back to top
11.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Bujk i vreshtës Sate… poemë nga Gëzim Hajdari

Gazeta

Gezim-Hajdari - 2007
Gezim-Hajdari – 2007

Or mik,
bashkëngjitur ke gjithë poemën: “Fshatar i vreshtës sate”.
Mendoj se është më mirë të botohet e plotë, dhe jo gjysma e saj siç folëm…
përndryshe lexuesi shqiptar s’arrin ta perceptojë përgjysmë.
Veç kësaj, kjo poemë s’është tejet e gjatë dhe e mërzitshme,
dhe mendoj se mund të lexohet qetë e me kënaqësi.
Jo vetëm kaq, por besoj se kjo poemë është e para
poemë erotike e poezisë moderne shqiptare.
Gjumë t’amël or mik, e mir’ u djofshim. gëzim hajdari

Nji jete e re...
Nji jete e re…

Bujk i vreshtës Sate

poemë nga Gëzim Hajdari

nga “Poezi të zgjedhura 1990-2007″, Besa Editrice, 2008

O vashëz çoçare,
gëzimi im, lule e egër e kodrinave t’Saturnit,
mëz’e harlisur që rend hamulloreve
me shqelma vërvitur erës,
plot aroma e lumenj femërorë,
erëzon lëkura jote e zeshkët dhe i deh shtegtarët.
Sapo të fshik trupi yt fërgëllon,
mbivetja të shpaloset si një trëndafil i freskët,
porsi shegë e arrirë e Darsisë sime,
prekur nga pikat e para të shiut vjeshtor,
që çahej e kullonte tokës së etur,
udhëhiqmë himneve të tua, lakoreve të hijezuara.
Më mahnit, mishi yt epshor
eksiton kërcellin tim,
gjiri yt i tultë së larti përparon
drejt qiejve të mi të zhveshur.

Unë vij nga një krahinë zjarresh
ndaj fërgëlloj dëshire;
në fshat isha rrethuar në çdo çast nga akte dashurie:
fiq të zinj plasaritur kullonin degëve,
lulet e irisit, porsi e kuqe e plagosjes sate, mbështillnin
shtëpinë time ditë dhe natë.
Kajsitë hoje mjalti mbushnin dhomën e fjetjes,
dhe mani i kuq, manaferrat, vishnjat më provokonin duart
dhe buzët me mushtin e tyre,
si të ish gjaku i natës së parë.
Çdo mëngjes kopshtit tim gjeja petale të kuqe trëndafili
rënë nëpër natë mbi barin e ri,
dhe unë ndjehesha një dem i harbuar arene;
ftonjtë e pjekur thyenin tjegullat e shtëpisë prej guri natës vonë,
duke më zgjuar nga ëndrrat erotike netsore.
Oh, kokrrat e razakisë, si kokrrat e lëngshme të gjinjve të tu
plot qumësht e dëshira,
shalqiri i freskët tronditur nga hapat e mi hapej në çast,
si sot plagosja jote mes kofshëve ku rrjedhin ujërat e tua
e derdhen ujërave të mia bardhoshe
si vesa e luginave
dhe modelojnë gjurmët e buzëve të mia të lagështa
mbi barkun tënd të zjarrtë prej gruaje.
Oh, bora e bardhë kodrave më kujtonte vellon
e nuseve të fshatit në ditën e dasmës,
oh, çarçafi njollosur i natës së parë
nderur kopshtit ballë fqinjëve dhe kalimtarëve;
xinxife e thana të kuqe si varg rruazash përreth gushës tënde
si drenushë
dhe plugu që lëronte tokën si të ish trupi i arrirë i fqinjës sime
të bukur, dikur.

Gezim dhe Iris Hajdari
Gezim dhe Iris Hajdari

Pi virgjërinë tënde si një i çmendur,
siç pija lëngun e shegës së çarë në kodrën time pasditeve të tetorit,
rinia ime s’ish veç një sfilitje,
Darsia provokonte erosin tim çdo çast,
ditë dhe natë;
çfarë nuk bëra për t’i qetësuar instinktet e mia seksuale
kohës së diktaturës shqiptare,
fshikulloja pjesën time të poshtme lidhur mëkatit
dhe pija qumështin e dhisë.
Ishin kohë të ashpra pastërtie shtetërore,
rrëmbimi i një puthje ish herezi,
përfundoje në burg për çnderim e dhunë;
spektakël i çuditshëm luhej në atdheun tim,
pikërisht mua më takoj të lindja në krahinën
më erotike dhe më të ndaluar të botës;
ku kam parë fshatarët të tridhnin herdhet e demit me gurë
dhe mëshqerra shihte e shtangur ndëshkimin e tmerrshëm
shkaktuar të dashurit të saj,
askush s’ka parë një tredhje kaq të kobshme!

Dua të eksploroj qelizë pas qelize,
dua të pi gjithë rrëketë e liqeneve të tua,
gjithë hënat e tua të plota;
askush s’do të mund të përshkonte si unë, ish bari dhish,
bërtit, klith, ende, akoma, dua t’i ndiej gjithë ofshamat e tua të thella,
do të përmbush çdo dëshirë tënden,
do ta kafshoj gjithë uri lëkurën tënde,
kodrën e zhveshur të gjinjve të tu si pjeshkë.
Qaj, qesh, çmendu, dua të rrëzohem trupit tënd,
si një martir fushës së betejës,
besnik i prijësit të tij,
vrarë me të njëjtën heshtë.
Nuk më frikëson uria jote prej gruaje,
do të hyj në arenën tënde pa armë e parzmore,
fillikat me kalin tim të harbuar,
pa shalë, pa frerë e pa barkëze.
Do ta zbus ndezjen e korijes tënde,
do të lagem në kënaqësinë e guaskës tënde të artë,
do t’i dëgjoj tingujt e tu, errësirën tënde, hijet e tua,
do ta ndiej guvën tënde pa kohë tek dridhet nga pasioni.
Jam demi yt shtegtar që të lidh me lastarët pranverorë
trungut të vidhit,
siç lidhte dikur dhinë e tij
në fshatin e lindjes;
kush të ka dashuruar para meje s’ka qenë veç një eunuk,
kushdo që të ka përshkuar para meje, të ka gënjyer.

Gëzim Hajdari 2013 - Studio e tij
Gëzim Hajdari 2013 – Studio e tij

Dua të të prek fundin,
të të shuaj flakët me mishin tim,
pushtomë me duart e tua si një armik i dorëzuar,
shtrimë në shtratin prej gurësh kanibalë,
shqyemë, lakmia ime dashurore është e pafund.
Dëshiroj të të gërmoj çdo ditë, si dikur tokën e errët darsiane,
pëllumbesha ime, jam i fortë dhe i përkorë,
të zotëroj si një robinjë lufte
dhe mbi kalin tim triumfator të çoj tek mbreti im,
grabitqar gjahu.
Rrëfimi im, thith trupin tënd të lehtë, rrëqethjet e tua
frymëmarrjen, fërgëllimat e tua,
thith nektarin e trëndafilit tënd të egër,
teksa të kap si kali pelën në afsh
fushës me tagji.
Kënaqem me frutin e trupit tënd,
gjymtyra ime do të të ngopë gjersa të derdhësh lot të vakët,
si të ish shi i ëmbël vere;
mbështete hënën tënde duarve të mia prej fshatari,
besoja buzëve të mia të etura shijen e buzëve të tua delikate e plot tul.

Hape këmishën tënde të dëlirë,
dua ta thith profumin e seksit tënd të arrirë,
i lumtur të fekondohet nga gjymtyra ime e dëshiruar;
mbulomë me trupin tënd si një pemë,
fshikmë me gjinjtë e tu të eksituara gjithë epshe,
oh, vithet e tua të mbushura!
Je e dëlirë dhe mbivetja jote në lulëzim,
çdo shteg më çon tek plagosja jote,
dehmë me fërgëllimat e tua
si shiu i verës depërton të çarat e tokës së plasur,
depërtoj edhe unë, pse jam koha e shiut.
Jam rojë i errësirës tënde, gardian i zjarrit tënd,
bujk i vreshtës sate,
për mua bëhesh atdhe për herë të parë pa tiranë,
një ezil i ri;
dhe unë të emëroj mbretëreshë mërgimtarësh në ikje
drejt linjës së hollë të horizontit të ndezur.

-Kam frikë! Je veç një shtegtar e një ditë do të ikësh,
nuk do ta mbash besën e premtimit tënd
dhe shpirti im nuk do të  ketë paqe majëkodrës së errët!
Ti më bën të vuaj,
o njeri me sy të skiftertë,
s’do të le që t’më shndërrosh në hi e pluhur;
por sapo më fshik unë s’duroj dot më,
mishi im fërgëllon, humb kujtesën dhe i dorëzohem kalit tënd luftëtar.
Dashnori im i marrë
ardhur nga të ftohtit
dhe me të ftohtin,
eja,
dua të bëj dashuri dymbëdhjetë herë në ditë si një thëllëzë;
jam e re dhe unë do të të ngop
do të të deh me aromat e mia orientale gjersa ta humbësh
udhën e kthimit,
do të të shpie nga kodra në kodër,
nga zjarri në zjarr,
nga lugina në luginë
e nga gjelbërimi në gjelbërim.

Do të të çoj në krahinën time me tërmete,
do të të rrëfej përralla të Lindjes me mashtrime e tradhëtira,
do të të kthejë në një qyqe
me çerdhe në korijen time hijezuar
dhe nuk e braktis vendin e këngës së saj.
Në shtratin tim do ta harrosh atdheun e parë në Lindje
që të ka lindur për të qenë martiri i tij
e do të të shpëtoj nga mallkimi i xhinëve.
Të dashuroj për netët e tua,
për zemrën tënde të akullt,
për thikat e tua mprehur në gur,
për delirin tënd;
fara ime fshatare,
dua të jem dhia jote e fshatit të dikurshëm
për të të dhënë të pish nga gjinjtë e mi të lëngshëm
që shton dëshirën tënde prej ish bariu.
Do të bëhem e preferuara jote
për ta lexuar fatin tënd
e për të të thirrur me një tjetër alfabet;
do t’u kërkoj Zanave të tua të më mësojnë ta lexoj
qiellin dhe tokën, si dikur të parët e tu,
për të të shtriguar e magjepsur shpirtin tënd të thatë
prej murgu të hidhëruar.
Do t’u vjedh nuseve të lumit çelësin për të hapur portën
e pakapërcyeshme të dhomës tënde të zbrazur
e për të ofruar një kupë helmi të ëmbël kultivuar në fushat
e vargjeve të tua shtegtare
e për të të parë tek këmbët e mia.
Do të thith shijen e hidhur të buzëve të tua ezule,
do të të puth gjer në vdekje
për të të nënshtruar qoftë edhe një herë të vetme
e të ndjehem mbretëreshë
dhe ti gardian hijesh që s’e mban besën e Kanunit.

-Puthmë dhe kij mëshirë për kët’ trup të martirizuar
që mbart gëzim dhe frikë
dhe endet nga ezili në ezil,
poshtëruar e përdhosur nga tiranët e atdheut të vet.
Pushtomë dhe lutu për këto krahë të mbijetuara
në diktaturë
e plagosur në liri,
për këto duar rritur nën lakuriqësinë e shiut,
për këto buzë të drithëruara nën qiellin e errët të Perëndimit,
për këtë Verb bërë dashuri dhe flijim.
Mirëpriti këta sy të dështuar e të përgjakur
shpëtuar vdekjes natën,
gjithnjë në alarm me mendimin se dikush më ndjek;
bekoje kët’ vështrim varrosur nga koha,
hiqmi gjembat e zinj lëkurës,
lehtësomi vragat e mia,
përkëdheli gurët e mi
të ma lehtësosh sadopak peshën e tyre para se të më zënë nën vete!
Nuk e dëgjon gjakun tonë të kuq që rreh ndër vena,
peligorgat që na këndojnë ndër gishta?
Thëllëza ime që erëmon aromë orienti,
të dashurohemi duke vdekur ballë thikave
dhe në agim të rilindim sërish në këtë botë terrori;
të puthim trupat tanë të pafajshëm dënuar në kufi
si të ish puthja e fundit e ditës së fundit,
si të ish e përjetshme
për të provuar nëse është e mundur të dashurohemi ende dhe një herë.
Mos u frikëso, janë turtujt e trembura që ngrihen vrik fluturimthi
dhe hijet e kodrave përmbi trupat tanë,
tash rrufetë prehen në shpellat detare, përtej syrit të ditës.

Gezim dhe Iris Hajdari - Mantova 2015
Gezim dhe Iris Hajdari – Mantova 2015

-Nuk di, më duhet ta bekoj a ta mallkoj ditën që jemi njohur,
dashuria jote:
gëzim a fatkeqësi?
Shtegtari im në kalim,
mbushmë me ty
dhe lëre që demi yt t’i përshkojë livadhet e mia,
e kodrat e mia bardhoshe.
Lëre që djalli yt i hardallosur ta shuaj etjen burimeve të mia;
jam e zjarrtë, hipmë me xhindët e tu,
me zanat e tua,
me orakujt e tu,
me gurët e tu.
Mbillmë, ndërzemë,
kafshomë, siç kafshoje manaferrat,
prekmë, siç prekje vishnjet
thithmë, siç thithje shegën e çarë kodrës tënde
mbushmë me shkumën e bardhë të lumit tënd të rrëmbyer
përmbyte luginën time me lulëkuqe
dhe humbe Zotin tënd pjellor hënës sime me terr.

(Shkëputur nga vëllimi “Poezi të zgjedhura 1990-2007, Besa Editrice, 2008).

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.