back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Çelo Hoxha: Letërsia meriton vëmendje shtesë…

Gazeta

Çelo Hoxha - qershor 2013
Çelo Hoxha – qershor 2013

Çelo Hoxha: Letërsia meriton vëmendje shtesë…

ngaqë në Shqipëri shkrimtarët duket se vazhdojnë të kenë një status ende të fryrë.

Në Shqipëri vlerësimi i punës mendore bëhet në mënyrën e gabuar. Duket se shkrimtarët janë njerëzit më të çmuar për të tilla punë dhe përdoren si pika referimi për gjithçka: çështje politike, historike, sociologjike, letrare etj. Për këtë, mjafton të shikohen disa nga njerëzit më të intervistuar për trajtimin e periudhës osmane në historinë e Shqipërisë, pas një debati që u hap kohët e fundit. Të parët ishin shkrimtarët dhe ndonjë historian jo i fushës, kurse osmanologët, edhe kur folën, u dëgjuan vakët, ose hiç fare.
Nëse vendosim një farë radhe, vendin në krye të listës së punës mendore e meritojnë filozofët, ata gjenerojnë ide. Shoqëria gjithmonë është zhvilluar bazuar në një orientim filozofik të caktuar. Para filozofisë, ka qenë dija natyrore, e pa shkruar. Një shoqëri që s’ka filozofë është shoqëri pa mendim. Në vend të dytë vijnë sociologët, politologët e një kategori e tërë profesionistësh të kësaj natyre, ata që studiojnë fenomenet e caktuara të shoqërisë. Në vend të tretë qëndrojnë historianët, të cilët grumbullojnë lëndën për profesionet e renditura në dy vendet e para. Pastaj mund të renditen, por mund të lihen edhe ca vende bosh e pastaj të renditen, shkrimtarët. Asnjë shoqëri nuk është ndërtuar, apo asnjë lëvizje shoqërore nuk është zhvilluar, bazuar mbi ide të nxjerra nga ndonjë roman, sado tërheqës ose i vëllimshëm, dhe as nga ndonjë poemë, sado e bukur ose e gjatë.
Letërsia, në këtë pikë, meriton vëmendje shtesë, ngaqë në Shqipëri shkrimtarët duket se vazhdojnë të kenë një status ende të fryrë. Vlera parësore e letërsisë është argëtimi; ata që s’shkojnë në kinema, teatër, apo cirk, ulen dhe lexojnë romane, tregime, poezi. Nuk ka ndryshim substancial, pavarësisht pretendimeve, mes veprës së një shkrimtari, një xhongleri apo një kllouni. Targeti i tyre janë mendjet e thjeshta, mendjet e larta lexojnë letërsi për çlodhje.
Statusi i shkrimtarit është ngritur në qiell gjatë diktaurës. Regjimi nuk kishte nevojë për ide, ideologjia ishte e përcaktuar njëherë e mirë; nuk kishte nevojë as për historianë, sepse nuk i interesonte e vërteta. Ata që u promovuan si historianë, dhe që shkruan librat që klasifikoheshin si histori, ishin thjeshtë daktilografistë; vetëm sa hidhnin në letër fabulën historike të sajuar nga regjimi. Romancierët dhe poetët u mitizuan, sepse ata bënin dy gjëra të domosdoshme për regjimin: shkruanin lavde për diktatorin dhe partinë, e paraqisnin realitetin si të ishte parajsë, dhe, me dashje a padashje, funksionin vetëm në rolin e borisë.
Kjo ka lënë një boshllëk të madh në shoqërinë shqiptare, pasojat e të cilit ndihen ende. Sot ka disa persona që hiqen si filozofë, sociologë, psikologë etj, mund të kenë bërë dhe ndonjë libër (kryesisht plagjiaturë nga autorë të huaj), por realisht nuk janë të tillë. Vetëm dy shembuj: një person që mbahet si filozof nuk është në gjendje të shkruajë një artikull gazete në javë, dhe në vend të artikullit, më shpesh boton debatet që bën në facebook me njerëz anonimë. Në rastin tjetër, një personi që paraqitet si sociolog, kur iu kërkua një mendim në ishte luftë civile apo luftë kundër pushtuesit e ashtuquajtura luftë nacionalçlirimtare, ai u përgjigj: “Jeni duke pyetur djalin e një partizani.” Në këtë përgjigje, “sociologu” nuk reflekton as formim qytetar, le më shkencor. Gjykimi i tij është i denjë për epokën të së drejtës fisnore, ai e gjykon një ngjarje kombëtare (koncepti që zëvendëson fisin) bazuar në lidhje gjaku.
Në kohën e mbretërisë shqiptare, kishte një kryeministër – Mehdi Frashëri – i cili kishte shkruar disa romane, por ky ishte veç një detaj anësor në statusin e tij publik, jo vlerë themelore. Ai vlerësohej si diplomat e politikan më së pari, si historian i mirë gjithashtu. Emrat e respektuar të mendimit në kohën e Mehdi Frashërit, ishin Branko Merxhani, Vangjel Koça, Patër Anton Harapi, Nebil Çika, Mid’hat Frashëri, Ismet Toto e shumë të tjerë. Por ata shkruanin filozofi, ata debatonin ide, megjithëse në fazat fillestare. S’duhet harruar, ishin të rinj, dhe filozofët fillojnë të shkruajnë vepra përgjithësisht pas moshës 40 vjeç. Nga personat që përmenda, një u pushkatua në kohën e mbretërisë (pjesëmarrje në kryengritje të armatosur), dy nga komunistët, një vdiq aksidentalisht gjatë luftës, dy vdiqën në mërgim. Foqion Postolin, Haki Stërmillin e Sterjo Spasen që na servirte diktatura si romancierë të shquar të periudhës, në kohën e tyre s’i vlerësonte njeri si mendje të mëdha. Asokohe xhongleri hidhte gogla në ajër dhe quhej xhongler, nuk e merrte njeri në intervistë për hallet e dynjasë.
Shoqërisë së sotme shqiptare i mungojnë pikërisht njerëzit e mendimit.
Ata që dolën nga komunizmi e kishin trurin të shpëlarë, shkolla dhe jeta në komunizëm ua kishin prishur mekanizmin e të menduarit. Edhe gjërat në shoqërinë e sotme çalojnë pikërisht prej këtij handikapi të krijuar, sepse liderët e njerëz të tjerë në nivele të larta hierarkike, i shikojnë me frikë idetë. Familjarizimi me to duhet të nisë herët, që në shkollë.
Revista Fenix 2013

 

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. E jashtzakonshme! Shkrim që të shtyn të veprosh si duhet, por e keqja në kët shoqëri është se personat (në fushat e ndryshme që mbulojnë, pa llogaritur cilësinë) janë të vendosur në vende të gabuara… të ndihmuar, të përkrahur, (me dashje apo jo!) nga qeveritë, duke filluar nga Enver Hoxha dhe çdo kryeministër pasardhës. Keshtu, përsa i përket letërsise, ka “pseudoshkrimtarë” të servirur si shkrimtarë dhe jo vetëm, por edhe pozicionohen si politikanë apo çdo lloj funksioni pa lidhje… ndaj shoqëria jonë nuk bën përpara në civilizimin e saj, sepse mungojnë sociologët e mirëfillte, po kështu psikologët, filozofët, shkrimtarët, e me rradhë…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.