back to top
19.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Bashkë me Schopenhauerin… nji copë e thyer vetvete Jozef Radi

Gazeta

Arthur Schopenhauer (1788-1860)
Arthur Schopenhauer (1788-1860)

Bashkë me Shopenhauerin…

nji copë e thyer e vetvetes…

nga Jozef Radi  (2013)

Arthur Shopenhauer, mbetet nji nga filozofët më të pushtetshëm të formimit tim… Bile mund të them me pak kurajo, se njohja ime me të, n’ato kohra kur emri i tij përbënte njiherësh kërcënim dhe sakrilegj, dhe vepra e tij n’ato kushte ku jetoja… përbënte nji krim ndaj “popullit dhe partisë”, e forcoi edhe ma fort kët raport, bile ndikoi ashtu përdhunshëm, që mjaft sentenca të tija t’i pranoja pothuaj a priori, a thua se ishte fjala për nji të vërtetë absolute, të pacënueshme, hyjnore… dhe ai kandvështrim i tij i dyshimtë mbi botën dhe gjërat, karakteristikë thelbësore e këtij filozofi – më mësonte të gjeja te thelbi i së përditshmes sime shumë prej atyre elementeve që dukja përpiqej t’m’i paraqiste të ndaluara dhe të rrezikshme…
Njohja ime me Shopenhauerin ka nji histori fantastike, që mbas shumë mundimeve e sakrificave që kam bërë në adresë të tij, po e paraqes sot së bashku me kët tufë përkthime interesante nga vepra e tij… bile mendoj se nji dëshmi e tillë ia vlen edhe për at kohë, kur Shopenhaueri ishte i dënuar të mos ishte, të mos shfaqej, shpesh edhe të zhdukej së bashku me këdo që guxonte jo ta donte atë, po edhe thjesht ta përmendte…

“Fabrika e Letrës” së Lushnjes, ka qenë mbllaçitsja më e madhe vlerave dhe gjithçkaje që e ndalonte me rreptësi shteti i diktaturës… Shpesh i mendoj ata kazanët e mëdhenj të brumosjes… qe sikur të kishin gojë e të rrëfenin se çfarë kanë përtypur… na duhej të qanim me dite e me nate e me dhimbje pafund mbi ta, sepse aty është kartonizuar pamëshirshëm nji pjesë e jetës, historisë, kulturës dhe vlerave të krejt popullit shqiptar…
Kjo tashma, është e shkuar dhe as e qara dhe as kuja e krejt atyre që e vuajtën kët të vërtetë nuk zgjidh më asgjë…
Ne, fëmijët e Savrës që shkolloheshim asokohe në Karbunarë, shpesh e kapërcenim murin e Fabrikës së Letrës, dhe gërmimin te ai mali i librave të hedhur e kishim hobin dhe aventurën tonë ma të lumtur… Kujtoj me nostalgji kohën kur gjetëm të “mali i librave për karton” Donin e Qetë të Shollohovit, dhe at dashurinë erotike të Aksinjës jo vetëm e fantazonim, po ndokush ishte gati edhe ta thoshte përmendësh… gjetëm Tom Sojerin dhe Hekëlberri Finin… Këto kujtime të largëta duken të harruara… po e paharruar mbeti për mua gjetja e nji libër pa kopertina, por që mor vesh se ishte nji vepër e Schopenhauerit… përkthyer diku aty nga vitet ’30… nga nji i quajtur Selim H.  Ceka… dhe që ishte libër rreziku me koke…
Ndryshe nga librat me histori që na pëlqenin shumë, ky ishte libër tjetërsoj… kishte mendim… mendim të vështirë… shpesh të pakptueshëm… aq sa ta bënte edhe mendjen çorap… libër që ti e nisje me qejf ta asimiloje, po mbas pak të mbetesh diku në fyt… e s’arrije ta kapërdije dot… po as ta kuptoje prej paaftësisë së moshës tënde… ndoshta edhe nga faji i përkthyesit… o mos ndoshta i autorit!!! “Asht libër, që kërkon tjetër moshë, tepër pregaditje… bile shumë të thellë…” më  shpjegonte im atë… kur me pa që merresha me të. Kujdes se ja shohim sherrin, ma shumë se dreqit të mallkuem! – më tha nji ditë… E kështu, Shopenhauerin e shkretë me shqipe të sakatosun, u detyruam ta groposin së bashku me disa dorshkrime të tim eti… Gjithnji në pritje të kohës së kuptimit dhe mirkuptimit të tij…
Nga fillimi i viteve ’80, ndjehesha mjaft i rritur, dhe mendoja se tashma i kish ardhë koha edhe Shopenhauerit të dilte prej Hadit… Edhe pse në mjaft nga gjyqet e fundit, ndaj djemve të Savrës, Gjazës, Plugut, Gradishtës e çermës që dënoheshin si “armiq të popullit” u përmendej edhe Shopenhaueri… guxova ta shfletoja… Burgu, – mendoja – aty mbas dere ishte, si me ai pa Shopenhauerin… Kështu që i dhashë karar mendjes, e nxorra nga Hadi dhe mbasi i dhashë nji të lexuar të shpejtë kuptova mjaft gjëra interesante nga ky filozof, por ajo çka s’arrija ta kuptoja… ishte shumë e shumë ma e madhe…
Gjuha e përdorur nga përkthyesi Ceka, vërtetë ishte “elbasançja e ambël”, po shpesh ajo ma humbte shijen, autori përdorte edhe nji shumësi fjalësh të huaja, e ajo çka më bënte shumë përshtypje ishte se në mjaft raste përkthyesi kishte devijuar dukshëm nga koncepti i autorit…
Për ta shijuar pak ma mirë Shopenhauerin, mendova t’i futem nji çmendurie… S’mund të bëja ndryshe… veç ta kopjoja me dorë, ta shqipëroja nga shqipja, ta filtroja dhe ta kthjelloja me aq sa mundja kët filozof gjerman, nji nga mendjet ma të ndritura të shekullit të XIX… dhe kështu me nji pasion prej murgu, me nji shkrim të përsosur, për gati nji vit u mora me leximin dhe përcjelljen në shqip me shkrim dore Shopenhauerin e Madh… Kështu, ai që u bë njeriu që më edukoi durimin, thellësinë, thelbin, dyshimin dhe pakënaqsinë si frymë lartësuese…
Leksione fantastike në at heshtjen e plotë të barrakës, ku ai më shpjegonte me durim… lindte dhe vdiste aty… me mua! I vetmi që më përballesh kur dehesha me Shopenhauer: ishte im atë…
Sot at fletore nuk e gjej… E di kujt ia kam dhanë për së fundi, po zoritem t’ia them… Ndoshta ai do ta lexojë kët dëshmi… dhe besoj se veç për mundimin tim njivjeçar të shkrimit dhe dashurisë sime ndaj këtij filozofi duhet të ma kthejë…!!!
Përndryshe nga kazanët e brumit e kam shpëtuar dikur… dhe ky është fati tij që mbeti i shpëtuar!

***
Ndërsa sot, paraqes para jush nji pjesë nga përkthimet e mia të vona të Arthur Schopenhauerit, nga cikli “Mbi miqësinë, dashurinë, seksin dhe martesën…” Sigurisht, ai mbetet po ai filozofi i vështirë në të lexuar, në të kuptuar, në të shpjeguar, por vetëm mbasi e ke përtypur mirë e mirë… mund ta kuptosh se rrallkush mbetet nikoqir i fjalës dhe mendimit si ai…! Sigurisht shumë prej lexuesve s’e ndjejnë të tyrin, dhe jam i sigurt se mjaft edhe mundet edhe t’i lodhë; të tjerë mund ta kundërshtojnë me energji mendimin e tij, por kjo s’është nji arsye për të mos e dashur… e kundërta mendoj se duhet të ndodhë… se Schopenhauer shkon deri në ekstrem të mendimit… shpesh atje ku ne s’kemi pasur as guxim dhe as mundësi të zbresim… Prandaj kjo prurje e imja, që daton prej kohrash kur Shopenhaueri ishte nji “djall i shoqërisë shqiptare”, dëshiroj t’ju japë kënaqsi, reflektim dhe thellësi… ashtu siç më ka ndodhur dhe më ndodh mua gjithnji kur ndodhem përballë nji monumenti historik… si Vepra e tij…
gusht 2013

Jozef Radi 2000
Jozef Radi 2000

Arthur Shopenhauer

Mbi dashninë, miqsinë  dhe martesën…

(përkthime dhe përzgjedhje nga Jozef Radi)

***
Miqtë hiqen si të sinqertë, po në t’vërtetë të sinqertë janë vetëm anmiqtë; kështu që asht e nevojshme me e përdorë at mallkimin e tyne për njohjen e vehtes sonë, si të ishte fjala për hidhtësinë e nji ilaçi…
***
Mos ia thuej mikut tand, atë që kërkon të mos e dijë armiku i yt…”
***
Miqtë e shtëpisë, quhen të tillë ma së shumti me të drejtë, sepse janë miq të shtëpisë, shumë ma tepër se miq të të zotit të shtëpisë… Aq të ngjajshëm me micat dhe qentë…
***
Çdo miqësi pëson prej largësisë dhe mungesës së gjatë, dhe nuk siguron asnji lloj  përfitimi prej saj…
***
Mund të ndodhë edhe që mbas shumë kohësh ne të derdhim lot për vdekjen e anmiqve apo kundërshtarëve tonë. Sepse me të vërtetë, e ndjejmë sinqerisht mungesën e tyne, ngaqë ata s’ndodhen aty për me na dëshmue për sukseset tona t’shkëlqyeshme…
***
Asht nji formë dobsie pajtimi me nji mik me të cilin je nda mbas nji përplasje të fortë; dhe shumë shpejt ke me e pague kët gabim, sepse po ai person ka me të sajue rastin ma të parë po at sherr, për të cilin ka ndodhë edhe përplasja e parë, bile kësaj here ai do ta bajë me nji paftyrësi edhe ma të madhe, me at vetdijen e heshtun e t’qenit i domosdoshëm…
***
Dashnia asht diçka e gabueme dhe mashtruese.
Ky trazim që ju përfshin, ky seriozitet dhe kjo heshtje s’janë tjetër veçse frut i nji projekti i Gjeniut të llojeve.
Adhurojeni nëse ju pëlqejnë evolucioniet e tij, por mos harroni që ai mendon veç se si me i mbushë boshllëqet dhe me i riparue të çamet, me ruejtë ekuilibret midis të ardhunave dhe harxhimeve, për me e mbajtë gjithnji sa ma të popullueme stallën, ku dhimbja dhe vdekja i rekrutojnë me aq lehtësi viktimat…
***
Ngaqë nuk ekzistojnë dy individë përsosmënisht të njejtë, do të jetë nji grua e vetme e përcaktueme ajo që i përputhet në mënyrën ma të përsosun nji burri të përcaktuem. Pasioni i vërtetë i dashnisë asht gja i rrallë, tamam si ajo rastësia që i ban këta dy njerëz me e gjetë njeni tjetrin…
***
Përshtypja e të qenit i ndodhun ndër ngjarje tejet të randsishme, e nalton të dashuruemin mbi krejt gjanat toksore, bile ma së shumti edhe mbi veten… dhe prej dëshirave tejet fizike, nji veshje kaq metafizike aq se e ban dashninë me u shfaqë si nji episod poetik, edhe në jetën e burrit ma prozaik të botës…
***
Dashnia e nanës asht si ajo e kafshëve, thjesht instiktive, dhe si e tillë ajo merr fund kur bijtë s’kanë ma nevojë për kujdes fizik. Dashnia e babës për fëmijët e tij ashta ma e fortë, ajo asht e bazueme në njoftjen e uni-t të veçantë të gjithsecilit prej fëmijëve, dhe për kët mund të konsiderohet me origjinë metafizike…

Schopenhauer (1788-1860)
Schopenhauer (1788-1860)

***
Për siç janë gatue: burri asht i prirun drejt paqëndrueshmënisë në dashni, gruaja në të kundërt, drejt qëndrueshmënisë… Dashnia e nji burri paksohet ndjeshëm. Menjiherë mbasi ai asht kënaqë, të gjitha gratë e tjera i interesojnë ma shumë se ajo që tashma e zotnon, pirërisht për kët gjà ai synon n’vazhdimësi gra të tjera… Dashnia e gruas, në të kundërt, rritet gjithnji e ma tepër prej çastit të zotnimit të nji burri. Kjo përban edhe piksynimin e saj të natyrshëm, që ka si qëllim vetëm ka ruejtjen e llojeve, pra ta shumfishojë me sa t’jetë e mundun. Burri mundet në mënyrën ma të rehatshme të prodhojë në harkun e nji viti ma shumë se njiqind fëmijë, duke pasë në shfrytëzim gra të shumta; gruaja në të kundërt, për sado burra që mund të ketë, mund të sjellë në jetë në harkun e nji viti nji fëmijë të vetëm… Kështu që burri mundet me shkue në kërkim të grave të tjera, ndërsa gruaja synon me kambngulje nji burrë të vetëm… Në të vërtet natyra e saj që shtyn me e ruejtë instiktivish dhe pa asnji lloj reflektimi, atë që do ta ushqejë dhe do ta mbrojë krijesën e saj të ardhshme.
***
Dëshira seksuale, mbi të gjitha asht e përqëndrueme te ata që dashurohen; dhe duke u fiksue mbi nji grue të përcaktueme qartë, ajo përban thelbin e mashtrimit të kësaj bote fisnike; sepse premton gjana të pabesueshme, pafundme dhe jashtzakonisht të shumta… ndërsa me i mbajtë ato ban mjerisht krejt pak…
***
Seksi mashkullor kërkon prej atij femnor, përgjithsisht, e në mënyrë të drejtpërdrejtë nji gja të vetme. Seksi femnor, ban të kundërtën, pretendon dhe pret prej atij mashkullor gjithçka; gjithçka që ai dëshiron dhe për të cilën ka nevojë…
***
Kapriçot, që e kanë origjinën te instinkti seksual, janë në gjithçka të ngjashme me flakët e zbrazta; mashtrojnë në mënyrën ma të besueshme, dhe nëse ndokush i ndjek nga pas, ato arrijnë me e zhytë në kënetë dhe me tretë pa gjurmë…
***
Edhe vetëm duke e vëzhgue figurën femnore, mund ta marrësh me mend se gruaja nuk asht e prirun për punë të mëdha: as shpirtërore dhe as fizike; ajo e shlyen fajin e të jetuemit jo me veprime, por duke i vuejtë dhimbjet e lindjes, te kujdesi ndaj fëmijëve dhe te nënshtrimin e burrit… për të cilin ajo duhet të ishte nji shoqe e durueshme dhe e kthjellët.
***
Gruaja asht pjesmarrëse në ngjizjen e nji krijese të re, dhe njifarë kuptimi, në mënyrë shumë ma të pafajshme se burri. Ky i fundit në fakt, e furnizon atë me çka i duhet me e zhvillue vullnetin, dhe ky asht faji i parë, pra zanafilla e çdo të keqeje dhe vuajtje. Ndërsa gruaja në të kundërt, i jep ndërgjegjen, e cila hap rrugën e shpëtimit…
***
Gratë pa dyshim janë ma prozaike se burrat. Pra ato s’shohin asgja ma shumë se ajo çka asht në t’vërtetë; ndërsa burri, kur pasionet e tij janë grafulluese, asht i prirun me e zmadhue të vërtetën dhe me i dhanë asaj përmasa fantastike…
***
Jo pa të drejtë seksin femnor mund të quhet edhe seks joestetik. Gratë në t’vërtetë, s’kanë asnji lloj dhimbjeje dhe asnjifarë ndjeshmënie, as për muzikën, as për poezinë, as për artet figurative… edhe kur shtiren se gjoja e kanë diçka të tillë ajo s’asht tjetër veçse nji majmunëri e vërtetë që u shërben veç nazeve të tyne…
***
Të gjesh nji grua me të vërtet të sinqertë, nji grua që s’shtiret asht ndoshta e pamundun… Kjo asht edhe arsyeja pse gratë i zbulojnë me aq lehtësi mashtrimet e të tjerëve, e dëshmon pse s’asht aspak e këshillueshme me gërmue fort në jetën e tyne…
***
Të gjitha gratë me përjashtime të rralla janë të  priruna për shpërdorime. Kështu që çdo pasuni, përjashto rastet e rralla kur ato e kanë fitue vetë duhet ruejtun me kujdes prej rrëmbimit të tyne…
***
Të qenit besnik asht nji virtyt artificial te burrat, dhe i natyrshëm te gratë… Kështu që tradhëtia bashkshortore asht shumë ma e pafalshme ndaj grave se ndaj burrave, qoftë objektivisht si rezultat i pasojave që sjell, qoftë subjektivisht pse asht kundra natyrës së saj…
***
Me u martue “për dashni” dhe mos me u pendue shpejt për kët gjà, bile me u martue në përgjithsi, asht si me e futë dorën në nji thes me sytë e lidhun dhe me shpresue me nxjerrë prej aty nji ngjalë, mes nji grumbulli gjarpnijsh…!”
***
Në kontinentin tonë të monogamisë, me u martue: domethanë me i përgjysue të drejtat e tua, dhe me i dyfishue detyrimet…
***
Me u martue: domethanë më bà ç’mos me ia çue të pshtjellët tjetrit
***
Martesa asht nji borxh i marrun në moshën e rinisë që paguhet në pleqni…
***
Siç asht tashma e ditun, martesat e lumtuna janë të rralla, kjo ndosh sepse asht në natyrën e martesës; ku qëllimi i saj kryesor s’asht ai brezi i pranishëm, po ai tjetri i së arthmes…
***
Qëllimi i martesës s’asht mirkuptimi intelektual, përkundrazi riprodhimi i fëmijëve. Ai asht nji bashkim zemrash, dhe aspak bashkim mendjesh… Për nji grua kambngulja e të qenit e dashurueme me inteligjencën e nji burri, asht nji pretendim i kotë dhe qesharak…
***
Në monogami, burri asht tepër i drejtpërdrejtë dhe tepër i shtrimë në kohë… gruaja asht krejt e kundërta…
***
Kur nji burrë mbrrin të dyzetat dhe ende s’ka marrë ngarkim mbi vete nji grua dhe fëmijët; duhet të ket mësue vërtet krejt pak nga jeta, nëse e ban nji gjà të tillë ma vonë. Sepse i ngjan shumë atij që mbasi ka bà treçerekun e rrugës me korrierë, ka dëshirë me zbritë dh me e pre biletën për krejt udhëtimin…
***
Prania e nji mendimi asht si prania e nji të dashuri; ne besojmë se s’do ta harrojmë kurrë mendimin po që edhe i dashuri s’do të jetë kurrë indiferent… E megjithatë larg syve… larg zemrës… edhe mendimet ma të bukura nëse s’i derdhim mbi letër humbasin pa gjurmë, kështu edhe të dashurin me të cilin s’patëm mundsi të martohemi, do të kërkojmë gjithsesi ta shmangim…
***
Për me e shfaqë qëndrimin tuaj t’veçantë ndaj nji personi, kushtoji mjaft vëmendje përshtypjes së parë që shkakton nji letër ende e pahapun, e posambrritun me postë prej personit në fjalë…
***
Mund të arrijmë nji marrveshje të përsosun vetëm me veten ton!
Gja e cila s’mund të ndodhë as me nji mikun tonë, as me nji të dashtun, sepse ndryshimet individuale dhe gjendjet shpirtnore, provokojnë në çdo çast kundërshti. Paqja e vërtetë dhe e thellë e zemrës mund të mbrrihet vetëm në vetmimet ma të thella…
***
Nëse miqsia, dashnia dhe martesa janë lidhje mjaft të forta për njerzit, në fund të fundit, cilido prej nesh, plotësisht i ndershëm asht veç me vetvedin…
***
Ashtu si mospranimi i nji borxhi prej nji miku sjell moshumbjen e tij, e kundërta ndodh kur ia pranojmë borxhin; pra si rregull s’asht aq e lehtë ta rrënosh nji miqësi me nji sjellje tejet krenare e disi të pakujdesshme. E kundërta ndodh prej nji mirsjelljeje ose kujdesi të tepruem…
***
Vetëm nëse s’ua ke nevojën të tjerëve n’asnji rast dhe e dëshmon kët gjà, mund të sigurosh nji epërsi në raportet me të tjerët. Për kët motiv asht e këshillueshme të ndigjosh herë mbas here këdo, burrë a grua qoftë, dhe t’i dëshmosh se mund ta shtysh shkëlqyeshëm edhe pa të; kjo e forcon miqsinë, dhe në pjesën ma të madhe të rasteve s’të sjellë asnji lloj dami, veç do thërrime të pakta përçmimesh…
***
Ashtu si në ma t’shumtën e rastve gjejmë shpesh kartamonedha letre në vend të monedhave t’argjendta; në botë asht mjaft e përhapun…  që në vend të respektit të vërtetë dhe miqsisë së pastër, të gjesh shfaqje të jashtme dhe gjeste të tilla sentimentale, t’imitueme në mënyrën ma të natyrshme të mundun…
***
Nëse do të ndigjonim qoftë edhe për pak, si flet për ne në mungesë pjesa ma e madhe e atyne të ashtuquejtun miqtë tanë… ne s’do të shkëmbenim qoftë edhe nji fjalë të vetme me ta.
***
Janë krejt të pakta gjanat që i bajnë njerzit të ndjehen me t’vërtetë mirë: nëse ju tregon atyne ndonji fatkeqsi që të ka ndodhë pak kohë ma parë, ose me ju shfaqë ashtu si padashtas ndonji dobësi tanden personale…

Related Images:

More articles

3 KOMENTET

  1. Shopenhaueri, ka qenë pikë referimi për filozofët e rinj që erdhën më pas. Së bashku me Niçen, ata përbëjnë shtyllat e filozofisë së kohës. Thëniet e tij janë pika orientuese për çdo moshë dhe nivel kulturor… mjafton ta studiosh e ta dashurosh, siç keni bërë edhe ju, i dashur Jozef…

  2. S’mbaj mend sa herë e kam lexuar, dhe përsëri vazhdoj ta lexoj me mjaft interes…
    Me shumicën jam dakort, por me disa jam befasuar kënaqshem… kjo është ajo që thonë….sa rron mëson!!!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.