back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

“Babai i Esse-ve” – Michel de Montaigne (1533-1592) – nga Klodi Stralla

Gazeta

Michel de Montaigne (1533-1592)
Michel de Montaigne (1533-1592)

“Babai i Esse-ve” – Michel de Montaigne (1533-1592)

nga Klodi Stralla

Ka qenë fatkeqësi për brezin tonë të viteve ’60, që nuk patëm rastin të njohim në orët e letërsisë, përfaqësuesit më të njohur të letërsisë botërore. Vetëm pak nga Homeri e Shekspiri, shumë pak nga Molieri, aspak nga Eskili, Dante apo Gëte, për të mos folur për disa si Mishel Montenji që nuk ua kishim dëgjuar as emrin. Eshtë ironi për historinë tonë kombëtare që, ndërsa ata i tregonin të vërtetën shoqërisë së tyre qindra vjet më parë, ne shqiptarët i kishim ata të ndaluar në fundshekullin e 20-të!
Ndonse i lindur në një familje aristokratësh të pasur, që e kish të siguruar karrierën e ardhshme politike (sa qe gjallë i ati u bë këshilltar parlamenti dhe prefekt i Bordose), Montenji, pas vdekjes së tij, parapëlqeu lirinë individuale, bibliotekën e tij të dashur ku gjente prehje me shkrimet e tij që ua bënte të njohura vetëm një rrethi të ngushtë njerëzish.
-Ishte skeptik i madh dhe përqeshte të gjithë autoritetet dhe të gjitha “të vërtetat” e kohës së tij, sepse, siç thosh: “nuk ka të vërtetë që nuk është rrëzuar, siç nuk ka as marrëzi, që nuk është pranuar si e vërtetë”. Tallej në mënyrë cinike me gjithë botën e qytetërimit dhe të kulturës, me rektorët e universiteteve dhe me nëpunësit e mefshtë, me artet, me shkencat, me qeveritë, me doket dhe me religjionet, dhe si aristokrat i pasur, udhëtonte nëpër Gjermani, Zvicër dhe Itali për të njohur botën dhe njerëzit.
Nuk pati një filozofi të vetën, në formën e një traktati tradicional si shumë prej bashkëkohësve të vet. Nuk shkroi latinisht siç shkruanin të gjithë filozofët e kohës së tij. Çdo shkrim është në gjuhën e vet amtare, franceze, në formën e re të shprehjes letrare, aq të parapëlqyer prej tij – Esse-së. Shkrimet e tij të përmbledhura nën titullin “Les Essais” (Përpjekjet) kanë qenë burimi që ushqeu mendimin e autorëve më të njohur europianë, nga Shekspiri tek Paskali, nga Niçe tek Prusti e Heideggeri, duke e bërë Montenjin rilindasin francez më me ndikim të kohës.
.
“Babai i Esse-ve” Michel de Montaigne
“Babai i Esse-ve” Michel de Montaigne
Ishtë mjeshtër i vrojtimit dhe i refleksioneve të shkurtra mbi botën që e rrethonte. Për të, “as arsyeja, as ndjenja, as gjuha, nuk e ngrejnë njeriun mbi kafshët, por fakti se ai është “kafshë e pakufizuar”. Kafshët e tjera janë të kufizuara nga nevojat e tyre instiktive, fiziologjike. Njeriu nuk ka kufij dhe ligje detyruese, kështu që vazhdimisht kërkon dhe hulumton, dhe kjo paqëndrushmëri e përhershme është natyra e vërtetë e njeriut. Megjithë këtë, njeriu është më rezistues se çdo kafshë tjetër dhe shpirti i tij i brishtë dhe i dobët mund të befasojë me fuqinë dhe energjinë e çuditshme; së këtejmi ai është qenia më interesante midis të gjitha krijesave që duhet gjithnjë të studiohet sërisht.
Eshtë i të njejtit mendim me Dekartin qe: “…të filozofosh do të thotë të dyshosh”. Në kohën e lirë mediton dhe studion vetveten “më shumë se çdo objekt tjetër”. Njeriu, vërtet, duhet të jetë kureshtar, të studiojë dhe të njohë çdo gjë; vetëm duke mësuar, njeriu mëson se nuk di atë që mendon se di. Dyshimi i Montenjit lind më shumë nga urrejtja ndaj epokës së tij në të cilën masakrat politike dhe fetare ishin dukuri të përditshme. Në një esse të tij, na thotë se kanibalët janë “të pastër dhe të sinqertë”, dhe se tek ta nuk ka fjalë që kanë kuptimin e gënjeshtrës, të pabesisë, të hipokrizisë, të shpifjes dhe të faljes dhe kur mendon se kjo forcë morale e tyre buron nga fakti se në ta “nuk ka dituri, nuk ka art, nuk ka nëpunës, nuk ka të varfër, nuk ka kontrata dhe nuk ka trashëgim”, atëherë kjo të bën të mendohesh thellë. Pikërisht për këtë arsye, Montenji thekson se ligjet e kohës së tij respektoheshin vetëm për shkak se ishin imponuar me forcë, d.m.th. se ishin ligje dhe kurrsesi për shkak se ishin të drejta. “Sepse shpesh i hartojnë budallenjtë, kurse më shpesh njerëzit të cilët urrejnë drejtësinë dhe qe nuk kuptojnë dhe nuk durojnë drejtësinë dhe të drejtën”.
Montenji e dinte se frika ishte burimi i fanatizmit. Gjatë jetës së tij ai kishte parë shumë luftëra dhe persekutime mizore fetare (Nata e Shën Bartolemeut). Ai shkruante se trazirat kishin zgjatur kaq shumë sa ai dyshonte nëse njerëzit do të bashkoheshin ndonjëherë në jetën shoqërore.”Unë kam parë – shkruante Montenji – sjellje dhe qëndrime kaq të ashpra, ç’njerëzore dhe tradhtare, sa nuk mund të mendoj për to pa ndier tmerr…”. Për këtë ai fajësonte forcën e fanatizmit. Ai do të ndiente se humbja e qetësisë mendore do të reflektohej në një kaos social. Në vend që të luftonin me enigmat për të zbuluar Universin dhe fatin e tyre, Montenji do t’i këshillonte njerëzit ta fillonin filozofinë e jetës duke hedhur dritë së pari mbi problemet e tyre.
.
Michel de Montaigne
Michel de Montaigne
Montenji ishte tejet i matur kur vinte puna për ndryshimet e shoqërisë. Si aristokrat ai ishte kundërshtar i të gjitha “revolucioneve të rrugës” dhe ithtar i “çlirimit të shpirtit të brendshëm njerëzor nga presioni i forcave të jashtme”. Njëkohësisht kishte plot dyshime ndaj lëvizjeve dhe teorive politike. Për të, politikanët mendojne se: “Bota pikërisht i ka pritur ata që të fillojë të jetojë nën udhëheqjen e tyre!”.
I konsideruar si ndër themeluesit e gjinisë letrare të Esse-ve, Montenje do të mbetet përherë aktual dhe vepra e tij pjesë e pandarë e bibliotekës të çdo njeriu të qyteteruar.
Marrë nga muri i Klodi Strallës 2 mars 2018
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.