back to top
22.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

“Beteja e parë e Pollogut (22 prill 1453)” – nga Paulin Z. Zefi

Gazeta

Studiesi Paulin Z. Zefi
Studiesi Paulin Z. Zefi

“Beteja e parë e Pollogut (22 prill 1453)”

nga Paulin Z. Zefi

*Fitoret e njëpasnjëshme që arriti Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në Krujë (1450), në Modricë dhe Meçad (1452), u dhanë zemër luftëtarëve arbër, të cilët krijuan një besim dhe siguri të plotë në forcat e veta. Gjithashtu, ata u motivuan së tepërmi edhe nga ndihmat që morën nga mbreti i Napolit, Alfonsi V i Aragonës, pas nënshkrimit të Traktatit të Gaetës (26 mars 1451), dhe nga mbështetja morale, shpirtërore e materiale e Selisë së Shenjtë. Ndërkohë që nga Edirneja po vërshonin njoftime të shumta në lidhje me përgatitjet e ethshme të sulltan Mehmetit II për të pushtuar Kostandinopojën, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu e shfrytëzoi këtë mundësi të artë për t’u angazhuar seriozisht në politikën rajonale. Në fillim të vitit 1453, intensifikoi sulmet kundër zotërimeve veneciane në Durrës, Lezhë, Danjë, Drisht dhe Shkodër, si kundërpërgjigje ndaj provokimeve të armatosura që zhvilluan bandat veneciane në zotërimet e tij. Këto inkursione të fuqishme që kishin nisur në muajin dhjetor të vitit 1452, vinin në një kohë kur Republika Veneciane po i vononte provizionin vjetor prej 1.400 dukate ari. Venecianët ia kishin vonuar pagesat menjëherë pas nënshkrimit të Traktatit të Gaetës me Mbretërinë e Napolit, sipas të cilit, Venecia humbiste influencën e saj mbi Shtetin e Lidhjes së Lezhës. Me 5 mars 1453, Alfonsi V i Aragonës, i shkruan dozhës së Republikës Veneciane, Francesco Foscari, që tashmë nga rivalë ishin kthyer në aleatë, që të tregohen më të kujdesshëm me Gjergj Kastriotin – Skënderbeu, duke i dhënë atij 1.400 dukatet e papaguara dhe të mos u jepnin strehë armiqve të tij në territor venecian, sepse ai, nga ana e vet i ishte përmbajtur marrëveshjes së nënshkruar me Sinjorinë në vitin 1448 (1). Ndërhyrja e mbretit Alfonsi V erdhi si rezultat i kërkesës së Gjergj Kastriotit -Skënderbeu nëpërmjet ambasadorit të vet, Ezop Zguri, para 5 marsit 1453 (2). Ndërhyrja e sovranit aragonez, i dha menjëherë rezultatet e pritura. Me 23 mars 1453, përfaqësuesit e lartë të Republikës së Shën Markut i akordojnë liri të plotë veprimi rektorit dhe Këshillit të Vogël, që t’i shkruajnë Gjergj Kastriotit -Skënderbeu “ashtu siç është thënë”, dhe nuk tregohet se për çfarë bëhet fjalë, por ndoshta lidhet me vendimin e marrë me 26 mars 1453 për t’i dhënë Vladislavit të Bosnjës një anije për te Kastrioti(3). Pas normalizimit të marrëdhënieve me venecianët dhe ndërkohë që autoriteti i Gjergj Kastriotit – Skënderbeu tashmë kishte arritur deri në zenit, ai urdhëroi që të mobilizohej ushtria për t’i udhëhequr në një ekspeditë çlirimtare në territoret arbëre, të cilat ishin pushtuar nga sulltan Murati II gjatë rrethimit të Sfetigradit (14 maj deri me 31 korrik 1448). Inkursionet e ushtrisë arbëre që u zhvilluan në perëndim të zotërimeve osmane në Ballkan (Maqedonia e sotme) në fund të vitit 1452 dhe që vazhduan edhe në fillim të vitit 1453, goditën çdo kështjellw apo fortifikatë turke, duke nisur nga Sfetigradi. Më pas, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu çliroi sipërfaqe të mëdha territoriale të banuara me shumicë arbëre, por edhe me popullsi sllave (bullgare) dhe vllahe. Ekspedita kryesore u përqendrua në fushën e Pollogut ku Gjergj Kastrioti – Skënderbeu mori në zotërim të gjithë këtë rajon të pasur që përpara pushtimit osman kishte qenë një zotërim feudal i dajave të tij me qendër në Gradacium (Gradeci i sotëm) dhe më pas i kishte kaluar të atit Gjon Kastrioti. Ushtria Arbëre e udhëhequr mjeshtërisht nga Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, përparoi aq shumë në drejtim të lindjes sa iu afrua edhe qytetit të Shkupit ku ndodhej selia e armiqve të tij tradicionalë, familja e madhe turke e Evrenozëve. Kjo ngjarje alarmoi të gjithë krerët më të lartë të administratës osmane, të cilët u ankuan dhe kërkuan ndihma urgjente nga ana e sulltanit. Asokohe, Mehmeti II, i kishte përqëndruar të gjitha forcat ushtarake osmane në rrethimin e kryeqytetit perandorak bizantin, rrethim që zgjati nga data 6 prill e deri me 29 maj 1453. Prandaj, pavarësisht zhvillimeve të frikshme në Arbëri, sulltani i ri 21-vjeçar, ishte fokusuar vetëm për realizimin jo vetëm të ëndrrës më të madhe të jetës së tij, por edhe ëndrrën e hershme të para’ardhësve të vet nomadë, turko-mongolë. Por në kulmin e rrethimit të Kostandinopojës, Sulltan Mehmeti II, i tërbuar nga sukseset e fushatës ushtarake që po zhvillonte Gjergj Kastrioti – Skënderbeu brenda territorit të Perandorisë Osmane, u detyrua që ta ndajë një pjesë të mirë të ushtrisë që përbëhej nga 14.000 kalorës(4) dhe i dërgoi në drejtim të Shkupit me qëllim për të frenuar këtë ofensivë kaq të fuqishme. Komanda e ushtrisë osmane iu besua një miku të vjetër dhe ish-bashkëluftëtari të Gjergj Kastriotit – Skënderbeu, i cili quhej Ibrahim Beu. Ibrahim Beu ose Ibrahim Pasha, që Dh. Frangu e përmend me emrin Debreambeg, M. Barleti si Debrea dhe G. Biemmi e quan Dibrea, doli vullnetar përpara sulltanit, duke iu lutur që t’i’a besonte komandën e kësaj ushtrie, e cila përbëhej kryesisht nga kalorës zjarrvënës dhe plaçkitës të pamërshirshëm të njohur si akënxhinj. Pa dyshim që sulltan Mehmeti II ishte i vetëdijshëm se me këto forca të vogla kishte pak shpresa për ta mundur ushtrinë e Gjergj Kastriotit – Skënderbeu, e cila i kishte qëndruar me sukses rrethimit të gjatë të Krujës më 1450 nga forcat e shumta sulmuese të sulltan Muratit II, por ai po përpiqej të ushtronte presion ndaj arbërve me shpresën se do ta dobësonte gradualisht rezistencën e tyre duke i plaçkitur ato vise të panënshtruara(5). Pasi përshkoi një rrugë të gjatë (Kostandinopojë-Shkup), Ibrahimi e udhëhoqi ushtrinë nga qyteti i Shkupit, duke iu afruar Arbërisë në drejtim të Tetovës dhe u ndali marshimin në jug të këtij vendbanimi, në fushën e Pollogut. Kjo manovër e komandantit turk, i jepte atij mundësinë për të kontrolluar vijën kufitare, dhe në të njëjtën kohë i pengonte arbërit që të kryenin inkursione të tjera brenda territorit osman. I njoftuar në kohë për ardhjen e ushtrisë turke, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, i cili ndodhej në kampin e vet në Oranik, fillimisht dërgoi Moisi Golemin për të zbuluar vendqëndrimin e ushtrisë turke, dhe pas kthimit të tij në kamp, mblodhi Këshillin e Luftës dhe hartoi planin e betejës. Fillimisht u përpoq ta tërhiqte Ibrahim Pashën në një kurth në luginat e malit të Mokrës, por nuk ia doli dot, sepse miku i tij i vjetër, i cili ishte njohës shumë i mirë i taktikave të Kastriotit, e nuhati menjëherë rrezikun dhe vendosi të mos lëvizë nga kampi ushtarak. Atëherë, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu thirri përsëri Këshillin e Luftës për të diskutuar, përpunuar dhe vendosur një plan të ri beteje. Gjatë kësaj mbledhje Moisi Golemi propozoi ta sulmonin kampin turk gjatë natës dhe në befasi, e ndërsa komandanti i përgjithshëm fillimisht e kundërshtoi këtë mendim, por në fund të mbledhjes ra dakord me propozimin e tij. Pasi mori të dhënat e zbulimit mbi pozicionimin e ushtrisë turke, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu mori vendim ta godiste e t’i asgjësonte trupat armike drejpërdrejt në lokalitetin e përqendrimit, dhe me këtë vendim, krejt ndryshe nga herët e tjera, ai nuk po e priste afrimin e armikut në kufijtë lindorë të shtetit të vet (6). Për këtë arsye, u vendos që sulmi të zhvillohej natën dhe duke angazhuar vetëm kalorësinë arbëre. M. Barleti thotë se kjo betejë është zhvilluar në muajin mars, por G. Biemmi saktëson se ushtria arbëre, e cila numëronte 6.000 kalorës u nis drejt kampit armik natën e 21 prillit të vitit 1453, duke lënë në kamp të gjithë trupat e këmbësorisë (7). Gjergj Kastrioti – Skënderbeu lëvizi me shpejtësi të rrufeshme, por andej pas mesnatës dhe sapo kaluan malin e Mokrës, filloi të binte një shi i rrëmbyer. Ndërkohë që vazhdonte marshimi dhe shiu bëhej gjithnjë e më i dendur, filluan rrufetë e bubullimat, dhe për këtë arsye, flamurtarët e frikësuar ndalën hapin, duke besuar se kjo ishte një shenjë ogurzezë. Ndërhyrja e Kastriotit, i cili i merrte me humor veprimet e kësaj natyre, bëri të mundur që ushtarëve t’u shëndriste fytyra nga gëzimi dhe ata vazhduan rrugën(8). Stuhia kaloi sapo zbritën në fushën e Pollogut, dhe kolona e gjatë e ushtrisë arbëre që po i afohej kampit, duke marshuar nën dritën e hënës, u zbulua nga rojet e kampit osman dhe kjo bëri që ata të humbasin elementin e befasisë(9). Sidoqoftë, pararoja turke nuk e përballoi sulmin dërrmues të pararojës arbëre, të cilën Gjergj Kastrioti – Skënderbeu e përforcoi, duke organizuar dy grupime kalorësish, të komanduara njëri nga Moisi Golemi dhe tjetri nga Hamza Kastrioti(10). Pararoja turke u detyrua të tërhiqet brenda kampit pasi la shumë të vrarë gjatë këtij sulmi fillestar. Masën kryesore të ushtrisë arbëre, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu i mbajti pranë vetes dhe akoma pa zbardhur drita e mëngjesit të 22 prillit 1453, urdhëroi që të hidheshin në sulm me të gjitha forcat. Trupat osmane të grumbulluara brenda kampit, edhe pse i kishte pushtuar frika pas shpartallimit të pararojës, u renditën në pozicion luftimi dhe vendosën për t’u përballur me ushtrinë arbëre. Ibrahimi dhe oficerët turq i trembeshin luftimit gjatë natës. Ata e gjykuan se tërheqja natën do të rezultonte në një katastrofë për ta, dhe prandaj vendosën të mos lëvizin nga vendi, duke u munduar t’i shmangen luftimit vendimtar dhe të presin deri sa të zbardhte dita. Raporti i forcave ishte 2.33 : 1 në favor të ushtrisë osmane, dhe epërsia e saj numerike ndaj ushtrisë arbëre ishte shpresa e vetme e turqve për të arritur fitoren. Në kushtet e errësirës, të dyja palët ndërluftuese i zhvillonin veprimet luftarake me rradhë të ngjeshura, gjë e cila vështirësonte krijimin e të çarave(11). Duke qenë se situata po vështirësohej gjithnjë e më shumë për palën turke, kjo e detyroi Ibrahimin që të dalë menjëherë në krye të rradhëve të para(12). Kjo manovër e komandantit turk “me fjalë dhe me shembullin e guximit dhe të trimërisë së vet(13)“, dha një efekt të dyfishtë, sepse nga njëra anë frenoi sulmin e luftëtarëve arbër dhe nga ana tjetër, u dha zemër ushtarëve turq për të kundërsulmuar. Ndërkohë që rradhët e para të dy ushtrive ndërluftuese kishin frikë të përziheshin me njëra-tjetrën, “njëri nga Muzakët” që rrëfen M. Barleti, duke mos e specifikuar nëse bëhet fjalë për Muzakë Topinë apo Muzakën e Angjelinës, u vërsul nga krahu i majtë me një grup kalorësish dhe shpartalloi rradhët e ushtrisë osmane. Ky veprim luftarak kaq e guximshëm e detyroi Ibrahimin që të shkëputet nga fronti ku qëndronte dhe të vendoset pranë krahut të dëmtuar me qëllim për ta përforcuar atë(14). Lëvizja e shpejtë centrifugale e komandantit turk drejt krahut të dëmtuar, shkaktoi dobësimin e frontit qëndror, gjë e cila favorizoi Gjergj Kastriotin – Skënderbeun dhe Moisi Golemin. Si rezultat i goditjeve intensive, në formacionin ushtarak osman u krijuan të çara dhe boshllëqe të shumta dhe gradualisht filloi copëtimi dhe asgjësimi i tyre. Turqit e tmerruar filluan tërheqjen drejt lindjes, duke shpërfillur urdhërat e Ibrahimit, i cili, i rrethuar nga oficerët e shtabit qëndror dhe nga bërthama e ushtrisë, vazhdonte të udhëhiqte sulme dhe kundërsulme mjaft të fuqishme. Pikërisht tani, në momentin kulminant të zhvillimit të betejës së parë të Pollogut, ndahen edhe qëndrimet e tre biografëve më të hershëm dhe më të besueshëm të Heroit tonë Kombëtar, të cilët vrasjen e Ibrahimit, Debreambegut, Debreas apo Dibreas e japin në tre variante krejt të ndryshme nga njëri-tjetri.
.
Gjergj Kastrioti - Skënderbeu - në betejë
Gjergj Kastrioti – Skënderbeu – në betejë
a)Dhimitër Frangu thotë se në kulmin e betejës, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu iu afrua vendit ku po luftonte komandanti i ushtrisë armike duke i thirrur në gjuhën turke; “O Debreambeg, tani është çasti kur ti duhet të tregosh vlerën tënde”, dhe pas këtyre fjalëve që ishin ftesë për duel, Ibrahimi ose duhej të pranonte sfidën, ose duhej të largohej me turp nga fusha e betejës. Komandanti turk pranoi sfidën dhe atëherë të dy kundërshtarët u vërsulën kundër njëri-tjetrit, dhe sipas asaj çfarë rrëfen Dh. Frangu, midis tyre u zhvillua një betejë e ashpër, por nuk zgjati shumë dhe “Scanderbeg con la lancia gli trapassò il petto, ed come lo vidde cader da cauallo, subito li troncò il capo dal busto al dispetto di molti, che lo voleuano impedire, hauendo la scorta gagliardissima dei cinquanta ch’erano seco [Skënderbeu ia çau kraharorin tejpërtej me heshtë, dhe pasi e pa duke rënë nga kali, me shpejtësi ia ndau kokën nga trupi edhe pse ishin të shumtë ata që deshën ta ndalnin, dhe u mbulua nga brohoritjet e eskortës prej 50 vetave që ishin bashkë me të](15)“.
b)Humanisti M.Barleti shkruan se në kulmin e zhvillimit të betejës dhe ndërkohë që Moisi Golemi kishte depërtuar me vrull në mes të rradhëve më të dendura të ushtrisë armike, duke i rrëmbyer një luftëtari turk flamurin nga duart, që më pas ua hodhi bashkëluftëtarëve të vet, kjo e detyroi Debrean që të rikthehet në pozicionin fillestar, por gjatë realizimit të kësas manovre “Epiroti (Moisiu), i cili ia kishte vënë me kohë syrin, e qëlloi mu në gjoks me patërshanë dhe ia përshkoi tej për tej. Megjithëse deshi t’i shmangej hekurit, duke përkulur kokën, ai i rrëshqiti nën mjekër dhe iu ngul i tëri. Kështu mbaroi ai dhe bashkë me të beteja në fjalë(16)“.
c)Varianti që jep Giammaria Biemmi mbi vrasjen e komandantit turk dhe përfundimin e betejës së parë të Pollogut, është një ngjarje dramatike dhe shumë intresante që meriton të riprodhohet konform asaj çfarë na përcjell vetë autori. I ndjekur nga një detashment kalorësish prej 50 vetash, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu po i ndiqte me shumë vëmendje të gjitha lëvizjet e komandantit turk, dhe pasi zbuloi pozicionin e tij kryesor atëherë manovroi me shpejtësi e në heshtje të plotë, duke kryer një lëvizje në trajtë gjysëm rrethi në krahët e ushtrisë armike, doli pas një kodre të vogël dhe më pas u shfaq krejt papritur, pranë Ibrahimit, duke i thirrur me zë të lartë; “Ecco, o Dibrea, il tempo di mostrar il tuo valore” [Ja, Ibrahim, kjo është koha për të treguar vlerën tënde](17). Komandanti turk, në fillim u tmerrua nga kjo manovër e befasishme, më pas mori zemër dhe u hodh menjëherë në kundërsulm duke iu përgjigjur thirrjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeu për t’u ndeshur në duel, vetëm kur e pa se miku i vjetër, që tani ishte kundërshtari i tij, shoqërohej nga një numër shumë i vogël kalorësish. Kur ushtarët turq po kalëronin si të tërbuar në drejtim të kalorësve arbër, Ibrahimi i urdhëroi ata që ndodheshin përkrah tij, të mos kursenin askënd, dhe se Gjergj Kastriotin – Skënderbeu kërkonte ta kishte gjallë ose vdekur. Në momentin kur u zhvillua impakti i dhunshën midis tyre, Kastrioti u përpoq ta godiste Ibrahimin me shpatë, por ai arriti t’i shmanget goditjes dhe sa hap e mbyll sytë u përplas me një kalorës arbër, i cili e goditi me heshtë në fyt, duke ia përshkuar tej për tej dhe në këtë mënyrë përfundoi goditjen e udhëheqësit të vet. Pas kësaj goditje, Ibrahimi u përplas i vdekur përdhe, por edhe luftëtari arbër pësoi të njëjtin fat, sepse ra pre e goditjes vdekjeprurëse të një ushtari turk që po kalëronte pas Ibrahimit(18). Më pas, kufomës së Ibrahimit që po përpëlitej në fushën e Pollogut, iu pre koka me shpatë dhe iu ngul në heshtë, duke ia treguar atë ushtrisë turke, ashtu siç kishte vepruar sulltan Murati II me kufomën e mbretit Vladislavi III, pasi iu pre koka nga jeniçeri Hoxhë Hidër në betejën e Varnës me 10 nëntor 1444. Kështu u vu në zbatim parimi se “Kur pritet koka, trupi bie vetë”!… Ushtarët turq të mbetur pa komandant dhe të tmerruar nga pamja që iu shfaq përpara syve ndërkohë që po agonte dita e 22 prillit 1453, u arratisën nga fushwbeteja me të vetmin objektiv që të shpëtonin kokën dhe të dilnin të gjallë nga kjo kasaphanë ku me mijëra të vdekur mbulonin fushën e betejës. Sipas F. Sansovino, pjesa më e madhe e ushtarëve turq pësuan fatin e komandantit të tyre(19). Numri i të vrarëve në rradhët e forcave armike mund të kishte qenë akoma më i madh, por Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, duke dyshuar në ndonjë sulm eventual të banorëve vendas, besnikë të sulltanit, mbi luftëtarët arbër që ishin lëshuar gjithandej duke ndjekur e vrarë pa mëshirë ushtarët turq gjatë arratisjes; ai dha urdhër që t’u binin trumbetave të Gardës Pretoriane për të sinjalizuar tërheqjen e kalorësve të vet. Në lidhje me bilancin e humbjeve nga të dyja palët kundërshtare, Dh. Frangu nuk jep shifra, por kufizohet me fjalët se numri më i madh i ushtarëve turq ndoqi shembullin e Debreambeg-ut. Sipas M. Barletit, bilanci i humbjeve për ushtrinë armike ishte 4.120 veta, dhe ndërsa për palën arbëre, ai thotë se; “Tanët, si zakonisht, e patën fitoren dhuratë, nuk e blenë(20)“, duke lënë për të kuptuar se arbërit e fituan betejën me gjak, sepse kishte mjaft të plagosur, por s’u vra asnjë prej tyre. Autori G. Biemmi e jep numrin e ushtarëve të vrarë turq mbi 2.000, dhe 200 prej tyre të zënë robër, nga të cilët; 5 veta ishin oficerë dhe një i rangut më të lartë. Sipas tij, fitimtarët nuk pësuan shumë dëme, sepse numri i të vrarëve dhe të plagosurve nuk i kaloi 60 veta gjithsej, dhe padyshim që kjo ishte fitorja më pak e përgjakshme, por një ndër më madhështoret që ishte korrur deri atëherë nga ushtria arbëre(21). Gjithashtu, G. Biemmi, shton edhe diçka tjetër, informacion që më vonë do të interpretohet në mënyrë tendencioze nga biografi i Heroit tonë kombëtar J. Pisko dhe nga historiani rumun N. Jorga, të cilëve iu është referuar edhe historiani erudit Athanas Gegaj. Ajo çfarë thotë G. Biemmi në veprën e tij është kjo; “La fama divulgò, e universalmente fu creduto ch’esso Scander begh avesse ucciso Dibrea; ed egli non rigettò la gloria di questa falsa voce, giacchè non potea goderla il vero autore tolto dalla morte [Fama u përhap, dhe në përgjithësi besohej se Skënderbeu kishte vrarë Ibrahimin, dhe ai nuk e hodhi poshtë lavdinë e këtij zëri të rremë, pasi nuk mund ta gëzonte autori i saj i vërtetë, i marrë nga vdekja(22)“. Sidoqoftë, njohësi i shkëlqyer i historisë së Perandorisë Osmane, J.v.Hammer-Purgstall, nuk lë asnjë shteg për diskutime, sepse thotë tekstualisht se: “gjatë këtij inkursioni mbetën të vrarë në fushën e betejës 4.000 turq dhe Debrea, komandanti i tyre, gjeti vdekjen nga heshta e Skënderbeut(23)“. Pikërisht me 22 prill 1453, kur Gjergj Kastrioti-Skënderbeu vendosi edhe një tjetër gur të çmuar mbi kurorën e lavdisë së përjetshme, rivali i tij i fuqishëm sulltan Mehmeti II, në pamundësi për të shpërthyer zinxhirët që mbyllnin Bririn e Artë në Kostandinopojë, ai kaloi nëpër tokë një pjesë të flotës së vet, nga ngushtica e Bosforit për në ujërat e Bririt të Artë ku ndodheshin 26 anijet e flotës së krishterë; 10 bizantine, 5 veneciane, 5 gjenoveze, 3 kretase, 1 ankonase, 1 katalanase(panjolle) dhe 1 franceze. Pra, ndërkohë që Perandoria Bizantine po jepte shpirt në kthetrat e turqve-osmanë, Shteti i Lidhjes së Lezhës po i tregonte botës së qytetëruar se ishte e vetmja pengesë e pakapërcyeshme për barbarët aziatikë. Fitorja e Pollogut u kremtua gjatë gjithë asaj dite të paharrueshme, dhe të nesërmen me 23 prill 1453, arbërit iu përveshën punës për ta shkatërruar tërësisht kampin osman dhe pasi u ngarkuan me plaçkë, u kthyen në Dibër. Ndërsa A. Gegaj thekson faktin se pas kësaj fitoreje të shkëlqyer, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu marshoi drejt verilindjes së Arbërisë dhe mori disa toka me forcën e armëve, midis të cilave edhe lokalitetin e Gashit (Cassi) që dikur bënte pjesë në zotërimet e tij(24). Lajmi i kësaj fitoreje të madhe u përhap sërish nëpër Europë, ashtu si herët e tjera; dhe heroi është aq i glorifikuar sa “nihil ad eius virtutem et probitatem addi possit (nuk ka asgjë që mund t’i shtohet virtytit dhe mirësisë së tij)”, shkruan Senati Raguzan(25). Megjithatë, jehona e fitores absolute në fushën e Pollogut me 22 prill 1453, e arritur kundër turqve, u zbeh përballë lajmit të kobshëm që u përhap një muaj më vonë kur u njoftua Rënia e qytetit të Kostandinopojës në duart e sulltan Mehmetit II, me 29 maj 1453.
.
Pallota - Scanderbeg
G. Pallota – Scanderbeg

Bibliografia:

1)J. Drançolli, Shteti mesjetar i Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, f.156.
2)K. Frashëri, Skënderbeu dhe lufta shqiptaro-turke në shek. XV, Vëll. I, Burime dokumentare shqiptare (në origjinal dhe në përkthim shqip), f.67-68.
3)Dh. S. Shuteriqi, Moti i Madh, f.186.
4)J. Pisko, Skanderbeg, Historische Studie, f.65.
5)A. K. Brackob, Skënderbeu: Historia e Gjergj Kastriotit dhe Rezistenca Shqiptare ndaj Zgjerimit Islamik në Evropën e shek. XV, f.107-108.
6)Sh. Leka, Skënderbeu; Strateg dhe komandant legjendar, f.121.
7)G. Biemmi, Istoria Di Giorgio Castrioto Detto Scander-Begh, f.302; Shih edhe J. Pisko, Skanderbeg, Historische Studie, f.65.
8)M. Barleti, Historia e Skënderbeut, f.305.
9)R. Knolles, The Generall Historie of the Turkes, f.366.
10)R. Knolles, The Generall Historie of the Turkes, f.366.
11)Sh. Leka, Skënderbeu; Strateg dhe komandant legjendar, f.123.
12)R. Knolles, The Generall Historie of the Turkes, f.366.
13)M. Barleti, vep. cit. f. 308).
14)J. Lavardin, Histoire de Georges Castriot Surnomé Scanderbeg, Roy d’Albanie, Paris, 1593, f.259.
15)D. Franco, vep. cit. f.81; Shih edhe F. Sansovino, Historia Universale dell’origine et imperio de’Turchi, f.259.
16)M. Barleti, vep. cit. f. 308.
17)G. Biemmi, vep. cit. f. 305-306; Shih edhe J.Pisko, Skanderbeg, Historische Studie, f.66.
18)G. Biemmi, Istoria Di Giorgio Castrioto Detto Scander-Begh, f.306.
19)F. Sansovino, Historia Universale dell’origine et imperio de’Turchi, f.259.
20)M. Barleti, vep. cit. f. 309; Shih edhe J. P. Fallmerayer, Elementi shqiptar në Greqi, f.255.
21)G. Biemmi, Istoria Di Giorgio Castrioto Detto Scander-Begh, f.307; Shih edhe J.Pisko, Skanderbeg, Historische Studie, f.66.
22)G. Biemmi, vep. cit. f.307; J.Pisko, Skanderbeg, Historische Studie, f.66; A. Gegaj, L’Albanie et l’invasion turque au XVe siècle, f.100.
23)G. Hammer, Storia dell’Impero Osmano, V, 1453-1520, Venezia, 1829, f.79.
24)A. Gegaj, L’Albanie et l’invasion turque au XVe siècle, f.100.
25)A. Cutolo, Scanderbeg, f.121.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.