“Çast lamtumire” – Djalit – poezi nga Mitrush Kuteli

Mitrush Kuteli dhe Familja

Mitrush Kuteli dhe Familja

“Çast lamtumire”

- Djalit

poezi nga Mitrush Kuteli

 
Pra, bir, mos qaj: ky është ligji i qenies
Të vijë rrotull dhe të kthehet rishtaz
Përbrenda gjirit t’amës s’amëshuar
Të mosqenies.
 
Ku janë ata që patën qenë? Shkuan
Atje ku qenë – lanë prapa tyre
Një tingull n’erë, shuar dalngadalë,
Si çdo qenie.
 
Nga shtati i tyre ngjizet rishmë jeta
Që duhet rrojtur: mbajtur, vojtur, falur
Kur çasti i madh troket në derën tonë
Urdhëronjës.
 
Koprace është jeta në të mira
Dhe dorëhapur gjëmash dhe mënxyrash –
Të gjitha duhen hequr dhe duruar
Zemërkthjellët.
 
Un’ rrethin tim e mbylla keq a mirë,
Si vdekëtar i thjeshtë – hallkë e lidhur
Dhe shkoj i velur hojesh dhe sherbelesh
Pa keqardhje.
 
Do rroj, shpresoj, ca kohë, brenda teje
Se kjo ka qenë ëndrra ime: shpirtin
Tim trashëgim të ta le pas vdekjes
Siç e mora.
 
Vazhdo dhe ti të jetës shteg, të shkruar:
Te larta mos lakmo – se shtypës bëhesh
As poshtë shumë mos rrëshqit, se shtypesh,
Qofsh i lumtur!
1967
Mitrush Kuteli me familjen

Mitrush Kuteli me familjen

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Kafe letrare  Etiketat: , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook