Çmimi “Gjuha e Shpirtit” – I jepet Visar Zhitit për poezinë dhe misionin

Çmimi Ndërkombëtar “Gjuha e shpirtit”

Çmimi Ndërkombëtar “Gjuha e shpirtit”

Çmimi “Gjuha e Shpirtit”

-I jepet Visar Zhitit për poezinë dhe misionin

Në vend të një reportazhi

Në edicionin më të fundit, Çmimi Ndërkombëtar “Gjuha e shpirtit”, (“Il linguaggio dell’anima”), Itali 2016, i jepet poetit dhe diplomatit Visar Zhiti.
Komiteti Promovues me përfaqësues entesh të ndryshme kulturore e sociale, nga Angjesia e Informacionit “Zenit”, më e madhja e botës katolike, nga “Narnia Arts Academy”, “IF Press”, “Orbisphera” dhe “Associazione G. Jovine”, në jurinë e saj, sipas komunikatës për shtyp, përbëhej nga personalitete të klasit të parë në kulturë, gazetari dhe në spektakël: Renzo Allegri, Roberto Bignoli, Antonio Gaspari, Rosario Giuffrè, Paolo Gulisano, Carlo Jovine, Cristiana Pegoraro, Alessandro Rivali, Enrico Vanzina, Pamela Villoresi.
Ceremonia e dhënies së çmimit – bënte me dije Komunikata për Shtyp – u zhvillua në ditët e “Narni Festival”, gjatë veprimtarive të shumta ndërkombëtare, ku u ndërthurën artet, muzikë dhe kulturë së bashku, pikërisht në qendën historike të stilit të romantizmit të vonë, të shek. XII-XIV, në kishën e Shën Françeskut.
Pas përshëndetjes së Drejtorit të Agjensisë “Zenit”, Paolo Gaspari, u prezantua dhe antologjia e poezive më të mira të autorëve finalist të konkurimit, “Gjuha e shpirtit”, botim i IF Press, 2016.
Cristina Pegograro, ideatore dhe organizatore e  “Narnia Festival”,  anëtare e jurisë, pianiste e afirmuar e nivelit ndërkombëtar, ndër të tjera shpjegoi se qëllimi i tyre ishte që “E bukura të jetë gjuha universale për të bashkuar kultura të ndryshme, besime, kondicione sociale për të ndërtuar një humanizëm të ri për një bote më të mirë. Prandaj ndjehemi të nderuar që ia japim çmimin poetik “G. Jovine – Gjuha e shpirtit”,  poetit Visar Zhiti, – përfundoi ajo.
Motivacioni është i botuar dhe në antologji:
“Për dëshminë ekzistenciale e letrare që ka sjellë duke qenë simbol i lirisë artistike dhe i poezisë të mendimit kundër barbarisë së diktaturës. Për tensionin moral dhe religjioz që Zhiti vazhdon të shpalosë dhe në misionin aktual të ambasadorit të Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë”.

Motivacioni  i botuar në antologji

Motivacioni i botuar në antologji

Është interesante se si bashkë me poezinë juria ka vlerësuar dhe punën e tanishme të Visar Zhitit, duke e parë atë si ambasador të vendit të tij në Vatikan. Bëmat lidhen me krijimtarinë, morali me poezinë…
Viti 2016, është shpallur nga Papa Françesku si Jubile i Jashtzakonshëm i Mëshirës, – thuhet në parathënien e antologjisë “E folura e shpirtit” – me qëllim përhapjen e shpresës për një botë më vëllazërore – Jo rastësisht pontefikët më të fundit janë ndalur në sintoninë e veçantë që lidh përvojën religjioze me emocionin artistik, – vazhdohet në esenë hyrëse.
Mund të kujtojmë me këtë rast fjalët e shkëlqyera të Papa Gjon Palit II në Letrën artistëve, të vitit 1999, ku ai ka bërë qasjen se “përse” arti ka aftësinë për të shkuar “përtej asaj që perceptojnë shqisat dhe të penetrojë realitetin duke interpretuar “misterin e fshehur”.
Në krijimin artistik, – shkruante Karol Wojtyla, që ishte dhe poet, – njeriu ngrihet më shumë se kurrë në imagjinatën e Zotit dhe realizon këtë detyrë para së gjithash duke plazmuar materien “mahnitëse” të vetë njerëzimit dhe pastaj duke ushtruar krijim si një zotërim mbi universin që e rrethon.
Këtij koncepti i bën jehonë çmimi “Gjuha e shpirtit”, – shpjegon grupi i jurisë në editorialin e vet, – dhe i jepet poezisë spirituale e njerëzore si një bashkëpunim në kulturën e re të takimit, duke konfirmuar vlerat e poezisë si e folur universale, e aftë të përbashkojë kulturat, popujt dhe traditat.

Ceremonia e Ndarjes se çmimit “G. Jovine - Gjuha e shpirtit”

Ceremonia e Ndarjes se çmimit
“G. Jovine – Gjuha e shpirtit”

Çmimi mban emrin e poetit “Giuseppe Jovine”, në kujtim të një prej zërave më të lartë të letërsisë italiane të gjysmës së dytë të shek. të XX dhe u institucionalizua në vitin 2000, nga Carlo Jovine, i biri i poetit.
Në konsolidimin e këtij çmimi dhanë ndihmesën e tyre personazhe të shquar të skenës letrare në Itali, të cilët janë alternuar në Juri apo veprimtari kulturore të tij si Mario Luzi, Maria Luiza Spaciani, Stanislao Nievo, Giuliano Manacorda, Valentino Zeichen, etj.
Agjensia e Informacionit “Zenit”, do të citonte në reportazhin që botoi me këtë rast dhe nga fjalët përmbyllëse të fituesit gjatë ceremonisë, kur iu dorëzua “Luani i argjendë” i këtij çmimi: “Visar Zhiti, shkrimtar i vlerave ndërkombëtare, që ka vuajtur barbarinë e totalitarizmit, i dënuar me 10 vjet burg nga që ishte poet, deshi ta shprehë në mënyrën e tij të veçantë falenderimin për çmimin që iu dha brenda një kishe: një mjedis, tha ai, që simbolizon dhe thërret ‘gjuhën e shpirtit’  duke na çuar tek e vërteta e natyrës tonë spirituale (ndërsa fjalët e tij, në një fare mënyre ‘iluminoheshin’ nga drita fërgëlluese e një vetrate artistike që e përtheksonte sugjestionin poetik.”
Zhiti ndërkaq tregoi se kishte patur raste të vlerësohej me çmime në vendin e tij, në vende të tjera përreth, në Ballkan, në Itali, etj, por ishte e para herë që merrte një çmim brenda në një kishë dhe, sipas tij, poezia është dhe një lloj lutjeje dhe lutja është dhe poezi. Zgjodhët një shqiptar këtë radhë, – e mbylli fjalën e tij të shkurtër Zhiti, – mbase për të çmitizuar kufijtë, jo vetëm të dukshmit, por dhe të padukshmit.

Ceremonia e Ndarjes se çmimit “G. Jovine - Gjuha e shpirtit”

Ceremonia e Ndarjes se çmimit
“G. Jovine – Gjuha e shpirtit”

Mes duartrokitjeve të gjata u lexuan poezi të fituesit dhe të pjesëmarrësve në konkurim dhe muzikantë të moshave të ndryshme, edhe 5 vjeçarë bashkë me të rriturit, nga vende të ndryshme të botës, Suedi, Zvicër, Rumani, SHBA, sigurisht dhe nga Italia, luajtën pjesë të njohura muzikore.
Sfida e artit, që shton njohjet, pra mirëkuptimin dhe na frymëzon, u tha ndër të tjera. Themeluesit e Europës së Bashkuar janë shpreshur se nëse do t’u duhej ta nisnin edhe një herë punën e tyre për bashkimin e Europës, nuk do të gabonin, por do ta fillonin nga kultura.
Nga “I dërguari posaçëm”.

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook