back to top
10.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Ballada e burgut Reading nga Oscar Wilde

Gazeta

Oscar Wilde (1854-1900)
Oscar Wilde (1854-1900)

Me i heqë Kapelen Oscar Wilde-s…

në të 160 vjet të tijin…

nga Jozef Radi

Balladën e Burgut Reading të Oscar Wilde-s, ka kohë që e kam përkthye, dhe si ndodh zakonisht me krejt përkthimet e mia, ato mbeten pjesë e nji gjumi të kahershëm… ose e thanun pak ma ndryshe, ato janë nji dashni egoiste e imja të cilën ende e konsideroj pjesë e raportit me vedin…
Ballada në fjalë asht tronditëse, e thellë, me nji gjuhë poetike jo fort të ngarkueme, që e ban edhe ma të dashtun edhe ma të ndjeme për cilindo lexues. Ajo asht mjaft e gjatë, ndoshta jo fort e përshtatshme për nji faqe siti, prandej vendosa me paraqitë veç njenën kangë të sajë, atë të parën, që asht edhe nji e shtata e Balladës.
Sot asht i 160 vjet i lindjes së Oscar Wilde-s, dhe sigurisht kjo pjesë Ballade asht nji përkujtim ma se i meritueshëm i këtij poeti të madh anglez, që nuk qe fort i dashtun për shoqninë e kohës së vet… Opinionet ndaj tij edhe sot mund të jenë larushane, po secili asht i lirë me e mbrojtë të vetin, unë e kam dashtë shumë kët Balladë dhe jam lodhë me të, sigurisht mundimi ma ka ba të dashtun edhe Poetin… Për tjerat… le të merren ata që ja kanë ngenë muhabeteve…
Edhe pse Wilde-s i pëlqente fort Kapelja, unë… edhe pse kurrë me Kapele, sot në kët Ditë të Tijën i heq Kapelen…
16 tetor 2014

Burgu Reading (skice 1844)
Burgu Reading (skice 1844)

Ballada e Burgut Reading

nga Oscar Wilde

In memoriam C.T.W,

ushtar dhe roje mbretërore me kalë Obiit
në burgun mbretëror të Reading, Berkshire,
7 korrik 1896

1.
S’e mbante ma at xhupin e kuq
pse të kuqe janë gjaku dhe vena,
e gjak dhe venë kishte ndër duer
kur e gjetën me trupin
e gruas që dashuronte,
t’vrame n’shtratin e tij.

Vërdallej mes t’burgosurve tjerë
me të mjerën rrobë t’përhime
me berretën strehë mbi krye;
i dukej i lehtë hapi, gazmor,
po kurrë s’kisha pà ndokënd
me aq ankth ta rrmonte ditën e re.

Kurrë s’kisha pà ndokënd
me aq ankth sa vështrimi i tij
ngulfatë në nji pllambë kaltërsi
– që ndër burgje e quejnë qiell –
ndërsa retë e lehta shetitëse
shtyheshin si vela t’argjandta

Vërdallesha me tjerë shpirtna t’dënuem
thellsive të nji rrethi ndryshe,
pyesja vedin, ç’mund të ket bà vallë
ky njeri, diçka t’randomtë a tejet të randë,
kur dikush mbas shpine shpërtheu
“Njate sot n’litar kanë me e varë!”

O Zot i madh! Dhe muret e vet burgut
u duk sikur papritmas u dridhën
dhe qielli mbi të u shfaq
si nji kaskë shkatërruese çeliku.
Për aq sa dhe unë isha shpirt i dënuem
ndëshkimin tem pushova së ndjemi.

Mendoja veç njat mendim të ngulët
që e shtynte t’i nxitonte hapat,
njat arsyen e vështrimi të tij
ngulfatë gjithë ankth te drita:
ai njeri kish vra at që dashuronte
pikërisht njate për të cilën duhej të vdiste.

Wilde - The Ballad of Reading Gaol
Wilde – The Ballad of Reading Gaol

***
Gjithsesi gjithkush vret atë që dashuron,
të gjithë duhet ta dijmë kët gja,
dikush e ban nëpërmjet nji shikimi,
e dikush tjetër përmes lajkash,
burracaku mund ta baj me nji puthje,
veç kush ka zemër përdor shpatën!

Shumica e vrasin dashninë në rini,
të tjerë kur i rrënon pleqnia,
ndokush e mbyt me duert e epshit
e dikush tjetër me duar të arta:
ma t’mëshirshmit përdorin thikën
se veç kështu t’vdekunit n’çast ftofen.

Dikush dashuron pakëz, dikush pafundsisht,
disa e shesin dashninë, e tjerë shtrenjt e blejnë.
Asht ndonji që e kryen njat’ akt mes lotësh
e dikush tjetër pa iu dridhë hiç qerpiku.
gjithkush e vret objektin e dashnisë së vet,
por ama jo të gjithë vdesin.

Jo të gjithë vdesin n’nji vdekje të turpshme
n’nji ditë të errët e faqezezë,
jo të gjithë gjejnë nji litar rreth qafës së tyne
dhe nji kapuç të rrasun në ftyrë
as poshtë ndër bodrume s’bien
mbrenda nji hapësine krejt të zbrazët.

Jo të gjithë rrinë mes njerzish të heshtun
që me ditë e me net i mbikqyrin ata,
i ruejnë nëse kërkojnë me u përlotë
e nëse ndokush përpiqet me u lutë,
dhe vëzhgojnë, pse burgu s’duhet
kurrsesi me i anashkalue viktimat e veta.

Jo të gjithë u këndellen agimeve
me u gjetë midis njerëzish të tmerrshëm,
dridhet kapelani i gjithi në t’bardha,
gjykatësi i zymtë prej ashpërsisë
edhe drejtori i veshun i gjithi në t’zeza.
Me fytyra të zverdhuna prej Gjyqit të Fundit.

Jo të gjithë mund të ngrihen
për me i veshë petkat e ditës së mbrame
ndërsa nji mjek vëren me përçmim
çdo fërgëllimë e mban shënime
duke ia ndjekë orës çdo goditje
si nji rrahje të tmerrtë çekani.

Jo të gjithë e ndjejnë etjen e mallkueme
ngecun midis fytit
para se prej portës së puthitun
të shfaqet xhelati me dorashka pune
dhe trupin t’ia lidhë me tre rrotullime litari,
që ai fyt kurrë ma etje t’mos ketë.

Jo të gjithë e përulin kryet
ndërsa lexohet akti i vdekjes
as atëherë, kur ankthi të këshillon
besim se ende midis t’gjallëve je,
gjersa arkivolin ta kryqëzojnë
n’udhëkalimin drejt spektaklit.

Jo të gjithë e ngulisin atmosferën
prej nji çatie të vogël xhami,
dhe as luten me buzë prej rane
që ai ankth t’marrë fund nji çast e ma parë,
as e ndjejnë të ndalun mbi mollëza
drithërimën e puthjes së Haifas.

E sjellun ne shqip prej Jozef Radit 2008

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. “Gjithsesi gjithkush vret atë që dashuron/ dikush dashuron pakez, dikush pafundësisht/ disa e shesin dashninë, e të tjerë shtrenjtë e blejnë…
    Vargje shumë të bukur… po e gjithë poema shumw e bukur… Vërtet për t’i hequr kapelen…!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.