back to top
10.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Çdo me thanë me qenë tifoz… reflektim (jo edhe aq serioz) nga Jozef Radi

Gazeta

Stadiumi Maracana
Stadiumi Maracana

Çdo me thanë me qenë tifoz…  reflektim (jo edhe aq serioz)

nga Jozef Radi

Gjithë jetën kam qenë tifoz…
…dhe sot mbas gati pesë dekadash si i tillë ndjehem i pasun me gjithçka m’ka dhurue ky sport, (ma i madhi i kësaj bote), në kët rrugtim të gjatë me sytë ngulun qysh fëmijë mbi fushën e blertë…
Kam qenë ma së pari tifoz i nji skuadre myzeqare ku fati më kish hedhë për shumë vite, po njiherit edhe i skuadrës kryeqytetase (atyne bardhebluve që na dhuronin emocione… dhe shpresë), isha tifoz i asaj kombtareje – tri herë kampione bote, po edhe besnik i betuem nji skuadre kuqezinjsh, së cilës i përkulem, për gjithë emocionet e dhurueme ndër vite; po edhe i nji skuadre modeste të qytetit ku ende jetoj prej vitesh, e cila nji ditë, falë edhe asaj tifos sime mjerane, mbrriti të luente edhe ajo për do kohë në kategorinë e parë…
Të gjitha këto skuadra, me ngjyrat, simbolet dhe historinë e tyne më kanë përcjellë në të përditshmen time, pa harrue se edhe çdo ndeshje përballë ekranit, përpiqem me e shijue duke e lëvizë kandarin e emotivitetit simbas asaj çka ndjej gjatë 90 minutave…
Pra si tifoz kohëgjatë, në mbyllje të këtij Botërori, u ndala pak përballë vetes dhe i bana nji pyetje krejt të thjeshtë: “Ç’asht tifozi?!” …dhe u përpoqa me e ftillue kët term, falë asaj eksperience të shtrime në vite… pa ndonji pretendim se kam thanë ndonji gja të madhe… Thashë: Ashtu siç m’argëton ky sport, po përpoqem me e ba argëtues edhe konceptin tim mbi tifozin…

Tifozë brazilianë
Tifozë brazilianë

*Me ba tifo do me thanë t’kërkosh me prekë emocione kulmuese,
si gjithë emocionet kulmuese… mund të jenë pozitive… po mos i harroni ato negative…

*Me qenë tifoz asht me siguri diçka e mrekullueshme në jetën e gjithsecilit,
po njiherit mund të bahet edhe nji gjà fort e shëmtuet e ndëshkuese…

*Me qenë tifoz asht diçka krejt e kollajtë: mjafton me ia hapë shpirtin nji çast nji sporti,
po edhe gjaja ma e vështirë që njef bota, se prej atij çasti ti e ke të pamundun me u shkëputë tij…

*Me qenë tifoz ndoshta asht dëshirë instinktive e njeriut me gëzue dhe me bërtitë në kupë të qiellës,
por kjo s’do me thanë se je i përjashtuem prej dëshpërimit dhe përlotjes…

Dëshpërimi i spanjolleve në Botëror
Dëshpërimi i spanjolleve në Botëror

*Me qenë tifoz domethanë me i gjet nji shteg me ikë prej realitetit të rëndomtë,
dhe me ngjitë vedin në naltësitë sunduese të nji stadiumi, pa harrue se euforisë i rri në pritë edhe zhgënjimi…

*Për çdo tifoz në ekstazë, asht nji tjetër tifoz që jeton n’kufijtë e dhimbjes…
jepja dorën se asht nji rrugë që gjithnji bahet bashkë…

*Tifoz do me thanë mos me i lanë tjetrit kurrë arsye…
sepse tifozi që fiton ka gjithnji të drejtë, po edhe ai që humb asht gjithnji i justifikuem…

*Mos rri mbas tifozit fitimtar, se asht si me ndejtë mbas nji mushke,
po as tifozit humbës mos i thuej “Mirmbrama” se çdo fjalë e jotja i duket si “Plaç!”

Tifoz i veçantë aztekas...
Tifoz i veçantë aztekas…

*Edhe ma budallà i kësaj bote mund të jetë nji tifoz i lumtun e gojëçelun,
mbasi futbolli i jep kujdo të drejtë me folë, bile edhe me lehë sa t’i hajë fyti…

*Të mençmit nuk bajnë tifo se ju duket çeshtje turmash,
po edhe ata anojnë, e ma shumë se skuadra të forta zgjedhin skuadra emocionuese, (si duket nuk jetojnë dot pa trishtimin e humbjes, dhe pa e vëzhgue nga jashtë: gëzimin e turmave)

*Të jeshë tifoz do me thanë të duash, të jesh tifoz kurrsesi s’do me thanë të urresh…
nëse je i pasigurtë dhe i trembesh nji kundërshtari, ti beso që skaudra jote asht aq e fortë sa ta përballë atë, po edhe nëse mundet nderoje fitimtarin, se dje ishe ti  fitimtar dhe dikush sigurisht të ka nderue…

*Me qenë tifoz do më thanë me pasë kujtesë të hekurt për gjithçka të bukur që ke shijue,
po duhet pak edhe si ebrejtë mos me i harrue  gjithë humbjet e pësueme edhe pse s’ke  aspak dëshirë me i përmendë…

Andrra kolumbiane...
Andrra kolumbiane…

*Kur je tifoz i nji skuadre të madhe apo fitimtare duhet ta dish,
se janë të shumtë ata që rrinë në pritje të disfatës së saj, sepse e shohin humbjen dhe  rrëzimin e saj si tandin…

*Tifozi duhet ta dijë se cilado ulërimë gëzimi e triumfi gjatë nji ndeshje…
mund të rrëshqasë në sekondë humnerën e trishtë të humbjes!

*Tifozi nuk asht as patriot, as ka atdhe dhe nuk asht as i arsyeshëm…
kushdo që kërkon prej nji tifozi arsye, atdhe dhe patriotizëm asht nji lenok që duhet t’ja tjerrish trunin, mbasi s’kupton asgja nga sporti dhe emocionet njerzore!

*Ka tifoza të kandshëm, ka tifoza plot dritë dashnie, ka tifoza me skedinë,
po ka edhe tifoza të sëmurë e të neveritshëm që e shohin sportin si nji çmendinë ku ata ndjehen aq mirë…

Lotët e... Brazil - Gjermani 1 - 7...
Lotët e… Brazil – Gjermani 1 – 7…

*Tifozi ka nji përcaktim, si njeri që mbështet dhe adhuron nji skuadër…
po ai që bahet tifoz veç kundra skuadrës që adhuron tjetri, dhe çdo javë e shef me nji flamur të ri që ta vërvit para hunde… Këtij ç’emën t’i vemë?!

*A s’do t’ishtë ma mirë për tifozin që përzien futbollin me politikën, me ekonominë, me historinë, me muzikën, me letërsinë a filozofinë…
të punonte n’mensat e dikurshme t’kooperativave ku krahas turlisë, t’gatuente edhe ndoj çorbë me kambë derri…

*Nuk ka tifozë ma të papranueshëm se ata që i shofin ndeshjet me skedinë në dorë,
dhe kërkojnë qetësi prej tjerëve që ta deklamojnë krejt zhargonin tyne për djegien e skedinës në kohë shtesë të ndeshjes…

*Midis të qenit indiferent apo tifoz i futbolli zgjidh këtë të dytën,
mbasi asht nji motiv jete për ta pa veten se çfarë di me zgjedhë…

Goooooooooooool...
Goooooooooooool…

*Në të vërtetë futbolli asht i krijuem për gratë… për faktin e thjeshtë se atë e luajnë burrat…
Gruaja asht tifoze ma emocionale për burrin e bukur, për burrin elegant, për burrin që di ta përdorë topin, për burrin me karakter, për burrin luftarak, për burrin që kcen me kokë, për burrin driblues, për burrin që lufton me shpirt nëpër dhambë me prekë rrjetën…

S’e marr vesh burrave ç’u hyn në punë kjo çeshtja e tifos për burrat…!!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.