back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Bashkëkohësia dhe Literatura e Diasporës – Intervistë e Leka Ndojës për gazetarin Ben Andoni

Gazeta

Studiuesi Leka Ndoja
Studiuesi Leka Ndoja

Bashkëkohësia dhe Literatura e Diasporës

Intervistë e Leka Ndojës për gazetarin Ben Andoni

1.Mendoni se studimi i letërsisë së diasporës do të dimensionojë ndryshe letërsinë shqiptare?
Studimi i letërsisë së diasporës si komponente e letërsisë shqipe, ka qenë i mundur, për letërsinë e diasporës së vjetër tradicionale të arbëreshëve dhe i pamundur për letërsinë e diasporës së re (atë të mbas vitit 1944) për arsye politike në Shqipëri e Kosovë. Ky prodhim letrar shqip mbeti i pasistemuar në një studim tërësor edhe nga vetë autorët e diasporës.
Kështu duke shfrytëzuar këto hapësira të munguara dhe nga një etje për receptim në Shqipërinë e para e mbas vitit 1990, lindi një koncepsion yni i shkrimit të historisë së letërsisë së diasporës.
Duke u nisur nga Etika e Aristotelit që thoshte se “e keqja është mungesa e së mirës” arritëm të paraqitnim qoftë edhe hipotetikisht një letërsi në një periudhë ekzili dhe të shtrirë jashtë caqeve të letërsisë dominante apo zyrtare. Nëse kjo empati metodologjike për historishkrimin letrar do të quhet “dimensionim ndryshe” siç e ideuat ju në pyetjen, mund të themi se së paku ka ndryshuar përmes aktit të shkrimit letrar, vëllimi i prodhimit ofruar nga Diaspora si degë e letërsisë shqipe. Në rast se hera do ta dojë exilliteratura mund të zërë edhe shtratin e lumit të letërsisë zyrtare. Kjo gjasë nuk varet nga metodat, por nga selektimi i vlerave letrare nga receptuesi i kësaj gjenerate, që shpesh është edhe vetë kritiku me shije të zhvilluar artistike që përkap ethen e ekspandimit të influencës që “lind nga perëndon” siç thoshte Naimi.
Duke shfrytëzuar kronikat, recensionet, konferencat dhe punimet monografike të shkrimtarëve të diasporës dhe jetën e gjallë të nënsistemit letrar në Europë, Amerikë e Lindjen e Afërme dhe të Largët (Nënë Tereza): jemi bazuar në selektimin e prodhimit letrar dhe të revistave qendra letrare-kulturore, sipas rretheve letrare apo kolonive. Kështu, nëse letërsia shqipe qoftë edhe vetëm me shtimin e kronologjive të 65 autorëve të diasporës dhe analizimin e veprave të tyre thelbësore ka pësuar ndryshim, evidencat janë të rrokshme në librin: Letërsia Shqipe e Diasporës.2.Ju përmendni dy qendra kulturore Tirana dhe Prishtina, çfarë vendi zenë mini-qendrat e tjera sa i përket letërsisë shqiptare?
Konvencionalisht evidentohen dy qendra kulturore Tiranë-Prishtinë që më shumë dekodojnë administrativisht caqet gjeo-politike mbas arritjes së pavarësisë së Kosovës si për të na thënë “ne kulturën e kemi me harxhet tona”. Por nga ana antropologjike vetëm kromatikë mund të prodhojë një etnokulturë, që shumë-shumë do të bëjë të djersijnë komparatistët kulturorë për të gjetur paratekstet apo kulturat model si pikënisje të dy qendrave. Njësitë e tjera që ju përmendët janë në të njëjtin horizont pritës kulturor-linguistik, por të zhvendosur në diasporë duke bartur me vete kapitalin etik për ta kthyer gjatë përpunimit artistik në një “lule muzgu” siç e quante Koliqi, krijimtarinë jashtë atdheut të shkrimtarit të mërguar. Por tashmë duke përkapur teorinë e receptimit të metaforizuar të Koliqit mund të themi se receptimi nga Diaspora arrihet më lehtë në këtë kohë mbasi media sociale shuan distancat dhe impakti i prodhimit kulturor njehsohet me kulturën “dominante” Tiranë-Prishtinë.
Ndërsa për vitet 1956 (themelimi i revistës Shejzat në Romë) deri më 1978 për sa kohë Koliqi e Camaj kontribuan në këtë revistë qendra e Italisë, nuk mund të quhej “e vogël” për kualitetin e shkrimeve dhe prodhimit letrar të këtyre autorëve.
Rrethi i Londrës përfaqësohej nga novelisti modern, Anton Logoreci dhe Tajar Zavalani, i Gjermanisë nga Martin Camaj dhe Jusuf Gërvalla, në Suedi Kosovë Rexhë Balaj, në Turqi Tahir Kolgjini dhe Niazi Sulçe. Në Egjipt Mustafa Kruja, Ago Agai, Safete Juka.
Në qendrën tjetër tradicionale e letërsisë shqipe (shqiptare) në SHBA: New York, Boston, Santa Klara, Kaliforni, Çikago përveç letrarëve Vasil Alarupi, Anest Andrea, Bilal Xhaferri, Arshi Pipa u zhvilluan studime akademike nga Stavri Skendo, Arshi Pipa, Petër Prifti dhe teologjike nga Gjon Sinishta dhe Imz. Zef Oroshi. Shenja të diasporës letrare kemi evidentuar në Argjentinë: Isuf Luzaj, Frano Alkaj dhe në Brazil: Vasil Alarupi. Por edhe në lindjen e afërme dhe Indi me Nënë Terezën e Kalkutës.3.Cili ka qenë ushqimi kryesor i letërsisë së diasporës dhe individët e saj më të spikatur?
Nëse duhet të kuptoj me “ambrozie” ushqimin hyjnor të përgatitjes shpirtërore artistike mund të themi se diaspora ngriti kultin dantesk të mërgimtarit të dëbuar nga plangu, nga atdheu sikundër Enea që rravgoi nga Troja që ishte pushtuar nga armiku. Kështu Koliqi si ati i diasporës kulturore deri më të gjallë të tij krahas Dantes kultivonte në esetë e tij konstitucionet etike të shqiptarit: “Besë, Nder dhe Burrni…” Këtyre komponenteve etike nga ana e formës iu përshtatën ose u shfrytëzuan repertorët e poetëve të mëdhej Giuseppe Ungaretti, Thomas Eliot, Salvatore Quasimodo e Eugenio Montale apo të disidentëve Sollzhenicin dhe Pasternak të përkthyer në shqip nga Martin Camaj. Ndërsa Logoreci në tregimet e tij ndikohej nga Franc Kafka, poezia e Anest Andreas nga John Keats dhe Ezra Pound. Ndërsa Nermin Vlora fitoi dy herë çmimin letrar Viareggio me romanet e saj “Bivio” dhe “Ex”, duke themeluar letërsinë feministe, por në gjuhën mundëse italishten gjithsesi të përkthyer në shqip nga Adalbert Fekeçi. Nuk duhet harruar edhe krijimtaria e Arshi e Fehime Pipës, si zëra të temave tragjike, të lirikës por edhe filozofisë.

4.Ju përmendni sisteme dhe nënsisteme letrare. A kanë mundur të japin dhe marrin me njëra tjetrën ato?
Nënsistemi nënkupton derivimin e tij prej sistemit kombëtar letrar por intencat etike të nënsistemit të diasporës nuk përputheshin me kodet e realizmit socialist në Tiranë e Prishtinë, duke zhvilluar kritika të ashpra ndaj kësaj metode dhe shkatërrimit të sistemit të vlerave të vendosura deri në vitin 1944, në Shqipëri. Nëse quhet kritika e dyanshme marrëdhënie, po atëhere kundërshtia është një raport. Diaspora përcillte kronikat kulturore shkencore në revistat Shejzat, Koha e Jonë, Albanica dhe kritikonte kulturën lindore ndërsa letërsia në Tiranë incentivonte letërsinë kundër mërgatës si në prozën e Hilmi Telegrafit (hetues), Nasho Jorgaqit etj. Kjo përsa i përket brendisë (ideologjisë) së shkrimit ndërsa përsa i përket formës kemi vërejtur ndikime të Koliqit në prozën moderne në Shqipëri dhe të Camajt në poezinë në Kosovë. Kështu sistemi qendror duke përthithur forma nga nënsistemi përfitoi protokolle novative dhe tematizma qoftë duke ia kundërvënë ideologjikisht deri në kufijtë e plagjiatës.

Leka Ndoja - Letërsia Shqipe e Diasporës
Leka Ndoja – Letërsia Shqipe e Diasporës

5.A ka mundur të dalë jashtë konceptit të nënsistemit, letërsia e diasporës?
Nëse letërsia e realizmit socialist ushtronte presion mbi shkrimtarët që të trajtonin “temën e luftës antifashiste N.Ç.” deri në vitin 1965, dhe më pas “temën e ndërtimit të socializmit” letërsia e diasporës i qëndroi besnike emërtesës së saj duke trajtuar temën sociologjike të disporës politike shqiptare në SHBA tek romani “Shija e bukës së mbrume” të Koliqit, dhe temën e rikthimit të mërgimtarit intelektual në Atdhe tek drama “Rrajët lëvizin”, duke kapërcyer kohën e zhvillimit të ngjarjeve, në një profeci kabalistike të realizuar përmes syve të vajzës së fantomës të shkrimtarit Pjerin Sinadinit, Izës. Vëllimet poetike “Libri i burgut” dhe“Autobiography” të Arshi Pipës kanë dallueshmëri atipike ndaj qendrës letrare, bashkë me poezinë e Camajt që përpunon një model poetik nisur nga hermetizmi përthyer me një trishtim ovidian, të një ishulli mistik. Kjo analogji e ndëshkimit prometean e riformoi poezinë që kishte rënë në butaforizëm.

6.Cili është antagonizmi më i madh i Letërsisë së diasporës me letërsinë e ashtuquajtur zyrtare që është bërë në Tiranë dhe Prishtinë?
Te letërsia zyrtare në Tiranë, eksponentët e diasporës shihnin politikën e shtetit për zhdukjen e traditës kulturore, ofrimin e modelit kulturor sovjetik dhe “revolucionarizimin” e skajshëm të tematikave të shkrimtarëve. Koliqi pati mbajtur edhe konferenca mbi teorizimet e metodës soc-realiste, ndërsa prof. Giuseppe Gradilone e quajti të papranueshme metodën “sociologjike vulgare” në hartimin e Historisë së Letërsisë (së sotme) Shqipe nga Shuteriqi. Pra, në përgjithësi ideologjizimi i artit ishte ndërhyrja më brutale në vetëzhvillimin e letërsisë dhe quhej e papranueshme nga diaspora letrare. Kjo s’i ka penguar autorët në Perëndim të shënojnë edhe arritje në teknikat letrare (Camaj e Pipa për Kadarenë dhe Pashkun ndërsa Lec Shllaku për Faslli Halitin, Moikom Zeqon e Fatos Arapin), ndonëse duke ua zhvlerësuar “apologjitë” ideo-letrare. Shkrimtarët e diaporës kanë vërejtur edhe konceptet lokaliste në qendër, si recidivë të “luftës së klasave” në letërsi.

7.A mendoni se ka ardhur koha për një shikim ndryshe të shumë përfaqsuesve të letërsisë shqiptare?
Shkrimtarët shqiptarë ende nuk janë përfshirë në sistemin e vlerave mbasi ideologjizmi në kritikën letrare dhe ndarja e çmimeve si pjesë e agregatit kulturor politik kanë krijuar një panteon etatist. Politika arsimore duke ndjekur rekomandimet e institucioneve tashmë është përqendruar në vlerat e pakontestuara artistike sesa te vlerësimi kritik i kohës. Letërsia shqiptare është përqendruar në metanarrativë si identifikim etik, te kthimi i kuintave si ndryshim i biokronologjisë nga burleske në trishte, apo te ritushimi i moduseve letrare. Përsa i përket receptimit për letërsinë e traditës (r.s.) ai është i ndryshëm falë konteksteve të reja të “Shkallës 0 të shkrimit” (Barthes) nëse vepra është neutrale.

8.A ka letërsi të diasporës në ditët tona dhe a mund të ndahet dhe ajo në dy nënsisteme, në atë që bëjnë shqiptarët dhe në tjetrin, që bëjnë kosovarët?
Letërsia e diasporës dalë në dhe të huaj – në këtë gjeneratë shek. 21 – duke bartur kapitalin etik me vete është e paorganizuar aq sa për të krijuar një nënsistem. Kushti kryesor i nënsistemit është prodhimi dhe revista qendër, e cila mungon prej kohës së Pipës (Albanica, 1992). Sot në diasporën shqiptare e vetmja revistë është Haemus {e autorit A. Kyçyku} e kolonisë së Bukureshtit, ndërsa gazetat e traditës Dielli, Ilyria janë mbyllur prej vitesh. Autorë të tjerë të diasporës si Gëzim Hajdari e Ornela Vorpsi janë bërë pjesë e polisistemit botëror përmes gjuhës mundëse italishtes. Veprimtaria e tyre është ndërkulturore.
Sistemi ynë letrar kombëtar përbëhet nga dy qendra kulturore: Tiranë-Prishtinë. Ky sistem kombëtar i ka të dyfishta institucionet e prodhimit, vëllimit, qendrës sistemore, kritikës, çmimet, institucionet arsimore e akademike, botimet, receptuesit (lexuesit) dhe një kanal të vetëm gjuhësor, prandaj sistemi kombëtar letrar është i pashkëputshëm. Kjo nuk do të thotë që s’ka forca centripete që me subjektet e tyre apo institucionet do të kërkojnë të shtyhen {largohen} nga “qendra primat” për të ruajtur identitetin. Figurativisht sistemi ynë letrar kombëtar – Tiranë-Prishtinë – përbëhet nga vëllezërit Dioskurë të mitologjisë: Kastori dhe Poluksi (Polideuku) që në jetë dhe derisa u ngritën në qiej ndriçojnë bashkë.

P. s. Këto 5 vitet e fundit janë mjaft aktivë në literaturën e diasporës – Gjergj Jozef Kola dhe Ervina Toptani – në Vjenë, Shpend Sollaku – Noe, Denata Ndreca, Anilda Ibrahimi, Elvira Dones në Itali, po edhe poeti Jozef Radi mes Ankonës e Tiranës, Gentiana Kone në Belgjikë, Entela Tabaku, në Suedi, Gjekë Marinaj, Ailda Mëngjesi, Xhabir Tabaku, Artan Kafexhiu, në Neë York; Artan Gjyzel Hasani në Kanada; Henrik S. G, Anissa Markarian në Francë; Rezart Palluqi në Hollandë, poeti i ndjerë Xhevdet Bajraj – në Meksikë; në Greqi është një komunitet relativisht i madh autorësh, ka edhe mjaft të tjerë emra të tjerë e të cilëve s’arrij t’i kujtoj e ju kërkoj ndjesë, të cilët do të jenë pjesë e angazhimit tim për njohjen e veprës së tyre…

Marrë nga Muri i Fb i Vrethee Lnika, 20 tetor 2022

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.