back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Çfarë ndodhi në Spaç me 23 maj 1973 – dëshmi nga Shkëlqim Abazi

Gazeta

Burgjet shqiptare - Burgu i Spaçit
Burgjet shqiptare – Burgu i Spaçit

Çfarë ndodhi në Spaç me 21-23 maj 1973

dëshmi nga Shkëlqim Abazi

Preludi i Revoltës Spaçit (21-23 maj 1973)

Meqë preludi i Revoltës Spaçit (21-23 maj 1973), që i tronditi themelet regjimit gjakatar komunist dhe i tregoi botës së kishte ende burra që sakrifikonin për lirinë, qe dita e dielë, data 20, po nis kremtimin e 49 vjetorit me baladën “Nana e burgut”, nga cikli “Nënat”, që e shkrova në kujtim të asaj gruaje zemërmadhe.
Ishin ato gra fisnike e kreshnike, që na ndoqën burg më burg, me përkushtim martiresh, që s’iu përulën as vështirësive të terrenit, as motit, as xhelatëve barbarë komunist, që i prisnin me tallje dhe i përcillinin me përbuzje.
“Nana e Franit” ishte më e përveçme mes tyre: e vetme, pa mbështetje fizike dhe ekonomike, me burrin të zhdukur ose të arratisur qysh në vitet e rezistencës 1945-1952, ajo ndiqte djalin nëpër burgje e kampe.
S’ka të dënuar të viteve… ’70-’73, mos t’i kujtohet ajo plakë tepër e vobektë, që nisej nga thellësitë e Pukës, në këmbë, për të mbërritur pas tri ditë-netësh në Spaç, me një torbë mbushur me fruta pylli: arra, lajthi, mollçinka, gështenja, ç’t’i ofronte natyra sipas stinës. Me rregullsi ciklike dymujore, mësynte derën e burgut dhe nuk largohej pa parë të birin. Kushedi sa ditë-netë i kish kaluar para portës hekurt.
Me ecejaket ciklike të nënës fisnike, si një orë e përsosur; sa mbushej dymuajshi, ne dilnin mbi tarracë e vrojtonim tej portës, kur dallonim atë grusht rreckash folklorike, e kuptonim se ishim ende mes të gjallëve. Po edhe ajo s’na zhgënjeu ndonjëherë, në datën fikse do gjendej para telave, nën karakollët e ushtarëve të armatosur gjer në dhëmbë, me trastën me fruta pylli dhe me porosinë të na i ndante secilit nga një kokërr.
Por kaluan disa dymujor dhe nana s’po dukej. Ç’t’i kish ndodhur vallë? U ndjemë si të na kishin prerë kordonin ombilikal që na lidhte me botën!
Të merakosur, pyetëm të lirët vendas. Kur, nëpërmjet gojës tyre, mësuam se plakën e kishin gjetur të ngrirë mes maleve të Pukës dhe Spaçit, me strajcën e pandashme në dorë, na pllakosi zia. Humbjen e saj e përjetuam me dhimbje të thellë, si të na kish braktisur edhe vet Zoti.
Lavdi nanës së Franit, që njëzëri e thirrëm Ajkunë!

Shkëlqim Abazi
Shkëlqim Abazi

Nana e burgut – (Ajkuna)

I
Ajo s’u rrit si bijë mbreti,
as kamjen s’e njohu kurrë.
Tërë jetën bjeshkëve mbeti,
fjeti nën borë e mbi gurë.
E vobektë ish nan’e mirë,
përshtatej me ç’të gjente.
Pak bukë me gjiz’e shëllirë,
lëpjeta, lakra dhe mente.
Supeve një zhgun të dhirtë,
mbledhur flokët nën shami…
Mbi sup një strajcë të hirtë,
endej pa plang, pa shtëpi.
Çlodhej ku ta gjente ora,
rropatur nga udha e gjatë,
shpesh e kish mbuluar bora
staneve me barkun thatë.

II
Me torbën majë kurrizi,
në terren i ndrinte ylli.
Gështenja dhe lënde lisi,
mblidhte ç’i ofronte pylli.
Dhe fanitej çdo dy muaj
si Feniks që lind prej hirit…
Si Ajkunja e përmalluar
ndehte krahët drejt të birit.
Ish gati telat t’i shqyente,
shpirt zhuritur nga malli,
zemra prej dufit i ziente
gjer ballas t’i shfaqej djali,
Zinte portën me durim
dhe priste, priste tërë natën,
gjer të gdhihej, në agim
birit për t’i dhënë uratën.
Për këdo nana fisnike
mëkonte nga pak dashuri;
bashkë me vizitat ciklike
na sillte një fllad liri.
Kësisoj e mira nanë
na mëkoi vite dhe vite.
Një lajthi, një kokërr thanë
shkërbente një rreze drite.

III
Por kaluan dy tremujorë,
nana s’po dukej te porta…
Nga një thikë në kraharor
na u ngul, na u nxi bota.
Kjo mungesë ngjalli gjëmën,
Spaçi nën zezonë rënkonte…
Ajkunën, të tërë, si mëmën,
çdo syresh do ta kujtonte.

Proteste nga Burgu i Spaçit
Foto-proteste nga Burgu i Spaçit

Dita e parë e Revoltës (e hënë 21 maj 1973)

Dita e parë e Revoltës (e hënë 21 maj 1973): nisi me përplasjen mes Pal Zefit dhe 7-8 policëve (pas tri muajsh izolim në birucat e kampit, Pali plotësoi dënimin, por nuk e nxorën. Ai shfrytëzoi një çast pakujdesie të policit shërbimit dhe u largua, megjithë kërcënimet e rojeve nuk pranoi të rikthehej në qeli. Kjo qe zanafilla e përleshjes që do merrte përmasa të paparashikuara. Pas ca minutash do shpërthente vullkani që kish tridhjetë vjet që ziente, bashkëvuajtësit i dolën krah dhe raportet u përmbysën, policët u larguan me bisht ndër shalë, duke lënë peng kapelet me yllin e kuq proletar.) Dita vijoi me mashtrimet e Shahin Zgurës (komisarit) dhe Sulejman Manokut (shefi i zbatim vendimeve të Drejtorisë Përgjithshme të Burgjeve), që s’di si u gjend ato çaste në Spaç, u mbyll me organizimin masiv, tashmë revolta u kthye në kryengritje, u shkatërruan stendat e emulacionit socialist dhe u dogj literatura marksist-leniniste.
Po vijoj homazhet për 49 vjetorin e Revoltës Spaçit me një krijim të vitit 1993, në respekt të burrave që sfiduan regjimin më gjakatar e mizor që kish parë ndonjëherë historia mijravjeçare në truallin arbëror, që shpërthyen në Revoltën më të pabarabartë, kërkuan liri e demokraci për populli, që do linin pas katër të ekzekutuar e dhjetëra të dënuar me qindra vite burg, që do rezistonin edhe gati njëzet vite të tjerë, ku do humbnin edhe disa qindra, por edhe ata që do dilnin gjallë, ishin të drobitur e rraskapitur, të lodhur, të sëmurë, të plakur, të rrudhur…
Gjatë dekadave pjesa më e madhe e heronjve të Spaçit vdiqën, ata pak që rrojnë janë të moshuar e të pamundur për të qenë aktiv, u mungon freskia dhe fuqia për beteja të reja.
Vitet bëjnë të vetën, por gjithsesi ata mbeten dinjitoz e kryelartë.

Dhimbje dinjitoze

Mos qeshni me fytyrat e flashkëta
që u përballën me torturat mizore,
në to pasqyrohen idealet e pastra,
nën rrudha fshihen derte njerëzore.
Dhimbja e Atdheut është vulosur
në çdo skaj, ku ndesh reliket e saj;
kapicë eshtrash gropave baltosur,
në Maliq, Vlashuk, Beden, Kavajë,
Shkodër, Berat, Burrel, Thumanë,
Spaç, Qaf Bar e kudo me radhë.
Një varr masiv hapet tej e ndanë
dhe helmon rish shpirtrat e bardhë;
Mbi kallot që lanë opingat në këmbë,
në kyçet e vrara që i gërryen prangat,
në nofullat e dala, pa asnjë dhëmbë,
çehreve mavi nga dregëza e dangat.
Në ëndrra cullësh të paplotësuara,
në vitet e damllosur që ngelën pas,
në jetët e venitura, të shkatërruara,
në varret pa emër, në të hidhtin gas;
Te vocët q’u plakën pa njohur atin,
te shtëpia ku i zoti s’shkeli njëherë,
te beqarët pleq që ua sterrruan fatin,
te emrat që i hallakatën nëpër eter.

Burgu i Spaçit - Foto me pranga
Burgu i Spaçit – Foto me pranga

Dita e dytë e Revoltës (e martë 22 maj)

Dita e dytë e Revoltës (e martë 22 maj): pas një nate të lirë (brenda telave, të qarkuar me një gardh trefish ushtarësh) u gdhimë nën hijen e Flamurit Skënderbeut dhe Ismail Qemalit, pa yllin e kuq komunist. Tashmë simboli i Kombit u shndërrua në flakadan për zemrat e pothuajse shtatëqind burrave që gjendeshin atje. Dita vazhdoi me të njëjtin entuziazëm, por me premtime e kërcënime nga qeveritarët, që përfaqësoheshin prej zv. Ministrit të brendshëm Feçor Shehu. Ndonëse na prenë ujin dhe ushqimin, e gjendeshim nën kërcënimin e mijëra grykash zjarri, madje edhe helikopterë, morali ishte i lartë, të dënuarit, me përjashtime të pakta, ishin të ndërgjegjshëm për sakrificat sublime. Liria frymëzoi heroizmin dhe stimuloi vetmohimin.
Po i vijoj homazhet për nder të 49 vjetori të Revoltës Spaçit, me një himn poetik shkruar më 1991, në kujtim të atyre burrave që provuan mbi shpinë shumëllojshmërinë e torturave, përballuan minierat, vuajtjet, urinë, të ftohtit, të nxehtit, por nuk u dhanë!
Larg çdo imagjinate njerëzore, edhe pse e paguan me sëmundje, sakatllëqe, madje edhe me jetë, iu kundërvunë gjakpirësve kanibalë të regjimit mizor me mjetin më demokratik: FJALËN!
Lavdi, lavdi, lavdi, o burra kreshnikë!

Të paepurit

Dimrat u brehën me thonj e dhëmbë,
hejet e akullit u copëtuan me çapoj,
u rropën cullak, lidhur duar e këmbë,
në birucat e lagështa edhe ndër katoj.
Qelive vdektare, me kaska mbi krye,
nën dhunën e egër të cubave vrastarë,
të vdekur, të thyer, të mekur nën yje
u hoqët rrëshqanthi të truar e të sharë.
S’u dhatë nën tortura, me stoicizëm
përbuzët moralin e kainëve xhelatë,
dhe kur u dhunonin me histerizëm
heshtjen krenare përgjigje u dhatë.
Humbët eshtrat në burgun kështjellë,
shpirtrat nuk gjejnë paqe nëpër galeri,
fantazmat do shfaqen netëve në Burrel…
që, mbase pranë Zotit do gjejnë qetësi!
.

Pllaka Përkujtimore e Revoltës së Spacit
Pllaka Përkujtimore e Revoltës së Spaçit

Dita e mërkurë (23 maj 1973)

Dita e mërkurë (23 maj 1973): mbas dy ditë-netë pa gjumë, pa ushqim dhe pa ujë, të lodhur e të rraskapitur nga lëndët helmuese kimike dhe nga vitet e gjata të burgimit, pleqve e të sëmurëve u shterri fuqia, megjithatë askush s’u anua dhe nuk e çonte ndër mend fjalën dorëzim. Ndërsa presioni qeveritar po shtohej, na kishin qarkuar mijëra forca ushtarake dhe civile rrethim pas rrethimi! Në këto kushte, kur mesazhi ish dhënë për popullin e për botën, Komiteti Drejtues i Revoltës, vendosi të dorëzoheshim, që të shpëtonin jetët e fatkeqëve me shpirt ndër dhëmbë.
Rreth orës shtatë, forca të shumta policore, me në krye sampistët e Diko Zeqos, të pajisur me skafandra, shkopinj gome, bishta lopate dhe shufra metalike, mësynë derën e kampit dhe nisën raprezaljet. Na lidhën dy e nga dy me gjermanka dhe na ulën përdhunshëm në rrugicën hyrëse të kampit.
Por jo të gjithë u dorëzuan, katër vetë, Dervish Bejko, Dashnor Kazazi, Jorgo Papa dhe Skënder Daja luftuan me vetmohim me katërqind sampistë, mundës e boksierë, gjersa i nxorën me barela, të gjakosur e sakatuar, thuajse të vdekur. Më pas nisi decimati, në çdo dhjetë vetë rrëmbenin njërin, e lidhnin me hekura e me zinxhir, dhe e hidhnin mbi makinat që prisnin para derës kryesore.
Përveç katër të gjakosurve, Dervish Bejko, Dashnor Kazazi, Jorgo Papa dhe Skënder Daja, atë ditë rrëmbyen si orrlat mbi shtatëdhjetë të tjerë, mes të cilëve: Luan Burimin, Sami Dangëllinë, Hodo Sokolin, Syrja Lamen, Paulin Vatën, Luan Kokën, Shuaip Ibrahimin, Muharrem Dylin, Pavlo Popën, Hasan Hebon, Naim Ukën, Pal Markun, Haxhi Benën, Fatmir Llagamin, Marash Gjokën, Sali Çunin, Ulsi Pashollarin, Ndrec Çokun, Muho Currin, Gramos Spahiun, Dervish Sulën, dy vëllezërit Çaush e Bedri Çoku,, Elez Hoxhën, Jonus Norjen, Mërkur Babameton, Demir Pojanin, Gëzim Medollin, Bashkim Fikun, Sotiraq Simakun, Njazi Bylykbashin, Theofilo Gjikën, Rexhep Lazrin, Koço Papën, Fiqiri Muhën, Pjetër Kokën, Agron Kalanë, Napoleon Kolecin, Qemal Demirin, Bardhyl Fejzullain, Spiro Nashon, Murat Gjonzenelin, Gjet Kadelin, Gëzim Çelën, Shefqet Gjanën, Pandi Sterjon, Sulo Veshin, Fadil Dushkun, Zef Ashtën, Tomor Allajbeun, Refik Beqon, Nuri Stepën, Sherif Allamanin, Agron Xhelilin, Stefan Kolën, Muharrem Isufin, Irakli Sirmon edhe mjaft të tjerë, që për shkak të largësisë gjysmë shekullore dhe lajthitjeve të moshës, iu kërkoj ndjesë për harresën e pa qëllimshme, por vepra e tyre do ndrijë ndër shekuj e do kujtohet me respekt nga brezat pasues. Nuk dihet edhe sa do të merrnin, por makinat që prisnin te dera u mbushën, dhe ato çaste dikush e thirri te porta komisarin Shahin Zgurra, të cilit mbase i komunikuan të mos vazhdonin me riarrestimet sepse u bënë shumë dhe s’kishte kush nxirrte bakër e pirit. Gjithsesi arrestimet selektive vijuan, sepse pas tri ditësh arrestuan Neim Pashain, Feti Kumarakun, Mersin Vlashin, Murat Martën dhe Vladimir Priftin, që i emërtuan si grupi i flamurit.
Po atë mbrëmje do organizonin gjyqin special me 12 vetë: Skënder Daja, Jorgo Papa, Dervish Bejko, Dashnor Kazazi, Hajro Pashai, Pal Zefi, Luan Burimi, Sami Dangëllia, Hodo Sokoli, Syrja Lame, Paulin Vata dhe Luan Koka, nga të cilët katër do i dënonin me vdekje, me pushkatim, (Skënder Daja, Dervish Bejko, Hajro Pashai, Pal Zefi) dhe tetë të tjerët me 25 vjet. Ndërsa më prapa do nxirrnin në gjyq edhe të tjerët, (në katër grupe), që do i dënonin me burgime të gjata deri në 25 vjet.
Përveç këtyre trimave që meritojnë respektin më të thellë, më duhet të përmend, me dhimbje, grupin e vogël të atyre që dëshmuan dhe kontribuan, bashkë me policët e burgut, në ridënimin e bashkëvuajtësve; kjo pakicë të thyerish, me karakter të dyshimtë numëroheshin me gishtat e duarve: Agostin Preçi, Muhamet Kosovrasti, Ilia Dhima, Miltjadh Papa, Hilmi Freskina, Thanas Theodhoraqi, Pandeli Pjetri, Zenel Balliu, Xhevahir Kurti, Mahmut Peposhi e ndonjë tjetër, që s’më kujtohet, do ishin njerëzit më të urryer e më të përbuzur nga bashkëvuajtësit e tyre…
Pra, Revolta që u shtyp me zjarr e hekur, la pas katër të ekzekutuar e dhjetëra të dënuar me qindra vite burg, por hyri në histori si ngjarja që ringjalli shpresat e popullit që i përdhosën Lirinë dhe Flamurin.
Po vijoj homazhet për 49 vjetorin e Revoltës Spaçit me një sonet për miqtë e humbur, të cilët i ekzekutuan pa apelim, shkruar në përvjetorit e parë të dënimit me vdekje nga gjyqi special.

Katër martirët 

Sonet për miqtë e mi

Shpresa u mëkoi ëndrrën për jetë,
ideali i lirisë shpresën ua rriti.
Ndonëse regjimi ashpër u goditi
kur u serviri rrenën për të vërtetë;

Arritët të pikasni tej atij infiniti,
mes kaosin dhe vakumit pajetë,
nëpër zgafellat e ferrit, tatëpjetë,
rrezen e diellit që vjen nga zeniti.

Apostuj lirie, antipodë të krimit,
nga lart shënjuat udhët e shpëtimit,
honin që iu hapej Zeusëve përfund.

Bushtrat që shyen këlyshët që pollën,
tiranët që korrën urrejtjen që mbollën…
Çdo udhë mbi tokë ka diku një fund…

23.05.1974

Shkëlqim Abazi dhe Bedri Blloshmi te shtëpia e Poetit Havzi Nela
Shkëlqim Abazi dhe Bedri Blloshmi te shtëpia e Poetit Havzi Nela

Dita e pasrevoltës, (e enjte 24 maj 1973)

Dita e pasrevoltës, (e enjte 24 maj 1973): pas tri ditë-netësh të lavdishme, ramë në kurthin e robërisë e të dhimbjes (humbëm lirinë relative, njëherësh ndjenim dhimbje të parrëfyes për miqtë e riarrestuar), pas asaj nate pagjumë, që të shtënat e armëve e copëzonin për lemeri, apo trazohej prej ëndrrave të frikëshme, mëngjesin e së enjtes do gjendeshim para një krimi të pashembullt, mbase unik në tërë historinë njerëzore. Xhelatët mizorë komunistë kishin ekzekutuar gjatë natës qenin tonë, Tartin dhe e kishin varur me tel mes kampit. E paimagjinueshme nga asnjë mendje normale! Tartin, atë kafshë të dashur për gjithë të dënuarit, që hiqnin nga racioni i tyre për ta ushqyer, e dënuan me vdekje, me pushkatim si “armik i popullit” dhe e varën për të vetmin krim se i kish sulmuar gjatë revoltës.
Tashmë u burgos edhe vet burgu, kampi i Spaçit u damkos me vulën “terrorist”, që nuk do t’i hiqej deri në rënien e pushtetit komunist, u shtuan dënimet dhe torturat, mund të përfundoje pa asnjë shkak në duart e “grupit ndëshkimor”, që të dhunonin deri në sakatllëk apo edhe në humbje jete. Sidoqoftë të dënuarit politikë rezistuan, rezistuan dhe rezistuan…
Po i mbyll homazhet me himnin për “Martirin” e pestë, që regjimi i kohës e dënoi me vdekje, jashtë çdo imagjinate!
Duke lënë mënjanë hiperbolat, kafshëria humane e kapërceu egërsinë shtazore!
Si mund të dënohej dhe ekzekutohej “Armik i popullit dhe i partisë” një kafshë paqësore? Por këtë fakt mund ta vërtetojnë dhjetra dëshmi të mbijetuarish, por edhe dokumentet e kohës.
Në trevjetorin e ekzekutimit të qenit-martir, që luftoi më ashpër se çdokush në mbrojtje të jetës së të burgosurve, i kushtova poezinë më poshtë.

Tartarini

S’dimë nga na mbiu një këlysh
në kapanonin tonë të ndyrë.
Mos pyesni: si, pse edhe qysh?
askush nuk e pa nga pat hyrë.
E mori dhe e birësoi Fiqiriu*,
dhe e mëkoi si foshnje mitare
me lugën e drunjtë, dhe vetiu
i sajoi një stelë nën dritare.
Ai hynte dhe dilte prej telave,
shijonte edhe humbëte lirinë,
rronte mes shpresës e brengave,
ne e pagëzuam njëzëri Tartarin.
Tarti rritej e forcohej çdo muaj,
gëzofi kafe i ngrihej gjembë.
U ndesh, në burg, ky qen i huaj,
me torturat dhëmbë për dhëmbë.
Thonë se qentë shohin bardh’e zi,
por Tartin tonë kjo s’e ndalonte,
të gjelbrtën edhe kafen, si njeri,
që larg t’i ndante e t’i dallonte.
Të kaftën e adhuronte pa masë,
të gjelbrën e urrente pa fund;
të dënuarve u qepej gjithë gas,
ushtarakët i mësynte ku mund.
Shoqëronte turnet në minierë,
(mbase ishte i pari qen minator),
u nanurit me martelin e nderë,
ndërronte turnet çdo tetë orë.
Dy krisma na zgjuan në mesnatë,
ëndërrat e lirisë i prenë në mes.
Mos mësyu telat ndonjë i pafat
që nuk priti diellin në mëngjes?
Misteri u zbardh tok me agimin,
kur u bë zgjimi me fishkëllima;
ne pamë mes sheshit Tartarinin
që luhatej me kokën plotë vrima!
21.05.1976

*Fiqiri Muhaj nga Kardhiqi i Gjirokastrës, por me banim në Tiranë, i cili do riarrestohej në datën 23, si ati shpirtëror i Tartit.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.