back to top
10.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Cikel me Poezi – nga Altin Meçja

Gazeta

Altin Meçja
Altin Meçja

Altin Meçja i përket atij brezi të mbas ’90, që koha e ndryshimeve
e gjeti ndërsa dilnin me ngut nga sinoret e një adoleshence të vështirë.
Shpejt ai u bë pjesë e asaj lirie shpesh zhgënjyese, dhe manifestoi
jo vetëm në bindjet dhe qëndrimet e tij aktive, po u shfaq edhe përmes vargjeve të veta
ku gjen mjaft sinqeritet, lirizëm po edhe aromë të ëmbël bote fshati, ngjyrosur bukur
përmes mendimsh, ndjesish dhe ngjyrave një bote të pasur shpirtërore!
Më së fundi mbrritëm te ky cikël i tij, të cilin jo vetëm e paraqes me kënaqësi,
por shpreh bindjen se Altini ka gjithë mundësitë e një hopi cilësor poetik,
duke mos i braktisur ngjyrat dhe magjinë e asaj bote nga ai vjen, përmes shpirtit të tij të paepur…!
jozef radi, 18 prill 2022

Cikel me Poezi

nga Altin Meçja

***

Gjithçka më duket, gri!
Ashtu sikur këpucët e lagura.
Këmbët po më dhembin.
Sytë panë buzë të zjarrta,
që putheshin lehtë…

Fryn një erë e tërbuar malli,
më ftohtë bën brenda, dhe ti e ndjen
ftohtësinë!
Pema përballë dritares sime,
si një Sizif,
po mundohet të rrijë në këmbë!

Krahët e një trumcaku qenkan thyer,
ndërsa të tjerët flenë qetësisht,
sikur shoqëria në agoni,
pret t’i shpëtojë, pemës së vdekjes…

Turmat prisnin trenin
aty pranë stacionit të plakur,
nuk mundnin të ecnin më!
Ishin të lodhur nga demagogjia,
plot, në lugët boshe…

Perdet mbuluan dritaret, pa u menduar dy herë.
në errësirën e dhomës, u ndezën ëndrrat.
Prushi i tyre ngjalli mallin e shpirtit tënd të fisëm.

Ah, sikur nesër të jetë Diell!
4 dhjetor 2019

***

Një ditë te gjithë do shkojmë,
Edhe idiotët,
Në ndryshim nga ne,
Me kilet e lesh sqetullave në mendje.

Mediokrit do qeshin,
Në lirinë e lëmit të mbetur,
Pemët nuk kanë më gjethe,
As sot, as nesër.

Atë pasdite do të bjerë shi,
Të shplajë mendjet e duarve të pista,
Në verë lumi i fshatit tim nuk do jetë si më parë,
Fëmijët laheshin në pellgje të servirura.

Nostalgjia ime më kishte mbytur,
Në trikon e leshit të berë nga gjyshja,
Ishte vonë, rashë të fle,
Të harroja dhimbjet e ditës.

Mediokrit përsëri qeshën me vdekjen e tij,
Nuk e kuptuan, as dje dhe as sot,
Veç u turrën në varrimin e tij,
Donin të ishin si ai,
Idealist, por s’mundën,
Aq shumë pis ishin bërë.
Shkurt 2014

çasti kur mendon që nuk i ke detyrime askujt...
çasti kur mendon që nuk i ke detyrime askujt…

***

Cigarja e pas darkës m’i mblodhi nostalgjitë e mia,
shkova përsëri atje në fshat,
këmbëzbathur, shëndetlig si dikur
Nisa të përmallem me ëndrrat e mia bërë copë.

Pemëve u kishin rënë gjethet,
zogjtë s’këndonin më.
Po binte nata,
mendimet m’i këputi fundi cigares
që nisi të piqte gishtat e mi…

Do kthehem përsëri te nostalgjite mia,
ta gjej paqen e rrëmujshme,
në dhimbjet e mbuluara me një batanije te vjetër.

***

Nga larg dëgjohej një zë,
si i një zogu krahthyer,
përmes një karroce të braktisur,
tërhequr prej një idealisti të rraskapitur.

Në fshatin tim pemët nuk çelin më,
motivi i njerzëve u bë gjysh,
dëshirat u dogjën në groshët e mbrëmshme,
me shpresë që të sotmet të mos digjen më..

Melankolia u prish nga një tallava që dëgjohej nga larg,
nëna martonte gocën e plakur,
divani i saj ishte thyer,
dhëmbë palari donte nuse.

Ndjej të jem çmendur,
gishtat e këmbës më dhëmbin kallosh,
shkruan bukur më tha Laushja mbrëmë,
qesha si një i shkalur për ta kuptuar çmendinë time.

Temperatura e shpirtit donte të shpëtonte,
mamaja nisi të qajë,
bir, qenke bërë për të shkruar në hoxhë,
qava dhe unë me lotët e saj.

Dasmorët i kish zënë gjumi,
fasulet e ngelura po i hanin macet,
kockat e idealistit ndjenin veç dhimbje,
ashtu si Sizif me gurin mbi shpinë.
Shkurt 2020

Dje doja ta puthja lirinë
Dje doja ta puthja lirinë

***

U bënë vite,
përveç këmbëve më dhemb i gjithë trupi.
Mendimet e shpirtit duan të rrinë vetëm
mbështjellë me lëvozhga të plagëve.

E dua vetminë, pse rri veç me veten time,
duke numëruar fundin e cigareve.
Nis e përtyp dhimbjet e mia,
aq sa më ngopin, e më teprojnë edhe për nesër.

Brenda gonxheve të vyshkura të mendova ty.
të lirë dhe pse pas gardhesh.
Të preka,
m’u struke në dhimbjet e tua.

Fshati fle,
luksi i shfrenuar u mbyt ne dasmën e fundit.
Nisa ta pi gotën e dytë,
të pashë aty edhe ty që nise të qeshje…
Trazim shpirti.

Zhytur në mendime,
duke vrapuar përrenjve,
atyre zallishteve që fëmijë ëndërroja,
ishte koha kur vrisja këmbët në sandalet e grisura.

Sot çaloj të ecurën e djeshme,
kockat e shpirtit ma rëndojnë barrën e shpinës,
por përsëri eci,
dhe pse e di që gishtat do më dhëmbin.

Dje doja ta puthja lirinë
e mbarsur me nikotinën e servirur,
dukej e lodhur, e trishtuar,
qeshëm të dy duke qarë.

Qamë, jo veten tonë,
por shpirtin që shitëm tezgash,
të rinj e jetojnë pleqërinë,
dhe qeshim pafuqinë e ndryshimit.

Gishtat më vijnw era djegie,
cigarja mbytej në tymin e saj,
unë vështroja i përhumbur,
dritën atje tej.
Maj 2018

***

U ngrita,
dielli mbulonte mjerimin,
e ujrave të ndenjura në gropat e rrugës,
trupi prehej në lodhjen e shpitrave.

Kisha parë ëndrra,
zgjodha atë të dasmorëve të dehur,
që kërcenin mbi pjatat e lëna bosh,
këngën e fukarasë.

Nisa të ec,
në shtigje të vjetra,
me dëshirat e reja,
t’një shpirti që çalonte.

Trishtimin e syve e mbaja mbi vete,
në këmbët e çala,
eh të shkretat,
më lodhin por s’më zhgënjejnë.
24 shkurt 2021

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.