Caligula – simbol i sundimit pervers nga Klodi Stralla

Perandori Caligula (0012-0041)

Perandori Caligula (0012-0041)

Caligula – simbol i sundimit pervers

nga Klodi Stralla

Në Histori me emrin e Caligulës (12 e.r.- 41 e.r.), perandorit të tretë romak, vrarë nga të afërmit e vet në vitin 41 e. r. (vetëm pas tri vitesh sundim), lidhet kuptimi modern mbi tiraninë dhe perversitetin në qeverisjen e një vendi. Natyrisht kanë qenë edhe tiranë të tjerë, me të vërtetë të tmerrshëm, para dhe pas tij. Por, për aq sa dimë, asnjë nga paraardhësit apo pasardhësit e vet nuk është sjellë në atë mënyrë sa për t’u konsideruar një tiran simbol, në të gjithë kuptimin modern të kësaj fjale. Ishte megaloman e sadist i lindur, me perversione seksuale (përfshi incestin, me tri motrat e tij), si dhe një marrdhënie të çuditëshme me kafshët. (thuhet se çoi kalin e vet në Senat dhe e bëri senator, duke dashur t’u tregojë senatorëve romakë se, për të, ata vlenin më pak se një kalë!!!).
Caligula u vra në një grusht shteti të përgjakshëm, pak vite pasi mori fronin. Ai u vra në emër të lirisë, për të rivendosur ligjshmërinë e institucioneve të dikurshme republikane, për të cilat krenohej aq shumë Roma. Por tashmë ajo kish hyrë në fazën e saj perandorake dhe rikthimi në traditat e hershme republikane kish marrë fund që nga Koha e Cezarit. Megjithatë ata që erdhën pas tij, të gjithë sunduan me dorë të hekurt, duke shpërfillur institucionet (është fjala për senatin romak), vrasja e Caligulës shërbeu si frenim për përdorimin pervers të pushtetit nga një njeri i vetëm.
Sipas përshkrimeve të biografit të tij Suetone, historianëve dhe specialistëve neurologë, duke analizuar sjelljet e tij, të gjithë kanë rënë të një mendje se ai i kish të gjitha simptomat klinike të një të sëmuri psikik nga skizofrenia. Ka mbetur legjendare thënia që sintetizonte filozofinë e tij të sundimit: “Oderint, dum metuant!”, që në shqip do të kuptohej: “Le të më urrejnë, mjaft që të ma kenë frikën!” Ky nuk është i vetmi rast kur majat më të larta të pushtetit kapen nga individë me mendësi të tilla. Ne shqiptarët duhet të jemi veçanërisht të kujdeshëm, sepse kemi vuajtur shumë prej kësi simptomash të pushtetit.

Skena nga filmi Caligula

Skena nga filmi Caligula

Në kohët modern figura e tij frymëzoi shkrimtarët dhe artistët më në zë të kohës: Nobelisti francez, Albert Camus, shkroi një pjesë teatrale më 1938-n, “Caligula”. John Hurt bëri emër me aktrimin e perandorit në serinë televizive të vitit 1976 “Claudius I”, bazuar në romanin e Robert Graves. Regjisori Tinto Brass është shumë i njohur me “Caligula” e tij, si një portretizim i shkëlqyer i figurës së një diktatori, si dhe një kërkimi në shkaqet e rënies së perandorive zullumqare.
Historianët kanë gjetur shumë paralele mes Botës së Lashtë dhe Kohës sonë: historitë e aristokracisë së Romës së Lashtë, babëzia dhe luksi i shfrenuar, janë bërë simbol i elitave të sotme sunduese, të cilat paraqiten, mes të tjerash, edhe seksualisht perverse, ku familja nuk ekziston si koncept tradicional. Ku Sula, Kaligula apo Neroni janë bërë simbol i ngritjes së një sundimtari në rolin e tiranit satrap, i cili pret të respektohet si një zot i pavdekshëm nga populli i vet, përkundër Oktavian Augusti, që konsiderohet si simboli i “diktatorit të ndriçuar”, i cili sundoi i vetëm dhe shumë gjatë, por me këtë ai vendosi paqen dhe rregullin pas shumë dekadash trazirash.
Edhe historia e Shqipërisë sonë, e djeshme dhe e sotme, është e mbushur me shumë Caligula, por që për ironi të historisë, nuk kanë pësuar fatin e tij, përkundrazi janë brohoritur dhe votohen me shumicë votash!

(marrë nga muri i Fb. i Klodi Strallës, 31 gusht 2015)

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta  Etiketat: , , , , , , ,
Një përgjigje
  1. Jozef Radi Tha:

    Nji histori Sundimtari pervers, dhe historitë tona me sundimtarë…
    Po unë mbetem kurreshar ta di sa “Kuaj Caligule” e sjellin vërdallë kët komb!!!

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook