Atje ku poetët vriten – Osip Mandelstam – nga Artan Kafexhiu

Artan Kafexhiu

Artan Kafexhiu

Atje ku poetët vriten – Osip Mandelstam

nga Artan Kafexhiu

Fjalët e poetit tingëllojnë profetike përhera. Ai e dinte me siguri, se do të vinte një ditë edhe radha e tij. Madje përqeshte fatin e tij.
“Only in Russia is poetry respected. It gets people killed. Is there ­anywhere else where poetry is so common a motive for murder?” – Osip Mandelstam
(Vetëm në Rusi poezia është e respektuar. Bën që njerëzit të vriten. A ekziston ndonjë vend tjetër, ku poezia është aq normale si arsye(motiv), sa për të vrarë?) – Osip Mandelstam

Sigurisht, ai kurrsesi, nuk mund të imagjinonte se në një të ardhme, një vend i vogël si Shqipëria “do të kishte kaq respekt për poezinë”, sa të vriste poetë. Kuptohet që, emëruesi i përbashkët (denominatori) “respekt”, do të transliterohej kaq besnikërisht nga shkronjat cirilike në ato latine, në atë vend të papërfillshëm stalinist (e që do të sillte aq kobe, me peshë po aq vdekjeprurëse), pronë e një diktatori, po aq paranoiak sa babai i tij ideologjik, Stalini. Shqipëria dhe Rusia (ish BS) njihen si vendet, ku poetët janë vrarë.
Mandelstam ka një poemë ku neve, që e kemi jetuar paranojën e totalitarizmit, diktaturës, do të na sjellë sërishmi drithërimën e kobshme të asaj kohe. Titulli i poezisë është frymëzuar nga një tjetër poezi, thënie e famëshme e mikut të tij të afërt, po ashtu poet, që për herën e dytë s’mundi ta shpëtonte Mandelstam-in nga mëria e diktatorit.
Ky ishte Boris Pasternak: “Tani që ke një apartament, mundesh me shkrujt poezi”.
Pasternaku do të ironizojë me mungesën e jetës private, në ndërtesat “soviet style”, ku njerëzit ndanin ato apartamente, me dhomat si kubikë të vegjël, ku të merrej fryma, ku edhe “muret kishin veshë”, e ku mund të dëgjoje çdo zhurmë e lëvizje, krejt pa momente të jetës private, intime, aq më tepër për të shkruar poezi, pa frikën e bastisjeve të policisë sekrete.
Këtu e merr shkakun për poezinë e tij edhe Osip Mandelstam, e cila titullohet “Flat” (Apartamenti).
Po postoj disa strofa të poezisë në anglisht, të cilat mendoj se na çojnë, shumicën nga ne, në atmosferën mbytëse të atyre viteve, duke zgjuar ndjesitë tona të fjetura, në paralele shumë të ngjashme me vitet staliniste në të dyja vendet, BS e Stalinit dhe Shqipërinë e Hoxhës.
Apartamenti
Mbasi postova me një kujtesë të shkurtër rreth përse-së së vrasjes së poetëve, poemën e Osip Mandelstam-it në anglisht, Flat (Apartamenti).
Miku im Jozefi, me të drejtë, më kujtoi nevojën e përkthimit në shqip. Mandelstam-i futet ndër poetët e vështirë për t’u përkthyer, sepse është ndër krijuesit ma idiomatikë në përdorimin e vargut dhe fjalës. Me pak përpjekje, mendoj se kam mundur të arrij një shqipërim, që besoj përcjell figurativisht thelbin e poemës së tij, kaq domethënëse, veçanërisht për ne shqiptarët.

Osip Mendelstam ne rini

Osip Mandelstam ne rini

Flat

….
Ruder than a Komsomol cell,
Cruder than the students’ chanted plan,
I teach an executioner how to kill
By teaching a birdsong to a man
Ration books are all I read,
Loudspeaker speeches all I hear
Listen, even a lullaby can bleed
Learn, little kulak child, to fear
Some realist neo-ruralist hack
Some sheep-shit worm of a collective farm
Some ink-bleeding, praise-needing party flack -
Deserves just this kind of calm
Soon enough, when the last purge has boiled
All but dale from public pot,
Some family man, some salt-of-the-earth old soul,
Will see this moth of me, and swat
Oh the malice of mildness, these thumbscrew thank-yous,
The devil’s poetry of politeness
As though right through these flimsy walls and windows
Dead Nekrasov himself still hammered us.

Osip Mandelstam shkruajti poemën “Stalin Epigram”, e njohur edhe si “The Kremlin Highlander” (Maloku i Kremlinit), që vulosi përfundimisht fatit e poetit, të vrarë e pa varr.
Në foto, një “mugshot” i Osip Mandelstam në birucat e NKVD, që drejtohej në atë kohë nga famëkeqi Yagoda.

Osip Mendelstam në  prag të dënimit me vdekje

Osip Mandelstam në prag të dënimit me vdekje

Apartamenti

Ma e vrazhdë se një celulë komsomolase,1)
Ma vulgare se brohoritjet e paramenduara studentore,2)
Unë i mësoj ekzekutuesit si me vra
Teksa i mësoj kangën e bilbilit njeriut
Blloqet e triskave janë gjithë-gjithë çka lexoj,
Fjalime altoparlanti gjithë-gjithë çka dëgjoj
Dëgjo, madje edhe një ninullë, mundet gjak me pikue
I mëson fëmijës kulakut, prej frike me u dridhë
Ndonjë gazetaruc i freskët fshati
Ndonjë krimbaç bajge kolektivizimi
Ndonjë kalemxhi, mburravec agjit-propi partie
Meriton vërtetë, këtë lloj paqtimi
E sapo spastrimet e fundit të kënë rreshtë
E kur qetësia ka rënë në kazanin e turmës,
Ndonjë esnaf burrë, një riosh i urtë babaxhan,3)
Do të dalloj mua molën, e fap, do ta shtypë
Oh ligësia e t’mosprishurit qejf, ato falemnderet torturuese,
Poetikja e të mirësjellurit të djallit
Sikur përtej këtyre mureve e dritareve të holla4)
Vetë Nekrasovi i vdekur, akoma na raskapiti/cfiliti.5)

1.Celulë komsomolase – celulat e organizatës së rinisë ruse të ideuara nga Nadezhda Krupskaya, gruaja e Leninit. Shkurtimi i Vsesoyuzny Leninsky Kommunistichesky Soyuz Molodyozhi (Eng. All-Union Leninist Communist League of Youth). Në ngjashmëri me të, u ngrit organizata e BRPSh.
2.E ka fjalën për sloganet demaskuese brohoritëse të komsomolasve kundra kulakëve, apo gjithë atyre që konsideroheshin armiq të pushtetit sovietik. Ishin repartet pararojë të bokshevikëve gjatë kolektivizimit me forcë. Në ngjashmëri me to në Shqipëri, anëtarët e BRPSh, u përdorën gjatë kolektivizimit, luftës kundër fesë, veçanërisht ndaj klerit katolik. Udhehoqën shkatërrimin, shëmbjen e institucioneve fetare.
3.Këtu Osip Mandelstam është tepër sarkastik. E ka fjalën për atë rini injorante, që do të krijohet si pasojë e mosnjohjes me të vërtetën, trushplarjen, e ku si pasojë e spastrimeve, zhdukjes së klasës së përmbysur, vrasjes të intelektualëve të vërtetë, mendjeve e shpirtërave të lirë, kur të mos ketë mbetur asgjë nga kultura parabolshevike, kur njeriu i ri kokëbosh, nuk do të jetë në gjendje të mendojë në mënyrë kritike si pasojë e indoktrinimit. E njerëz si Mandelstam-i do të bëhen viktimë e terrorit bolshevik.
4.Poeti sjell të vërtetën e humbjes së privatësisë në godinat e stilit sovjetik, ato kubikë kolektivizues, ku çdo gjë mund të degjohej, përgjohej, e spiunohej.
5.Nekrasovi konsiderohet ndër poetët sinjifikative rusë para revolucionit, ndërkohë, ai ishte një radikal, socialist dhe aspirues i revolucionit rus. Një influencues i inteligjencias ruse, e me një jetë personale abominante. Figurë plot kontraste, që drejtoi një nga revistat letrare me emër, por njihej edhe si një manipulator i jashtëzakonshëm, e që nuk pagonte honoraret bashkëpunëtorëve, një pjesë e tyre, letrarë të famshëm si Dostojevski, etj.

© AK

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta  Etiketat: , , , , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook