back to top
19.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Bisedë në heshtje me Musine Kokalarin – nga Nashi Brooker

Gazeta

Musine Kokalari (1917-1983)
Musine Kokalari (1917-1983)

Bisedë në heshtje me Musine Kokalarin

nga Nashi Brooker

Emri yt Musine është më i madh se jeta e miliona njerëzve (you are larger than life) thonë në anglisht. Ti nuk më ke imponuar mua dashurinë për ty, as dedikimin, as adhurimin. Atë e kam takuar ashtu rastësisht, duke kërkuar dhe analizuar disa dhimbje të miat. Besomë se të tregoj të vërtetën. Edhe unë si ti, jam lindur dhe rritur pranë një mali si yti në Gjirokastër. Rrëzë malit ishte dhe shtëpia ime e vogël ku në dy dhoma jetonin 10 persona. Gurët e malit ashtu si yti ishin të bardhë. Sherebela, trumza, trëndelinat, pushtonin malin. Por me një ndryshim të madh; shtëpia ku u rrite ti edhe sot është impresionuese. Koha nuk e ka përkulur pavarësisht stuhive të përjetuara ashtu si papërkulja jote.
Vjershat, skicat, librat dhe shkrimet tua janë të zemrës së një gruaje që vuan nga padresjtësia, pabarazia sociale, prapambetja dhe shtypja, por vjen nga një pendë e lehte e një artisteje, ashtu si hapat e tu, si zëri yt i qetë por bindës dhe imponues. Penda jote është toni yt dhe zërat e gjysheve që Ismail Kadare përdor në librin “Kronikë në Gur”. Papërkulshmëria jote inspiron Kadaren në librin Vajza në Internim. Më ka lindur pyetja nëse Kadaresë i ranë librat e tu në dorë. Sikur ti ta dije të vërtetën. Sikur ne ta mësonim të vërtetën, ne gratë të merrnim ty nga gjithë lulet rritur në ferrë, lulen më të bukur, më të mençur, më dinjitoze dhe të bënim paradën e gruas së parë shqiptare e cila sfidoj çdo formë dhune të trashëguar nga e kaluara në Shqipëri, por edhe atë të fermentuar gjatë luftës me emrin komunizëm.
Sa do të doja të tregoja të gjitha çka kemi mësuar sot, por, nëse do ishe me ne, ti do kishe vërejtur ato atëhere. Do na kishe treguar se gruaja përdorej si skllave në kooperativat dhe fermat bujqësore. Gruaja nuk kishte asnjë lloj barazie e trumpetuar nga komunizmi. Gruaja vdiste nga abortet ilegale. Bebe të lindura apo të abortuara në shtëpi në mënyrat më primitive dhe barbare, vriteshin sapo merrnin frymë, vetëm pse ishin jashtë martese. Gruas socialiste nuk ju dha asnjë ndihmë mjeksore, por ishte me ligj të lindte fëmijë revolucionarë që të luftonin forcat demokratike, që ti aspirove deri në ditën e fundit. Vjehrra që vendosnin për fatin fëmijëve të porsalindur, por të jashtëligjshëm ishte makabër. Ndoshta ti e dije! Ndoshta edhe ne i dinim! Krimi, poshtërimi, frika, ligji që “shkelej” ligji që ti kurrë nuk e shkele, ai ligj, ai i ligjit, ai që zotëronte ligjin hidhte kamzhikun derisa fillonin kujet në skutat më të errëta të jetës.
Krijimtaria jote prej gruaje Musine u shua nga ai, ata, ai burrë i asaj zyre, dikasteri, partie, agjenti dhe vetëm burra, burra, burra të cilët organizonin terrore në çdo qelizë të jetës. Çdo letër vendosej, firmosej, shkërmoqej po nga burra. Gruaja nuk ishte forcë pune as e para, jo ajo ishtë forca e dytë. Por ti vetë e di, e pe, e provove dorën totalitare të burrave të cilët flisnin për liritë e gruas, emancipimin e saj, kur ajo si ti vetë bënte punët më të rënda në bujqësi, fabrika, ndërtim, hapte kanale, toka të reja për lulëzimin e socializmit. Në një rast Musine, nëse nuk e ke ditur, Nexhmije Hoxha që ti e ke njohur, zbriti nga makina e saj lluksoze kur pa një grua nga fshati që mundohej të shiste diçka dhe i tregoj se “socializmi nuk ka vend për pronë private”. E mjera grua fshatare çfarë mund të ketë provuar në ato momente!
Nuk e di nëse e di se një grua tjetër padashje ulet mbi gazetë ku ishte fotoja e Liderit. Priste të merte qumësht në radhë siç e ke provuar edhe vetë. Gra dhe burra të tjerë revolucionar e panë që portreti i të Madhit ishte zhubrosur dhe “Zot na ruaj, gruaja iku nga sytë këmbët”. Vetëm të tregoj diçka personale; dhe e di që je e interesuar ashtu siç ke qënë gjithmonë. Ime më është e çalë ashtu si Fatimeja, kujdestarja jote kurde. Një ditë ime më merr motrën e vogël në krahë se ishte sëmurë. Të vinte në spital për të me apo pa fëmijë në krahë do ecte 5 km ardhje 5 kthim. Kjo është një çopëz jete e nënës time. Nuk do ta harroj kurrë!
.
Musine Kokalari (Muza)
Musine Kokalari (Muza)
Nga autobiografia jote e përpiluar nga Bibika Kokalari na tregon se në familje besimi fetar nuk praktikohesh dhe aq shumë. Fokusi ishte edukimi. Sa me fat ke qënë. Sa pa fat ishin mijëra gra të tjera në ato vite. Ti kërkove të ndryshoje diçka me pendën dhe mendjen tënde por të premtoj që idetë tuaja nuk do dalin kurrë jashtë mode. Ti je boshti i ndërtimit të së mirës, së bukurës, se drejtës dhe humanizmit por edhe i sakrificës.
Do të doja të thosha se në gjyqin tënd erdhën spektatorë brenda në sallë dhe jashtë saj. Le t’i quajmë spektatorë që të mos i ofendojmë se nuk na ka hije. Ndër të tjera thërrisnin që ti dhe të tjerë në atë sallë të vareshin në litar. Nuk do çuditem që në heshtjen tënde të përjetshme në ato momente mendove se hipokrizia është vrasëse. Sipas vrojtimeve të zakoneve besoj se ke vënë re se shqiptarët kur dikush vdes shkojnë në varrim mijëra njerëz. Po ashtu ngushëllimet janë pafund. Respekt, respekt, respekt është një fjalë që përdoret me shumicë! Nuk e di nëse mundesh t’i përgjigjesh këtij kontradiksioni të kësaj shoqërie. Kur vdes dikush edhe me 1946-ën, kishte vajtime të të ndjerit. Në këto vajtime shprehet vetëm dashuri dhe një refuzim i pranimit të vdekjes. Në rastin e thirrjeve për varje në gjyqin tënd, ishte diçka e padëgjuar më parë. Diçka tragjike dhe tronditëse për një vend të ri si Shqipëria ku Rilindasit tanë kërkonin vetëm vllazni. Ndoshta disa nga ata/ato që thërrisnin “në litar, në litar” kanë shkuar për ngushëllim tek ata që në fakt u ekzektuan. Kush e di! Sikur ta dinim! E dimë atë që Lideri i dha një dhuratë nënës së Aqif Kashahut për Vitin e Ri duke ditur aq ai do të ekzekutohej. Dhurata ishte shall zie!
Ti Musine provove vuajtjet e çdo segmenti të komunizmit. Të morën rininë, u munduan të reduktonin në një punëtore krahu. Të treguan se gratë dhe ti ndër to ishit krahë pune, skllavëri për ndërtimin e diktaturës. Të thanë se dole nga burgu si rrobaqepëse. Por çfarë nuk mund të mos arrinte Musineja me zgjuarsinë e saj. Por edhe rrobaqepse nuk të lejuan sepse destinacioni yt ishte shkatërrim total fizik dhe intelektual. Ti ishe lulja që shumë e morën dhe nuk e vunë në xhaketat djaloshare ashtu si ëndërroje, por ishe lulja e diturisë. Lulja që u kallte frikën instikteve primitive të luleshkelësve.
Do kisha qënë me fat të kisha qënë nxënesja jote. Por, po të tregoj se mësuesja ime më e dashur ishte nga familja e Kajanakve të Elbasanit, që ti i ke njohur. Sikur të kisha qënë mikesha jote! Ah sikur! Të kisha parë sytë e tu të mëdhenj plotë jetë dhe xhentilesë. Ndoshta do kishim biseduar për dashuritë e paprovuara. Martesat e dështuara, fëmijë të abortuar dhe braktisur nga Nëna Parti dhe Babai Enver. Do kishim folur për brohoritjet për dashurinë për të Madhin dhe do ta krahasoja atë me thirrjet naziste. Do të tregoja se unë vetë më thërrisnin “armike” kurse ty “po kalon Fulzja”. Unë do isha e magjepsur pas botës tënde siç jam edhe sot. Ti ishe e bukur e famshme me titull doktor, flisje gjuhë të huaja, kishe jetuar në Itali, kurse unë një vajzë e një fshatari me origjinë të mesme. Ti je frymëzimi im sot. Do të doja të pyesja nëse e shihje veten tënde afër Edith Durham kur ishe në Rrëshen. Me patjetër që ndjeje praninë e saj në ato vite, mundet edhe afërsinë më të.
Je dhurata e jetës sime! Je gjyshja ime që unë nuk munda të kisha pranë. Nga vitet e lindjes po, po, je gjyshja ime! Por gjyshja që unë pata fatin ta njoh në një moshë kur edhe vetë mund të isha gjyshe sot. Ti je tashmë çdo qelizë e qënies sime, dhe zotëron çdo sekondë të jetës sime. Të tregoj me sinqeritetin më të madh se edhe kur zgjohem nga gjumi ti vjen aty te shtrati me hapat e lehtë ashtu si unë e imagjinoj ecjen tënde. Ne bashkë jemi lidhur përjetësisht. Të premtoj se qënia jote është tashmë çimentuar në mijëra gra të tjera të kombësisë shqiptare por adhuruesit tuaj janë edhe internacionalë. Ti erdhe në këtë botë ashtu si çdo qënie tjetër… dhe u largove ashtu si çdo kush nga ne, që kur jemi të rinj mendojmë se vdekja është për dikë tjetër, që ne as nuk e dimë se ka ekzistuar.
Oh, sa shumë kam për të të thënë e treguar. Ti bën pjesë në La Belle Époque. Çdo gjë rreth teje është magjepse! Çdo fjalë jotja është thesari i shqiptarëve. Çdo vuajtje jote është heroizëm e stoicizëm. E ardhmja jote Musine sot është më e ndriçuar se kurrë….
.
10 shkurt 2021.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.