back to top
16.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Prill, 2024

Batica e injorancës… nga Yzedin Hima

Gazeta

Biblioteca e Menéndez Pelayo
Biblioteca e Menéndez Pelayo

Batica e injorancës…

nga Yzedin Hima

“Një libër i mirë
të çaktivizon “bombat” që ke brenda vetes”
.
Një sondazh i realizuar nga ekspertë të fushës nxori në dukje se një milion qytetarë të Shqipërisë nuk kishin lexuar asnjë libër kohët e fundit. Ky lajm i tmerrshëm u komentua disi në media, por nuk pati asnjë zë nga institucionet përgjegjëse për këtë rënie të shoqërisë shqiptare në baltën e injorancës, për këtë baticë të padijes, që ka mbërthyer vendin, i cili gjeografikisht gjendet mu pranë djepit ku u përkund qytetërimi europian dhe ai botëror. Natyrisht, institucionet përgjegjëse lipset të kryjnë analiza të hollësishme për këtë dukuri të rrezikshme dhe të përcaktojnë rrugët për të ndalur baticën e injorancës, e cila ka mbërthyer vendin në të gjitha përmasat dhe vazhdon para, pa u ndalur.
Rënie të tilla ka njohur historia. Nga kriza të tilla të pandalura kanë humbur edhe qytetërime. Sot qytetarët shqiptarë janë në efektin e shpërthimeve “të bombave” të injorancës, të cilat shpërthejnë ngadalë, por kanë efektin e reaksioneve zinxhirë duke vrarë të djeshmen, të sotmen dhe të nesërmen e vendit.
Terrorizmi me bomba është një nga sfidat e qytetërimit të sotëm dhe bota ka marrë masat e parandalimit dhe mbrojtjes, ndërsa nga terrorizmi që vjen nga injoranca, e cila është endemike dhe epidemike në ditët e sotme, nuk ka asnjë masë mbrojtëse. Efektet po i shohim sot, por do të jenë fatale nesër e pasnesër. Sot kemi shumë universitete, por pak ekspertë, sot kemi ushtri të diplomuarësh, por shumë më pak profesionstë, sot kemi një lumë studentësh, por pak e aspak filtra për të ndarë llumin nga uji i pastër në universitete, sot kemi një det me libra, por fare pak lexues.
Mos vallë kemi prekur fundin në ditët e sotme?! Po. Batica e padijes ka mbërthyer mjaft institucione dhe vazhdon marshimin e pandalshëm. Koalicioni qytetar në këtë vend lipset të formohet për t’i vendosur digë kësaj batice. Është po aq i rëndësishëm sa edhe koalicioni antiterrorist. Sot injoranca është e veshur me rroba firmato, udhëton me makina luksi, pozon në zyra luksoze, paguhet mirë nga taksat e qytetarëve, ka kapur televizionet dhe universitetet.
Të përbuzësh librin, ke përbuzur dijen. Kombet e qytetëruara u zhvilluan nëpërmjet dijes, iluminimit të mendjes dhe shpirtit.
,
Njeriu dhe Libri
Njeriu dhe Libri
Po kush e shkakton baticën e injorancës?!
Mungesa e ligjit, mungesa e konkurencës së ndershme, mungesa “e filtrave” para derës së institucioneve, zbehja e punës në shkolla, partitizmi i neveritshëm, primitivizmi i ndërtimit të shoqërisë në shprehje fisnore e krahinore, lufta kriminale e klasave, që vazhdon e pandalur etj. etj.
Po dikush mund të pyesë: pse mendon se injoranca vret?! Pse një injorant është “një bombë” që shpërthen dhe dëmton individin, shoqërinë?! Sepse, kur një injorant kap kreun e institucionit, institucioni pushon së ekzistuari dhe më kot presin qytetarët shërbim prej tij. Sepse aleanca e injorantëve është një barrierë e padepërtueshme dhe kundër qytetarisë dhe kundër qytetarëve. Vini re, sapo një injorant kap kreun e një institucioni të rëndësishëm, ai do të zgjedhë bashkëpunëtorë si vetja dhe më injorantë se vetja. Sepse injoranca pjell dhunë. A i keni vënë re drejtuesit injorantë se sa të dhunshëm janë me qytetarët dhe vartësit? Ata nuk dinë, nuk duan të dinë dhe nuk dëgjojnë se klima pozitive në një institucion është kushti i parë i mbarëvajtjes së punëve. Sepse injoranca e veshur me pushtet, deri edhe me mandat deputeti, ka krijuar modelet më të këqija për qytetarët shqiptarë, sidomos për të rinjtë. Ata shohin se njerëzit e ditur, njerëzit që nuk e lëshojnë librin nga dora janë të përbuzur, të lënë mënjanë, të lënë jashtë institucioneve, jashtë mediave, jashtë kuvendeve, ndërsa ata, që nuk kryen kurrë një shkollë të vërtetë, ata që blenë diploma, kanë kapur kryet e vendit, ndaj sot në mjaft shkolla libri shihet jo si një mik i mirë dhe i pafjalë, por si mjet torture.
Nëse do të respektoheshin kriterët, nëse shoqëria do të kishte filtra, nëse në krye do të kishim njerëz të ditur, ekspertë të fushave, do të kishim shërbime më cilësore për qytetarët dhe për rrjedhojë modele të shkëlqyera, që ia vlen mundimi të ndiqen nga të rinjtë.
Sot libri në Shqipër është shpallur “i padëshirueshëm”. Jam i sigurtë se shkalla e mosleximit është shumë më e lartë se sa na flet sondazhi. Nuk ka krizë më të madhe për një shoqëri, se sa përbuzja masive e librit. Diku kam shkruar se Harold Blum, dijetar i madh bashkëkohor, thotë se njeriu po flaku librin nga dora, pushon së qëni njeri. Në analizë të fundit kriza e librit është krizë e arsimit.
Varfëria materiale është shprehja më e dukshme e mjerimit mendor dhe shpirtëror te një shoqëri. Ajo sa vjen dhe thellohet. Kur thuhet se varfëria luftohet me rritjen e nivelit të shkollimit dhe cilësinë e këtij shkollimi, parsysh kemi librin. Nuk ka dije pa librin. Urrejtja për librin është në raport të drejtë me thellimin e varfërisë.
Lajmi i sondazhit është fatal. Ky lajm shoqërohet me lajmin se Shqipëria çdo ditë bëhet më e pajetueshme dhe braktiset nga qytetarët e saj. Pikërisht, refuzimi që i bëjnë Shqipërisë, tregon se ky vend ka ende energji pozitive te të rinjtë, të cilët e përbuzin formën banale të shprehjes së kësaj shoqërie.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.