Bab’ – nga Elida Rusta

Elida Rusta dhe i Ati...

Elida Rusta dhe i Ati…

Bab’

nga Elida Rusta

Ditë lulesh sot,
dielli pi ujë thá prej etit,
unë kpus veç lule për n’vorre.
e mundohem me qenë mirë,
tash edhe për ty.
.
Vshtirë m’i thánë shpirtit: Mos vajto!
Dhimbja ásht mbijetesë.
.
Báb’
Lulishtja jéme e errtë,
m’i shkule portat me gjithë rrezë,
e s’po muj me gjetë derën.
Po ty shpirt t’kam.
.
Ndihem n’faj pse s’të deshta má fort,
njerëzit gabojnë,
s’besojnë se fluturohet.
.
Falm’ o i bardhi jém!
A thue jam n’nji ándërr lojcake
e due çdo çast me dalë prej saj
e m’u zgjue saora?
.
Zgjohu báb’,
me m’vra vetminë.
.
Pasha ty, jam lumë i dekun!
Ti s’e din sa ta due praninë…
.
T’mblofsha me puthje,
u lafsha çdo të marte
në t’bekuemit lotë
derisa zogjtë t’më bájnë
fole mbi zemër.
.
Báb’
malli jém!
Të puthi n’dritë t’synit,
e kryet n’gjoks si shenjë faljeje.
.
Ngjas me ty,
pse bluej dhimbjen
deri n’kokrrizë të mbrame
krejt imët,
veç me vedi.
Sa mirë t’isha e pákujtesë,
s’kisha me pasë aq shumë vorre
mbrenda astareve të shpirtit.
.
Asht pranverë báb,
n’ktë stinë mësova m’u përqafë,
përcolla vllanë për kurbet.
Asht dielli ynë me rriska drite
fllad parajse ndër ne.
I ke mbet’ n’gjoks me thinjat tua.
.
Shko báb, shko!
na s’mujm me hikë prej teje!
Thirrmë prej shpati n’shpat:
Oooo ku je Lid’ Zeqirja bre,
a po t’bje për shtat bota?
.
Mbloj ofshámtë me tesha gzimi!
Jam aty me nurin e fundit
që pata për ju,
veç vendi i vorreve ndryshon.
Mjegulla asht e njëjta…
.
Prill 2020
 


 

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta  Etiketat: ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook