back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Borxhi i Ramës, Shqipëria, Teatri Kombëtar ul perden – nga Fabbrica Wojtyla Versioni i Lolekut

Gazeta

Artistët e Fabbrica Wojtyla & Compagnia della Città - Tirane 28 shtator 2019
Artistët e Fabbrica Wojtyla & Compagnia della Città – Tirane 28 shtator 2019

Borxhi i Ramës, Shqipëria, Teatri Kombëtar ul perden.

Teatri i ri i jetës: Fabbrica Wojtyla

Versioni i Lolekut, nga Fabbrica Wojtyla dhe Teatri Kombëtar

Përse, për të pasur një teatër të ri, duhej shembur Teatri Kombëtar historik i Tiranës? Çfarë i pengonte të rikualifikonin një zonë tjetër të Tiranës për një teatër të madh, të ri? Dhe nëse duhej qendra e qytetit, pse të mos përdorej zona e piramidës qesharake, simboli i kultit të individit, në vend që të shembej Teatri Kombëtar, simbol i kulturës?
Shembja e Teatrit Kombëtar në Tiranë ishte si të shembej San Carlo në Napoli, për të ndërtuar një tjetër më modern dhe imponues, ose La Scala në Milano, për t’i hapur vendin një super mega teatri futurist, ose L’Opéra në Paris, Metropolitani në Nju Jork, Balshoi në Moskë, Royal House në Londër, La Fenice në Venecia.
Dikush mund të thotë duke buzëqeshur se Teatri Kombëtar i Tiranës nuk ishte San Carlo… po, por as San Carlo nuk është La Scala dhe La Scala nuk është L’Opéra, që nuk është Metropolitani, që nuk është Balshoi, që nga ana e tij nuk është Royal House, që nuk është La Fenice.
Përse kështu? Sepse çdo vend ka Teatrin e Tij.
Çdo komb ka Scala, Metropolitan, Opéra, Bolshoi, San Carlo, La Fenice-n e tij. Çdo komb ka teatrin e tij “historik”, që është dëshmitari më historik, më i vjetër e më i lavdishëm i të vërtetave intime dhe sociale.
Çdo komb ka teatrin e tij, që është dëshmitar i një vuajtjeje të kaluar që përsëritet.
Sepse Teatri është origjinë. Sepse secili në vendin e Tij ka një origjinë të Tij.
Dhe shqiptarët e dinë mirë. Ata, më shumë se çdo popull tjetër, kanë sensin e origjinës: e demonstron historia e Skënderbeut, e demonstron historia e bunkerit të izolimit, e demonstron historia e eksodit dhe e demonstron ajo që rrëfen Kadarè kur sqaron se origjina e Teatrit ishte gropa e varrit që përmbyset. Prandaj, shembja e Teatrit Kombëtar ishte si të shembej la Scala, l’Opéra, Metropolitan, Balshoi, San Carlo, Royal House, La Fenice e cilido teatër që, sado i madh apo i vogël të jetë, përfaqëson një origjinë të vërtetë të një kombi. Teatri Kombëtar është “kujtesa” e një kulture përkatësie dhe asnjë popull, pa dëshminë fizike të historisë së tij kulturore, nuk mund të jetë një popull autentik.
.
Shembja e Teatrit Kombetar - 17 maj 2020 - Ora 04.50
Shembja e Teatrit Kombetar – 17 maj 2020 – Ora 04.50
Për këtë arsye, shembja – që ndodhi në mes të natës, si atentatori frikacak që të ngul thikën pas shpine me tradhëti, për më tepër duke demonstruar ligësinë e veprimit në periudhën e masave të jashtëzakonshme të kufizimit të lirive për shkak të rrezikut të infektimit – e atij Teatri që ka parë Shqipërinë të kalojë ditët e saj më të errëta, por edhe rilulëzimin e saj, është krim kundër një populli. Një krim kundër Njerëzimit!
Prandaj zoti Rama, ndoshta shtetar i madh, i aftë dhe i drejtë, siç e quan veten, nga ajo natë i ka një borxh, jo Shqipërisë, por njerëzimit. Si të kishte shkaktuar me dashje vdekjen e një plaku. Ishte i rrënuar, i lënë pas dore, pa ndjenja, justifikohet ai… por ajo fëmijë ishte e gjallë, ishte historia e vetvetes.
Mirë pra, zoti Rama. Do të mbash përgjithmonë mbi shpinë mëkatin fillestar. Nëse je thjesht një kryeministër, duhet ta dish se në politikë gjithësesi topi kalon sa në njërën anë, në tjetrën, kështu që do të ikësh, ndoshta me ndërgjegje paksa të njollosur, për borxhin ndaj Vendit tënd, që nuk do ta shlyesh dot kurrë. Nëse, përkundrazi, imiton të shkuarën, dmth nëse është diçka tjetër, atëherë bëhet e dëmshme, e kushtueshme dhe e kotë. Dhe, si një teatër i vjetër i rrezikshëm, duhet shembur, pa rezerva. S’ka politikë këtu. Edhe opozita shqiptare është përgjegjëse, sepse tentoi të bënte një diskutim të njëanshëm. Ne përdorim fjalët e Shekspirit, jemi zëra të Teatrit, jemi artistë.
Mbetet dhimbja. Mbetet kujtimi. Një kujtim që, pavarësisht moshës sonë të re, na bën të ndihemi pleq, për shkak të dhimbjes së pashlyeshme. Ndoshta do të kalojë, por kemi qenë të nderuar kur kemi hyrë në Teatrin Eksperimental, kur kemi bërë të qeshim me gjithë zemër shqiptarët me “Prova aktori” dhe akoma më shumë, kur vumë në skenë, pak muaj më parë, në shtator 2019, simbolizmat e “Anonimo Napoletano”, me të cilin hapëm dhe ndriçuam, së bashku me artistët shqiptarë, Teatrin Kombëtar. Në fund të shfaqjes thirrëm të gjithë “Rroftë Teatri!” Këtë duhet ta dijë populli shqiptar. Ndjesia e të qenit të fundit që kemi shkelur në dërrasat e asaj skene është rrënqethëse, akoma më shumë në një periudhë kaq dramatike dhe pa mbrojtje për vetë ekzistencën e qenies njerëzore.
Kështu, si një nga mijëra pleqtë në botë, të sulmuar nga më i ligu dhe dinaku i viruseve, që shuhet në vetmi dhe izolim, mbi Teatrin Kombëtar bie perdja, e bashkë me teatrin, edhe mbi aspektin më sublim të njerëzimit: Kulturën, pra mbi mundësinë për t’i dhënë kuptim jetës, që sot, në Shqipëri dhe në botë, por merr goditje tragjike të vdekjes. Të jetë fillimi i një fundi? Koha është gjykatësi më i rreptë.
.
Patrizio Ranieri Ciu dhe të gjithë artistët e Fabbrica Wojtyla & Compagnia della Città.
05 qershor 2020

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.