Befas, mes gjigandëve të letrave rrëfim nga Jozef Radi

Jozef Radi (16 janar 1957)

Jozef Radi

Avenir Ibershimi
Jozef, për pak sekonda i mbylla sytë dhe u përpoqa të imagjinoj
se ç’kishte ndjerë në atë moment,
ndërsa dëgjoje emrin e babait tënd,
Ai nxënës i vitit të tretë të shkollës së mesme,
e një dridhje ma përshkoi trupin…
ndjeva një përzierje frike dhe krenarie,
në një raport krejt të zhdrejtë, por kuptova
që ishte pikërisht ajo përqindje minimale e së dytës
që më shkaktoi dridhje në trup e shpirt!!
Ishte një ndjejnë instiktive që më bëri të kuptoj që,
nga ajo ditë, ky raport ishte i destinuar të ndryshonte
deri në zhdukjen tërësisht të së parës e triumfin total të së dytës!
E mendova: E megjithatë, jeta është e bukur!!!
 
Jozef Radi
Më duhet ta theksoj Avenir,
se për mua jeta ka qënë nji udhëtim i mrekullueshëm në krejt shëmtinë e saj!
Unë nuk kam humbë asnji betejë me jetën,
i kam përballuar ato pa kokërr loti!
Prandaj unë mbetem gjithë jetën më Hygonë!
Ai të Bukurën dhe të Shëmtuarën, të Mirën dhe të Keqen,
të Drejtën dhe të Padrejtën i linte afër:
të shiheshin në pasqyrë të njëra tjetrës!
Dhe si mbyllje më duhet të shtoj nji frazë të Thomas Edisonit,
kur e pyetën për dymijë dështime eksperimentale,
por të cilën do t’ia përshas vetvetes:
do të vazhdoj të shkruaj për të treguar 2000 rrugë nga ku nuk duhet të ecet…
Kush të dojë le të vazhdojë në aventurën e vet.

Befas, mes gjigandëve të letrave

rrëfim nga Jozef Radi

Gjithnji ruaj respekt për mësuesit që kanë ndikuar në jetën time! Por, është e drejtë të thuash, se nuk janë të shumtë ata që kanë ndikuar dukshëm në jetën time, sa ta ruaj si magji kujtimin e tyre! Shumica kanë qenë mësues mesatarë dhe si të tillë, jo se janë shlyer prej kujteses sime, por gjurmët e tyre janë shpesh të përcipta e të sipërfaqshme, aq sa nostalgjia për ta, vërtitet thjesht rreth emrit të tyre, ndonjë historie a humori dhe bie në humnerë!
Sigurisht, të gjithë mësuesit e asaj kohe krahas vlerave profesionale, ishin mësues të kornizuar, aq sa shpesh ishte e lodhshme të ndiqje me vëmendje krejt atë vërtitje të tyre rreth boshtit ideollogjik, mendimeve shabllone, patetikës së partishme që u shërbente edhe si nji garanci mbijetese të ashtuquajturve: “Komisarë Drite”… Ishin disi të shpëtuar mësuesit e lëndëve shkencore, aq sa dukej sikur ata ishin rehat mes asaj zhurme, me privilegjin e dhuruar nga prirja e tyre ose po e quajmë fati… (pasi ideollogjia s’merrej shumë me prirjet e studentëve, po thjesht me shërbimet që ata duhej t’i bënin vijës së Partisë)!
I bindur se gjimnazi ishte më e shumta që mund të arrija në jetë, dhe për të pasë nji raport sa më të mirë me veten, një ndër lëndët ku isha i përqëndruar në veçanti, mbetej letërsia! Në tri vitet e para pata një mësuese letërsie fikse: Fatmira S. e cila, së pari s’ishte e bukur, (mund të them se mësueseve të bukura u kam mësuar gjithnjë sistematikisht!!!), e dyta nuk dinte të qeshte (aq më tepër ma kishte bërë fiksim atë pamjen e saj prej Molieri), e treta kishte një shpirt të ftohtë prej maskote dhe një cinizëm të dukshëm personal ndaj meje, aq sa pasionit tim për letërsinë, pak nga pak mbërriti t’i japë pamjen e saj. Kurse roli i saj prej mësueseje e gjente gjithnjë gati brenda meje dëshirën të përplasesha me të, bile të hiqja dorë edhe nga pasioni im, të cilin e quaja betejën time më të madhe!
Më duhet ta them me dhimbje, se Fatmira S. nuk i mora dot asnjëherë një dhjetë! Asnjë hartimi im, asnji provim i imi, asnjë recitim i përzgjedhur prej meje, s’ia mbushi as syrin, as mendjen mësueses sime me pamje Molieri… Asgjë s’e bindi atë se unë mund të kisha ndonjë talent të fshehur dhe zotësia e saj të mund të ma përndriste!
Edhe unë asnjëherë s’desha më t’i dëshmoj asaj sa i zoti isha të shkruaja poezi, se isha prej atyre që lexoja përtej gjithçkaje qe e detyrueshme në shkollë, apo që lexoja e recitoja perla të poezisë botërore pa asnjë detyrim… E gjitha kjo si një akt shpërfilljeje mes brendisë sime dhe pamjes e qëndrimit të saj, që tashmë ishin në konflikt të përjetshëm… Vetëm se cinizmi ia përndriste sytë kur përballeshim me njëri-tjetrin dhe kur ajo më gjente në gabim, çka më mbante në atë betejë gjithnji të vëmendshëm e me një dëshirë të vetme: të mos i dorëzohesha!
.
Gjimnazi i Lushnjes '70

Gjimnazi i Lushnjes ’70

Por, në gjimnazin ku bëhej nxënia e dijeve, s’ishte vetëm Fatmira S. profesoreshë letërsie, por edhe dy nga ikonat e këtij Gjimnazi në ato vite: Hasan Ç. me origjinë nga Libohova (në mos gaboj) dhe Murat N. me origjinë nga Librazhdi (që nuk gaboj). Ata jepnin në klasa o më të larta o më të ulta, o në klasa paralele, por asnjëherë klasës sime!
Si zakonisht, gjithë nxënësit ndajnë opinione për cilësitë e mësuesve të tyre, dhe kur binte fjala për ata, ishte e pamundur të mos flitej mirë, në veçanti për Hasan Ç. e të mos përmendej përgatitja e tij teorike mjaft e mirë, serioziteti dhe toni patetik i shpjegimit që të rrëmbente po edhe vlerësimin ndaj nxënësve s’e kishte të ashpër, shto këtu edhe ndihmën që ai u jepte talenteve letrare! Aq sa e mirë më vinte jehona e këtij mësuesi, po aq e mallkoja veten për atë fatin tim, që më kish lënë ta ndaja atë pasion të madh jete, me mësuesen me fytyrë Molieri!!
Po si duket fati nganjëherë bën të vetën!
Për mos të më lënë krejt fatkeq, ndodhte që herë mbas here, në raste mungesash të mësueses në fjalë, na vinin herë njëri e herë tjetri, prej dy mësuesve me emër. Hasan Ç. veç të tjerash, ishte edhe burri i nëndrejtoreshës së shkollës, motër e Feçorr Shehut, kurse Murat N. ishte Sekretar i Partisë së shkollës, që edhe pse i shkurtë dhe tejet ironik në krejt estetikën e vet, ecjes ushtarake (me një hap më të madh se shtati i tij) i jepte një autoritet të tillë, që shpesh e shmangia takimin me të, për t’i thënë qoftë “mirëmëngjesi” apo “mirdita”! Sigurisht, me kaq sa dëshmova, të dy profesorët përfaqësonin një lëndë sa të bukur, aq edhe ideollogjike, ama në mënyrën e trajtimit të lëndës së tyre ata jo vetëm e zotëronin mirë, por shpesh me ta mund ta gjeje aq të këndshme orën e letërsisë, sa më dhimbte ideja që sërish më duhej të kthehesha te ajo mësuesja ime e letërsisë, e cila s’e braktisi pothuajse kurrë atë përndritjen hyjnore të me vendoste në vështërsi!
.
Lazër e Vitore Radi - Pranverë 1975

Lazër e Vitore Radi – Pranverë 1975

Viti 1974, ishte nga vitet më të vështira të jetës sime! Babën, e kishin hequr nga puna dhe e kishin sjellë në bujqësi, dy vite para se të dilte në pension. Mama kishte qenë e shtruar disa muaj në Sanatorium, të tre ne fëmijët ishim ende në shkollë e s’mund të ndihmonim për asgjë! Ekonomia kishte marrë një pikiatë të frikshme dhe gjithçka ishte pothuaj e mbaruar! Ndërkohë unë vazhdoja në vitin e tretë të gjimnazit!
Në atë periudhë, në lëndën e letërsisë po trajtoheshin shkrimtarët e viteve ’30. Unë e lexoja me kënaqësi këtë periudhë letrare, sepse kisha mjaft komunikim edhe me tim atë për këtë periudhë, të cilën ai e kishte jetuar vetë, po edhe pse nga katër autorë të saj si: Asdreni, Mjeda, Migjeni dhe Stërmilli, që ishin me trajtime të veçanta, dy prej tyre im atë i kishte njohur. Gjithë pjesa tjetër bëhej e ndarë dhe e fragmentuar; në rrymën përparimtare, në atë reaksionare, po edhe shkrimtarë mjaft të njohur të cilëve vetëm sa fshikej emri në studim.
Atë ditë prilli na lajmëruan, se ora e letërsisë do të zhvillohej me dy klasa bashkë!! Zakonisht dy klasa bashkë ndodhte rrallë e pothuaj asnjiherë… Meqë lënda ishte letërsi dhe tema periudha e viteve ’30, do ta na jepej nga profesor Hasani. Kjo më dha një kënaqësi e veçantë. Më pëlqente ta ndiqja atë figurën e tij të zeshkët, me ata flokët e dendur e kaçurrela, me atë trupin e drejtë e dinamik, me të folurën e tij pasionante, mbushur përplot shpirt letërsie! Sigurisht ajo dozë ideollogjie e përcjellë nga pozita e tij, humbte o pak rëndësi kishte, sepse i rëndësishëm mbetej trajtimi serioz i temës dhe asaj periudhe nga më me dritë të letërsisë shqipe. Kjo më interesonte mbi gjithçka!
Prania e dy paraleleve në një sallë mësimi, e detyroi profesor Hasanin vetëm të na merrte mungesat në dy regjistrat përkatës dhe ta trajtojë fillimin e orës si një diskutim të gjerë e të hapur letrar rreth periudhës në fjalë. Pastaj me mjaft elegancë, ai u fut drejt e në temë. Zëri i tij u bë i rrjedhshëm, tonaliteti i shprehjeve nisi të merrte ngjyra nga më të ndryshmet dhe kulmoi kur mbrriti te figura e Migjenit dhe Haki Stërmillit, ku pasioni i tij si duket preku apogjeun, më pas zëri sikur i rrëshqiti e i ra në boshllëk, kur i erdhi rradha të përmendë figurat e Lasgushit dhe Mitrushit, pastaj sërish mori vrull me ngjyrosjen si prej violine kur përmendi gjithë penat e reja që po derdhnin në vitet ’30, shpirtin e revoltës, temat sociale, dilemat e rinisë, akumulimin e ndërgjegjes kolektive që nën një kreshendo ngjitëse krijuan trajtat e një stuhie. Kur u erdhi rradha shkrimtarëve, të cilët ai i shfryu si reaksionarët e viteve ’30, zëri i tij mori nuancat e një gorgexhio prej baritoni dhe jehone disi të vrazhdë. Të parët që e pësuan qenë Fishta dhe Koliqin, mbas tyre u nxinë Haxhiademi, Shantoja dhe Harapi… Ndërkohë vëmendja më qe mprehur hollshëm, dhe ndjekja e figurës së profesor Hasanit, ishte pothuaj në kufijtë e magjepjes dhe ekstazës kur… befas diçka iu këput. M’u duk sikur po më kërkonte me sy dhe kur u ndeshëm… ai përmendi një emër që m’u duk si i njohur po unë dyshova nësë më bënë veshët: Lazër Radi… si i fundmi i reaksionarëve në atë kollonë gjigandësh me Fishtën, Koliqin e Haxhiademin e më mbas me Shantojën e Harapin… m’u ndje vetja pezull. E kisha dëgjuar atë emër që kishte mbiemrin tim a më kishin bërë veshët…?! Por ai u përsërit edhe një herë të dytë, edhe një të tretë… Më pas gjithçka m’u bë si jehonë, dhe në veshë më vinte një si buçimë: Raaaaaadiiiiii… Radiiiiii…
U ndjeva i vogël, i mpakur, i mpirë, i tejdukshëm, ndoshta u bëra gërmë e u struka në ndonjë libër, ndoshta u bëra libër dhe u futa poshtë bangës, ndoshta u ndjeva çantë dhe doja të vërvitesha jashtë… Jashtë! Ç’ne im atë me ata të mëdhenjtë e letërsisë së reaksionit?!? E kisha lexuar atë tekst paraprakisht. Po emri i tij s’figuronte gjëkundi! Kush e futi… po pse atë, pse mua… pse tim atë?!? Nuk e di, nuk po kuptoja asgjë! Ndjeva të përhumbesha i gjithi… dhe kërkoja dikë të më shpëtonte… Dhe erdhi… Ashtu me zhurmë: si çlirim, si orë e fundit që ishte… Ishte zilja. Vetëm ajo mund të më shpëtonte, askush tjetër. Kurrë nuk e kam dashur një zile, sa atë të asaj dite! U bë zhurmë, shumë zhurmë! M’u duk sikur gjithë sytë ishin rrëzuar mbi mua, e unë s’po dija ku t’i vendosja sytë e mi! Nuk e di, nëse ajo kryqëzatë sysh ishte mëshirë, dhimbje, keqardhje, habi a urrejtje. Nuk di të them! Di vetëm që krejt ai vërshim sysh qe derdhur mbi një pafajsi të pambrojtur.
I dhashë vetes forcën e shpërfilljes së boshllëkut dhe sikur ajo të mos kishte asnjë lidhje me mua, u futa në rrymën e turmës që po dilte jashtë! Ndjeja të më merrej fryma!
Jashtë binte pak shi. M’u desh pak kohë ta mbledh veten. Më shumë se gjithçka më dhimbte ai adhurimi që kisha pasur brenda meje për profesor Hasan Ç., Qe bërë thërrime i gjithë. Si duket dy klasat bashkë u bënë vetëm për t’u dëshmuar sa më shumë nxënësve, se i biri letrarit reaksionar ishte aty mes tyre! Qe dhënë alarmin: Njerëz mos flini, reaksionari i nesërm i letrave mund të jetë ky mes jush!! Më kishin vrarë në atë çka mund të quhet pasion dashurie për shkollën!
.
Katër gur themeli të binasë sonë kombëtare, qytetnuese, letrare, politike, diplomatike.... Lasgush Poradeci dhe Ernest Koliqi. At Gjergj Fishta dhe Asdreni.

Katër gur themeli të binasë sonë kombëtare,
qytetnuese, letrare, politike, diplomatike….
Lasgush Poradeci dhe Ernest Koliqi – Gjergj Fishta dhe Asdreni.

Atë mbasdite prilli, Lazri më pa ashtu tejet të mërzitur dhe më pyeti se ç’kisha! Ia shmanga përgjigjen! E kisha gjykuar se ardhja e tij në shkollë dhe sqarimet e pse-ve vetëm mund t’i bënin dëm atij dhe të gjithëve ne! Heshta gjithë atë mbasdite, po edhe ai s’nguli këmbë të më pyeste së dyti! Ishim mësuar të flisnim për gjithçka, pa e pyetë kurrë njëri-tjetrin! Nuk ndodhte ta shmangnim sho-shokun për çfardo problemi! Prita ta niste rakinë e paradarkës dhe krejt i qetë, i ulur pranë tij i rrëfeva gjithë të ndodhurën e asaj dite! U përpoq të dukej i qetë, veçse në ballë i kërceu damari i tronditjes! Po s’e dha veten, dhe s’tha një fjalë të vetme. E pashë që u zbeh në fytyrë! Ishin shumë të këqija që po e godisnin njëra mbas tjetrës, në aq pak kohë! Në fund, m’i nguli sytë dhe foli pak e prerë, siç bënte zakonisht në kësi rastesh!
-Vetëm nji gja duhet ta dish! Ti je ma i madhi, je shtylla e shtëpisë. Për gjithçka mund të ndodhë, ti ke krejt përgjegjësitë e familjes! S’ke pse mërzitesh, as pse trembesh! Nji shtet që u ban presion fëmijve deri në kët’ shkallë, gjithçka mund të jetë, po jo shtet. Gjithçka mund të pritet prej tij! Për të tjerat, as mos e çaj kryet! Atij Hasan Ç., në m’u dhashtë rasti, më duhet ta falenderoj fort. Asht njeriu që m’ka ba nderin ma të madh të jetës! Unë s’e meritoj fjalën e tij! Më ka vendosë midis korifejve të letrave shqipe! Kurrë s’e kam mendue! Kurrë s’kam me ia harrue kët’ nder!!
 
Ishte fillimprill i vitit 1974.
Me 25 prill, të po atij viti, nxënësi i së III B, Jozef Radi, u përjashtua për herë të parë nga gjimnazi “20 Tetori” i qytetit të Lushnjes… Kohë më vonë do të perjashtohesh sërish po ky është rrëfim tjetër!
Fragment nga libri në dorëshkrim “Savra – Mon Amour”

 

Një përgjigje
  1. Jozef Radi Tha:

    Komente për shkrimin “Befas mes gjigandëve të letrave…”

    Erieta Koliqi Gajtani
    E lexova nji frymet… e nuk mund ta marrësh me mend sa e trishtume jam… sa e përjetova krejt ngjarjen, e ripërjetova të mijat… Më duket se e njoh Hasanin… ose me saktë të shoqen e kompaninë e tij… E provuan edhe ata internimin, të gjithë.
    Na vranë shpirtin, që të vegjël!?

    Jozef Radi
    E kam shkruar me shumë qetësi dhe me shumë dashuri Erietë… Sigurisht, ato që i kam ndjerë në atë kohë, i kam shprehë ashtu si i kam përjetuar atëhere 17 vjeç!!

    Erieta Koliqi Gajtani
    Ndjehet Jozef..?

    Osmon Kaceli
    Edhe unë gjatë leximit në mënyrë të pavetëdijshme, mendova si baba juej: Hasan Ç-ja e vlersoi dhe vendosi shkrimtarin Lazër Radi, në vendin e merituar midis më të mëdhejve të viteve 30-të! Kuptohet në ditët e sotme kush asht fajtori që e nderpreu veprimtarinë e tij. Mirë do të ishte që ta dijshin mbiemrin e Hasanit edhe ne të tjerët!

    Shpend Sollaku Noé
    Eh, o Nin. Cinizmit të asaj kohe, sidoqoftë, i je përgjigjur siç duhet. Më bëre të bie në mendime të thella, për Lazrin, për ty, për mua, për brezin tonë të djegur.

    Jozef Radi
    U përpoqa ta dëshmoj kohën në përmasën e saj reale… i dashur Shpend, pa cënuar askënd. Të gjithë ia lënë fajin kohës… ndërkohë që po krijojnë një kohë identike me të ikurën… Nuk e kanë fajin kohrat, jo! Njeriu i bën kohrat!

    Shpend Sollaku Noé
    Mbase duhet të korrigjohem: Cinikëve të kohës…!

    Sokol Parruca
    Dhe mjerisht ne humbëm një shkrimtar që me siguri do ishte i atyre përmasava që mësohen, lexohen e studiohen, po ta linin t’i rridhte lirshëm talenti që i buronte së brendshmi… Aso kohe e ndrydhen e mbytën që në ngjizje… Më pas e detyruan të ikte… e ndërsa sot ne gëzohemi me ato çka na përcjell ky talent dhe personalitet i madh i letrave shqipe… Respekt për ty Jozef Radi, jo aq për vuajtjet se sa për talentin, mendimin dhe filozofinë letrare.

    Jozef Radi
    I nderuar Sokol, une kam pasur nji raport shumë dinjitoz me vuajtjen… nuk e kam konsideruar si nji kapital për t’u mbrojtur… po për të luftue. Asnjiherë nuk kam ba paqe me vuajtjen! Vuajtja mundet ta shoqërojë edhe njeriun ma normal të botës, për njimijë arsye… por kur vuajtja të shkaktohet nga cinizmi i shtetit dhe i njerzve të pushtetit është nji arsye që ti të dëshmosh se ti je përtej atyne…!

    Sokol Parruca
    Të them të drejtën unë nuk të dua, të respektoj e të vleresoj thjesht nga vuajtjet… por nga personaliteti yt letrar… e kur mendoj se këtë talent të madh e mbytën, e fshinë nga letrat shqipe… e bënë të vuaj… atëhere me dhimbset vendi… më dhimbset letërsia çka humbur… Unë të krahasaj ty me perlat e letërsisë Shqipe, qe nga ajka e rilindjes dhe ato të mëvonshme, gjer tek këto modernet…
    Ti nuk je biri Lazër Radit… ti je një Lazer Radi, ti je një Ernest Koliqi, një Mitrush Kuteli… pse jo dhe një Migjen i ditëve të sotme… Për çfarë shkruan më bëhet zemra mal… për ç’ke vuajtur më bëhet zemra copë…

    Kazanova Aliaj
    Miku im, sa të shkon emri Sokol… vërtetësia në një gjykim është vlerë… Dhe ta gëzosh emrin Sokol… Natën e qetë… Xhusi!!

    Teuta Hamza
    Në fund të leximit natyrshëm më erdhi një ofshamë, ofshamë e thellë.
    Të kuptoj shumë mirë Jozef Radi. Kuptoj se si mund të ndjehet një njeri i cili është i vetëdijshëm për meritat e familjes e nuk guxon të mburret.

    Jozef Radi
    Të falenderoj Teutë… Unë e kam dashur shumë shkollën… dhe kam ndjekur gjithë jetën instinktin tim… Vuajtjet vetëm m’i kanë mprehur shqisat e ndjeshmërisë dhe dashurisë… Unë kam shkulur një copë vetvete, ndërsa e shkruaja këtë rrëfim…

    Teuta Hamza
    Ju besoj!

    Merita Varfaj
    “Ai vështrim sysh qe derdhur mbi një pafajsi të pambrojtur!”

    Jozef Radi
    Të falenderoj Meritë për nënvizimin!

    Petraq Kote
    Jozef Radi i nderuar, të falenderoj për këtë retorike të dhimbshme, të prekshme, sfidante. I përulem leksikostilistikës tënde, morfostilistikës…!

    Jozef Radi
    I nderuar Petraq, vlerësimi yt aq i mprehtë është vërtet një inkurajim që jo gjithkush mundet ta bëjë… Shumfish ju falenderoj…!

    Robert Martiko
    Eshtë një tregim i veçantë, për mua i mrekullueshëm, për të nxjerrë në pah psikologjinë e njerëzve anormalë, konfrontuar me shpirtin e një shkollari. Dhe kur flasim për marëdhëniet nxënës-mësues mendja të shkon te shkrimtari i famshëm italian Edmondo de Amicis te kryevepra e tij “Zemra”. Parë në këtë prizëm, nuk mund të konceptohet kurrsesi ky lloj mësuesi përbindesh. Eshtë e kundërta e Njeriut Normal. Sepse, për të thënë të vërtetën, gjithë fara e njerëzve të kësaj natyre u udhëhoq në jetë nga instiktet. U udhëhoq nga psikopatologjia ekstreme që çoi në krimet me monstruoze të rregjistruara në Historine e Njerëzimit. Nuk ka gjë më të tmerrshme nga një sedër e sëmurë e plagosur që kërkon shërimin e vetvetes duke shkaktuar dhimbje në të përngjajshmit e tij. Dyshoj se për të evituar psikanalizën e vetvetes pushtetarët, të parët, nuk pranonin në Shqipëri apo gjetkë, ne Lindjen e Kuqe, teoritë e Frojdit dhe Jungut.

    Jozef Radi
    Falenderimet e mia Robert!
    E vërteta është se unë doja të shpëtoja nga një mësuese që jo nuk më inkurajonte por që ma nxinte letërsinë… dhe te Ai njeriu i pasionit letrar, gjeta një tjetër personazh, të cilin në çastin me kulmor të adhurimit më zhyti në greminë… Po çmontimi që i bëri im atë trajtimit të fjalës së tij mbetet gjëja më e bukur e këtij rrefimi!
    Të falenderoj shumë…

    Arjeta Kokalari
    Jo vetëm e dhimbshme të rikujtosh ngjarje të tilla, por edhe revoltuese. Për fat të keq të shqiptarëve është një histori që ndodhte shpesh. Histori të tilla kam dëgjuar edhe nga xhaxhai im, ndërsa për tim atë, një shok i tij më ka treguar se si e përjashtuan nga organizata e rinisë dhe e “demaskuan” si borgjez para gjithë nxënësve të shkollës, kur ishte në vitin e parë gjimnaz.

    Jozef Radi
    Jam i bindur që në këtë rrëfim Arjetë shumë nxënës të shkëlqyer të asaj kohe, gjejnë veten e tyre. Të mbetesh pa flatra kur je 18 deri në 20 vjeç, sot shumëkush nuk mundet ta kuptojë…!

    Arjeta Kokalari
    Pikërisht këtë donte të më përcillte shoku i tim eti. Ishte përballja e parë dhe kaq e hershme me një shoqëri që e kishe kundër, por kjo përballje ndikoi për t’ju përgatitur t’i rezistonit rrymës kundër.
    Në librin me kujtime, xhaxhai im ka përshkruar se si një bashkënxënës jo vetëm e shpallën armik dhe të parë shkruar në shkollë, por gjithë nxënësit e ndoqën rrugës duke e pështyrë dhe goditur deri sa humbi ndjenjat.

    Durime Siqeca Agaci
    Një essay “Brilliant ” megjithëse bëhet fjalë për atë periudhë të tmerrshme kur shumë njerëz duhet t’i thonin “derrit-dajë”… Mund të them me bindje të plotë që njeri nga këta ka qenë edhe Hasan Ç., i cili pati një fund tragjik…
    Respekt pa fund për viganët Radi&Radi!!!!

    Jozef Radi
    I kam dashur shumë mësuesit e jetës sime… Unë i falenderoj të gjithë ata mësues që edhe pse në kohë tejet të vështira, ndikuan pozitivisht në jetën time…
    Ky rrëfim Durime, më shumë ka të bëjë me luftën që duhet të bëjë njeriu deri në fund, me gjithë humbjet që mundet të pësojë… Kohën e kam lexuar në përmasën e saj dhe me asnjë emocion tjetër… Fatit të jetës askush nuk mund t’i dali garant!!!!

    Hortensia Haxhiademi Pëllumbi
    Të përshëndeste nëpër orë leksionesh baba Jozef, aq i madh ishte!
    E di atë vështrim, vështirë ta harrosh. Por kjo ishte e dhimbshme shumë ta lexoje!

    Jozef Radi
    Ai njeri, kishte aftësinë që edhe tragjedinë më të madhe ta çmontonte me një qetësi të habitshme dhe ta bënte të pranueshme si të zakonshme…
    Të falenderoj Hortensia… Si duket pak fat e kisha edhe unë…!!

    Evelina Kërçiku
    Gjëra të dhimbshme, por vlerat triumfuan. Edhe në gjimnazet e Tiranës ndodhnin ngjarje të ngjashme.
    Falenderoj zotin që i përballuem!

    Jozef Radi
    Gjithkund e njëjta Parti ishte… e njëjta diktaturë që ushtronte dhunë mbi krijesa të pafajshme…

    Josif Shakulli
    Jozef, e lexova shkrimin tuaj dhe si bashkëmoshatar dhe shok gjimnazi dua të falenderoj për përshkrimin e situates së atyre viteve. Megjithë mend Fatmira S. ishte një monstër e atij sistemi dhe asnjëherë nuk të bënte vlerësim të drejtë. Ti më kujtohesh mirë dy vitet e para kemi qënë bashkë në klasë dhe kemi kaluar mirë, megjithëse ti shiheshe me një sy vëngër: Plus baballarët tanë kanë qënë shumë shokë dhe e respektonin shumë njeri-tjetrin.
    Na shkruaj ndonjë ngjarje tjetër nga jeta e gjimnazit se kam shumë nostalgji. Të përshendes dhe të uroj gjithë të mirat miku im!

    Jozef Radi
    I nderuar Sifi… të uroj gjithë të mirat… Unë nuk dua të cënoj dinjitetin e asnjë mësuesi… I kam respektuar dhe vleresuar mësuesit e mi edhe në ato kohra, kur nuk ishte e lehtë të ishe mësues… Unë e kam të shkruar ndoshta historinë më të bukur të gjimnazit… dhe ndoshta shpejt do ta paraqes…
    Të uroj gjithë të mirat!

    Mira Zgjani
    Realitet i hidhur i atyre viteve…
    Të përshëndes Jozef dhe faleminderit që nuk rresht së treguari ngjarje nga jeta juaj……

    Jozef Radi
    Të falenderoj Mirë… Nuk është thjesht një ngjarje… shumëkush ka pjesën e vet në këtë ngjarje…
    Të jetosh i pamundur në asgjë prej të qenit fëmijë deri në moshën 35 vjeç nuk është e lehtë…!!

    Astrit Dema
    Kjo lloj rrace njerzish nuk mund të quhen Mësues, ndoshta përdhunues – Po!

    Jozef Radi
    Dhe në fakt Astrit duhet trajtuar kjo ide… Megjithatë drejt me thënë unë kam pasur edhe mjaft mësues të dashur…

    Astrit Dema
    Kjo është një tragjedi shumë e keqe. E ku ka ndodhur? – Në shkollë. Por trajtuar shumë bukur nga vetë “viktima” e tragjedisë!

    Diana Zhiti
    Përshëndetje i nderuar Jozef Radi se njerëzit e ndershëm kanë vetëm një emër që i nderon ata. Lexova shkrimin tuaj dhe më erdhën të fresketa kujtimet e asaj kohe që nuk m’u shqitën kurrë. Kam përjetuar përafërsisht të njejtat ndjenja, përçmim, cinizëm etj. prej disa mësues që shihnin zellin që kishin për dije dhe bënin të pamundurën të na dekurajonin me mënyra të ndryshme. Ne ishin fëmijët e njerkës që përjetonim përbuzje. Në atë vit që je përjashtuar ti nga gjimnazi i Lushnjës është përjashtuar edhe ime motër Zhulieta. Në atë periudhë unë mbarova klasën e tetë dhe nuk m’u dha burse megjithëse me dhjeta. U regjistruam të dyja në shkollën e natës bujqësore në Grabian dhe na përjashtuan natën tjetër. Kam shume respekt për personalitetin tuaj. Ju u treguat atyre dhe gjithkujt vlerat e genit tuaj dhe vazhdoni edhe në të ardhmen.
    Respekt dhe Vleresim pa kufi!

    Jozef Radi
    Të falenderoj shumë Dianë… dhe ma beso që e di mirë që Grabiani ka qenë një tmerr më vete! Jo vetëm larg dhe i izoluar… por edhe me një egërsi të paparë ndaj të përndjekurve… Gjithsesi kur ti me tregon, e kuptoj se çdo të thotë të vuash një të drejtë elementare kur je fëmijë… Genocidi ndaj fëmijëve ka qenë më i tmerrshmi në diktaturë… dhe më i patrajtuari nga shoqëria shqiptare…!

    Diana Zhiti
    Jozef Radi, duhen vëllime!!

    Kazanova Aliaj
    Duke filluar nga vehtvetja e ato si ju i jepni herë herë tabllonë e një akti që luhesh e shëmtuet me brezin që i ra për fat të prekë e provohet nëpërmjet ndëshkimit vlerat e patjetërsume të prindërve, që pikërisht për vlerat ndëshkoheshin!! Eshtë një tabllo e dhimbshme e një mbrojtje dinjitoze që brezat i dhanë suport njëri tjetrit… kjo quhet burrëri dhe fisnikëri… Një shkrim me mjaft vlerë e mjaft emocione mbi të vërteta… që si cunam godiste vlerat, kështu ka ndodhur… Sa do donim të mos kishte ndodhur kështu!!

    Jozef Radi
    Më shumë dëshirojmë që këto tragjedi të mos përsëriten Xhusi… Sepse e keqja, gjithnji rrezikon, kur ajo harrohet! Dhe roli i mësuesit në të nesërmen e vendit është themeltar! Gjithsesi të falenderoj në veçanti për ngrohtësinë që më jep në vazhdimësi në shkrimet e mia!

    Kazanova Aliaj
    Ju keni evidencën më të veçantë në shkrimet tuaja, evidentoni si një aparat regjistrus i memories speciale, procesin e tjetërsimit ku subjektet njerezore, ç’vleftësoheshin në objekte pa vlerë sikur të ishin asgja..!! Dhe këtë e jepni kaq artistikisht të arrirë sa duket si skenar i një filmi mbi memorjen e tregimeve tua sikur po sheh një dokumentar të asaj kohe ku tjetërsimi i vlerave ishte mënyre jetese!! Dhe ju shprehni vërtetësisht dhe aristikisht përjetimin tuaj, ku unë dhe ato si unë përjetojnë të përbashktën me ju… që nuk harrohet… dhe kaq fuqishëm dhe natyrshëm e shkruani me artin tuaj. Sa më duket sikur po ndodh!! Ky përjetim në shkrimin tuaj është dëshmi njerëzore!! Me një dëshmi kaq… aspak më shumë një trup gjykues i të drejtave të njeriut do hapte një seancë pambarim, mbi vërtetësinë emocionale… dëshminë e një adoloshenti… që kërkon një të nesërme jo si ato që përjeton në atë geto… po një të nesërme si qenie e lirë e qytetar i lirë, kërkon të vendos prestigjin e të jatit, njeri i lirë e përplot me vlera!!
    Një shkrim mjaft emocional e mjaft dinjitoz… në një kohë kur pikërisht dinjiteti u nëpërkëmb!! Ky është një leksion me mjaft vlerë, unë kështu e kuptoj… Faleminderit Radi… që pasuroni koshiencën e shqiptarëve që në kohë është shpërbërë duke mohuar vëllanë, motrën, prindin e vehten si vegël mostruoze e një sistemi makabër…
    Shumë faleminderit!!

    Jozef Radi
    Xhusi je e rrallë! Shumë prekës dhe emocionues shënimi juaj! S’ka falenderim që ta shpërblen…!

    Kazanova Aliaj
    Sa pak jam unë në atë… enciklopedinë tuaj RadiandRadi, ku ështe thurur përjetimi i dhimbjes i personalitetit njerëzor dhe memorja, si një gërshet i thurur bukur i një sfinksi të një piramidë të ndërtuar mbi këto drama, këto nuk duhet t’i hidhen harresës.
    Faleminderit ju Radi… që jepni kaq shumë edhe pse ju kanë marrë aq shumë ju jepni… pa fund! Jeni burim njerëzor që gurgulloni pafund!!

    Juli Gruda Pistulli
    Sa e dhimbshme sa dramatike dhe sa e trishtushme!

    Jozef Radi
    Si duket dikush e ka pasë të shkrueme me heqë shumë…

    Juli Gruda Pistulli
    Fatkqesisht po i dashtun Jozef! Por më vjen mirë që nuk prani së shkruemi e ju uroj jetë të giatë! Secili prej nesh e mbajti nji kryq dikush prej drunit e dikush prej hekurit e të randë fort!

    Sunti Visha
    Jozef Radi me erdhi të të them që ti duhet të ikësh sa më larg nga ky vend e të mos ia shohësh më as bojën…

    Jozef Radi
    Gjithsesi nuk është kjo zgjidhja… Sunti! Ne nuk duhet të rreshtim së përpjekuri, që shoqëria shqiptare të bëjë paqe me veten… dhe mësuesit kanë rol jashtëzakonisht të madh në këtë betejë…

    Drita Bejleri
    çfarë qe ajo kohë? I bëj pyetje vetes time gjithnji, ja bëj pyetje të gjithëve! Pse gjithë kjo ligësi e madhe…!!

    Jozef Radi
    Eshtë një pyetje Dritë që të gjithë e bëjnë dhe askush nuk përgjigjet… ata që e shkaktuan gjithë të keqen e asaj kohe si duket janë të zënë me të këqijat e reja që duhet t’i shkaktojnë atij vendi…

    Rozina Guli
    Këtu asht njyja! Kjo asht e gjithë çeshtja! Nga kjo duhet fillue… nuk asht zgjidhje ikja… Të djeshmit janë dhe sot, pra jena në vend numero!
    Po Xhus, po nuk u zgjidh kjo nyje… nuk tërhiqet litari, përpara!

    Selim Kurti
    O Zot, sa prekës!
    Më ke tronditur me këtë rrëfim!
    Ndonëse gjithçka ishte e pritshme për një të “deklasuar”, ky trajtim mizor ishte absurd dhe mbetet i pashlyeshëm.
    Unë jam mësues bio-kimie 50 vite më vonë, por më duket sikur kam edhe unë faj për atë shkatërrim perfid të ëndrrës.
    Aq të vërtetë e ndjej kohën dhe rrethanat e tmerrshme!
    Duhet shkruar prej gjithë njerëzve që pësuan trauma të tilla, Jozef, por sidomos duhen lexuar nga të tjerët.
    Tregime si këta, duhet të jenë pjesë tekstesh shkollore.
    Meritoni respekt të pafund!

    Jozef Radi
    Respekt dhe falenderim edhe prej meje Selim… Më vjen shumë mirë që jeni mësues dhe duhet të besoni se imazhin tuaj nxënësit e ruajnë pothuaj gjatë gjithë jetës… Sa më vlerë të marrë një nxënës aq më i madh mbetet vlërësimi i mësuesit… e sa më i pavlerë të jetë ai… imazhi juaj është pothuaj i shuar ndër të pavlerët…

    Selim Kurti
    Jozef, sot paradite nuk kam mundur të bëj gjë tjetër, veçse të flas e të rilexoj (e të diskutojmë) – me kolegë të mitë, aktivë, por dhe në pension – për rrëfimin tënd tronditës dhe me mesazhe të mëdha për mësuesin.
    Duke filluar edhe nga pamja: çdo detaj përçon një kumt.
    Na ke rikujtuar një të vërtetë themelore: sa i rëndësishëm është roli i mësuesit në përcaktimin e të ardhmes së nxënësit!
    Pa e ditur lidhjen tuaj, vite më parë kam blerë – nëpër borduret e Tiranës – librin e Lazrit “Shqipëria në vitet 30-të”.
    Përulje vuajtjeve tuaja!
    Ju lutem mos u lodhni kurrë së treguari, së thëni, së shkruari e trashëguari histori të tilla, për të cilat kushdo nga ne, por sidomos brezi që nuk e ka jetuar në lëkurën e tij, ka nevojë jetike!
    Ne nuk duhet të harrojmë!

    Jozef Radi
    Absolutisht Jo Selim… unë e adhuroj rolin e mësuesit… do të kisha dashur të isha një mësues i letërsisë shqipe ndryshe… Një letërsi pa barriera dhe pa paragjykime… një letërsi ku nxënësi ta dashuronte librin, ta dashuronte të vërtetën artistike, ta dashuronte poezinë… Unë i kam dashuruar të gjitha këto kur ishte e ndaluar… sot bëj diçka tejet të thjesht e rrëfej veten dhe kohën përmës dashurisë sime… Një mësues është çdo ditë në piedestalin e se paku 50 nxënesve… ai duhet ta kuptoje se është një detyrë madhështore… po nuk ndodhi kjo ai mësues është thjesht një qerrexhi që drejton thjesht dy buaj…! Gjithë të mirat dhe falenderimet e mia me të sinqerta Selim!

    Stefan Basko
    Ajo që të vjen keq është se nuk e lanë Lazër Radin të shkruante, kështu që në humbëm një penë të shkëlqyer, por fatmirësisht Jozef na mban gjallë çdo moment me shkrimet e tij për letërsinë, historinë e filozofinë!
    Turp për Hasanin e shokët e tij që shkatërruan me dhjetra jetë fëmijsh të pafajshëm!!
    Të lumtë pena Jozef Radi!!

    Avni Delvina
    Ndër të paktat kënaqesi që na kanë ngelur në këtë shkretëtirë pa fund janë dhe shkrimet e Jozef Radit.

    Jozef Radi
    Të falenderoj Avni, edhe ju me trasmetoni mjaft pozitivitet me punën dhe përkushtimin tuaj artistik…

    Irena Stein-steinova
    Me leximin e këtij tregimi u futa ne mendime dhe m’u zgjuan shumë kujtime që ishin futur thellë, thellë…
    Ju z. Jozef Radi vuajtet mjerimin dhe varfërinë atij sistemi të helmuar, vuajtet nga pjellat e helmuara te atij sistemi… Perëndia vetë ju bekoi me talent dhe falë prindërve tuaj që ju edukuan dhe ju zhvilluan talentin mbijetuat përmbi ato njerëz vemje. Ju lumtë pena e vazhdoni të luftoni me penën tuaj të çmuar dhuratë e perëndisë.

    Jozef Radi
    Irenë… me jep gjithnji kënaqësi kur me shkruan… dhe më nis mesazhe që më nxisin të jem më kërkues dhe më komunikues me të gjithë ata që brenda tyre, nuk kanë gjetur forcë për të thënë atë që është koracuar në shpirtin e tyre… Të falenderoj dhe keni stimë të veçantë prej meje…

    Rozina Guli
    Nji përshkrim i mrekullueshëm!
    M’u duk se isha në klasë… bile në bangë me ju…
    Nji vuejtje që të sfilit shpirtin deri në thelb të tij, dhe besoj që përsëritet sa herë e mendon(?)
    Fat kur ke prind që din me të drejtue… në jetën e veshtirë.
    Lum ju, bir i kujt jeni!

    Jozef Radi
    Një falenderim të madh për ju Rozinë… Sepse shumçka do të ishte ma ndryshe… pa hijen e atij njeriu, që kishte gjithnjë një alternativë, pa e rrëzuar dinjitetin prej intelektuali…

    Rozina Guli
    Respekt!
    Respekt për intelektualin dinjitoz!
    Jozef, sa randë peshon fjala “Dinjitet”

    Jozef Radi
    Asht gur i randë… Jo kushdo ka qafë me e majtë… e sidomos ndër intelektualë shqiptarë… Respekt edhe prej meje Rozinë!

    Rozina Guli
    “Jo kushdo ka qafë me e majtë ” Teper e saktë. Ju falem që m’dhatë këto emocione! Bukur asht kur rrin me Radi&Radin .

    Advie Hoxha
    Shoku dhe miku im me vlerë Jozef Radi! Me butësinë dhe urtësinë, që të ka karakterizuar gjithë jetën, më solle një pjesë të viteve tona, të atyre viteve, që për ty, duhet të ishin nga me të bukurit, nga më ëndërrimtarët. Se sa ke vuajtur ti, e di familja jote, e di Savra e tërë, e dimë ne shokët e tu, që nuk ishim të zotët as të mendonim, se sa padrejtësisht dhe mizorisht silleshin me ty në orën e mësimit, apo edhe të zborit në Gramsh. Një gjë kam vërejtur tek ti. Ti, Jozef Radi, nuk ke mllef, megjithëse shkrimet e tua ngjethin edhe fëmijën në bark të nënës. Ta kam thënë edhe herë tjetër. Jam me fat që të kam një nga miqtë e mi më të preferuar.

    Jozef Radi
    Mikja ime e vjetër. Historia e Gramshit është një dhimbje tjetër… që unë nganjëherë përpiqem ta harroj… por është mjaft e gabuar… Një ditë do ta shkruaj dhe do ta kushtoj ty, ta premtoj. Sepse ti gjithnji atë dhimbjen e asaj dite që unë edhe nganjëherë e harroj ti asnjëherë! Edhë unë të kam mjaft të dashur Advie…

    Frida Lici Guga
    Zhgënjim dhe i madh se ishte mosha delikate. Por dhe krenari se babanë e rreshtuan ne krah të shkrimtarëve të nderuar. Kam përjetuar në një shkallë shumë më të vogel diçka analoge. Fatkeqësisht nuk e harroj dot as sot në këtë moshë

    Jozef Radi
    Gjithnji këtë kërkoj të shpjegoj Fridë… Pse gjithe ajo makinë e fuqishme diktature merresh me fëmijët! Ka edhe diçka tjetër… Ka qenë në të shumtën e rasteve e penguar të vazhdoje shkollën e mesme… Vëllai im i vogël një nxënës shumë i mirë në veçanti lëndët ekzakte, edhe pse humbi një vit pse nuk e fusnin në punë… nuk e lejuan të vazhdonte shkollën e mesme… Mjaftonte një urdhër nga lart dhe janë me mijra fëmijët e persekutuar në të drejtën më elemtare të shkollimit të mesëm… Ky quhet genocid ndaj të pafajshmëve dhe të pambrojturve. A ka ndokush që mban përgjëgjsi për këtë shkatërrim të mijra djemve dhe vajzave… Unë të falenderoj ty si vajze e Mite Gugës dhe si mbesë e Nase Gugës… dy mësues shembullorë që në kujtimet e mia gëzojnë respekt të thellë… Nasen e kanë pasur mësues edhe vëllai dhe motra ime… Njeri mbi të gjitha më pas mësues!!!!

    Frida Lici Guga
    Nuk e fshihnin, ishte diktaturë e proletariatit, fashizëm i kuq. Që nga fëmijët do fillonte, aty ku dhimbte më shumë.

    Keti Dibra
    E vërteta e pasens, shkruar thjesht, fort e pa mllefe. Të përshëndes.

    Jozef Radi
    Të përqafoj Keti… vlerësimi yt asht përtej kënaqesive… sepse shpesh i kemi diskutue bashkë shumë prej këtyne historive…

    Alma Zgjani
    Të përgëzoj Josef për shkrimin, unë këto histori nuk dua t’i kujtoj se më dëshpërojnë, po s’ka rrugë tjetër, duhen thënë nga ne që i kemi kaluar se ndryshe nuk bëhet, nga krahu tjetër bëhet luftë e madhe që me çdo kusht të harrohen dhe për pak kohë do duket sikur asgjë s’ka ndodhur.

    Jozef Radi
    Jo Almë! Hebrenjtë një popull i vogël sa shqiptarët, kanë një jetë që e rrëfejnë të vërtetën e tyre dhe askush nuk është lodhur… Edhe veteranët (kush ishte 16 vjeç sot është 90 – vazhdojnë e rrëfejnë histori që pak kush i beson) pse ne të kemi frikë dhe dhimbje nga e vërteta jonë! Nëse ajo ndihmon që një shoqëri të reflektojë të keqen e saj duhet çdonjeri ta dëshmojë… Derisa ai shtet që i ka shkaktuar ploje ndaj të pafajshmëve të detyrohet të fusi në shkolla, në konferenca, në filma, në debate publike temën e Genocidit ndaj fëmijëve nuk duhet heshtur… E theksoj është fjala për Genocid ndaj fëmijve… Mendoje sot veten sikur fëmija yt nipi yt të humbasë të drejtën e shkollimit, çfarë do bëje ti…!!!

    Alma Zgjani
    Shumë e drejtë!

    Jozef Radi
    Shumë shpejt Almë, do të rrëfej historinë tragjike të një vajze dhe një histori dashurie që nuk lindi kurrë… pikërisht nga ky genocid ndaj fëmijëve!

    Alma Zgjani
    Do ta lexoj me kënaqësi, si kam lexuar gjithë shkrimet e tjera që ke postuar.

    Irena Stein-steinova
    Pse Shqipëria sot është e prapambetur?! Janë 50 vitet e komunizmit që shkatërruan çdo gjë intelektuale, futën në burg dhe i internuan shumicën më të madhe të njerëzve të aftë. Veç kësaj mbollën vrer me pretekstin e luftës së klasave, i shplanë trurin një populli të tërë (jo më pak se hitleri) dhe sot kush qeveris????

    Xhafer Sadiku
    Një histori e dhimbshme ku shumë të tjerë gjejnë veten. Mësuesit e letërsisë kanë qenë vrasësit e talentit të të rinjve, ndërsa mësuesit e historisë u kanë plagosur shpirtërat. Këto duhen shkruajtur që të mos harrohen kurrë.

    Jozef Radi
    Eshtë e vërtetë Xhaferr! Letërsia është një lëndë ku njeriu hyn në komunikim me veten dhe me botën… Kjo ideja e trajtimit të gjithë botës sipas midesë komuniste… dhe raporti që krijonin mësuesit me atë që ishte disi i talentuar le mjaft për të dëshiruar… Pastaj sot habiten njerëzit nuk lexon njeri libra… Po mësuesit lexojnë libra… do të shtrohej pyetja…! Unë do të isha kurreshtar nga 2220 miq që kam sa janë mësues letërsie?!?!’

    Xhafer Sadiku
    Prandaj është kjo gjendje në Shqipëri. Për ata është i huaj libri.

    Zeni Lako
    Më kujtohet gjithmonë që sa herë përmendeshin kulakët një nga mësuesit e shkollës tonë i mbante sytë vetëm nga ne me bigrafi të keqe!

    Odeta Zhegu
    Të kujtosh atë trajtim është shumë e dhimbshme dhe po aq e dhimbshme është të konstatosh që nuk ndihet kush në turp dhe nuk është temë që prek persona nën 30 vjeç, që këtë periudhë e konsiderojnë parahistori, pasi as sot nuk ua mëson kush të vërtetën. Unë e di mirë çfarë provon Nini ndërsa shkruan, se kam pasur histori krejt të ngjashme, por paturpësisht të gjithë maskarenjtë e djeshëm sot thonë: Eh, sistemi…!!

    Jozef Radi
    E dashur Odetë… Për të mbaruar shkollën e mesme ty t’u desh të bëje 1000 sakrifica, të lije dy prindet në një kamp interrnimi dhe në një moshë që ata kishin aq nevojë për ty… vetëm e vetëm për të bërë një shkollë të mesme që nuk mund ta bëjë dot aty ku jetoje… Edhe sikur vetëm historinë tënde të rrëfeja do të ishte një dhimbje pa kufi… Megjithatë gjitha sakrificat kanë një cak… Ti arrite ta mbarosh atë shkollë e të shkëlqesh edhe pse kurrë nuk mund të vazhdoje më tej në kohën e duhur…
    Të qafoj fort nga larg!

    Odeta Zhegu
    Unë nuk kam asgjë më ndryshe për të treguar se e gjithë kategoria jonë, të tjerë vdiqën burgjeve e kampeve, rëndësi ka që për inat të persekutorëve tanë, ne u arsimuam me sukses, pavarësisht moshës. Me revolton pa mase cinizmi i bijve lidhur me bëmat e etërve.

    Elda Filipeu
    …në frymën tënde të lehtë ke përkëdhelur dhimbjet..!!

    Jozef Radi
    Elde… ai rreshti yt… i ka të gjitha brenda! Të qafoj fort!

    Shefqet Dobra
    Kohë të dhimbëshme, për të mos u kujtuar…

    Jozef Radi
    Ashtu është Shefqet, të përshëndes dhe uroj gjithçka të mirë!

    Lumturi Lapardhaja Demiri
    Ke një shpirt që nuk ta vranë dot kurrë!!! Më bëre ta lexoj disa herë… I mençuri… I urti Lazër Radi e gjeti edhe të mirën në atë moçal… dhe gjeti aty thënia e popullit: -Do vejë soi në fis, nuk bëhet rigoni lis. Ju jeni Lisa, Jozef Radi!!

    Jozef Radi
    Po sa e mirë je moj Lume, po sa e dashur je. Kur ti më lexon të betohem që dua ta dëgjoj mendimin tend… Sepse e di të jam borxh të jap librat!

    Lumturi Lapardhaja Demiri
    Me mjafton gjithçka bën dhe lexoj, ai përkushtimi dhe vëmendja jote Jozef Radi, sepse je një mik me vlera, edhe pse në moshë shumë më të madhe se ti, prej teje vetëm mësoj dhe njoh figura, që kurrë nuk pata mundësi t’i njihja, natyrisht duke i lexuar më parë. Kurdo që të jepet rasti, do të jenë kënaqësi e veçantë librat e tu, dhe vlerë e shtuar në bibliotekën time!!

    Arben Kallamata
    E shkruar bukur, qetë, logjikshëm, bindshëm. Të gjithë kemi nevojë për rrefime të tilla…

    Jozef Radi
    Të falenderoj Arben! Jam në përpjekje të mbyll një libër që e kam nisur qysh herët… Ashtu copa jete me perceptim të fortë shpirtëror. Diçka e regjistruar pothuaj si film brenda meje… kur i shkruaj me duket sikur çlirohem nga barra e jetës… Vlerësimi yt më bën të ndjehem mjaft mirë… Ju uroj edhe juve gjithçka të mirë e të sukseshme!

    Arben Kallamata
    Po bën një punë të shkëlqyer. Gjërat kanë qenë saktësisht ashtu siç i përshkruan ti, prandaj këto lloj përshkrimesh kanë vlera të veçanta. Përshendetje.

    Agron Mimoza Previzi.
    Çuditem!!! Shumë të paskan lënë në shkollë deri në vitin e 3 gjimnaz! haha

    Prenjo Imeraj
    Tregim real, shkruar me mjeshtëri nga një shkrimtar i afirmuar,
    Ju falenderoj. I nderuar zoti Radi! Kini shkruar një ngjarje për personazhe të njohura për mua dhe kur të bjerë rasti të takohemi përsëri do mundohem t’ju riprodhoj ngjarje komike, dramatike dhe fatale për ta…

    Aferdita Hall
    Oh, çfare dhimbje Josef! M’u mbushen sytë me lot!

    Flutra Kuqani Malo
    Ju falnderoj për këto perla që sjellni edhe pse të dhimbshme…
    Ju lumtë mendja e penda.

    Maks Bejleri
    Lexova këtë shkrim rrënqethës dhe nuk ka se si mos të kthehesh pas në kohë, në atë kohë të ndyrë, në atë sistem që poshtëroi njerëzit. Me sa kuptova vuajtjet e familjes tuaj kanë qenë të mëdha, por në fund mbijetuat.
    Ai sistem mos ardhtë kurrë, por fatkeqsisht shohim që bijtë e atyre pjellave janë në pushtet dhe janë shumë të pasur nëpërmjet pushtetit.

    Avenir Ibershimi
    Jozef, për pak sekonda i mbylla sytë dhe u përpoqa të imagjinoj se ç’kishte ndjerë në atë moment, ndërsa dëgjoje emrin e babait tënd, Ai nxënës i vitit të tretë të shkollës së mesme, e një dridhje ma përshkoi trupin… ndjeva një përzierje frike dhe krenarie, në një raport krejt të zhdrejtë, por kuptova që ishte pikërisht ajo përqindje minimale e së dytës që më shkaktoi dridhje në trup e shpirt!! Ishte një ndjejnë instiktive që më bëri të kuptoj që, nga ajo ditë, ky raport ishte i destinuar të ndryshonte deri në zhdukjen tërësisht të së parës e triumfin total të së dytës! E mendova: E megjithatë, jeta është e bukur!!!

    Jozef Radi
    Më duhet ta theksoj Avenir, se për mua jeta ka qënë nji udhëtim i mrekullueshëm në krejt shëmtinë e saj! Unë nuk kam humbë asnji betejë me jetën, i kam përballuar ato pa kokërr loti! Prandaj unë mbetem gjithë jetën më Hygonë! Ai të Bukurën dhe të Shëmtuarën, të Mirën dhe të Keqen, të Drejtën dhe të Padrejtën i linte afër: të shiheshin në pasqyrë të njëra tjetrës! Dhe si mbyllje më duhet të shtoj nji frazë të Thomas Edisonit, kur e pyetën për dymijë dështime eksperimentale, por të cilën do t’ia përshas vetvetes: do të vazhdoj të shkruaj për të treguar 2000 rrugë nga ku nuk duhet të ecet…
    Kush të dojë le të vazhdojë në aventurën e vet.

    Avenir Ibershimi
    Pikerisht, Jozef, pikerisht; kjo ndjehet qarte ne shkrimet e tua… Komplimenti e respekt !!!!

    Hortensia Haxhiademi Pellumbi
    Ky shënim, ndër më të bukurit qe kam lexuar!!, është Kryefjala e këtij shkrimit tuaj!

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook