back to top
14.5 C
Tirana
E martë, 23 Prill, 2024

Cikël përkthimesh nga Desantila Qerimaj – Debravo – Szymborska – Hikmet – Pavese – Borges – Quasimodo

Gazeta

Desantila Qerimaj 2019
Desantila Qerimaj 2019
Desantila Qerimaj sjell nji cikël përkthimesh, për të cilat punon prej kohësh.
Si gjithë punët e saj, edhe kto përkthime përzgjedhë me kujdes e n’përkim shpirtnor të saj,
asht përpjekë me i sjellë n’trajtat ma të rafinueme të mundshme.
E ndërsa asht në përpjekje të sjelljes së librit të saj të parë poetik, muzikantja dhe kangtarja,
ka ecë nëpër teh të këtyne përkthimeve poetik përmes nji pune serioze
siç ajo din me i ba gjithçka që ia filtron shpirti i saj…
Sigurisht, ajo ka sensin e mosngutjes m’u shfaqë, por kujdesi dhe puna kambëngulse
e pret pjekjen e plotë t’punës së vet, bile me kët ndërdyshje shkon pak ma përtej pjekjes…
Bisedat me Desantilën rreth përkthimit janë me shumë vlerë,
po vlera e vërtetë janë këto gjashtë poezi të përkthyeme autorësh të ndryshëm ku ajo
e ka vendosë aq bukur vedin, në kët përmasë të re të përkthimit, sa meriton admirim…
Desantilës i urojmë ma s’pari
m’u kënaqë vetë prej këtij përkushtimi ndaj poezisë e mjeshtrave të saj,
sepse kjo e ndihmon mjaft edhe në rafinimin e cilësive të saj jo të pakta…
Mirsenaerdhe me kët tufë lulesh ndër ne…
jozef radi, 11 tetor 2019
.

Cikël përkthimesh nga Desantila Qerimaj

Debravo – Szymborska – Hikmet – Pavese –

BorgesQuasimodo

Poezi e dashnisë t’paevitueshme

nga Jorge Debravo

Ti erdhe n’shpirtin tem kur ai ishte harrue:
kishte dyert plasë, karriget ndër kanale
perdet përtokë, shtrati i shpupurisun
e trishtimi, punue tanë kujdes si nji vazo lulesh.
Me duert tueja t’vogla prej grueje puntore
vendose çdo gjà në radhë:
shikimin n’vend të vet, n’vend të vet drandofillen
n’vend të vet jetën, shtrojen n’vend të vet.
I lave muret me nji leckë t’njomë
rrethue me gëzimin tand t’kjartë, amëlcinë e freskët
vendose radion n’vendin e duhun
e ia pastrove dhomës gjakun e mbeturinat.
Sistemove tanë librat e shpërndamë
pushtove shtratin me shikimin tand madhështor
ndeze llampat e shkreta fikë prej kohësh
e shndrite dyshemetë prej drunit t’konsumuem.
U bane papritmas e stërmadhe, e pushtetshme e fortë:
djersite mjaft vështirsi tue lá mobilje t’vjetra…
Kuptove që shpirtin tem e kishte tejkalue vdekja
t’cilën e nxore n’dritë me copa pasqyrash.
.
Përkthye prej versionit italisht: Tomaso Pierangelo
.
Bota Pertej...
Bota Pertej…

Torturat

nga Wislawa Szymborska

Asgjá s’ka ndryshue.
Trupi asht i ndjeshëm kundrejt dhimbjes,
i duhet me hangër me marrë frymë dhe fjetë,
ka lëkurë t’hollë dhe gjak bash nën te,
mase t’duhun dhambësh dhe thojsh,
koca t’theyshëm, kyçe elastikë.
Gjatë torturës gjithçka merret parasyesh.
 
Asgjá s’ka ndryshue.
Trupi dridhet njashtu si dridhej,
para dhe mbas zbulimit të Romës,
n’shekullin e njizet para e mbas Krishtit.
Torturat janë siç ishin dikur, thjesht toka asht zvoglue,
dhe çkado që ndodh duket se asht mbas portës.
 
Asgjá s’ka ndryshue. Thjesht ka ma shumë njerëz.
Përveç goditjeve t’vjetra shfaqen t’reja,
t’vërteta, imagjinare, t’përkohshme, dhe asnji,
pos britma me t’cilën trupi i përgjigjet,
ka kenë, asht e ka me kenë gjithmonë britmë pafajsie
simbas nji regjistri e shkalle t’përjetshme.
 
Asgjá s’ka ndryshue. Ndoshta veç mnyrat, ceremonitë, vallet.
Por prap lëvizja e duerve me mbrojtë kryet mbetet e njajtë,
trupi fiket, përpëlitet e tërhiqet,
bjen, kambët dorzohen, gjunjtë fluturojnë nalt,
kthehet n’blu, ajet, derdh pshtymë e gjak.
 
Asgjá s’ka ndryshue. Përveç rrugtimit t’kufijve
vijëzimit t’pyejve, bregdeteve, shkret’tinave e akullnajave.
N’mes të ktyne peisazheve zvarritet shpirti,
zhduket, kthehet, afrohet, largohet tej,
i huej për vedin, i pakuptuem, rrallë edhe i kjartë,
her’ t’tjera i pasigurtë për ekzistencën e tij,
ndërsa trupi asht dhe asht dhe asht
dhe nuk ka nji vend t’vetin.
.
Përkthye prej versionit Anglisht: wordpress.com
.
Van Gogh - Lulediellet
Van Gogh – Lulediellet

Për t’jetuemit

nga Nazim Hikmet

Me jetue s’asht çeshtje me qeshë:
duhet t’jetosh me seriozitet madhështor
për shembull, si nji ketër
e kam fjalën pa kërkue diçka përtej apo përmbi t’jetuemit,
e kam fjalën me jetue duhet me kenë punsimi yt i plotë.
Me jetue s’asht çështje me qeshë:
duhesh me e marrë seriozisht,
aq fort e deri në at’ pikë
sa, për shembull, duert lidhë mbas shpinde,
mbështetë për mur,
ose edhe n’nji laborator
me kostumin e bardhë dhe gjyslykët mbrojtse,
ti je gati me vdekë për njerzit
edhe për ato qe s’ia ke pa ftyrën ndonjiherë,
edhe pse e din që me jetue
asht ma e vërteta, ma e bukra gjá.
E kam fjalën, ti duhesh me e marrë t’jetuemit aq seriozisht
sa edhe kur t’jesh shtat’dhjetë, për shembull,
ke me mbjellë pemë ullini
dhe jo për fmijtë tuej, as për ato,
por edhe pse e ke frikë ti s’ke m’e besue vdekjen,
sepse me jetue, e kam fjalën, peshon n’anën e duhun.
.
No comment!
No comment!

II

Le t’thona jena t’smunë randë, n’gjendje operimi
e duhet me thanë se mund t’mos çohena ma
prej tavolinës s’bardhë.
Edhe pse asht e pamujtun mos m’u ndje t’trishtuem
që po ikim pak ma herët se duhet,
prap kena me qeshë me barcaletat që na janë tregue,
kena me kthye sytë kah dritorja me pa n’se bjen shi,
ose me pritë ankthshëm
lajmet e fundit mbi motin.
Le t’thona se jena n’front
për diçka që ja vlen fort me luftue, po thona.
Atje, n’paravijë, po at’ ditë,
mund t’bijmë me ftyrë, e vdesim.
Kena me e kuptue me zemërim shum’ kureshtar,
po prap kena m’u shqetësue për vdekje
si ka me përfundue lufta, që mund t’zgjasin sa vjet.
Le t’thona se jena n’burg
afër t’pes’dhjetave
dhe kena edhe tet’mbëdhjet vjet, po thona,
der’ kur t’hapen dyert e hekurta.
Prap kena me jetue me t’jashtmen,
me njerzit dhe kafshët, përpjekjet dhe erën
e kam fjalën me t’jashtmen mbas mureve.
E kam fjalën, sido dhe kudo t’jena,
na jetojmë thue se s’kena me vdekë kurrë.
 
III
Toka ka m’u ftofë
nji yll mes yjesh
dhe asht ndër ma t’vegjlit
nji grimcë rrëshqitse n’kadife blu
e kam fjalën, kjo toka jonë madhështore.
Kjo tokë ka m’u ftofë nji ditë,
jo si nji masë prej akulli
as si nji re e vdekun
po ka m’u rrotullue si nji arrë boshe
përgjat hapsinës zi sterrë…
Bash tash duhesh me e ndje mjerimin
bash tash duhesh me e ndje pikëllimin
pse bota duhet dashtë aq fort
sa t’mundesh me thanë “kam jetue”…
.
Përkthye prej versionit anglisht:
Randy Blasing, Mutlu Konak Blasing dhe Mutlu Konak – Persea Books
.
Van Gogh - Digital Exhibition
Van Gogh – Digital Exhibition

Plaka e dehun

nga Cesare Pavese

I pëlqen edhe plakës me u shtri n’diell
dhe me zgjatë krahët. Zagushia mbytse
shtrëngon ftyrën e vogël njashtu si tokën.
 
Veç dielli mbet prej gjanave që digjen.
Njeriu dhe vena ia kan’ lodhë e tradhtue ato koca
t’bojkafta, lëshue fustanit, ndërsa toka e plasun
lëshon vrull prej flake. Fjalët nuk duhen
nuk duhen as pendesat. Kthehet dita kumbuese
kur edhe trupi ishte i ri, ma përvlues se dielli.
 
N’kujtime shfaqen fusha t’mdhaja
lulzue, rinore si ai trup, shikimi i burrit
dhe padurimi për venë rikthejnë dëshirën
e ankthshme: I nxehti lëkundet n’gjak
si e jeshilta n’bar. Për vneshta e shtigje
mishi bahet kujtimi. Plaka, symbyllë
gëzon e ngrime qiellin mbi trupin e saj t’athershëm.
 
Nji zemër ma e shëndetshme rreh tokës t’plasun
si krahnori i fuqishëm i nji babe apo i nji burri:
shtrëngohet nofulla e rrudhun. Edhe baba,
edhe burri, kanë vdekë të tradhtuem. Mishi
asht tretë edhe për ata. As epshi i ijeve
as stuhia e venës s’ka me i zgjue ma.
 
Nëpër vneshta shtrihet zani i diellit
hidhët e amël i pëshprit ngrohtësisë tejdukshëm
thue se ajri po dridhet. Dridhet edhe bari përreth.
Bari asht i ri si vala e rrezeve t’diellit.
T’vdekunit janë të rinj n’kujtimin e gjallë.
.
Ikje - Melissa Faithful - for Artsheet
Ikje – Melissa Faithful – for Artsheet

Përshpejtimi i dashnisë

nga Jorge Luis Borges

As intimiteti i ballit tand t’kjartë si ditë feste
as lëvizjet e trupit, gjithnji i fshehtë, i përmbajtun, e fminor,
as çka vjen prej jetës tande n’mue, n’fjalë e heshtje
s’kanë me kenë, dhuratë aq misterioze
sa pamja jote n’gjumë, mbështjellë
n’mbrojtjen e krahëve t’mi.
Mrekullisht e virgjër, shfajsue prej fuqisë t’gjumit
e qetë, vezulluese si nji gjà e lumtun që kujtesa zgjedh
ti ke me m’dhanë at’ breg t’jetës tande që vetë nuk zotnon.
Përpi n’heshtje
un’ kam me dallue plazhin ma të fundit t’qenies tande
dhe me t’pà për her’ t’parë, ndoshta,
siç Zoti duhet me t’pa…
me trillimin e Kohës t’shkatrruem,
pa dashni, pa mue.
.
Përkthye prej versionit anglisht: Robert Fitzgerald
.

Petale luledh e dhimbjesh...
Deshira per harmoni mbylle n’ty…

Erë në Tindari

Salvatore Quasimodo

Tindari, të njof
e butë mes kodrash të gjana,
varë mbi ujnat
e ishujve t’ambël të Zotit.
Ti sot përballesh me mue
e përulesh n’zemrën teme.
 
Kacavirrem majash t’nalta e greminash,
tue ndjekë erën ndër pisha
e kjo frymë që lehtë më shoqnon
zhbáhet n’ajrì,
valë dashnie e tingujsh,
kur ti më merr në ty
n’ty, ku t’keqen e gabueme përjetova
e frikë hijesh e heshtjesh,
arratinë e andërrt dikur ngulmuese
dhe vdekjen e shpirtit.
 
Për ty, asht e panjoftun ajo tokë
ku unë fundosem çdo ditë
tue ushqye rrokje fjalësh të fshehta.
Tjetër dritë pushton dritoret tueja
veshë me natë,
e tjetër gëzim prej temit
shtrihet përgjat teje.
 
Mërgimi asht i ashpër,
e dëshira për harmoni mbyllë n’ty
ndryshon sot, n’nji ankth fillimtar mbi vdekjen,
e çdo dashni asht pasqyrë ballë trishtimit,
nji hap pa zá n’errsinë
ku ti m’ke vendosë
bukë të thartë me thye.
 
Tindari e qetë kthehu,
mike e ambël më zgjo
m’u zgjatë prej shkambit n’qiell
t’mundem m’i dhanë formë frikës
për ata që s’e dijnë
cila erë e thellë m’ka kërkue.
 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.