit pësoi jo veç Ai po krejt fisi dhunime të shumta. Megjithatë edhe nën komunizëm Karbunara mbeti fshat kokfortësh dhe të paepurish dhe individualizmi i tyre karakteristik qe mjaft indiferent ndaj Partisë!
Por le të ndalemi te ajo që u bë shkaku i këtyre shënimeve: diskutimi i gjatë në nji rrjet social i miqve të mi për shprehjen e famshme: “Ç’tu desh dasma në Karbunarë!”.
E ndërsa përpiqesha ta kujtoja historinë e kësaj shprehje, më  erdhi ndermend edhe nji shprehje tjetër që lidhesh me Karbunarën: “Qentë e Karbunarës”. Si fjala vjen: “Po s’kapet ai, edhe me ia lëshu qentë e Karbunarës nga mbas!” Pra, bëhej fjalë për një njëri të zotin dhe i shkathët. Kjo shprehje, vinte si arsye që Karbunara ishte fshati, që kishte shumë qen, s’kishte shtëpi të mos kishte 2-3 qen dhe qen të fortë e të egër. Pra dikush që i sfidonte “Qentë e Karbunarës” ishte me të vërtetë i zoti! Tashti le të kthehemi të shprehja që është më e famshme se fshati, e që thuhet në disa variante si fjala vjen:
“Ç’tu desh dasma në Karbunarë!”, “Ç’më duhet dasma në Karbunarë!”,  “Ç’ju desh dasma në Karbunarë!”- janë shprehje që kanë lidhje me rrezikun në të cilin futet njeriu prej mëndjelehtësisë. Po si është e vërteta e kësaj shprehje… që shumë janë ata që përdornin, po mjaft pak ata që e dinë si duhet historinë e vërtetë… unë e dija, po, për siguri i bashkohem rrëfimit të nji shoqes sime nga Karbunara…

Pamje nga Karbunara

Pamje nga Karbunara

***
Karbunara është buzë rrugës për Berat. Kohë më parë, kur mjetet e qarkullimit ishin tejet të pakta, ndodhi që dy udhëtarë të zonave përtej Semanit t’i zinte nata aty në rrugë. Ishte vjeshtë dhe bënte pak ftohtë. Meqë mjete për në qytetin e tyre s’kishte xhanxhin, ata nisën të vërdallen rrugëve të Karbunarës. Diku dëgjuan nji aheng… Afrohen, dhe nga gardhi shohin se ishte nji dasëm. Afrohen edhe i thonë njeri tjetrit: – A nuk shkojmë deri afër oborrit dhe shtyjmë ca orë…
Në traditën e dasmave në Karbunarë, djemtë që kujdesen për mbarëvajtjen e saj, qëndrojnë gjithë kohës në këmbë, janë ata që presin e përcjellin njerzit qysh nga lesa e rrugicës e deri te vendi i caktuar i dasmës, janë atë që sjellin ujin, që mbajnë rregullin e valleve, që marrin porositë për orkestrën. Ata mbrojnë autoritetin e të zotit të dasmës me mjaft disiplinë. Ishin ata që i panë dy jabanxhinjtë te gardhi. U shkuan afër, i përshëndesin gjithë respekt dhe i pyetën se ç’e mirë i kishte sjellë n’ato anë. Jabanxhinjtë u treguan me hollsi të vërtetën, dhe djemtë e dasmës si mikpritsa me shumë dashamirësi i ftuan dy të panjohurit në dasëm, duke iu thënë:
-Oooooooo, po mirëse na erdhët dhe na urdhëroni brënda. Ne kemi  dasëm! Do hamë, do pimë, do kërcejmë e do bëjmë qejf, nesër kur të zbardhë me kismet të Zotit, ditë e re kismet i ri, sonte rrini këtu dhe nesër shkoni për ku jeni nisur!
Kështu dy mysafirët u shtruan në sofrën e miqve të afërt, dhe jo vetëm hëngrën e pinë me dolli pranë familjarëve… por rrëkëllyen edhe ca gota tepër rakie, e kështu bashkë me këngën e vallen nisën t’u japin bezdi edhe vajzave të dasmës. Po karbunarasve s’u shpëton gjë kollaj… dhe me marifet djemtë e shërbimit u bëjnë shenjë jabanxhinjve, që ta mbledhin pak veten, se po e teprojnë. Po ata e vazhduan të tyren, pa ju dhënë rëndësi këshillave, derisa erdhi një çast që e mori fjalën druri dhe shqelmat
dhe ata nga tavolinat e mishit, pilafit e rakisë, e gjetën veten me turinj të përgjakur mes pluhurit, shtrirë si dy thashë byku te rruga e makinës.
Të nesërmen në mëngjes të dendur mirë nga dasma po dhe nga druri u ndalon një makinë.
Zbret shoferi, dhe i sheh ashtu të gjakosur e të pluhurosur dhe ju thotë… -Po ju ku keni qenë që jeni katandisur kështu?
-Ja aty, me nji dasëm ishim…
-Po në ç’dasëm, o qyqarë…
-Në një dasëm këtu në Karbunarë!
-Po ç’ju desh dasma në Karbunarë!
Dhe shprehja “Ç’ju desh dasma në Karbunarë!”,  mori dhenë! Ajo jeton e do të vazhdojë të jetojë, sepse gjithnji ndodh që njeriu edhe pse i nderuar e i respektuar, i pëlqen të rrezikojë e t’ia prishë gëzimin e tjetrit… Prandaj, edhe me humor, njeriu duhet t’ia thotë edhe vetes: “Rri… Ç’të duhet dasma në Karbunarë”!

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Artikuj, Gazeta  Etiketat: , , , , , ,
7 Përgjigje
  1. florian Tha:

    Hahaha… shumë i bukur shkrimi…!

  2. Në fakt më pëlqeu shumë shkrimi për lagjen time të bukur. Më emocionoi edhe njëkohësisht më bëri të marr informacion, për disa gjëra që edhe nuk i kisha dëgjuar.
    Gjithsesi… Ju faleminderit!

  3. albana cela Tha:

    …si gjithmonë shkrime empirike dhe te vyera…!
    Po qesh vërtet me shkrimin… pse më tërhoqi fjala aq shumë e përdorur në Karbunarë… xhanxhin…!
    Ju faleminderit Jozef Radi… Respekt..!

  4. aishe cela Tha:

    Një përshkrim i bukur… Kështu pak a shumë e kam dëgjuar edhe unë këtë histori…
    Doja të theksoja mikpritjen… ndërsa druri është dhënë për arsye të forta!!!
    Edhe kjo shprehje e mbetur, sikur është zbehur ca te brezat e rinj… Vetën nqs e lexojnë në rrjetin social, besoj se më shumë do t’u ringjallet krenaria!!!
    Respekte Jozef Radi, për përshkrim dashamirës dhe origjinal!!

  5. lenci Tha:

    Ky shkrim duhet të lexohet nga shumë njerëz, sidomos nga pijetarët… mbasi jo vetëm në Karbunarë mund të ndëshkohen!

  6. lola shehi Tha:

    Ky është shkrimi më i bukur që kam lexuar. Mban brenda histori për atë vend të bukur dhe për ata njerëz kokfortë dhe krenarë njekohesisht, po edhe të dashur edhe të rreptë… për traditën e tyre të mikpritjes, por edhe të ndëshkimit nëse i shkel nderin e truallit të tyre…
    Një shkrim me shumë humor dhe profesionalizëm…
    Respekte Jozef Radi

  7. Ke bërë një pëshkrim thuajse realist! Të përshkruar këndshem e me humor, të ndërtuar rrjedhshëm e me një gjuhë të përpunuar mbi bazë standardin, puhitur lehtas e ëmbel tek-tuk nga gegërishtja, çka e bën leximin me të kapshëm e të pëlqyer nga të gjithë.
    Sipas njoftimit që kishe dhënë para disa orëve në fb, po e prisja me kërshëri shpjegimin tuaj dhe nuk u zhgënjeva… Vazhdon të mbetesh i dëshirueshëm për ne lexuesit, dashamirës të tu!

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook