back to top
19.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Çdo ditë e jetës… vlen sa vetë jeta… Jozef Radi

Gazeta

Jozef Radi 2000
Jozef Radi 2000

Çdo ditë e jetës vlen sa vetë jeta…

nga Jozef Radi

…ka ditë që ti nuk i pret, as beson në to, por ato vijnë… as të marrin leje, as të pyesin, as trazohen hiç nëse ti mendon a jo për to… thjesht ato vijnë… pse duhej të vinin…

…ka ditë që kanë mbrenda nji bukuri të papërsritshme… sa edhe fantazia rri n’gjunjë para tyne… ato të marrin me vedi e s’të kallzojnë se ku të çojnë…

…ka ditë që ti ndjehesh me flatra, ndjehesh me fat, ndjehesh se ia vlen me jetue çdo grimcë mundimi, pikërisht pse në jetë ka edhe ditë si ajo…

…ka ditë kur ti mendon diçka prej mëngjesit në mbramje, e prap prej mbramjes në mëngjes, e kështu krejt javën, krejt muajin, krejt kohën, krejt nji vit të tanë… ditë e m’ditë pse besoje se gjithësia asht e jotja dhe ti ke me mbrritë Atje…

…ka ditë qe ti ke qeshë aq shumë, ke andrrue aq shumë, ke besue aq shumë, ke dhurue aq shumë e megjithatë gjithçka t’asht dukë pak… sepse ke me qeshë, ke me andrrue, ke me besue e ke me dhurue shumë e ma shumë… e shumë e ma shumë ke edhe me marrë…

…ka ditë kur ti shalon qiejt, detet, rrugët, stinët për me mbrritë te Kroi i Jetës… dhe sa ma shumë pi n’at Krua aq ma shumë etesh… sa ma shumë etesh aq ma i dehun dëshire ndjehesh …

…ka ditë që Dielli s’perëndon për ty, pse ti e mban ndër sy Dritën e tij…

…ka ditë që trishtimet, rrëzimet dhe përlotjet e tua s’janë tjetër veçse gëzim i nji andrre të mbetun përgjysë, i nji ure që e përpiu lumi, i nji pylli që e vrau spata, po ti je ende në kambë, dhe kjo nuk asht pak…

…ka ditë që harenë e krejt nji viti ta thyen nji fjalë e vetme… po nji fjalë e vogël, nji fjalë në dukje e papeshë për jetën tande… dhe ti befas ndjehesh i pafuqishëm me hikë prej saj, ndjehesh i ngecun mbrenda asaj merimange, ndoshta të ka tretë çilsi që njeh vetvedin… ndoshta e ke harrue kund… ndoshta s’e ke pasë kurrë at çilës… po ti ke forcë me e kallzue vedin edhe ndryshe…

…ka ditë aq të bukura sa beson se mundesh me jetue me kujtimin e tyne… po kujtimet në t’përditshmen s’çojnë fort peshë, duhet me u përballë me të, përndryshe ato s’të ndihmojnë me gjetë as fajtorin e as fajin… sepse fajtor nëse vdes ajo ditë mbrenda nesh, jemi ne vetë, ne që s’besuem aq sa duhet te Ajo…

Jeta asht në dorën tande...
Jeta asht në dorën tande…

…ka ditë kur ti ndjehesh i lehtë si shpend, i çlirët si rreze, andrrues si muzikë, turfullues si erë, po edhe i çmendun… si detë i çmendun, veç mos harro se jemi veç grimca drite që Farmbjellsi i Madh na hedh ku mundet, e na jep ç’ka mundet…

…ka shumë ditë të shënueme me të zezë, ka pak ditë të shënueme me të kuqe… në kalendarit e çdonjenit prej nesh… po mos harroni se ka edhe ditë të shënueme me ar, veçse ato s’janë të shkrueme n’letër po në shpirtin e çdonjenit prej nesh, e ju e dini kët gja…

…sepse çdo ditë e kësaj jete vlen sa vetë jeta… mjafton t’luftojmë që ajo t’mos bahet kujtim…
dhjetor 2013

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.