back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Atdheu është dhimbje – cikël poetik nga Fatos Arapi

Gazeta

Poeti Fatos Arapi (1930)
Poeti Fatos Arapi (1930)
Ky vend, do të ketë gjithnjë poetë që do ta duan shumë atë,
jo pse ai i ka nderuar a respektuar ata,
po pse ata luftuan e s’e mësuan dot këtë vend të dojë e të respektojë
pikërisht ata që e deshën dhe e duan me t’vërtetë atë…
Dhe ja, mbrrin një çast i thellë dhimbjeje
kur këta poetë e vetshpallin vdekjen në të gjallët e tyre.
Ata bëhen heshtësit më të mëdhenj të vuajtjes më të madhe…
dhe Fatos Arapi është pikërisht një prej tyre!
jozef radi, tetor 2017
 
Fatos Arapi (1930)
Fatos Arapi (1930)

Atdheu është dhimbje

cikël poetik nga Fatos Arapi

Fitues i çmimit Kurora e Artë, Strugë – 2008

Atdheu është dhimbje

Atdheu është dhimbje, është dhimbje.
Një prill i pikëlluar në shpirt.
Atdheu është kryqi, është kryqi,
E mban – dhe të mban – në shpirt.
 
Atdheu është toka e premtuar.
Ti shkel si një zot dhe s’e ke nën këmbë.
Atdheu s’ka fjalë, ka sy të trishtuar,
Vdes dashuria në dashuri që të çmend.
 
Atdheu është buka e uritur,
Të ikën nga duart e dot nuk e ngop.
Ëndërr dhe ankth dhe shpresë e sfilitur,
Me sytë në errësirë vetveten kërkon.
 
Atdheu është varr i hapur, është varr.
Një jetë drejt tij shkon me besë që bind.
Në një pikë loti mbyt lotin fatvrarë,
Në një pikë loti lirinë e lind.
 
Atdheu yt i vogli, i vogli,
ai hyjnori i pavdekshmi – loti.
Fatos Arapi - Në kaq pak Tiranë
Fatos Arapi – Në kaq pak Tiranë

Tirana

Shpresat kanë sy tragjedie në Tiranë.
Tirana të vret në Tiranë.
Në Tiranë dy gjëra qajnë:
Mimozat dhe unë.
 
Prej mërzie zogjtë në qiellin e Tiranës.
Dhe mua më pushton mendimi:
Si do të bëja unë pa Tiranën?
 
Unë ngjesh këmbën në Paris, –
po s’është shpirti shkretan i Tiranës;
unë e kërkoj në Berlin, –
po s’është fryma zeshkane, e dafintë e Tiranës.
Tjetër muzgu
dhe tjetër bukureza – Tiranë.
 
Ditëve të mia të pabesa,
Në gjoks u vara talisman Tiranën;
çdo mëngjes unë shkoj
t’i them Zotit: Tungjatjeta!
 
Kjo ndodhte në Madrid: unë flija,
e Tirana më përralliste diçka te koka…
E ato që më thoshte Tirana,
unë i shihja në ëndërr.
 
E nuk doja të zgjohesha.
.

Si s’të desha pak më shumë

Unë e desha përtej vdekjes,
ashtu dashurova unë.
Edhe prap s’ia fal dot vetes:
si s’e desha pak më shumë…
 
Pak më shumë ku shpirti thyhet.
t’i them ndarjes: – Prit, ca pak…
Të gënjejmë mallin që s’shuhet,
kujtimin të gënjejmë pak.
 
Përtej vdekjes, përtej botëve,
atje ku nis “ca pak” tjetër, –
Asaj që më rri mes Zotave:
“Si s’të desha pak më tepër…”
Poetet Petro Marko dhe Fatos Arapi
Poetet Petro Marko dhe Fatos Arapi

Ku është Kaini

Mbrëmë në rrugën e ngushtë tiranase
takova Abelin gulçues që pyeste:
-Ku është Kaini?
Se unë – thoshte Abeli – duhet të vdes,
patjetër duhet të vdes.
A e ke parë Kainin?
 
Në fushën e errët të gjakut
mbijnë dhe ecin ullinjtë.
Dhe ti më lëshon ndër duar
vdekjen tënde që thërret:
Ku është Kaini?
.

Karont nuk ka…

Si të kthehem prapa kur udhën s’e di?
Prej pikëllimi lumi buçitës i natës
e unë rrah brigjet e errëta këtu.
 
Akeronti rrjedh, po Karont nuk ka.
 
Tregomë një va ku të kaloj.
Ti i njeh guvat dhe vorbullat e frikshme.
Tregomë një va vëllai im,
ku të kaloj Akerontin
dhe të arrij.
 
Akeronti rrjedh, po Karont nuk ka.
Poeti Fatos Arapi
Poeti Fatos Arapi

Mashtrojnë horizontet

Mashtrojnë horizontet në detin e hiçëve.
Kujtesat përmbysen në detin e hiçëve.
Anija shkallmuar mes dallgëve të hiçëve.
Humnerë nën humnerë tek unë,
Një S.O.S. ndizet-shuhet:
Shpëtoni
Shpirtrat
e hiçëve.
1991
.

Ti do vish

Ti do vish e dashur, si s’do vish?
Kur e di se unë ty të pres
duke ndjer’ frymëmarrjen e vetë mbrëmjes,
duke ndjer’ frymëmarrjen e vetë pritjes,
duke ndjer’ frymëmarrjen e vetmisë.
Ti do vish e dashur, si s’do vish?
Kur e di që unë po të mundnja,
rreth vetvetes rruzullin do vërtitnja,
si një portokall’ në dorën time,
të rrjedhë koha shpejt
e ti të vish…
1962
.

Trishtimi më braktisi i fundit

Pa diellin muzgor të trishtimit në sy.
 
Tani kot pret zemra të ulet zogu
dhe ajo të ndjejë pickimin e thonjve të tij.
Pulëbardhë e vrarë… po isha unë deti
që të përkundte në gji.
Trishtimi më niste udhëve pafund
të kërkoja ty e dashura ime.
 
Asnjë perëndi lufte nuk më mundte dot,
sepse unë isha i trishtuar për ty.
 
Tani, si të rrokem unë
me xhelatët e dashurive të mija?
 
Trishtimi më braktisi i fundit,
Dhe unë u munda.
Dhimbja si morsë m'ka mbërthye hatllash.
Si të kthehem prapa kur udhën s’e di?

“Gloria victis” -“Lavdi humbësve”

Sepse jemi ne humbësit e mëdhenj.
Artin e shkëlqyer të humbjes
ne e kemi ngritur në fat.
Sepse ne, vetëm ne, dimë të gabojmë.
Ne gabojmë në miqësi, dhe humbasim.
Ne gabojmë në dashuri, dhe humbasim.
Ne gabojmë në shpresat tona, dhe humbasim.
Zaret e bardhë të fateve tona
ne i hedhim para – e vazhdojmë t’i hedhim
edhe mbasi ta kemi kaluar Rubikonin.
Të gjithë na kanë faj dhe askush:
Të tjerët vetëm fitojnë,
ndërsa ne jemi popull humbës
i humbjeve të mëdha. Zemra jonë
është një mollë e artë dhimbjeje.
Nuk duam të njohim pushtetin e errët të smirës
dhe gabojmë; nuk e njohim
lakminë akrep të pushtetit, dhe gabojmë.
Sepse ne – vetëm ne! – dimë të gabojmë.
Këmbët tona të zbathura janë ato gjethe vjeshte
që bien dhe ecin në rrugë; shpirti ynë
është prej lënde të brymtë trishtimi,
të gjithë mund ta vrasin.
Të tjerët jo, ata janë fitonjës të përjetshëm,
ata s’humbasin kurrë, sepse
kurrë nuk gabojnë.
Ndërsa ne gabojmë – ashtu siç dimë vetëm ne!
Artin e shkëlqyer të humbjes
ne e kemi ngritur në fat.
Dhe i kemi kthyer krahët lavdisë fitonjëse.
Ne njohim vetëm lavdinë e popullit
të humbjeve të mëdha. Sepse ne
– po, vetëm ne! –
jemi të vërtetë.
1997
.

E unë buzëqesh

Shkel në moskohë. Më çahen buzët,
thith gjakun me gjuhë.
 
I bëj shenjë të ardhmes, – ajo
mbulon sytë me dorë.
 
Jam i tëri hutim,
e di: vdekja s’harron kurrë pikëtakimet.
 
Moskoha rrënqethet tek unë.
 
E unë buzëqesh duke rrufitur gjakun
e hidhur të njeriut.
.
Marrë nga “Albania” 25 Gusht 2008
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.