back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Çast Asgjësues… poezi nga Robert Martiko – kushtuar Lasgush Poradecit

Gazeta

Lasgush Poradeci - foto Niko Tona
Lasgush Poradeci – foto Niko Tona

Poezia e mëposhtme
i dedikohet një poeti të jashtëzakonshëm lirik si Lasgush Poradeci,
madhështia e të cilit arrin deri në yje,
për hir të faktit se porsa në Shqipëri u fut regjimi komunist, muza e tij shteroi.
Përveç se një poet i madh lirik,
ky fakt e shndërron Lasgush Poradecin
edhe në një kulm të lartë ndershmërie dhe fisnikërie shpirtërore… r. martiko

Në kët shkrim janë përdorur fotot artistike të Niko Tonës,
të cilin gjejmë rast ta falenderojmë për këto foto të mrekullueshme… j.r.
“Nuk ishte e lehtë të fotografojë Lasgushin,
nuk kishte shumë dëshirë të fotografohej” niko tona

Lasgush Poradeci dhe Cuci i tij i shenjte - foto Niko Tona
Lasgush Poradeci dhe Cuci i tij i shenjte – foto Niko Tona

Çast Asgjësues…

poezi nga Robert Martiko

Dedikuar një poeti të jashtëzakonshëm
si Lasgush Poradeci…

Njerëzit,
kur korbat errësojnë qiellin,
shumë rrallë kuptojnë çastin vendimtar,
i aftë për të asgjësuar gjithë të tjerët,
në pritje të ylberit,
një pëllumbi të vonuar,
me një degë ulliri në sqep,
të pritur me ankth…

Miliarda çastet e humbura pa gjurmë,
mijëra të tjerë të privilegjuar,
në bebe sysh ciklopësh
pafundësisht ndihmojnë larjen e krimit në Ferr…
nga të gjithë çastet e pafund të Gjithësisë
fare pak kanë fatin të ngjiten përpjetë.

Një çast mjafton për të vetmuarin sy shqiponjë,
por edhe për Sikambrin kryelartë,
In hoc signo vinces, perandor
Quo Vadis Domine!…
batakçiun e verbuar të kthyer në shenjtor;
miliarda çaste u deshën për shkëndijën,
të shndërrohet në margaritar…
kur gjuhët e zjarrit bien
në shtretër të butë lajmesh kob,
ujqërit ulërijnë në kuti pa direkë,
vela të bardha si shkumë që zién,
tyli i zi, i të bukurës bijë të Kaosit,
shtrihet përgjumshëm mbi liqen.

Ka një çast për çdo njeri të udhëtuar
kohëshkurtër sa përplasja e qerpikëve,
të Circes me karikaturën e derrit në gji,
tulla pjekur në diell, pisë e dafina guri
për një kullë të re me emrin Babiloni…
gjithë ato çaste humbur në mug
plebeun argëtojnë egërsuar si dreq,
të pambrojturin në arenë çmendin keq.

Një çast për letargjinë e vetmuar
përbri miliona arkitektë, zejtarë ndërtimtarë..
kryqe selvish mbrapsht të ngulur në borë,
buzë lumenjsh me llum, varre të hapur,
fantazma lakuriqe, duartrokitës të gjorë…

Një çast përjetësie për grimcën,
atomin e copëtuar që askush llogarit
pajisur me pasaportë, qilim fluturues
xhind përrallash arabe mikroskopik,
luanë e harkëtarë, virgjëresha në sfond,
foto qelibar larë në ndryshk,
ëndërr e sëmurë, Erini hakmarrëse,
sqep-përgjakura nga Nëntoka çliruar,
fluturuese në yje të shuar…

Një çast vendimtar për poetin klasik,
matanë një ushtrie në frikë e panik,
burg e konop i bien ndër mend
xhindet e kështjellës, syri padukshëm,
armik…
buzë liqenit të vendlindjes,
në mjegull fantazmash,
prej erërash veriore gjysmë i ngrirë,
vendos të ecë në këmbë menestreli,
pyetje të kota pa bërë në çdo hap,
edhe nëse befasohet një ditë,
nga britma të egra sejmenësh,
të një Sardoni të çmendur, satrap.

Çast lartësimi për të zgjedhurin,
kur mendon për çastin fillestar,
obusin hyjnor me emrin Bing Bang:
gjenerator për të gjitha çastet e jetës,
mbi Tokë vërshuar në vijim…
lulet, ylberi, fluturat provojnë teorinë,
engjëjt e bukur tokësorë në vatrën familjare,
beharet e shkuar me këngën e bulkthit mistik,
gjithfarë zogj të bukur, cicërima hyjnore,
me krahë qiellorë të dehur në qiej të kaltër,
të lirë,
pa zota banalë mbi kokë,
diktatorë burracakë,
sahanlëpirës të lartë, shkrimtarë arlekinë,
që u thurin lavdinë…

Është një poet lirik buzë liqenit të Ohrit
që mendon në këtë mënyrë…

Më shumë se lirën e Orfeut dhe
himnet e Polimnisë në Parnasin Apollonian,
shkëndijën hyjnore nga Prometeu vjedhur,
dhuratë për të munduarit,
fisniku vlerëson.
Mënjanon lukuninë e çasteve fatale,
që gjithë poetët e Muzës Baba Jaga,
këmbëpulë,
rrokullis në greminë…

Është një çast që të vetmuarin në qiell ngre,
e bën të barabartë me Perëndinë.

Trubadur fisnik, zog dimëror,
bilbil i përjetësisë,
ndryshe nga mjellmat e bardha të Liqenit
që mendueshëm soditni nga larg,
për Ju nuk do të ketë
Këngë të Fundit!…
Vetë vendosët për një gjë të tillë!…
Edhe pse jeni artist i lindur.
Gjeni.

Bard i zgjedhur,
i Kopshteve të Përjetshme të Artit
përveç shkëlqimit të parë në rini,
bukurisë se vargut tuaj të rrallë,
artin e lirë të shpirtit të ndritur elitë,
përjetësuat me idenë hyjnore: ‘‘Njeri’’

Lasgush Poradeci, Liqeri dhe Cuci - foto Niko Tona
Lasgush Poradeci, Liqeri dhe Cuci – foto Niko Tona

Disa shpjegime për termat dhe personazhet

e përmendur në poezinë e mësipërme:

Sikambër – Bëhet fjalë për mbretin Klodovik, mbret i frankëve të cilit i drejtohet peshkopi i Reimsit, për të ndryshuar qëndrimin e tij negativ në jetë.
‘‘In hoc signo vinces’’ – Fjalë latinisht që kanë kuptimin ‘‘Me këtë shenjë do të fitosh’’. Sipas perandorit me origjinë ilire, Konstandin, fjalët e mësipërme i pa të shkruara në qiell. Pas këtij çasti, për hir të këtij vizioni, perandori i mësipërm u kthye nga pagan në besimin e një Perëndie të vetme, diçka që influencoi në fenë e gjithë shtetasve të perandorisë romake.
Quo Vadis Domine? – Shprehje latine që ka kuptimin ‘‘Ku shkon?’’, lidhet me Shën Pjetrin, që i trembur nga krimet e perandorit Neron, ishte duke u larguar nga Roma dhe i shfaqet Krishti. Paskëtaj Shën Pjetri kthehet në Romë ku e kryqëzojnë kokë poshtë.
Polimina – Muza e himneve në mitologjinë greke.
Trubadur, bard apo menestrel – quheshin artistët, njëkohësisht poet e muzikant në Evropën mesjetare.
Orfeu – Figurë e mitologjisë greke që përfaqëson artin e përjetshëm.
Apolloni – Perëndia e arteve të bukura, muzikës, bukurisë dhe diturisë në mitologji.
Erinitë – Perëndi të nëntokës në mitologji, të specializuara për hakmarrje.
Baba Jaga – Shtriga në folklorin e vendeve sllave dhe në përrallat ruse.
Prometeu – Figurë mitologjike që u vodhi zjarrin Perëndive të Olimpit për tua dhuruar njerëzve.
Bing Bang – Nga anglishtja ka kuptimin ‘‘Shpërthimi i Madh’’. Është një teori shkencore moderne, e bazuar në idenë se Universi filloi të ekzistojë pas këtij momenti.
‘Kënga e Mjelmës’’ – Është një shprehje që vlen për të venë në dukje një vepër arti të mrekullueshme, para largimit nga jeta të një artisti të madh… Kjo ka ardhur nga mendimi antik se mjellma, ndonëse është një shpend i paaftë për të nxjerrë tinguj, para se të vdesë,  mund të këndojë një këngë të mrekullueshme.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.