back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Atë Gjergj Fishta – Filozof, ideolog kombëtar dhe vizionar – nga Mërgim Korça

Gazeta

At Gjergj Fishta (arkivi Marubi)
At Gjergj Fishta (arkivi Marubi)

Atë Gjergj Fishta – Filozof, ideolog kombëtar dhe vizionar

nga Mërgim Korça

(Kumtesë për Sesionin e XIV-të të Trojet e Arbërit)

Të nderuar Zonja/ Zotërinj
pjesëmarrës në këtë Sesion Shkencor,
 
Në radhë të par’e quaj për detyrë ta falënderoj të nderuarin Profesor Muhamet Shatrin si kryesues i Komisionit organizues të këtij Seminari Shkencor, për ftesën që më dërguan me anën e së cilës më nderojnë duke më përzgjedhur edhe mua të mbaj kumtesën me temën e mësipërme rreth figurës aq madhore të Atë Gjergj Fishtës!
 
Mergim Korça (1932)
Mergim Korça (1932)
Disa konsiderata të përgjithëshme – Shekulli i XIX-të po u avitej grahmave të fundit. Ngjarjet sa vinin e rrokulliseshin shpejt. Ushtria turke u thye përfundimisht në Plevna dhe Rusia e detyroi Turqinë ta firmoste traktatin e Shën Stefanit. Si humbëse, Turqisë iu desh t’ua njihte, veç Bullgarisë së madhe me gjithë Maqedoní edhe autonominë Bosnjes e Herzegovinës.
Nga ana tjetër Greqia, për fitimin e pavarësisë të së cilës gurë themeli qenë bërë trimat arvanitas gjysëm shekulli më parë… mbasi e hodhi lumin u bashkua asokohe me tufën e çakenjëve sllavë që orvateshin të rrëmbenin sa më shumë toka historikisht të banuara nga shqiptarët.
Pikërisht, në këto kohë të turbullta, Kombit Shqiptar i dilte një mbrojtës i denjë, Patër Gjergji Fishta.
Jeta e tij u shtri mbi kapërcyellin e vështirë të dy shekujve. Kombi ynë, duke e pasë ruajtur në shekuj vitalitetin e tij, kish mbijetuar. Jetonte vërtetë, por jo i inkuadruar në atë strukturë shoqërore-ekonomike që quhet shtet. Ky koncept, abstrakt për shumëkënd, madje deri edhe për mendjet e ndritura shqiptare të asaj kohe, ishte ende i pakristalizuar. Disa rilindas e përfytyronin shqiptarin në suazën e një protektorati. Të tjerë e mendonin kombin tonë të bashkuar në një kanton. Pikërisht në këto rrethana tejet vendimtare për kombin tonë, kur e ardhmja e tij ish e rrethuar nga një mjegullnajë krejtësisht e turbulltë edhe kur Franz Josephi, ndonëse mirëdashës ndaj popullit shqiptar, Shqipërinë e shihte si një vënd “ku banorët e saj… shqiptarët as gjuhë të tyre të shkruar nuk kanë…”, Patër Gjergji, duke i peshuar edhe drejtëpeshuar të gjithë këta faktorë, u bë njeri nga nismëtarët e Kongresit të Manastirit. Ai e kuptoi drejt se Turqit e Rinj donin përkrahje e prandaj ata, me Hyrrijetin, lejuan për herë të parë mësimin e gjuhës shqipe si gjuhë të dytë në shkollat fillore si edhe ruzhdijet, (por shqipe e shkruar me shkronja arabe). Tek personi i tij u ndërthurën madhështíja e Tij parashikuese me themelin filozofik të Tijin që ishte njësimi me shprehjen madhore Për átme e për fé, të shkrira që të dyja së bashku me atdhedashurín’e Tij të palakueshme!
Ai e shihte qartë se nuk kishte si të bashkohej kombi ynë në një shtet të mirëfilltë kur gjuha e tij shqipe të shkruhej me “kirilicat” e Kirilit apo me “krrabat” osmane që për më se 500 vite u kishin ngecur në grykë shqiptarëve! Zgjedhja e Tij si Kryetar i Komisísë së Alfabetit Shqip flet qartë për ndikimin e madh bindës që Ai pati ndër pjesëmarrësit e Kongresit të Manastirit! Pra, Patër Gjergji në atë kapërcyell shekujsh, luajti rol kryesor duke u bërë pjes’e rëndësishme e asaj kryeure që lidhi Rilindjen tonë Kombëtare me Pavarësin’e Shqipërisë! Lidhur me autoritetin e padiskutueshëm patriotik të At Gjergjit, ia vlen që përgjatë kësaj brazde, duke iu referuar pikërisht viteve kur shkrimi i shqipes me germa latine u bë një realitet, të sjell edhe një kujtim timin personal që mbresë të pashlyeshme ka lënë tek unë.
Ishte viti 1954. Kishim vajtur së bashku me Nënën e ndjerë t’i bënim një vizitë Hafëz Ali Korçës. (I a bëj me díje auditorit si edhe lexuesit të nderuar se me të nuk kam asnjë lidhje gjaku apo fisnore. Ai po, ka qenë mësues i t’im Eti të ndjerë në Gjimnazin Zosimea të Janinës, kaq.) Në bisedë e sipër fillon Hafëz Aliu dhe na flet se ç’fatkeqësí kombëtare ishte përndjekja e dhunëshme që regjimi komunist po i bënte Klerit Katolik, të cilit ia kositi kokat më të vyera të tijat. Përmëndi shumë syresh si Dom Ndré Zadêjën, At Vinçens Prennushin, Patër Anton Harapin, Dom Lazër Shantojën si edhe të tjerë. E pastaj, mbas një pushimi të shkurtër, mori frymë thellë edhe shtoi (pak a shumë shprehimisht): “…Këta, (komunistët), nuk kanë as fé dhe as atdhé. Të kish qenë gjallë Patër Gjergji, as para Tij nuk do të stepeshin e do ta përdhosnin e ta zhduknin… Ç’përbindësha që janë këta të pafé..:!” I thá këto fjalë edhe heshti! E pashë se u përlot e nuk fliste dot. Mbas një pushimi shtoi: “E kam dashur dhe respektuar pa kufi për vlerat e Tija të pashterëshme si edhe për atdhetarizmin e Tij’ i cili nuk njihte kufinj… Me këmbënguljen e Tij gjuha jon’e lashtë gjeti sintetizim të shkruar… Nuk kam si ta harroj me sa dashuri më përqafoi dhe më përgëzoi, (kur qemë takuar vite më vonë), që në demonstratën e madhe të Korçës më 1910, kundër shkruarjes së gjuhës shqipe me shkronja arabe, unë bekova shkronjat latine të abecesë shqipe të Kongresit Manastirit dhe thash’ edhe një lutje për to…!”
Edhe sikur aktiviteti patriotik i Patër Gjergjit të qé ndalur në nëntorin e 1908-ës, aq sa kish bërë Ai për kombin e Tij deri atëherë, mjaft do të ishte që emri i Tij të shkruhej me gërma të arta. “Gjuha shqipe vojt kah perëndimi”, kish thirrur atëbotë Patër Gjergji… dhe kish pasur të drejtë sepse me veprën e Tij realizoi aspiratat mbarëshqiptare, realizoi edhe ëndrrën e Naimit të madh që kërkonte “diellin që lind andej nga perëndon”. Por për Të nuk kish të ndalur përkushtimi atdhetar.

.

At Gjergj Fishta (1871-1940)
At Gjergj Fishta (1871-1940)
Më 1913-ën, e pikërisht me 13 Qershor, në shenjë revolte kundra Fuqive Ndërkombëtare që e mbanin të pushtuar Shkodrën, Patër Gjergji do të ngrinte Flamurin Shqiptar në Kishën e Gjuhadolit dhe në shenjë vëllazërimi dhe solidarizimi mes muslimanëve dhe katolikëve, do të lidhte me një banderollë dritash si edhe flamujsh kumbonaren e Kishës me minaren e Xhamisë së Fushë Çelës. Çuan atëbotë “administratorët e huaj të Shkodrës” dërgatën e tyre me në krye Konsullin e Francës De Philippis që mes kërcënimesh frikësuese urdhëruan uljen e flamurit por “Frati trim” me ironinë e Tij të guximëshme u tha: “Flamuri jonë e ka për ndérë të gjuhet prej topash t’huej”. Qëndrimi i prer’i Atë Gjergjit e bëri Konsullin t’ia transmetonte Sundimtarit të Shkodrës, Admiralit Britanik Sir Cecil Burney, si u prit ultimatumi dhe ai vërtet që nuk iu përgjigj letrës Atë Fishtës por… as nuk dërgoi forca t’ia ulnin flamurin!
Më 1919, e shohim delegat në mbrojtje të çështjes sonë kombëtare, së bashku me Imzot Bumçin, në Konferencën e Paqes në Paris. Dhe ç’është për t’u theksuar, jo rastësisht Kryeministri i Qeverisë së Durrësit Turhan Pasha, vendosi të largohej vullnetarisht nga kryesimi i delegacionit në konferencën e njohur si Konferenca e Versailles. “…Është më e udhës që para Kanceleríve Europiane të paraqitet një Prelát Katolik se sa një ish ambasador i Turqisë së vjetër në Shën Peterburg.”
Në vazhdim dhe jo rastësisht, po ia paraqesim pjesëmarrësve në këtë Seminar Shkencor, disa nga kalimet më të thekshëm marrë nga fjala origjinale e mbajtur nga Atë Gjergj Fishta n’atë Konferencë Paqeje dhe pa asnjë trysní nga ana e jonë të nxirren nga vetë pjesëmarrësit e nderuar përfundime sa i takon personalitetit të Atë Gjergj Fishtës, të përbaltur nga historianët komunistë si dhe shkrimtarët e Realizmit Socialist, po komunistë edhe ata, pëgjatë 47 viteve të diktaturës:
“…Prej brigjeve gjëmuese të Euksinit e deri në borën e amshueshme të Alpeve Julie; prej brigjeve bubulluese të Akrokerauneve e deri ndër karma të thepisuna të Karpateve, ende të ríme me gjak njeriu, në ata shekuj të kaluem, banonte ajo familja e madhe trako-ilire, në nâmë e në zâ në histori të fiseve dhe të kombeve…
Sot kjo familje âsht shue. Marrë përbrî prej tallazeve të luftave të gjata e të pandáme, ajo u përpî dhe u zhduk përmbrênda gërmazave të pangijshëm të vorbujve te historisë, e kështu nuk mundi mâ, ç’më atë ditë kur Gentiusi, mbreti i mbrâmë i Ilirëve, më 168 para Krishtit, ndriti triumfin e Lucë Emil Palit për m’e pa diellin e majes së lumnisë së vet të hershme…
Porse, si të thuesh, si nji shkatërrinë e dhimbshme anijeje të mbytun në det, prej humbjes së kësaj familjeje trako-ilire, sot, atje ndërmjet Thesalisë dhe Malit të Zi, prej brigjeve lindore të Adriatikut e deri në bregore të Vardarit, shpëtoi gjallë nji grusht njerëzish, të cilët kishin xânë vênd ose mbas mburojes së disa maleve titanike, ose nën hijen e kândshme të disa fushave pjellore dhe plot jetë, banesë e përmallshme e hyjníve të moshës përrallëzore. Ata u bâne ballë me fuqi kurrë të përkulshme të shpirtit të vet bujar, qoftë thellimeve të furíve të shekujve, qoftë edhe padrejtësisë së hipokrizisë njerzore. Të stolisun me nji forcë të jashtzakonshme qëndrese, énde këta e flasin atë gjûhë të të Parëve të vet mâ të hershëm; énde e ruejn të pandryshueshëm karakterin e hekurt e fisnik të stërgjyshëve të vet dhe sot ata gjithnji e punojnë shí atë tokë të cilën e punuen të parët e tyne prehistorikë…
Popujt e gjytetnuem munden, po, në furinë e nji kryengritjeje me vra në trathti mbretënt e mbretneshat e veta e me i dhunue trupat e tyne mbas vdekjes, por nuk mbrrîjnë kurrë me gri – e në ç’mënyrë mandej(!) – me qinda e mijëra vllazën “bashkëqytetarë” të vet. Qyshse serbt kanë vra me qinda mijëra njerëz në Kosovë, dhe grekët kanë djegë qinda e qinda katunde në Epir të nordit, dëshmon qartë se as banorët e Kosovës nuk duhet të kenë qenë serbë, as ata të Epirit të nordit nuk kanë qenë grekë…
Jo, jo Zotni të nderuem! Janë vra gjindja me qinda mijëra në Kosovë dhe janë djegë me qinda e qinda katunde të Epirit të nordit për të vetmen arsye se grekët e serbët duen me e shue farën shqiptare në ato krahina për me mujt me i thânë mandej Konferencës së Paqës se atje nuk ka shqiptarë. Oh, sa arsye ka pasë ai i moçmi kur ka thânë: “Ubi solitudinem faciunt, pacem appellant!” Pra, sa ta kenë shkretnue vêndin, kanë m’e vêndue mandej paqën…
Por për m’i forcue mâ tepër fjalët e z. René Pinon mbi kufijt e Shqipnisë, këtu due me ju përmêndë se çka shkruente mbi këtë çashtje Lordi Fritznaurice, mís i Komisjonit të Rumelisë Lindore, mbi Foreign Office e që masandej kjé botue në nji Libër Bleu (në diplomaci – asnjanës) të vjetës 1880. Ai shkruen: “Për me folë se shka âsht kombi shqiptar, i bjé me u përshtrî edhe mbrênda kufijve të Serbisë e të Malit të Zi. Krahina e Kosovës, shka merr prej Mitrovice e poshtë, âsht krejt shqiptare dhe ka vetëm nji skundill fort të vogël serb. Statistikat bullgare e greke, mbi të cilat qeveritë e Sofjes e të Athinës themelojnë pretendimet e veta mbi Monastir, Ohër e Korçë, janë mbështetë në rrêna e lêni mâ ato pretendime të Greqisë që janë bâ pa kurrfarë turpi…
Qé pra, Zotni, se deri ku duhet të përshtrîhet Shqipnia e ç’kufîj duhet të ketë shteti shqiptar. Mbas dëshmisë së këtij diplomati ingliz në zâ, Konferenca e Paqes kishte me bâ nji paudhsí të përgjakshme po nuk e nxuer e nuk ia ktheu Shqipnisë ato tokë të cilat Konferenca e Londonit, kundra çdo gjyqi e drejtësije, në vjetën 1913 ia shkëputi Shqipnisë për me ia lëshue grekëve dhe serbve…
Tuj ju falë nderit me gjithë zêmër për mirësí që keni dashtë me më dëftue në këtë rasë, kam m’e mbyllë kët ligjëratë të përvûjtë me ato fjalë që me 24 nanduer 1880, ka pasë thânë në Parlamentin italian Madero Savini kur Europa pat çue anijet e veta përpara Ulqinit për me e ngushtue Turkinë që me ia lëshue Malit të Zi tokët e Shqipnísë. E qe çka foli në atë rasë deputeti italian: “Pse francezve nuk u mbushet mêndja me hjekë dorë prej Alsace-Lorenës? Pse nuk do të guxojshit ju, deputetë italianë, me hjekë dorë prej viseve italiane që gjinden nën Austri? Pse i keni dalë zot Greqisë kundra Turqisë në Kongresin e Berlinit? Vetëm mbështetun në parimin e kombësisë! E pra, kujtoj unë se, për me qenë burra fjale, ne na duhet me thânë edhe për Shqipní ato çka thamë edhe për të tjerë në Paris, Romë, Athinë, Varshavë… Në mos paça harrue, siç kam ndíe prej profesorëve të mij, Grotius ka pasë thânë se tashmâ âsht bâ si zanat me ua shndrrue zotin popujve. Por përkundrazi, Jan-Jacques Rousseau gërthet: “Ani, ndërrojani zotat, por të paktën… pyetini këto bagëti njerëzore që quhen popull!”

.

At Gjergj Fishta
At Gjergj Fishta
Përgjatë kësaj udhe, mbas zgjedhjeve të 6 Qershorit 1921, si deputetë të Shkodrës zgjidhen Atë Gjergj Fishta si edhe Imzot Luigj Bumçi. Me atë rast nuk heshtim dot pa e vënë në dukje pohimin e bërë Patër Pal Dodës nga ana e analistit të hollë politik dhe sekretarit të Ambasadës Hungareze në Romë i cili shprehimisht i pati thënë: “Ju keni disa deputetë që Oda e Komuneve të Londrës do ta kishte për ndér t’i kishte në gjinin e Saj!”
.

Atë Gjergj Fishta vizionar

Me lejen e pjesëmarrësve dua që veprimtarín’e Atë Gjergj Fishtës ta ndërthur disí duke trajtuar se si Ai ishte një atdhetár i pajisur me një shkallë tejet të lartë largpamjeje sa u takon zhvillimeve bashkëkohore si edhe të ardhëshme! Në vitet njëzet të shekullit të kaluar, vizionari At Fishta parashikonte në mënyrë profetike jo vetëm se si do t’i cungonin trojet Arbnore fqinjët tanë, por edhe parashihte djegien e vendit nga llava e kuqe përvëluese që do të vinte nga lindja dhe pikërisht largpamësía e Patër Gjergjit na detyron pa as më të voglën mëdyshje ta shtrojmë pyetjen: A nuk qé Atë Gjergji i cili, sikurse të qé një profét’i vërtetë, e parashikoi të ardhmen e vendit tonë shprehur me vargjet e patjetërsueshëm:
 
Shka t’lâjnë kta katër ujq/ Q’i kërcnohen shoqishojt,
Thonë do t’dalë nji djall’i kuq/ Që fort rreptë do t’ja njisë thojt!
 
Nisur pikërisht nga fakti se si Atë Gjergjit, nga vetë parashikimi i Tij lidhur me një periudhë e cila e pati kohëzgjatjen thuajse gjysëmshekullore e gjithashtu edhe duke e kundruar shtegun në vazhdim, mbas atij që mund të cilësohet si shteg mbas shkërmoqjes së komunizmit, nuk e dijmë se çdo të jepnim që vetë Patër Gjergji që andej, nga Amëshimi, të na parashikonte nëse karakteri i shqiptarit në të ardhmen do të rikthehej në gjurmët e dikurshme kur normat e etikës si edhe të moralit ishin asokohe udhërrëfyese?
.

Fretnit Françeskane - rreshti i pare ulur Gjergj Fishta, Vinçenc Prennushi, Anton Harapi
Fretnit Françeskanë – rreshti i parë ulur
Gjergj Fishta, Vinçenc Prennushi, Anton Harapi

Atë Gjergj Fishta apologjet shovinizmi?

Nuk kam se si mos ta vazhdoj trajtimin e figurës madhore të Atë Gjergj Fishtës duke iu rikthyer me përparësí tri ngjarjeve më të fundit të jetës së Tij. E në mënyrë që këtyre tri ngjarjeve t’u ballafaqohet edhe mënyra djallëzore dhe krejtësisht e pamoralëshme se si iu dha udhë shtrembërimeve historike ndaj figurës së Tij, po ua sjell auditorit si edhe lexuesve eventualë të këtyre radhëve, një pjesë të fjalimit të diktatorit të Shqipërisë, Enver Hoxhës, (q’e ushtroi pushtetin e tij të pakufizuar nga nëntori i vitit 1944 deri në vdekjen e tij ngjarë në prillin e viti 1985).
Gazeta “Bashkimi” e datës 22 gusht 1947, botoi fjalën e Enver Hoxhës para një grupi të rinjsh që morën pjesë në Pleniumin e IV-të të rinisë popullore. Ja një pjesë e këtij fjalimi: “…Dashuria e popujve të Jugosllavisë e mareshallit Tito dhe e gjithë udhëheqësve të Jugosllavisë për popullin shqiptar është shumë e madhe. Ne kemi fatin e madh e të lumtur që kemi në kufirin tonë të veriut një aleate e nje mike kaq të fortë, kaq të sinqertë siç është Jugosllavia… Miqësia ka ekzistuar përgjat shekujsh edhe rrebeshesh në mes të popujve tanë dhe atyre malazezë. Këtë miqësi nuk mund ta errësonte shërbëtori i imperializmit dhe i fashizmit italian, shovinisti At Gjergj Fishta me “Lahutën e Malësisë”, ku ai nga një vepër kusare të thjeshtë, kërkon t’i bëjë apologjinë shovinizmit më të tërbuar dhe ta ngrerë armiqësinë që nuk ka ekzistuar në mes të malësive të veriut dhe Malit të Zi, në një teori të çmendur…
E kundrojmë tashti ngjarjen që po e quajmë e treta nga fundi i jetës Mjeshtrit të Madh Fishtës.
Mjafton t’u referohemi dy viteve të fundit të jetës së Patër Gjergjit. Mbi Europë dëndësoheshin ret’e zeza të stuhísë së II-të botërore. Italia ushtarakisht e pushtoi Shqipërinë. Flamuri u tjetërsua dhe italishtja futet si gjuhë në shkollat fillore. Filloi të ziejë ndjenja e revoltës kombëtare. Armiku italian, i vetëdijshëm për këtë, desh ta kapë demin nga brirët. Cili qé ai që për dhjetravjeçarë të tërë spikaste si frymëzues i ndjenjës kombëtare duke u kënduar bëmave heroike të të parëve tanë dhe ç’pohonte Ai?
 
Si t’kshtênë, si muhamedan/ Shqypninë s’bashkut t’gjith’e kan/
E prandej t’gjith do t’qindrojm/ Do t’qindrojm’e do t’luftojmë/
Kem m’u bâ kortarë-kortarë,/ Priftën, fretën, hoxhallarë/ Për Shqypní!
 
Nëpërmjet këtyre vargjeve skajshëm atdhetárë e nga ana tjetër edhe mobilizues gjithëfetárë, Atë Gjergj Fishta i bënte thirrje mbarë popullit shqiptar për bashkim e në vazhdim edhe për luftë!
Cili qé ai që, ndonëse i veshur me zhgunin e Shën Françeskut të Assisit, i cili anatemonte për hír të Atdheut pikërisht tradhëtarët, në vazhdim si edhe pa u druajtur se po bënte sakrilegj, e shprehte revoltën e tij me vargje fuqije prometeiane edhe kundra vetë Krijuesit të Gjithësisë duke shkruar e zezë mbi të bardhë:
 
O Perendi a ndjeve/ Tradhtarët na lane pa Atdhé/
E Ti rrin e gjuen me rrfé/ Lisat n’për male kot!
 
E nuk kam si t’i mënjanohem së rishmi pyetjes, qoft’edhe retorike, se cili qé ai që atdhedashurín’e Tij e shtynte deri në vetëflijím dhe shprehej botërisht:
 
Qe mue te’ m’keni, merrni e m’bâni flí/ Për shqyptarí, me shue çdo mní mizore/
Oh! Edhe pa mue Shqypnija kjoftë e rrnoftë/ E nami i sajë për jetë u trashigoftë!
 
Pikërisht Ai duhej fillimisht miklúar e pastaj tulátur. Dhe hapin e parë qeveria fashiste italiane e bëri: I akordoi Patër Gjergj Fishtës, Provincialit të Françeskanëve të Shkodrës, me Dekret Mbretëror, një nga dekoratat më të larta që akordonte fashizmi italian!
Por përgjigj’e Titanit qe e papritur po aq sa dhe e pabesueshme. Ajo qé e prerë: I a refuzoi Duçes Dekretin Mbretëror të qeverisë Italiane duke u shprehur: Kjo dekoratë nuk âsht për mue!
Dhe néve sot, mbas treçerek shekulli, na lind’e drejt’e plotë të pohojmë se mbas qëndrimit skajshëm atdhetár të mbajtur nga Patër Gjergj Fishta si në parim nëpërmjet vargjeve të Tij, (cituar më lart), e gjithashtu edhe përgjigja që i dha qeverisë italiane lidhur me dekorimin nga ana e saj, nuk ka se si të mos konsiderohet tejet absurde e gjithashtu edhe skajshëm keqdashëse mënyra se si diktatori i Shqipërisë, Enver Hoxha shprehet edhe në vazhdim thekson se Atë Gjergj Fishta ishte një “…shërbëtor i imperializmit dhe i fashizmit italian duke e akuzuar edhe se me Lahutën e Malsisë, të cilën e emërton edhe vepër kusare të thjeshtë edhe shton se sikur nëpërmjet saj Patër Gjergji na i delka zot shovinizmit më të tërbuar si edhe synon ta ngrejë armiqësínë, e cila nuk paska egzistuar kurrë mes Malësive të Veriut si edhe Malit të Zi, në një teorí të çmëndur!
.
Gjergj Fishta dhe Justin Rrota
Gjergj Fishta dhe Justin Rrota
Dhe arrijmë kështu tek ngjarja e parafundit madhore e jetës së Tij, Patër Gjergji si anëtar i Akademisë së Shkencave të Italisë. Pikërisht nga që ky fakt është keqshfrytëzuar e njëkohësisht i është fryrë kaq shum’e me aq keqdashje sa s’ka më nga ana e historianëve të ideologjizuar me frymën e partisë komuniste e doemos edhe nga ana e shkrimtarëve të rrymës realizmit socialist, (të shtyrë këta të fundit nga egoizmi si edhe cmira e tyre e pakufí ndaj veprës së Tij madhore letrare), do të ndalemi e t’i hedhim dritë pikërisht këtij fakti. Akademia Italiane përbëhej nga personalitete prej më të shquarave të kohës, një pjesë e të cilëve edhe laureatë të çmimit Nobel. Patër Gjergjin e njihnin të gjithë akademikët si njerëz të kulturës botërore që ishin. E njihnin kryesisht si humanist të shquar, e njihnin për kulturën e tij të pa anë e fund, e njihnin si gjuhëtar e si ballkanolog të shquar, e njihnin edhe për vlerësimin e rrallë që i ishte bërë në fushën e vargëzimit si “Homeri i Ri” i përkthyer në shumë gjuhë të botës. E njihnin ata natyrisht edhe për dekoratat e titujt që i ishin akorduar: nga Austria “Ritterkreuz” më 1912, ose nga Turqia “Mearif” po më 1912, nga Vatikani “Medaglia al Merito” më 1925, nga Greqia “Phoenix” më 1931, etj. etj., e pse jo, e njihnin edhe si kandidat i propozuar për çmimin Nobel! E si pasojë, kur Patër Gjergji e refuzoi dekoratën e lartë të qeverisë fashiste italiane, akademikët e Italisë u trandën. E njihnin ata për të gjitha ç’u thanë më lart, por nuk e njihnin për madhështínë e karakterit të Tij! Atëbotë akademikët e Italisë, si anëtarë të një institucioni të pavarur kulturo-shkencor që ishin, njëzëri e propozuan Patër Gjergj Fishtën si anëtar të Akademisë Italiane. (Për ta biseduar me At Gjergjin paraprakisht mendimin e Akademisë Italiane, qe ngarkuar Prof. Agostino Gemelli, frat dhe akademik, mik i ngusht’i Fishtës).
Me këtë veprim Akademia e shpërfilli si edhe e shpotiti qeverinë italiane, duke ia rritur skajshmërisht prestigjin jo vetëm Patër Gjergjit por bashkë me të edhe Shqipërisë. Akademia Italiane, nga ana e saj, záret i kishte hedhur.
Pritej përgjigja e Fishtës. Hapin tjetër të priftit krenár vërtet’e priste me padurim Akademia e Italisë, por e priste me kureshtje dhe inat akoma më të shtuar qeveria fashiste, gjoja e pa interesuar.
Vonoi përgjigja, po më në fund erdhi: Patër Gjergji e kish për ndér propozimin që i bëhej dhe falënderonte të gjithë anëtarët e Akademisë për vlerësimin që i bënin!
 
Në konferencën e parë solemne si akademik në Kinema Rozafat, për ta pozicionuar veten e Tij botërisht, duke folur për dukurinë e ngjashme ndërmjet pushtimit të dikurshëm romak të Ilirisë me pushtimin e atëhershëm fashist të Shqipërisë Ai guxoi e tha: “…Rezistenca që romakët hasën ndër fiset dhe mbretëritë ilire të gjitha ndodhën sepse ilirët e panë menjëherë se trupat romake po sillnin robërinë në vend të lirisë…”
Sikur të përqëndroheshim vetëm rreth këtij pohimi të Atë Gjergj Fishtës, bërë nga ana e Tij publikisht si edhe zyrtarisht, nuk ka se si të mos na dal’e qartë se si akuza e ngritur kundra Tij si “shërbëtor i imperializmit si edhe i fashizmit italian”, (nga ana e udhëheqësit komunist të Shqipërisë Enver Hoxhës, cituar më lart), bie poshtë me plot kuptimin e fjalës si një çpifje skajshëm keqdashëse, përçarëse si edhe e pavënd!
Fjalët e fundit të Poetit në grahmë – vdekje – Kishte shkuar ta takonte Patër Gjergjin Imzot Gaspër Thaçi, Arqipeshkvi i Shkodrës. Mjeshtri i Madh i vargut si edhe i prozës shqipe ishte buzë vdekjes së Tij. Me zë të mekur e gjithë ndalésa Ai i kishte theksuar se: Nuk po më vjen keq se po des, mbasi të gjith’ atje kena me shkue, por po më vjen e rândë se tânë jetën e kam shkri për të pa nji Shqypni të lirë e në vedi, ndërsa sot po e lâ të shkelun prej ushtrive të hueja.
.
Fishta-Bumçi-Berati… Paris 1919
Fishta-Bumçi-Berati… Paris 1919

Këtë kujtim na e ka trashëguar Imzot Gaspër Thaçi!

Dhe unë së rishmi detyrohem edhe e shtroj pyetjen: A kanë se si të jenë këto fjalët e fundit të një “shërbëtori të imperializmit si edhe të fashizmit italian?!” Kishte se ç’të thoshte më shumë një Atdhetár i skajshëm?!
Me ditën e hënë, të datës 30 Dhjetor të vitit 1940, lidhet edhe fundi i jetës Atë Gjergj Fishtës. Padyshim që del nga kuadri i kësaj kumtese përshkrimi i ceremonísë madhështore të zhvilluar në Shkodër nga banorët e saj si edhe të rretheve përqark por… nuk kam se si mos ta hedh në letër një fjalí, një të vetme, thënë me rastin e Meshës që u mbajt për ta nderuar kujtimin e Atë Gjergj Fishtës nga Akademia Italiane ku kompozitori me famë botërore Pietro Mascagni u shpreh: “…Në Vizione t’Lumnueshme e gëzueme Zotin n’ekstazë, me shpirtin e kolegut tonë të dashtun Atë Gjergj Fishta!”
Personalitete botërore për Atë Gjergj Fishtën – Pa dashur të zgjatem fare por vetëm i shtyrë nga vlerësimet q’i janë bërë personalitetit të Atë Gjergj Fishtës nga e gjithë bota, do të ndalem fluturimthi rreth këtyre konsideratave.
Profesori si edhe albanologu nga më të përmëndurit në botë, profesori Norbert Jokl, ka pasë pohuar se: “Fishta, shikjue n’atë kênen e vet, pa dyshim âsht krejtësisht romantik. Rrâjisja e tij mbi kombsín, zgjedhja e lândës, fuqija, gjallnija e nderimi i shprehjevet të tija, sidomos trajta e përmbajtjes së veprës së tij kryesore Lahuta e Malcís – me mbishkrimin tërhjekës të dokeve e të zakoneve kombëtare e bâjnë dishmí mjaft kjartas… Fishta, kjo zhení e rrânjosun në tokën amtare të popullit shqiptar, qi për shkak të njohjes së këthellë të tij mbi literaturën e popujve klasikë e mbi jetën shpirtnore të kombeve të tashme të Evropës, u kap në majë mâ të naltat të mâ të haptës kulturë.”
Ndërsa albanologun tjetër, edhe ky i njohur ndër studiuesit më në zë të kësaj fushe si edhe me ndikim të gjerë në rrethet shkencore të Italísë, Profesori Gaetano Petrotta, enthuziast edhe ky sa i takon veprës së atdhetarit të flaktë si edhe letrarit të madh Patër Gjergj Fishtës është shprehur për Të si vijon: “Fishta është ndër të parët e ndër më të mëdhenj atdhetarë, të cilët në kohët më të vështira bënë çmos për ta mbajtur gjallë lëvizjen kombëtare kundër dhunës barbare të qeverisë turke, kundër lakmisë dhelpërake serbe dhe kundër propagandës greke. Kudo që shtrohej çështja e Shqipërisë, At Fishta gjendej aty pranë e, ku me vepra e ku me shkrime, sidomos me poezinë e tij të gjallë, zgjonte nga gjumi më të plogështit dhe mbante gjallë gjithmonë shpresën e ardhmërisë.”
Jo pa qëllim e lashë për në fund, në treshen e albanologëve më të shquar, profesorin Maximilian Lambertz. Më shtyu në këtë drejtim fakti se desha t’ia vija në dukje si auditorit e gjithashtu edhe secilit lexues eventual të këtij materiali, se si jo që ai ishte anëtar i Partisë Komuniste të Gjermanísë Lindore, por edhe drejtor i “Fremdsprachenschule”, (Drejtor i Kolegjit të Gjuhëve të Huaja në Leipzig), e mbas disa vitesh edhe profesor i Gjuhësísë Krahasuese, (Comparative Linguistics), dhe në vazhdim edhe Dekan i Fakultetit të Edukimit pranë Universitetit Karl Marx e derisa doli në pension Drejtor i Institutit Indo-Europian! E tashti, brenda thonjëzave, po shënoj njerin nga vlerësimet e tij sa i takon personalitetit të Patër Gjergj Fishtës: “Shqipnia pat nji fat t’madh e t’jashtzakonshëm, shka nuk e patën popujt e tjerë, veçse mbas qindra vjetësh të nji jete letrare, pat të madhin, të naltuemin përmbi t’gjith, atë, qi u pshtet në popull t’vetin e n’gjuhën e tij e qi me vjersha t’veta ndezi flak zemrat n’popull, pat zhenín poetike t’At Gjergj Fishtës, këtij Homéri të saj!”
Duke e lënë më një anë kompetencën dhe autoritetin e Profesor Lambertz-it, rëndësi të jashtëzakonëshme merr ky pohim i tij jo vetëm për faktin se Lambertzi në person të parë ishte autor i përkthimit të plotë të veprës Atë Gjergj Fishtës “Lahuta e Malsisë”, por edhe për vetë kushtet konkrete në të cilat bëhet ky pohim, duke dalë nga një kathedër universitare e një shteti të diktaturës proletare, ndërkohë që në atdhenë e Tij, (gjithashtu shtet i diktaturës proletare), Atë Gjergj Fishta si edhe vepra e Tij shaheshin edhe mallkoheshin me rrënj’e me degë!
Përgjatë këtij shtegu ku elíta letrare e shkencore ndërkombëtare e vlerësonin tejet lart jo vetëm personalitetin por edhe vlerat letraro-artistike të këtij “patriarku të vërtetë” të letrave shqipe, ku sa për ndonjë shembull sjellim se si e vlerësonin krahas albanologëve me famë që cituam më lart edhe “Elita e studiuesve francezë” si “Tirtéu i Shqipërisë”, ku Tirtéu paraqitet si të ishte Callíno-ja, (pranë traditës epike sa i takon gjuhës, stilit si edhe përmbajtjes së idealit të Tij), me të vetmin ndryshim se virtyti aq i vënë në dukje nga Tirtéu nuk është thjeshtë heroizmi parimor i egzaltuar nga Homeri, por ai i qytetarit q’i mbron me zjarr trojet e tij!
Studiuesi tjetër i mirënjohur Erwin Stranik ka pohuar: “Patër Fishta njihet si poeti më popullor i shqiptarëve, si poeti më i përzemërt i këtij populli… Si këtë kemi edhe një të madh tjetër: Rabindranath Tagora-n.”
Vetëm katër vite mbas vdekjes Patër Gjergjit zgjati periudha kur Ai vazhdohej të konsiderohej atbotë si shkrimtari dhe poeti patriark i letërsisë shqipe dhe veprat e Tija studioheshin në shkollat e mesme të Shqipërisë. Pasojnë tashti vitet e tjera ku brezi i injorantëve dhe i të shkolluarve të dështuar, siç ishte vetë diktatori, dora dorës erdhi duke u pasuruar edhe me shkrimtarët e realizmit socialist. Këta, si lajkatarë të diktatorit pseudoletrar, të suvatuar me kulturë bolshevike në Jugosllaví si edhe në Bashkimin Sovjetik… zvetënohen dhe thellë e më thellë mundohen ta zhysin Zeusin e vargëzimit patriotik! Nuk kaluan më veç katër vite mbas vdekjes së Poetit, e filluan të bëhen realitet parashikimet dhe thëniet e Tija profetike. Pikërisht ai djall’i kuq q’e kishte parashikuar vizionari Patër Gjergj Fishta u bë realitet edhe erdhi dhe i nguli kthetrat e tija në vëndin tonë për thuajse gjysëm shekulli jo vetëm duke ia nënshtruar vendin terrorit komunist, por e keqja m’e madhe edhe duke ia shfytyruar shqiptarit të gjith’ato virtyte të vyera q’e dallonin atë nga i ashtuquajturi njeriu i ri socialist, pjell’e sistemit diktatorial i cili në masë të madhe e ka përfshirë sot vendin!
Atë Gjergji nuk kish si t’i këndonte më së dashurës së tij, Shqipërisë, e as nuk kish më si t’i thurte vargje lirizmi të pashoq gjuhës shqipe! Megjithatë Ai vazhdonte e jetonte nëpërmjet veprës së tij. Ai, që gjithë afshet e zemrës së Tij ia drejtoi Atdheut edhe gjuhës shqipe, si prift që ish, u këndoi këtyre të dyjave si askush tjetër dhe rinia veç frymëzim atdhetár gjente në tá. T’i kujtojmë vargjet mjeshtërore të Poetit:
 
Porsi kânga e zogut t’verës,/ Qi vallzon n’blerím të prillit,
Porsi i âmbli fllád i erës,/ Qi lmon gjít’ e drandofillit,
Porsi vála e brégut t’detit,/ gjâma e rrfés zhgjetáre,
Porsi ushtíma e njaj tërmetit,/ Njashtu â’gjûha e jonë shqyptáre!
 
I shikoj për nga këndvështrimi artistik këta tetë vargje dhe në mendjen time lirizmi i Mjeshtrit të Madh q’i përshkon katër vargjet e parë, nuk ka se si të mos ma kujtojë Leonardon dhe buzëqeshjen’e Monalizës së tij! Leonardoja e dashuron pa kufinj Monalizën, simbolin e tij, dhe përgjërohet si e si t’ia paraqesë sa më të përkor’e të përkryer buzëqeshjen e saj. Kurse Patër Gjergji ishte klerik. Edhe ky dashuronte. Mbase edhe më fuqishëm se sa Da Vinci! Por dashuría e Tij, e kufizuar brenda kufinjëve të etikës së meshtarit, objektiv simbol nuk kish se si të kishte një femër, por ai e kish Gjuhën Shqipe! Mbas asaj bukuríe të lirizmit daç edhe skajor, Leonardoja tulatet. Nuk vazhdon dot më tej. Kurse zjarri i dashurisë Patër Gjergjit bën që Mjeshtri t’i kapërcejë kufinjt’e lirizmit dhe me një “crescendo”, (me kah diametralisht të kundërt me përgojimin çpifës të komunistëve ndaj Tij), i cili vazhdon me katër vargjet e tjera ku Gjuhën Shqipe, të dashurën e tij madhore, e portretizon si válë deti e egërsuar që si një gjâmë rruféje shigjetáre ngrihet lart si nji ushtímë tërmeti, e cila arrin pikërisht deri tek majat më të larta të një gjendjeje dramaticiteti, vërtet sa s’ka se ku shkon më të skajshëm artistik! E shkrimtarët mbështetës të diktatorit, pikërisht pyetjes në se vepra e Atë Gjergj Fishtës është vepër artistike apo jo, përgjigjen “…Vepra e tij u ngjet nga ana artistike veprave të tilla me aq sa i ngjet uji i ndenjur i kënetave ujit të ujëvárave alpine!” Kështu u rritën dhe u madhëruan ajo plejad’e shkrimtarëve dhe studiuesve të soc-realizmit, servilë të diktatorit ku njeri syresh pohon, (mbas shkërmoqjes së diktaturës – M.K.), “…nuk isha aq budalla t’u dilja zot shkrimeve të Patër Gjergjit e të futesha në burg…” Këtë kategorí shkrimtarësh pehlivanë i ka damkosur bukur poeti e shkrimtari ynë i madh Visar Zhiti, duke i përshkruar se mbasi ata e kanë braktisur diktatorin së vdekuri, mëtojnë t’ua marrin shkrimtarëve të persekutuar psherëtimat, vuajtjet deri edhe vegimet e metaforat, duke i vendosur në poemat si edhe romanet e tyre sepse tashti që s’ka më persekutim, çdo gjë ësht’e kollajëshme. Censurë nuk ka. Zanatin ajo kategori e di në maje gishtash. Pra, si në një lojë shahu, ata ndërruan ngjyrat e gurëve të tyre, ndërruan edhe taktikat dhe… munden të vazhdojn’e të plluskojnë mbi ujë si përgjatë diktaturës!
Në vazhdim të kësaj hullíje, nuk mundem t’i mënjanohem edhe një krahasimi të dytë, veç atij me Leonardo Da Vincin, gjë për të cilën i kërkoj ndjesë sinqerisht auditorit për kohëzgjatjen, duke sjellë këtu si shëmbull atë q’e kanë emërtuar si “Babai i Gjuhës Italiane”, Dante Alighierin i cili ka pohuar se: “Shpresoj që Zoti të më japë ditë të mjaftueshme të shkruaj rreth saj, (për Beatricen – M.K.), atë që askush nuk ka shkrojtur kurrë për asnjerën.”
E për ta theksuar edhe më dukshëm prirjen e artistit të madh, edhe ky sikurse Leonardoja të prir’e të shtyrë nga dashuría për një femër, po sjell si e ka përcaktuar studiuesi tashmë i vlerësuar në gjithë botën Profesor Giulio Ferroni, në vitin 1992 veprën madhore të Dante-s: “Susta shtytëse e Komedísë Hyjnore është dashuría”, – shpjegon Ferroni, – “dhe është dashuria e cila pastaj e shtyn Beatricen të zbresë nga qielli, të shkojë në vendin e papërcaktuar ku ndodhet Virgjili e t’i kërkojë këtij të fundit ta ndihmojë Danten që gjendet në vështirësí t’i ngjitet kodrës përpjetë.”
E tepërt ta nënvizojm’edhe një herë faktin se si ndër veprat e tyre më të shkëlqyera të tre gjeníve të arteve të bukura, njeri piktor e dy të tjerët shkrimtar’edhe poetë, Leonardoja si edhe Danteja objekt hymnizimi të tyre kanë nga një femër kurse Fishta ka Atdhén’edhe Gjuhën’e Tij!
Para se të kalojmë tashti e ta trajtojmë largpamjen e Mjeshtrit të Madh Atë Gjergj Fishtës, i cili jo pak por pikërisht një shekull të shkuar nga ditët e sotme e ka trajtuar me parashikim liveli tamam profetik luftën q’i duhet bërë realitetit gjyqësor si edhe asaj kundra korrupsionit, shkruar e zezë mbi të bardhë në veprat e Tija, nuk kemi se si mos ta vemë në dukje një, vërtetë “një”, por ama edhe më të djallëzuarën, më të poshtrën e çpifjeve që i bëhet Fratit të Madh, Atë Gjergj Fishtës, nga ana e atyre q’e mbronin si servilë tejet të devotshëm ç’thoshte e ç’direktiva jepte diktatori i Shqipërisë!
Dhe hipokrizia arrinte kulmin kur komunistët shqiptarë që, nacionalizmin shqiptar e kishin zëvëndësuar me internacionalizmin proletar, donin të provonin se Patër Gjergji, me gojën e Tij, e kishte pranuar që nuk ishte e nuk donte të qé shqiptar. Nga një perlë satire, ku Ai fliste gjithë sarkazëm e dhimbje për fatet e Kombit e Atdheut, ata shkëpusnin gjithënjë me keqdashje vargjet: T’a dijë Shqipnija/ E shekulli mbarë/ Se mâ mbas sodit/ Nuk jam shqiptar!
Me këtë pohim tejet dashakeq dhe poshtërues q’i venë në gojë Atë Gjergj Fishtës pikërisht këlyshët’e djallit të kuq që ia kishte ngulur thonjët Shqipërisë, e duke e popullarizuar si pohim të Tijin, tamam si ajo pika e ujit e cila çpon gurin me kalimin e viteve e dhjetravjeçarëve, iu fiksua në tru masës së gjerë të popullit se këto ishin fjalë të Mjeshtrit të Madh Fishtës!(???) Pikërisht këtu ndaloj dhe detyrohem të shpjegoj se me ç’rast dhe ku i ka shkruar këta vargje Poeti yn’i Madh Kombëtar. Këta vargje janë pjes’e Poemës Satirike me titullin “Metamorphosis”, (botuar tek Ânzat e Parnasit). Jo që nuk kanë të bëjnë fare me pozicionim të Atë Gjergjit por përkundrazi, asisoji shprehet personazhi figurativ i poemës së Patër Gjergjit, ai tregëtari i cili për Zot ka kuletën e që quhet Palok Cuca apo Jaho Bregu të cilët Patër Gjergji i cilëson se për pasurí e shesin Atdheun! Por ësht’e qartë se pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, kur Jugosllavia ishte “miku” ynë më i ngushtë, nuk mund të qëndronte Fishta dhe vepra e tij që demaskonte nga fillimi deri në fund padrejtësitë dhe coptimin e trojeve tona nga sllavët. Në vazhdim, në kohën e miqësisë me Bashkimin Sovjetik, si mund të qëndronte Fishta dhe vepra e tij, që e shihte Rusinë si tutor të armiqve tanë dhe këta të fundit i cilësonte shprehimisht “Këlyshët e Rusisë”. Armik të racës sllave dhe veprimtar kundër interesave kombëtare e anatemuan “druzhet jugosllavë” Fishtën. Kurse spiun austro-hungar, klerik nacionalist si edhe shkrimtar borgjez shfrynë “tovarishët rusë” mbi të.
Nisur nga këto kushte të caktuara, dhe nën trysnín’e keqdashësve të Atë Gjergj Fishtës, jemi të detyruar ta shtrojmë para auditorit së rishmi një pyetje tjetër: Cili lexues në botë guxon e mendon se idét’e çmëndura të Don Kishotit janë idét’e Miguel de Cervantesit? Kaq paradoksal ësht’edhe fakti se si keqdashësit e Patër Gjergjit i vunë në gojë këtij të fundit pohimet e personazhit të cilin autori e shpotiste në mënyrë të skajëshme!
Kumti i At Gjergj Fishtës me vler’edhe sot në Shqipëri – Patër Gjergji jo që nuk pajtohej me situatën që jetonte, por e kritikonte ashpër, sepse dashuria e Tij për ta parë Atdheun si edhe popullin e tij të përkryer, qé e pakufí. Por nga ana tjetër, ai kumt që na dërgon Ai nga vitet ’40 të shekullit të kaluar, duket sikur të formuluar e ka Atë Gjergj Fishta pikërisht për rrethanat që po kalon populli ynë sot! Ai buçet kur thotë se Atdheut nuk i duhen njerëz që për poste dhe interesa vetjake e shesin vëndin dhe i trajton me përçmim kur thotë: Tue pasë nji palë gjyqtarë e advoketën, E kaq n’kod civil ushtrue e kanë veten, E janë të zott, qi t’shtrêm’ten t’a drejtojnë, E t’bardhën t’zezë e t’zezën t’bardhë t’gjykojn!
Kurse ne sot çfarë lexojmë në shtypin shqiptar? Se qytetarët e kanë humbur besimin e tyre tek gjyqësori si pasoj’e korrupsjonit në sistem! Dhe ja ku e kemi Atë Gjergj Fishtën i cili u përgjigjet:
 

Gjergj Fishta - Lahuta e Malcis
Gjergj Fishta – Lahuta e Malcis
Do njerz karabullakë e kryematare…/ Si kurmagjakë të bâm me mish gomari,
Të cillt, tue u poshtnue, porsi bubrreca t’ndyta,/ E’iqind herë n’ditë tue shitë Atdhén’e fisin,
…E me lurtime e poshtërsí të flligta,/ Kqyrin me u njitë m’ndo’i shkallë t’naltë, për t’cillën,
Zoti as natyra ata s’i kishte pré.
 
Shtrohet pyetja: Për kë flet ky pohim’i Fishtës sot? Këtë kumt vetëm ata që nuk duan ta lexojnë, nuk e kuptojnë! Se kush e lexon, nuk ka mundësi të mos e kuptojë sepse Patër Gjergji shqip u flet e krejt shkoqur gjithë trafikantëve politikë e bashkë me ta edhe gjithë popullit shqiptar, tek vazhdon:
 
Edhe kombi shqyptar s’dy sysh verbue,/ N’vend qi me i kapun kta kopukë për krahi
E m’shtjelm tu’i rrahë e mirë kta tu’i shilue/ Me ndo’i kërbaç trefish ase m’drû ahi,
Edhe jashtë Shtetit m’hûndë e m’buzë m’i lshue,/ Kqyrë m’ta harû, si n’sy t’ndo’i Padishahi,
E âsht gati, po, n’dorë t’tyne me lshue ve’ten/ Tu’ zgjedhun për Ministra e Deputetën!
 
E për t’i dhënë edhe penelatën e fundit kuadrit tragjik, enkas vijnë nga përtej varrit sot vargjet e mëposhtme: Sot n’Shqypní, more lum miku,/ historí âsht meteliku!
Ky kumt që na dërgon patrioti i madh të cilit i digjej shpirti për vendin e Tij, veç një të metë ka: Listës i mungojnë emrat! Po, i mungojnë emrat e atyre qeveritarëve, deputetëve si edhe gjyqtarëve të sotëm të cilëve duket sikur Ai vetë ua vendos gishtin!
Bashkë me satirizimin e paaftësisë së drejtuesve të vendit, kumti që na vjen për korrupsionin është thirrje për të marrë masa. E lexojmë né Fishtën, kundrojmë zhvillimet shqiptare, dhe mendja na shkon menjëherë tek përvoja që Ai do të na kalojë: Lufta që i bëri Roma e lashtë korrupsionit u mbështet tek ligji Claudian i vitit 218 para e.r. që senatorëve romakë ua ndalonte çdo aktivitet tregëtar. U thotë gjë ky kumt i lashtë atyreve që fatet e kombit kanë sot në dorë? Apo atyre nuk u bëjnë as ftohtë e as nxehtë kumtet që vijnë dhe pa parë se ku shkelin, veç interesin e tyre shikojnë?
.
Gjergj Fishta (1866-1940)
Gjergj Fishta (1866-1940)

Kjo ësht’edhe tragjedía e sotme e vendit tonë!

Nuk mundem t’i mbyll këto radhë pa e zënë në gojë Patër Faustin i cili, në fjalën e Tij të fundit para trupit gjykues q’e dënoi me vdekje në gjyqin e Tij të datës 4 Mars 1947, parashikoi si t’i kishte të shkruara para tij zhvillimet e dhjetravjeçarëve deri në ngjajet e fundit të shekullit të kaluar kur në Shqipëri u shkërmoq diktatura. Kjo merit’e madhe e Tija!
Kurse Vizionari yn’i madh Atë Gjergj Fishta qe i vetmi, vepra e të cilit u shkrua hap mbas hapi deri në ditën e parafundit të vitit tashmë shumë të largët 1940, ku Ai dijti të ndërthurte mjeshtërisht ngjarjet tona historike kombëtare me vizionin e Tij parashikues, i cili shtrihet deri në ditët tona, ku problem kryesor janë edhe mbeten, (sipas shtypit të përditshëm si edhe opinioneve të dhëna nga përfaqësues të ndryshëm europianë), lidhjet e ndërsjella si edhe ndërhyrjet e politikanëve në sistemin e drejtësísë ku faktor kryesor mbetet gjithmonë korrupsjoni!
Pra, Atë Gjergj Fishta, është po aq i praníshëm tek ne edhe sot me vargjet e Tij të shkruar pikërisht 109 vite të shkuara tek poema satirike Ânzat e Parnasit ku thotë:
Kem me shkelun mbi rreshta t’shqyptarvet,/ Tue lânë mbas krahit Burrnin’e t’parëvet!
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.