back to top
19.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Gjyqi Special: Nji spektakël makabër – Dr. Lazër Radi intervistuar nga Blendi Fevziu

Gazeta

Lazer Radi 1916-1998
Lazër Radi (1916-1998)

“Kosova lindi intelektualët që i duheshin,

Shqipëria shkatërroi ata që kishte…”

Blendi Fevziu interviston Dr. Lazër Radi*

Jeta ka gjithmonë momente të caktuara që ndikojnë në të. Kur ju më tregoni për të shkuarën tuaj, s’mund ta fshihni që ajo ka pasur momente të tilla. Mua më duket pikërisht se ajo ikja tragjike nga Kosova, përbën fatin dhe fatalitetin tuaj. – Ashtu si ndër fabulat kërkohet “il pusilis” d.m.th. qëllimi i saj moral, po ashtu edhe në jetën e njeriut duhet me u kërkue “moventi” – shtytësi që të nxit të veprosh. Unë jam kosovar: ideja e irredentizmit më ka përcjellë – si hija ime – në çdo hap të jetës e të aktivitetit. Më vjen mirë se edhe tani, mbas gjashtëdhjetë vjetësh jetë prej emigranti, me gjithë çvendosjet e mia, kam mbetë kosovar i thjeshtë: qoftë në të folme, qoftë në sjellje e qoftë në mentalitet. Kam besue gjithmonë – e vazhdoj të besoj edhe sot e kësaj dite – se Kosova nji ditë duhet dhe do të bashkohet me Atdheun “amë”. Kjo Shqipëri që kemi sot e që i thonë “Shqipëri e trembëdhjetës” asht e cungueme e si çdo trup i gjymtë asht i mangët dhe i shëmtuet! Shqipëria, në kufijtë e vet të natyrshëm, etnikë, mund të jetë shtet dhe komb integral. Kjo ide e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë – në entuziazmin tim rinor – shpesh herë më ka çue të kërkoj aleanca jo fort “të përshtatshme!!” dhe t’i futem edhe në ndonji rruge “të gabueme!!”

Flitet shumë tashmë se idetë komuniste në rrethet gjimnaziste të asaj kohe ishin në modë. Pjesmarrja e juaj në to i takonte kësaj mode apo ishte një përfundim i vërtetë në të cilin ju kishit arritur?Kjo pyetje asht e bukur, e vështirë dhe interesante. Deri në vitin 1934, Gjimnazi i Shkodrës ishte nji institucion i qetë – pa rryma politike dhe ideologjike të asnji lloji. Me shtetzimin e shkollave, Gjimnazi u mbush me elementë të rinj, me nxanës që vinin nga Jezuitët dhe nga Fretnit. Në klasën time, ndër të tjerë erdhën Qemal Stafa, Xhemal Broja, Pashko Gjeçi, Vasil Llazari, Spiro Bellkovi, etj. Deri n’atë kohë për asnji lloj ideologjie nuk flitej kund. Me ardhjen e këtyne djemve të ri filloi nji gjallni në krejt shkollën. Në fillim u mendue të shtihej në dorë shoqnia “Besa Shqiptare”, e cila n’ato kohna ishte në apati të plotë. Në bazë të Statutit të kësaj Shoqnie, kishte mundsi për veprimtari ma të gjana kulturore, artistike, letrare dhe sportive. Aktivitete, ku mund të grumbulloheshin e të aktivizoheshin të rinjtë e shkollës. Filloi kështu të shkundej pluhuni i apatisë. Me pak mundim e pak peripeci kjo Shoqni u mor nga “grupi përparimtar”. Menjiherë filluen veprimtaritë. Gjendja financiare e Shoqnisë ishte përtokë. I duhej kushtue randësi teatrit, mbasi ishte i vetmi burim të ardhunash. Na duheshin parà, sepse kishim qëllim të nxirrnim edhe revistë tonë. Pra, u krijue nji gjallni dhe entuziasëm në krejt Gjimnazin. Por, as indoktrinim e as ideologji ende s’shifej kund. Në kët kohë vjen në Shkodër Selim Shpuza. Kontaktin e parë ai e mori me Zef Malën që njihej pak a shumë si njeri i ditun, i përgatitun mirë dhe me idena të majta. Aty u takua dhe rrinte shpesh me Prof. Skënder Luarasin, që ishte edhe Drejtor i Konviktit “Malet Tona”. Doemos të gjitha këto kontakte baheshin me kujdes dhe në konspiracion ma të madh. Pikërisht në valën e punës, kur ishim duke përgatitë shfaqjen e dramës “Spiuni” – m’njoftojnë se të nesërmen mbasdreke do të takoheshim në shtëpinë e Ramiz Xhabisë. Shtëpia e Ramizit ishte në nji vend mjaft të përshtatshëm e konspirativ për mbledhje të tilla klandestine. Do të shkonim nji nga nji në orë të ndryshme të ditës, me libra në dorë sikur shkonim me studiue bregut të Liqenit, që ishte aty afër. U mblodhëm. Ishim Vasil Llazari, Xhemal Broja, Ramiz Xhabija, Qemal Stafa dhe unë. Isha i vetmi përfaqësues i Konviktit “Malet Tona”. Foli Vasil Llazari. Na tregoi qëllimin e mbledhjes, na foli për komunizmin, u ndal shumë për konspiracionin dhe për randsinë që kishte formimi i kësaj celule të parë komuniste të Gjimnazit të Shkodrës.

Gjimnazi i Shkodrës VI B - 1936
Gjimnazi i Shkodrës VI B – 1936

Pjesa e dytë e pyetjes është nëse idetë komuniste të asaj kohe ishin “modë”? E vërteta asht se nji pjesë e madhe e gjimnazistave ishin të etshëm për nji “rinovim” të krejt strukturës shtetnore e shoqnore të vendit. Kjo dëshirë e tyne shprehesh në hartimet e tyre, në biseda, në shfaqjet teatrale dhe në at revistë që së shpejti kishin ndërmend ta nxirrnim. Mund të duket vërtet “modë”, po të mendohet se nukleusi i parë komunist i Gjimnazit të Shkodrës përbahej nga djem pasanikësh! I vetmi i papasun ndër ta isha unë, konviktori i “Malet Tona” dhe emigrant kosovar. Megjithatë, ndonëse s’kishim nji kulturë të mirëfilltë komuniste na ishim për nji Shqipni të drejtësisë, të lirisë dhe demokracisë.

A keni besuar vërtet atëherë se vetëm komunizmi mund ta shpëtonte Shqipërinë? Dhe me që jemi këtu, ç’mendoni për orientimin e atëhershëm të këtyre grupeve, ato ishin të orientuara gabim që në fillim apo devijimi i tyre nisi më vonë pas formimit të partisë komuniste. Doemos, po të mos kishim besue në nji gja të tillë s’do t’i futeshim asaj pune. Sa për orientimin, këtë e kishim të paktë dhe për kompensim përpiqeshim me u ba vetë krijues të ideologjisë komuniste. Ndër ne studentët, ma i pregatituni në kët drejtim ka qenë Vasil Llazari. Ky kishte kontakt direkt me Zef Malën dhe ky i fundit me Selim Shpuzën, që kishte jetuar disa kohë në Bashkimin Sovjetik dhe sillte prej andej eksperiencën e tij komuniste… Nëpërmjet profesorit të frëngjishtes Paul Goujon-it, merrnim revista e gazeta të së majtës që botoheshin në Francë. Na kishin ardhë edhe disa libra të Trockit. Ashtu të etshëm me ditë gjithçka s’lamë gja pa lexue. Nji ditë Qemal Stafa na tregoi se kishte lexue diçka nga Mihail Shevçenko dhe kënaqesh me nji episod ku autori tallej me Gjeneralin Popullor Budioni dhe me mustaqet e tij. Me kët donte me theksue se sa demokraci e sa liri shtypi kishte në Rusi!!! S’ka as ma të voglin dyshim se imazhi ynë për komunizmin ishte krejt ideal dhe njerzor. Devijimet për të cilin po flisni ju erdhën ma vonë, mbas formimit të partisë. Fakti se të gjithë këta nismëtarë e në mënyrë të veçantë anëtarët e grupit të Shkodrës, të cilët Diktatori o i zhduku fizikisht ose i eliminoi ndër burgje e internime të gjata, flet ma së miri se çdo gjë asht ba ma vonë – nën ndikimin e egër sllav.

Nasho Jorgaqi në një libër të vetin ju quan “renegat” – si, dhe pse, u shkëputët nga grupi komunist i Shkodrës? Me kalimin e kohës grupi erdhi duke u organizue ma mirë. Filluem me u nda në celula treshe. Materiali propagandistik na vinte nga Mali i Zi në broshura të vogla. Filluen kontaktet me studentë dhe puntorë komunistë malazias. Takimet i banim o në Vrakë o në Kala të Rozafatit. Në këto takime unë isha i pashmangshëm mbasi isha i vetmi që njifsha mirë serbo-kroatishten. S’më kujtohet data, po në nji takim që patën me studentët komunistë të Podgoricës, të ardhun në Shkodër “për eskursion”, gjatë nji bisedë disaorëshe, ata na dhanë direktiva konkrete: të sabotojmë institucionet fetare (sidomos ato katolike), të fillonim atentatet dhe vrasjet d.m.th. pra t’ushtronim nji lloj terrorizmi politik etj., bile njenit prej tyne i shpëtoi nji shprehje e tillë: “Vrisni nga këta, se ka shqiptarë sa të duesh…!!!” U trondita! Gjithë at natë reflektova dhe erdha në përfundim se duhej të shkëputesha nga ai grup. E kisha të vështirë mbasi kisha punue mjaft edhe në konviktin e “Maleve Tona”, Ishte krijue edhe aty organizimi celular. Në mëngjes mblodha treshen time Elez Brahën, Hajdar Dushin e Xheladin Hanën dhe u tregova vendimin që kisha marrë. U erdhi shumë keq – por, ishin plotësisht dakort me mue. Në veçanti njoftova edhe shokët e mi: Haki Tahën dhe Emin Durakun. Edhe ata si kosovarë u bindën se ai s’ishte komunizëm, por nji antishqiptarizëm sllav që donte me u hakmarrë me dorën tonë kundra vllazënve tonë. Në mbledhjen ma të parë që bamë në shtëpinë e Ramiz Xhabisë deklarova: “Jam kosovar, i dëbuem prej Kosove prej politikës shoviniste serbe. Kam ardhë në Shqipni, e në Shkodër me studjue e me qenë i vlefshëm për Shqipni e për Kosovë dhe jo me ba politikën e serbit në Atdheun tim. Të jeni të sigurtë se nuk dekonspiroj asgja dhe askënd, prej asaj çka kemi realizue deri sot edhe sikur me ma rrjepë lëkurën…” Sot, di me thanë se i qëndrova atij Betimi! Pra qysh prej vitit 1936, u divorcova dhe preva çdo marrdhanie me komunizmin, bile duke kalue haptas si kundërshtar i tij…

Keni jetuar të famshmet vitet tridhjetë dhe kemi dëgjuar se keni shkruar një libër për atë kohë. Ç’mund të na thoni? Po, asht e vërtetë! E kam jetue at kohë dhe mjaft ngjarje interesante. Shpesh jam ndodhë në vorbullën e ngjarjeve. Asht e vërtetë se për kët periudhë kam shkrue nji libër me titull: “Shqipëria në vitet ‘30”… Për mua dhe simbas kandvështrimin tim, ajo kohë ka qenë nji nga periudhat ma të randësishme të lulzimit të kulturës shqiptare, madje në njifarë mase personalitetet e asaj periudhe i kanë mungue krejt zhvillimeve të mavonshme të Shqipnisë.

Shqipëria në vitet ‘30
Shqipëria në vitet ‘30

Kur ju dëgjoj që flisni për njohjet tuaja më duket sikur kam përpara figura shumë interesante… Sikur të përdornim nji term ekonomik shumë të modës sot, do të thoja se Vitet ’30 qenë nji “boom” i vërtetë i kulturës dhe letërsisë shqiptare. N’ato vite patëm krijimet poetike ma të mira Gjergj Fishta, Lasgush Poradeci, Migjeni, Petro Marko, Nexhat Hakiu, Vedat Kokona, Mitrush Kuteli, Ali Asllani, Musine Kokalari, proza poetike e Nonda Bulkës, publicistika e shkëlqyeme e Krist Malokit, Vangjel Koçës, Branko Merxhanit, vllazënve Toto, Tajar Zavalani, romancierë e novelistë të nivelit të naltë si Ernest Koliqi, Sterjo Spasse, Haki Stërmilli, Mustafa Greblleshi, etj., gazetarë të mirëfilltë si Nebil Çika e Zoi Xoxe, pa përjashtue klasën e shkëlqyeme të klerikëve katolikë, ku krahas shkëlqimit të Gjergj Fishtës, Vinçenc Prennushit, Lazër Shantojës, ishin edhe Anton Harapi, Zef Valentini, Bernardin Palaj, studjues e shkencëtarë si Eqerem Çabej, Justin Rrota, Aleksandër Xhuvani e Selman Riza, muzikantë si Martin Gjoka apo Mikel Koliqi, kangtare si Tefta Tashko e Marie Paluca e shumë e shumë të tjerë që në kët çast s’më kujtohen mbasi lista e tyne asht e gjatë. Pjesën ma të madhe të tyne i kam njoftë dhe kam mësue ose kam punue me ta.

Migjeni dhe Koliqi kanë qënë dy miqtë e tu, madje për Migjenin Ju keni shkruar edhe një libër (natyrisht të pabotuar) ndërsa për Koliqin keni heshtur. Ç’mund të thoni tani për ta? Të dy, edhe Koliqin edhe Migjenin i kam pasë miq dhe motivues në jetën time. Me Ernestin njifesha qysh në vitet e gjimnazit kur e pata profesor historie, edhe ma vonë në redaksinë e revistës “Illyria”, po edhe së fundi kur ishte profesor i Katedrës së Gjuhës Shqipe në Universitetin e Romës. Sa i përket Migjenit, fati e desh që të qëndroja nji verë të tanë me të në Pukë. Isha viti 1936, i cili mund të konsiderohet edhe si viti i krijimeve të tij ma të mira. Ai qe vit i pjekunisë së tij të plotë si poet dhe si prozator. Jetova me të nën kulmin e shkollës verore të Pukës, në dy dhoma ngjitë njena tjetrës. E pashë duke punue e duke dhanë mësim. Bisedoja me të për gjithçka – isha gjimnazist dhe i etshëm me ditë çdo gja. Migjeni ishte përherë i gatshëm, përherë i qeshun, përherë zemërhapun. Në vitin 1964, u përpoqa me i përmbledhë kujtimet në nji libër të vogël “Shënime dhe Kujtime”, i cili për shkak të izolimit tim politik s’mundi me e pa dritën e botimit. Pjesa e dytë e pyetjes asht për Koliqin. Në kohën e diktaturës askush s’mund ta përmendte emrin e Koliqit. Edhe pse Eqerem Çabej, i cili e kishte mik dhe koleg, në konspiracionin ma të madh i thoshte Profesor Skiroit: “Lexoj gjithmonë “Shejzat”. Të lutem, i thuaj Koliqit mos ta ndërpresë por, me çdo sakrificë t’i vijojë”. Për punën dhe veprën e Koliqit kam ndërmend të baj studime të veçanta, mbasi në Romë munda të siguroj materiale të bollshme për jetën dhe veprën e tij…

Mendoni se qëndrimi ndaj tyre deri më sot ka qënë ekstrem apo i afrohet së vërtetës? Për sa i përket Migjenit asht shkrue besoj ma shumë se për çdo poet tjetër shqiptar. Fantazia dhe interpretimi dallkauk dhe i indoktrinuem arriti deri aty sa mendohej ta shpallnin “komunist mbas vdekjes”(!?!) Qysh n’shkrimet e para që botova për Migjenin, gazeta “Drita” – e 9 shtatorit 1938, – thoja se: “…poezia e tij fort e çmueshme nuk i takon asnji drejtimi – veçse shprehjes së ndjenjave të dashunisë njerëzore…”. Në këto vitet e fundit, mbrenda mundësive të mia të jetës në kampin e “dëbimit”, jam përpjekë me shkrue mjaft, si për Migjenin ashtu edhe për veprën e tij. Mendoj se kur të botohen këto shkrime, mund të formojnë nji kontribut modest për ata që do të merren me studime të hollsishme mbi jetën dhe veprën e Migjenit, në kushte ma të mira, ma të lira dhe nën frymën e nji demokracie pluraliste. Kurse ndaj Ernest Koliqit diktatura ka mbajtë nji qëndrim ekstrem dhe poshtnues. Ajo çka më ka dhimbë ma fort asht pikërisht nji shkrim i vonë në nji parathanie mbi Migjenin, ku në mënyrë të paskrupullt fyhesh ky korife i fjalës dhe kulturës shqipe, si Koliqi. Jam i bindun, se ata që e kanë ba nji gja të tillë, shpejt do të pendohen e ndoshta do t’u duhet t’i kthehen me turp pështymës së tyne…

Migjeni dhe Lazër Radi, Pukë 1936
Migjeni dhe Lazër Radi, Pukë 1936

Deri tani jemi mësuar ta shohim Migjenin si një gjeni të zymtë e të mënjanuar ndërsa Koliqin vetëm si kolaboracionist. Ç’mund të na thoni për Migjenin dhe Koliqin Njeri, për intimitetet me ta? Migjenin, kohët e fundit turbekulozi ia randoi së tepërmi shëndetin. Kjo ndoshta ishte edhe shkaku i zymtisë dhe trishtimit të tij, të shprehun në mënyrë të veçantë në poezitë e fundit. Sa i përket mënjanimit të tij, mendoj se edhe kjo ka arsyet e veta. Si natyrë Milloshi ishte njeri i shoqnueshëm, bile edhe gazmor, me nji humor shumë elegant. Shpesh herë mbramjeve, autoritetet lokale të Nënprefekturës së Pukës e ftonin për ndonji seanca pokeri. Migjeni vazhdimisht humbte sepse s’e kish as dinakërinë e kundërshtarëve dhe as fuqinë financiare të tyne. Megjithatë edhe pse humbës e mbante krejt at shoqni me qyfyre të kandshme. E, ashtu siç thotë Cvajgu – Në bixhoz kuptohet karakteri i njeriut, mund të them se Migjeni ishte njeri që e njihte dhe e donte shoqninë. Siç e thashë edhe ma nalt, në poezitë e fundit ai vërtet ishte i zymtë, po “mënjanimi” i tij s’erdhi as nga sëmundja e as nga dobsimi i tij shpirtnor, por nga dëshira – siç ma thoshte vetë – se at dimër 1936-’37, d.m.th. në pushimet shkollore të përfundonte “Novelat e qytetit të veriut”. Mbrenda asaj kohe të shkurtë, ai arriti me i përfundue gjithë novelat e tij. Pra vetizolimi, ishte rrjedhojë e pasionit të tij me i dhanë vehtes mundësi me e mbyllë nji kapitull të randsishëm të jetës së tij… Sa i përket Koliqit – jo vetëm ju, rinia e sotme, por edhe brezat e maparshëm, e keni njoftë vetëm nën nofkën e “kolaboracionistit”. Kjo asht nji fatkeqsi që kërkon kohë me t’u shkulë nga “mendjet e shplame”. Por, jo veç kjo fjalë! Kanë qenë të shumta parrullat e famshme të parafabrikueme në arsenalin e propagandës komuniste si: kolaboracionist, tradhëtar, spiun, agjent, poliagjent, trafikant armësh, i shitur, kalemxhi, etj. etj. Mendoj se ju të rinjtë e Shqipnisë Demokratike duhet të distancoheni prej kësi shprehjesh bajate dhe helmuese propagandistike. Përpiquni vetë që mbas çdo epiteti të tillë, të ndaleni tek “njeriu” te “artisti” dhe te “vepra” e tij… Studjoni vetë dhe nxirrni konkluzione të reja konkluzione që iu afrojnë te e vërteta. Dhe do ta shihni se Koliqi ka me ju shfaqë krejt ndryshe nga ajo çka e ka paraqitë propaganda komuniste, e perfeksionueme në sharje, shpifje dhe denigrime njerzish dhe personalitetesh. Kthehem te Koliqi. Siç e njoh unë dhe siç e paraqet vepra e tij, ai asht ndër atdhetarët dhe shkrimtarët ma të shquem që ka nxjerrë Shkodra, bashkë me Luigj Gurakuqin e Vaso Pashë Shkodranin. E gjithë vepra e tij e sidomos, kohnat e fundit para vdekjes me revistën “Shejzat” shihet e gjallë kjo frymë intelektuale dhe ndjenja e naltë patriotike e tij.

Jeni nga publicistët e rinj të njohur të asaj kohe. A keni diçka për të thënë për veten dhe për shtypin e asaj kohe? Kam shkrue në tri periudha të ndryshme: Në kohën e Zogut deri në vitin 1939: si gjimnazist jam marrë kryesisht me shkrime të vogla letrare: me skica, me prozë poetike, me përshkrime të shkurta dhe poezi. Gjatë kohës së pushtimit: kam shkrue artikuj për të përditshmen “Tomorri” që drejtohej nga Vangjel Koça, mik dhe udhëheqës shpirtnor i imi. Në kët gazetë kam bashkëpunue për afro nji vit dhe kam shkrue nji varg të gjatë artikujsh. Bashkëpunimin në kët gazetë ma ndërpreu Drejtoria e Shtypit, mbasi qeveria Jugosllave kishte protestue pranë qeverisë italiane, për karakterin irendentist të artikujve të mi, ku unë aludoja për “…nji sulm të mundshëm të Italisë kundër Jugosllavisë…!!!”. Mbas kapitullimit të Italisë kam bashkëpunue me gazetën “Bashkimi i Kombit” drejtue nga intelektuali Akile Tasi – shqiptar i vërtetë dhe njeri i jashtzakonisht i ndershëm. Artikujt e botuem në kët gazetë kanë frymë bashkimi dhe karakter irredentist, me nji dashni të veçantë për Kosovën time martire, e cila n’at kohë po shqetësohej prej bandash çetnike. Me këta artikuj konsiderohej se kisha mbrritë nji pikë mjaft të naltë në publicistikën shqiptare dhe mund të them se artikujt e mi qëndronin në nji nivel me artikujt e publicistave me eksperiencë si Xhelal Mitrovica, Masar Sopoti, Eqerem Telhaj etj. etj. Artikujt e shkruem në vitin 1944, i lexoj edhe sot me andje. Shumicën e tyne i kam firmosë me pseudonimin “Ushtima e Sharrit”, me inicialet L.R. ose thjesht pa emën, siç ishin pjesa ma e madhe e kryeartikujve.

Mbaruat gjimnazin në mënyrë të shkëlqyer dhe befas, falë rastësisë, morët një të drejtë studimi për në Itali, gjë mjaft e vështirë për një emigrant si ju. A mos ky moment ka ndryshuar vërtetë gjithçka në jetën tuaj të më vonëshme? Posa mbarova shkollën e mesme, dhe dëshira e madhe me vazhdue studimet e nalta, më shtynë me iu drejtue me nji letër Mbretit Zog. Nuk pata përgjigje! Iu drejtova me nji letër të dytë. Nga fundi i korrikut, ndërsa isha me pushime te Currilat, më vjen im vlla pa frymë dhe më njofton se m’kërkonte mbreti në plazhin e Durrësit, në palafitën e tij të ndërtueme mbrenda në det. Mbasdreke u paraqita në hymje ku më doli nji oficer. I them se më kërkue vetë Mbreti. U fut brenda dhe pas pak minutash del e më njofton se duhej të paraqitesha në vilën dykatëshe përbri ku do të më priste Lalë Krosi… U zemërova… dhe u ktheva në Durrës i dëshpëruem pa takue askënd! Mbas disa ditësh më ra ndërmend Don Anton Zogaj, famulltari i Durrësit. Si miqsi familjare, mendova t’i lutesha atij që të ndërhynte pranë Ambasadorit të Italisë, Jakomonit me m’akordue nji bursë. Don Antoni ma dha rekomandimin dhe u interesua gjallnisht deri sa më nxorri jo bursën por edhe nji ndihmë prej 1000 frangash në vit. Me këtë ndihmë të vogël u regjistrova në Fakultetin e Drejtësisë. Më 4 prill gjej mbi tavolinën e dhomës sime nji bilietë vajtje-ardhje për në Tripoli me motonaven ma të madhe të kohës “Augustus”! Nji biletë treni deri në Napoli edhe ajo vajtje-ardhje si edhe 500 lira italiane në të holla, për ndonji shpenzim të veçantë. I kishte sjellë nji karabinier dhe e zonja e shtëpisë ishte e detyrue të njoftonte nëse isha nisë a jo. M’u duk nji udhëtim interesant dhe e pranova. U nisa. Me 7 prill, ndërsa gjendesha në mes të detit Mesdhe, nga mikrofonat e radios mora vesh se trupat italiane kishin zbarkue në Durrës dhe se vazhdonte pushtimin e vendit pa hasë rezistencë. Aty e kuptova se qëllimi kish qenë me më largue nga Roma për aq ditë sa do të zgjaste pushtimi. Kur u ktheva – gjithçka kishte marrë fund dhe njerëzit vazhdonin jetën dhe punën e tyre si të mos kish ndodhë asgja. Vazhdova studimet. Në pushimet e asaj vere erdha në Durrës dhe vendosa nji ditë të shkoj në Tiranë e të takohesha me Vangjel Koçën, Drejtor i gazetës “Tomorri”. Vangjeli më propozoi të shkrueja në gazetën e tij. Gazetaria dhe publicistika ka qenë përherë andrra dhe dëshira e ime ma e madhe. E pranova. Fillova bashkëpunimin, bile me nji zell të madh. Ky asht ai momenti ma i randsishëm i jetës sime dhe mund të quhet momenti kyç që ndryshoi çdo gja në jetën time të mavonshme.

Pamja e sallës së Gjyqit Special
Pamja e sallës së Gjyqit Special (Lazri në fund)

Më 23 Nëntor 1944 ju u arrestuat dhe Gjyqi Special ju dënoi me 30 vjet burgim.. Ju akuzuan për bashkëpunim me okupatorin. Çfarë do të thoni për këtë gjyq dhe për këto akuza? Ishte nji ditë e zymtë Nantori, kur nji shok i im i dikurshëm i Konviktit dhe i gjimnazit Abaz Sali Shehu – si Kryetar Këshilli i Tiranës së Re – po kontrollonte nji nga nji katër pallatet e Lanës. Atëhere banoja në nji apartament në pallatin e fundit. Nga dritarja po ndiqja gjithë lëvizjet e tij. Kur u fut në hyrjen tonë, hapa derën dhe i thirra. Si shokë të vjetër “u puthëm dhe u përqafuam me mall”. Mbasi u interesua se ku banoja, iku! Nuk kontrolloi asnji apartament në at hyrje. S’kaloi as gjysë ore kur nji togë partizanësh e rrethuan pallatin tonë. E kuptova! Do po më arrestonin! U vesha me rrobe të randa e me çorape leshi. Trokiti porta dhe tre partizanë me mashinka sovjetike në dorë u dhanë përpara. Duke m’u drejtue më thanë: “Ju jeni Lazër Radi… Eja me ne deri në Këshill të Lagjes – vetëm për një pyetje!” Ishte nji tekst shabllon i atyne ditve, ku shumica ekzekutoheshin pa gjyq. Ishte 23 nëntor 1944… gjashtë ditë para se të çlirohej Beogradi, mbasi data e 29 Nëntorit u ba festë kombtare edhe e Shqipnisë!! Ky ishte nji veprim i koordinuem mirë nga jugosllavët që drejtonin partinë komuniste shqiptare në parashikim të nji shkrimje të afërme të Shqipnisë me Jugosllavinë. Më thirrën vetëm për nji pyetje, por, për fat të keq kjo pyetje – zgjati 46vjet, nji muej e 17 ditë, sepse në të u përfshinë burgje, internime e dëbime pafund… U dënova nga Gjyqi Special nën akuzën “Agjitacion e propagandë në favor të qeverisë kuislinge dhe okupatorit fashist”. Fjala ishte për artikujt që kisha shkrue te gazetat “Tomorri” dhe “Bashkimi i Kombit”. Dua të ndalem pak te Gjyqi Special mbasi ky gjyq u shëndrrua në nji arenë të vërtetë cirku: ku rolin e arixhiut e luente prokurori Bedri Spahiu, i cili u tregue vërtet nji mjeshtër improvizimedh dhe i teatralitetit politik. Me thirrje histerike gjoja në kulmin e zemrimit për të akuzuemit, rrëzonte mbrojtjet, ngrinte akuzat, bante sikur kapte mikrofonin dhe sikur do t’i binte kresë të pandehunve të pafajshëm. Në majë të gjuhës e kishte nji fjalë “tradhtarë”, të cilën e përdorte në çdo tri fjalë. Salla brohoriste dhe këndonte kangët e “Hakmarrjes…”. Nji spektakël makabër… Asnjiherë Shqipnia s’kish pasë aq shumë tradhtarë sa ç’dolën ato ditë nga të ashtuquajtunat “Gjyqe të popullit”. Si në serinë e parë të artikujve në gazetën “Tomorri”, qoftë në ata të publikuem në gazetën “Bashkimi i Kombit” unë kisha sulmue Jugosllavinë në mbrojtje të Kosovës martire. Siç duket të mbroje Kosovën asokohe ishte tradhëti kombtare… Pra, nëse kisha ba ndonji faj, atë e kisha ba kundër Jugosllavisë. Megjithatë, preferova ma mirë të dënohesha pa faj nga shqiptarët se sa me faj nga serbo-malazezët.

Një pyetje pak më specifike: luftën ju e keni parë vetëm si një luftë të pastër nacional-çlirimtare apo edhe si një luftë civile që përcaktonte përkatësinë e pushtimit pas saj? S’e kam të qartë pyetjen: ti do me ditë nëse unë luftën e kam pa luftën si luftë për çlirim kombëtar, apo si luftë të bame nga nji parti e vetme me marrë pastaj pushtetin në dorë?!

Pikërisht këtë desha të di: cili është mendimi i juaj? E gjithë lufta e zhvillueme ka qenë nji mashtrim i madh mbarpopullor. Mbas flamurit të çlirimit kombtar fshihej qëllimi i marrjes së pushtetit nga partia komuniste, e cila nga ana e saj, manipulohej prej emisareve të Titos, të kualifikuem e të talentuem për krime e kompllote si Miladin Popoviç, Vukmanoviç Tempo dhe Dushan Mugosha, – të cilët nën maskën e internacionalizmit proletar synonin me gllabërue Shqipninë. Po të ishte nji luftë e mirëfilltë për çlirimin kombëtar s’do t’u kthehej pushka forcave nacionaliste, s’do të prishej marrveshja me krenët nacionalistë, së pari në Pezë me 16 shtator 1942, e ma pas në Mukje me 2 dhe 3 gusht 1943! Pikërisht pse atje theksohej Kosova si pjesë e Shqipnisë!! Për këto arsye ajo s’mund të quhet luftë nacional-çlirimtare, por vetëm nji luftë civile për marrjen e pushtetit.

Çfarë mendimi keni për Enver Hoxhën? Mendjemadh, injorant, vrasës dhe shkatërrues i çdo gjaje të mirë dhe të çmueshme që kishte populli shqiptar.

Po për komunizmin shqiptar? Ashtu si për Enver Hoxhën.

Si e shikoni ju zhvillimin e kulturës paralelisht në Kosovë e në Shqipëri gjatë kohës së diktaturës së Enver Hoxhës? Më pëlqen me përsëritë nji shprehje që e kam thanë edhe diku tjetër që: “Kosova i lindi intelektualët që i duheshin Shqipnia i shkatërroi ata që i kishte…!”

Nga viti 1944 kur u arrestuat e deri në shkurt 1991, kur falë lëvizjes së studentave ju u liruat – keni jetuar një periudhë mjaft të vështirë burgimesh, internimesh e dëbimesh. Jo vetëm unë dhe familja e ime, por krejt Kombi, duhet t’u jetë mirënjohës atyne fuqive të mëdha që rrëzuan Murin e Berlinit po dhe lëvizjes studentore shqiptare që iu kundërvu diktaturës… Liria asht edhe vepra e tyne madhështore. Me nji rini të tillë, e ardhmja e këtij vendi s’ka si mos të jetë e shkëlqyeme. Për nji gja më vjen keq: pjesën ma të mirë të jetës e kalova burgjeve e kampeve. Siç, e thashë ma nalt 45 vjet: janë nji jetë e tanë. Sa do t’i kisha dhanë këtij vendi me at entuziasëm e vullnet që kisha, në at kohë. Erdha si emigrant dhe me shumë sakrifica munda t’i kryej të plota të gjitha studimet. Nga Kosova erdha në Shqipëri, por edhe këtu jetova fatin tragjik të Kosovës. Po ai qëndrim që mbahej ndaj Kosovës, u mbajt edhe ndaj kosovarëve që ishin ose që erdhën më vonë në Atdheun – amë.

Ne u takuam bashkë në Itali këtë vit kur pas gjysmë shekulli ju dëgjuat të ju thërrisnin përsëri Dr. Radi dhe në fund të fundit t’Ju respektojnë si njeri e jo si i persekutuar apo i emargjinuar. Ishte një ëndërr apo diçka më tepër? Në Romë, në qytetin ku u realizova dhe u shkatërrova si intelektual, kthimi pas pesëdhjetë vjetësh i tejkaloi krejt kufijtë e andrrës. Atje shkova të takoj rininë time të humbun, shkova të takoj Romën magjike që m’i ndezi andrrat, të takoj shokët dhe miqtë e dikurshëm; të takoj edhe gjithçka shqiptare që ka ai qytet: duke filluar nga Holta Çakçirin, pafajsisht e mbetun e dënueme, Nermin Vlora-Falaskin, kët grua të shkëlqyeme që krenarisht e shfaqte qenien shqiptare, nga Sheshi Skënderbeg e deri tek Zoja e Shkodrës në Gjenacan, nga varri i Koliqit tek refugjatët e shumtë shqiptarë… Pra, në Romë kërkova të takoj gjithçka shqiptare: dhe ju gjeta edhe ju, gjeta edhe gazetarët shqiptarë të RAI-t Albert Akshinë, Petro Vuçanin e Gjon Kolndrekën, gjeta shqiptarin fisnik Taf Previzi politikanin e shkathët Dr. Mentor Çoku… gjeta diçka nga rinia ime e humbun…

*Nuk ka informacion mbi datën e publikimit të intervistës por fakti që është mbas nji viti nga takimi me Blendi Fevziun, do të thotë që është e vitit 1992-93…

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.