Bora e Venës së Bardhë etyd nga Jozef Radi

Jozef Radi 2001

Jozef Radi 2001

Bora e Venës së Bardhë

etyd nga Jozef Radi

Sapo kisha drekue dhe me gotë plot të venës n’dorë, iu ktheva dritares s’madhe që shtrihej në krejt faqatën e murit prej drrase,  nga shfaqej solemnisht pamja e nji liqeni të vogël idilik, krejt i ngrimë, njatje n’teposhtë rrethue pishash. Frynte nji erë e ftoftë, e klithët, e thikët… nji erë që ndër pemtë e blerta të pishave dhe lisat krejt të xhveshun ndjehej hera herë si ulërimë kojotash… Prej njatij të ftofti që po vinte hovshëm pritova me ba banjë dhe njashtu i mbështetun për karrige me buzët që ia puthisja hera-herë gotës me venë të bardhë përhumbesha pa e ndje n’ato botë të largta e krejt të panjoftuna për mue… Gota e venë’s bardhë, përballë asaj shfaqje kurrë të pame, po ma përndriste  at mbasdite nandori ne nji botë ku njeriu edhe nëse nuk gjen ndonji gjà të madhe vetmi reflektuese gjen me shumicë. I lshova dyja kambtë mbi parvaz të dritares, dorën e majtë e lshova mbas kreje me ia dhanë të plotë knaqsinë e sodisë dhe paqen e përhumbjes n’at mbasdreke dimni amerikane…
Njashtu kadalë e si pa u ndje, krejt qielli erdh tuj u zatetë, e dikur u ba gri i errtë dhe veç kur era ja nisi nji borë e dendun tuj u shpupurisë me shkulme, me do flokë gjithnji e ma të mëdha e ma të denduna tuj derdhë ndër vorbulla ere gjithkah. Mbi sipërfaqen e ngrime të liqenit të vogël sa nji sy bizonti nisi m’u krijue nji lojë mahnitse bore me erë… Dhe sa ma shumë i ngulja sytë n’at lojë natyre, aq ma të denduna baheshin shkulmat e borës, aq ma të forta vorbullat e erës në syprinën e akullt të liqenit, e aq ma e tkurrun tejpamja e asaj shfaqje. Tashma liqeni i ngjante ma shumë nji pistë vallzimi, ku borë e erë t’përqafuna fort me njena tjetrën vërtiteshin n’nji tango plot figura e që n’sy po m’shndërrohej në marramendje dehse. Dhe gota e venës së bardhë bahej yshtëse e asaj majie…
Prej njasaj dritareje të gjanë hapekrahë sa krejt faqja e murit, prej njatij pozicioni dominues e solemn ndjehesha si n’nji llozhë të privilegjueme teatri…
Ishte e para herë e nji spektakël të tillë, ku vetë natyra e shfaqesh para meje si nji aktore e pakrahasueshme. Ndjehesha krejt i grabitun emocionesh, jo veç n’at qetësi të bardhë të mbasdites po në krejt shqisat e vëmendjes sime… Ndoshta edhe ma shumë. Ajo gotë vene n’dorë, i dhurote njasaj shfaqje të çmendun solemnitet magjik dhe nji dalldi andrruese… ku bora, mbasi dredhesh e spërdredhesh n’syprinën e akullt të liqenit, çast mbas çasti ishte tuj krijue nji shtresë, fillimisht të mjaftueshme, mandej gjithnji e ma të plotë, për mos me iu bindë ma vorbullave të erës. Tash s’i kish mbetë tjetër veç me i sorollatë e me i hallakatë at denduni flokëzash t’argjanta n’ajri, tuj i dhanë gjithçkaje që rrokte syni i verbuem bardhësie, nji bukuri të frikshme që për fat shifej veç nga mbrendë, e që të përcillej n’nji drithërimë edhe veç me e mendue për nji çast vedin jashtë, si pjesë e saj.

Wellsville, 2014

Wellsville, 2014

M’u duk sikur krejt ajo magji në t’hyme të dimnit, po shfaqej veç me e mbështjellë me gëzof të bardhë të dimnit, gjithçka t’atij vendi që ishte mësue me të…
E ndërsa gota shterrej aq ambëlsisht, po aq ambëlsisht edhe bota fundosej n’at mjegull fluturash të bardha që tash e kishin tjetërsue pamjen e pishave të nalta, duke i shfaqë edhe ato si statuja të argjandta e të tulatuna, të nguluna me forcë në sfond, e që kërkush s’guxonte me uia prekë konturet e reja, veç syve.
M’u duk sikur po m’lirohej truni prej çdo mendimi të trishtë. Po ndihesha i grimcuem n’at gri, që tashma po shndërrohej në nji t’bardhë, gjithnji e ma e plotpushtetshme dhe sunduese…
Pa u ndje pashë se gota m’kishte zbritë në nivelin e trishtë të pothuej zbrazjes. Si duket ajo bashkëshoqni e natyrës me pijen e kishte krye të plotë misionin e vet… Padashtas, ajo gotë e mbushun vene më kishte ftue, më kishte përcjellë e më kishte zhytë ma u ndje n’at spektakël të tjetërsimit të botës, tuj i dhurue nji mbasdite të randomtë jete at përhumbjen e beftë të dehjes me natyrë të egër, e me dimna kurrë të njoftun ma parë… Diçka kurrë e ndodhun e kurrë të jetueme prej meje.
I mbylla sytë për nji kohë t’pacaktueme. Ndoshta ishte veç nji çast, ndoshta kohë e nji përhumbje, ndoshta krejt nji jetë. E njashtu si ndodh ndër andrra, ku njeriu kërkon me ia zgjatë jetën nji magjie, befas qe kthye në lamtumirën pakthim të dehjes me botë të largëta e vende të panjoftuna…
N’at përhumbje m’u ba sikur dikush m’thirri: “A mos don me ta mbushë prap gotën e venës?”
E mandej ra heshtje e plotë, e thellë, e bardhë, lëbyrse…
S’gjeta asnji kuptim me i hapë sytë asaj thirrje… mendova mos ishte ajo Bora e pakufi e Venës së Bardhë, që e kishte nënshtrue botën mbarë dhe e kishte vendosë si shtroje njaty nën kambtë e mia, t’mbështetuna n’parvaz të dritares…
Wellsville, 28 nantor 2014

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Kafe letrare, Proza  Etiketat: , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook