back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Biografia e Isuf Luzajt, është biografia e vendit të tij, e Historisë Moderne… nga Visar Zhiti

Gazeta

Isuf Luzaj - Një Shtizë Diell mbi Atdhenë
Isuf Luzaj – Një Shtizë Diell mbi Atdhenë

Biografia e Isuf Luzajt,

është biografia e vendit të tij, e Historisë Moderne…

nga Visar Zhiti

Isuf Luzaj është një figurë emblematike e kulturës dhe e politikës shqiptare. Ai është luftëtar i madh i lirisë, luftëtar i madh i Atdheut, kur u desh të rrëmbejë armën e mori atë, kur u desh të rrëmbejë penën, rrëmbeu dhe penën. Ai i dha kohës, pikërisht atë që donte ajo.
Biografia e Isuf Luzajt, është biografi e vendit të tij, e historisë tonë moderne.
Është nga Kanina e Vlorës, vendi nga ka dalë mbretëresha, e shoqja e luftëtarit të madh të Europës, trimit të madh, Skënderbeut, është vendi i Ismail Qemalit, i kryeministrit të shtetit modern shqiptar… aty lindi Isuf Luzaj dhe u shkollua në këtë mjedis, gjimnazin e kreu në Shkodër dhe donte të vazhdonte atje ku ishin universitetet më të mëdha; në Romë, Paris… por nuk i doli bursa. Është e mrekullueshme ta thuash, që ai shiti nga pasuria e tij, shiti tokë, shiti ullinj për t’i shndërruar ato në kulturë, për t’i shndërruar ato në investim për vendin, kur ai kishte aq shumë nevojë. Mbaroi në Sorbonne, mori dy doktoratura atje, doktoraturën në filozofi dhe në letërsi. U kthye t’i shërbente vendit, punoi në arsim, në Lice e gjimnaze të ndryshme të vendit.

Isuf Luzaj Cikago shkurt 1993
Isuf Luzaj – Cikago shkurt 1993

Krahas intelektualëve më të mëdhenj të vendit, me Mit’hat Frashërin, Stavro Skëndin, Musine Kokalarin, Safet Butkën, organizoi protesta kundër pushtimit, shkruan poezi, vendi kishte nevojë për poezi dhe ai ia dha dhe poezinë e tij, ku u internua e u burgos për to, shkon në Ventotene i internuar, ku njohu personalitete te mëdhenj të Europës, të Italisë, institucionalistë të mëdhenj, si Alessandro (Sandro) Pertinin, Spinellin, të cilët mbahen si ideatorë të Europës së Bashkuar.
Altiero Spinelli, në kujtimet e tij thotë se ka njohur shqiptarë dhe veçon Zai Fundon, i cili ishte shok, mik idealesh i dashurisë për atdhe dhe me Isuf Luzajn. Do të thosha, se po të rrëmojmë më shumë në këtë Europë të Bashkuar, që po e lakmojmë që është kaq e bukur, ka diçka nga vizioni, nga hiret, nga dëshirat e shqiptarëve atje.
U kthye, dhe vazhdoi luftën. Ai që kishte qenë dikur koleg dhe shok me të, por që s’mundi dot të diplomohej, diktatori i ardhshëm, solli një fitore, që më shumë se sa fitore ishte një humbje e shqiptarëve. Ai solli një rrënim të madh shpirtëror dhe kulturor, njëkohësisht ai ishte si të thuash, gjahtari i shtrigave, i atyre intelektualëve që mund të bënin Shqipërinë, që bënin kulturën e saj. Ai duke qenë ndryshe ai ishte si të thuash, xheloz edhe shfarosësi i tyre.

Intervistë në shtëpinë e Isuf Luzajt
Intervistë në shtëpinë e Isuf Luzajt

Isuf Luzajt i duhej të mërgonte dhe iku pastaj, se meqë në Argjentinë kërkohej një i diplomuar me Sorbonnën, gjë që ndër të paktit e kishte Isufi, shkoi në Argjentinë dhe hapi katedrën e gjuhës frënge. Që atje botonte në shtypin amerikan, në të gjithë shtypin e rëndësishëm, ese filozofike, ese kulturore, poezi, shkroi roman, ajo që është më e rëndësishme për ne, ka dhe memorie të tillë për historinë e Shqipërisë, të cilat ende nuk po dalin në dritë. Ato do të shpjegonin shumë, do të shpjegonin atë, po do të shpjegonin vendin, do të shpjegonin kohën.
Prej andej, meqenëse Balli Kombëtar kishte nevojë për një lider të ri në ShBA, u thirr dhe ai shkoi dhe u zgjodh Kryetar i Ballit Kombëtar në Amerikë. Ndërkohë ai drejtonte katedrat dhe ka marrë vlerësimet më të mëdha, është dekoruar nga presidenti Regan, si figurë e shquar e kulturës në Amerikë, ky njeri që erdhi nga Argjentina, mik i shkrimtarit të madh ndër më të shquarit e të gjitha kohërave, Jorge Luis Borges.
Isufi ndiqte me vëmendje politikën dhe zhvillimet në Shqipëri. Atdheu, edhe pse larg, ishte brenda tij, ishte në shpirtin e tij dhe porositë e tij janë të vlefshme, janë të çmuara, porosi të një europiani e një intelektuali të madh i përmasave europiane dhe amerikane.

Dorëshkrim i Isuf Luzajt për Konferencën e Mukjes
Dorëshkrim i Isuf Luzajt për Konferencën e Mukjes

Mosha, koha bëri të vetën, ai mbylli sytë kur mbaroi mijëvjeçari dhe do fillonte mijëvjeçari i ri. Porosia e tij ishte që të kthehej në baltën e Kaninës, trupi i tij është sjellë në Kaninë. Jeta e tij e përsëris, është një copëz e historisë moderne, vepra e tij ka rëndësi të madhe, ajo po fillon të njihet, por nuk është dhënë e plota, presim me padurim do të thosha memorialin e tij, historinë e tij, të cilat dëshmojnë Shqipërinë, luftën, perspektivën. Është një figurë, aq sa e rëndësishme e së shkuarës, i shërben së tashmes edhe është një nga ndjellësit më të bukur si intelektual i së ardhmes.
(Shkëputur nga libri “Isuf Luzaj – Një Shtizë Diell mbi Atdhenë” me autore Zyba Hysen Hysa)
Marre nga http://pressindependent.altervista.org

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.