back to top
9.5 C
Tirana
E enjte, 25 Prill, 2024

Çilsat e Laurës… – tregim nga Jozef Radi

Gazeta

Jozef Radi (2001)
Jozef Radi (2001)

Çilsat e Laurës…

tregim nga Jozef Radi

Laura, jo ajo e Petrarkës, nji mikja eme e stimueme, m’lajmoi me nji nuancë trishtimi n’ajrì, se i kishin tretë çilsat e shpisë, e kishte mbetë përjashtë…
M’dhimbti me thanë t’drejtën, po jo njaq sa me e ngushllue. Mendova, gjithnji grave ndër ato çanta t’mdha e t’bukura, me njiqindenji xhepa e ngjyra, e me turlifarlloj xhinglash e minglash, ka gjithnji vend me tretë e me gjetë edhe mbrenda nji dekiku t’vetëm botën mbarë, ndër ato harare ka vend me dekë e m’u njallë, e jo ma nji palë çilsa shpije, që s’asht ndoj hata e madhe…
Ne nesre, në parkun e lagjes, Laura m’u rishfaq me dritë, kapërthye ndër do dega me lule kajsijash e bajamesh. M’erdh shpirti n’vend, e mendova menjiherë për çilsat e tretun t’nji dite ma parë, e ju avita njashtu rrshqanë e i fola me t’butë:
-Hë moj Laur’, a i gjetë çilsat…?
Ajo m’u kthye vrulltas e pak habitshëm: “Po jo mor njiri! M’duhet me i ba sot t’ritë! Jam me çilsa t’huzuem!”
-T’pashë me shpirt lulesh, e thashë: Shyqyr! I paska gjetë e Mira, ndër dega pemsh që shfryjnë tue lulue!
-Eh, – pshërtiu me nji buzqeshje t’zoritun – Jo mor Njirì! M’ndodh kajherë t’jem me kryet n’re!
-Ah! Pse s’më thu, që ke ra n’dashni Laur’. Diçka e ndjej n’ty, e gzohem pse asht ma e vogla gjà që mundesh me ia shërbye vedit ndër dit’t e marsit!
-Mah! Ç’ka me t’thanë! S’po di! – e vazhdoi mu çapitë në barin e rishtë tue ulë kryet njaqsa floktë ia mbuluen thuejse ftyrën!
-Mos u shtyj n’taban të mendjes hiç, rri njaty n’huti të shpirtit, se ma të bukrat gjana ndodhin veç mbrenda nesh!
Laura e shkundi kryet prej flokve e dhe era ja mbushi me petale të vogla bajamesh:
-Si duket, “me tretë ndër re” m’asht e vetmja mënyrë me jetue! Asgja ma shumë se me i rropatë kot ksaj bote!
-Bash pikës i ke ra! Njashtu asht! – ia shoqnova mendimin me nji buzqeshje që i mbrriti në ftyrën e nërdyshun si vezullim i miratimit s’thelli!
-Për mue, je e dashurueme Laur’, e n’se edhe sot, hupë diçka tjetër, bahesh edhe ma e bukur se dje!
-Oh, jo të lutem! Mos ma thuej kët gjà! Kam edhe qenin sot në kujdestari, e asht tue ma grrue edhe ai kët pak mendje t’mbetun! Telefoni tue m’dhanë shpirt e çilsat me i përsëritë diku! S’di pse jam tue hupë gjithçka!

çilsa dhe zemra
çilsa dhe zemra

-Jo Laur’! Mos mendo kështu! Je tue gjetë gjithçka, po s’mbrrin me e kuptue çka…!
-S’di për besë… S’di! Ndoshta asht bash njajo hera, kur je tue kërkue diçka pa e dijtë!
-O ndoshta asht tue t’u avitë Diçkaja, njashtu me hapa feline, e t’shfaqet n’hupë të sendeve ma të panevojshme, si çilsat!!
Laura m’u kthye vrulltas dhe ajo kreshtë e shpupurisun si prej luani brun m’u derdh me nji bukuri t’frigueme:
-A je i marrë, a shtihesh!?
E lashë pak pezull n’at hov të saj njat ftyrë t’bukur, derisa do fije drite u futën mes saj dhe meje!
-Po çilsat janë moj Laurë! E çilsat me i pa hollë, s’janë veç frikat tona! Asgja ma shumë?
-Po m’ndodh shpesh me i tretë çilsat, mandej edhe i gjej, për me i tretë prap! – bishtnoi Laura tue i hikë disi, kambnguljes seme!
-Sa herë hup çilsat Laur’, hupë padashtas, o me ndoshta medashtas friknat tua, e kur i gjen se je kthye te frika jote. Tashma s’mundesh me jetue pa të! E midis hupës edhe gjetjes së çilsave asht një nënshtresë e thellë emocionesh tua!
-Jo, jo! K’saj here s’mundem me i buzqeshë kësaj që m’thue! Veçse kurrë s’e kisha besue, se asht kaq e vërtetë kjo që m’thue!
-Je ende e re moj Laur’, e për fat je edhe e vocërr n’thellsi tande!
-Të hanën u nisa me shkue diku larg… – e mori prap fjalën ajo – edhe mbeta jashtë! M’u desht me kcye ndër kopshtije të komshive… prap dje e njajta gja!
-Domethanë, diçka e randsishme ashtu tue u përvijue diku, po ende s’dishron që ajo m’u shfaqë…
-Ndoshtaaa! E meqë asht n’kët pikë, ban mirë mos me ardhë hiç!! Se tash asht vonë për gjithçka! Rrethue me frymë përgjegjsie gjithkah, asht ma e mira gjà m’e thye qafën diku, e me m’shmangë ndër takime e përballje!
-Shif, se ba me ndodhë, ke m’u ba edhe ma e vogël, po edhe ma e bukur se ma parë!
Befas drita e asaj dite marsi, brofi prej lulesh iu ba kunorë, e iu lshue n’ftyrë të saj!
-Oh, sa i miri je, që m’i thue këto fjalë! Si duket, veç ti mundesh me m’pa njashtu siç ndjehem vërtet, e je tue ma dashtë të mirën kët çast!
Ndejta njashtu i shtangun veç tue e kqyrë… e tue e kqyrë… e tue kqyrë…
Ishte e gjitha si nji pemë e çelun, nji poezi n’ajrin e marsit, un’ veç e kisha lexue pak hollë, e tash rrijsha tue e soditë njashtu përballë!
“Kurrë s’më ka ndodhë nji gjà e tillë, e kurrë s’ka me m’ndodhë!” – m’u duk sikur pëshpëriti heshtja, era a drithma e gjetheve t’reja.
Falenderimi i saj u ba si ai diell i marsit, shndritës e i frikun vedit derisa u mpi e u zhduk krejt!
-Prandej Laur’, mos klith kurrë për çilsat e hupun, e mos i thuej kërkujt: Pse m’ke harrue, o Njirì? N’se un’ besoj se je e dashurume, ti s’ke arsye pse mos me e mendue nji diçkà të tillë… E njaty ndalu… Ke me pa s’i kanë me të tretë prap çilsat. E mos kërko me e shtjellue pse, se je veç tue u prishë me vedi. Ksaj bote kërkush s’mundet me i ndryshue kurrgjà!
Falenderimi i dytë i saj u ba ma i butë po edhe ma i trishtë!
-Sa e bukur e gjitha kjo çka m’fole… N’fund të fundit, kërkush s’mundet me na e ndalë mendimin… Jo, kërkush n’botë…
-Ja njishtu moj e Mira e Bun’s! – i fola tue rrokzue si me i lanë shteg me hikë n’hall t’vet, s’bashku me njat qenin e saj trishtue prej bisede.
-Po shkoj tash, se mbeta ndër ura…!
-Bash shko… Se po ta vrej n’mendje, që je tue u rrekë me i bashkue do brigje!
-S’asht me tamam njashtu e po ka Zot e diçka luen!
-N’se je tue bashkue brigje Laur’, dishmon se je dashni! Shko tash Laur’, s’e po t’vjedhi kohë kot… Xene se nji kafe, qi asnji monedhë s’ta vyen, ta dhashë!
Dhe Laura hiku flur si diell i trembun marsi!

Mbas ndoj ore, ndërsa vazhdoja me mbledhë edhe pak çmendi prej ditve t’atij fundmarsi, n’rrugë m’u rishfaq Laura. M’i tundi ata çilsat e gjetun, pa mujtë me e mshehë rruzullin e trishtë t’nji loti frike…
18 mars 2022

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.