back to top
19.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Ataturku, që vallëzoi me nusen shqiptare nga Floqi – nga Fiqri Shahinllari

Gazeta

Ataturku, ne dasmen e nuses shqiptare nga Floqi
Ataturku, ne dasmen e nuses shqiptare nga Floqi

Ataturku, që vallëzoi me nusen shqiptare nga Floqi

nga Fiqri Shahinllari

I kërkova mikut tim floqar, Ahmet Likës
ndonjë dokument që lidhet me Rushan Beun,
personalitet i lartë ushtarak dhe mik i afërt i Ataturkut.
Ai ka ruajtur me kujdes skrupuloz, disa letra e fotografi interesante.
Pjesë nga një letër prej pesë faqesh dhe një fotografi që kanë interes.
Letra “flet” për një dasmë në Stamboll të Myzejenit, vajzës së Rushanit Beut.
E ka nisur ta shkruajë Selman Hasa,
i Rushanit nga Goskova më datën 18/8/1937
dhe e ka përfunduar të nesërmen, ditën e enjte.
Ja si tregon Selmani…
 
Ataturku - me vajzen floqare Myzejen
Ataturku – me vajzen floqare Myzejen

“…Më 14 gusht 1937, të shtunë u bëmë hazër të gjithë… Vajtmë në skelë të Ysqydarit… duallëm në Istambull… gjene hipmë otomobilrat. Më ora 7 vajtmë në Tokatlijan Hotel, që ishte marë me qira për atë natë me 1400 lira turke…sallonet poshtë ishin bashkuar dhe ishte bërë një mejdan i madh sa selishta që kemi neve (dy killë farë)

Kur vajtmë neve, dhëndrri ishte atje me gjith t’ëmën e të vëllezërit. Për Myzejenin ishin bërë hazër tri oda që të nisej nuse. Neve, burrat e shtëpisë ndenjëm në sallonet për të pritur mysafirët. Për të nisur Myzejenin nuse kishin ardhur katër matmazele që më 7 e gjer më 10 të natës… Nga ora 20 e gjysëm allafrënga deri më ora 22 u mbushën sallonet me gra e burra ataturkë të ftuar. Kishte afër 600 shpirt të ftuar.
Në mes të tyre ishte edhe çupa e Ataturkut… që e quakëshin Sabiha Gokçen. Më ora 22 erdhi nusja me gjith dhëndrrin… Ata gjezdisnë tërë sallonet pastaj i puthnë dorën Rushan Beut dhe Mynires dhe vjehrrës…Më tej çifti nisi dancin. Pas tyre filluan dancimin gjith të ftuarit… Edhe Rushan beu me Myniren dhe me vjehrrën lojtnë danc. Më ora 23 e gjysëm u hapnë bufetë për të ngrënë e për të pirë. Orkestra përbëhej prej 24 vetash.
Tamam në ora 24, telefonuan që do të vinte Ataturku… Ai mezi erdhi në ora një të natës pasi ishte larg Istambullit një sahat me automobil. Rushan beu, Mynirja, djemtë, nusja me dhëndërrin e pritën te porta e hotelit. Muzika i binte marshit dhe njerëzia duartrokiste.
Sapo zuri vënd në trapezë, Qemal Ataturku. Ai mori në të djathtë të tij Rushan beun… në të mëngjër mori Myzejenin, dhëndërin dhe Myniren e pas saj ca ministra. Pasi ngriti një dolli dhe uroi çiftin, Ataturku dancoi me Myzejenë dhe ja dha Rushan beut, i cili pasi bëri danc me çupën e tij, e çoi atë te dhëndërri për të vazhduar dancin… Dasma u ndez. Të gjithë zunë të loznin danc. Ataturku u ngrit disa herë e bëri dancim me të tjerët…
Ataturku ndenji gjer në shtat e gjysëm të sabahut allafrënga, pastaj u largua.
Sa ishte në dasëm, shumë herë u përqafuan me Rushan beun. Ai foli në dasëm, uroi çiftin e miqtë, por foli edhe për dashurinë dhe miqësinë që paska patur ai për Rushan beun. Edhe Rushan beu iu përgjigj me një fjalim fort të bukur. Njerëzit që shoqëronin Ataturkun ishin ministra, deputetë dhe gjeneralë. Ataturku i dha 1000 lira turke Myzejenit për të blerë ndonjë gjë si dhuratë nga ay…
Llafi i shkurtër është ky: Çupa jonë, Myzejeni u martua si një bijë pe mbreti… dhe vajti te një saraj që ka ndënjur bij e mbretit… Shtëpia e Myzejenit duket fare mirë nga neve. Është në majë të Çamllixhesë, më lart nga të tërë viset e Istambullit… Pe shtëpisë së Rushan beut është larg 10 minuta me otomobil, si Goskova me Porodinën.
…Si ta këndoni juve këtë letër (të afërmit në Goskovë – F. Sh.) t’ia jepni Myrtezait. Dy ditë le të rrijë ne ata. Pasdaj t’ja u epni edhe Naxhiut. Të rrijë dy ditë në Floq, ta këndojnë mirë edhe ata. Pasdaj ta merrni dhe ta ruani gjer të vij unë…
Prap u puth sytë. 19/8/1937
Ataturku duke vallzuar
Ataturku duke vallzuar
* * *
Pasi u përcolla këtë fragment letre të nderuar lexues, po e shikoj me vëmendje fotografinë ku duket në vallëzim Ataturku me Myzejenin, vajzën floqare… Ky njeri, Mustafa Qemal Pasha, frymëzues dhe drejtues i revolucionit turk që rrëzoi sulltanin në nëntor të vitit 1922, president dhe themelues i Turqisë moderne, reformator i madh dhe mik i afërt dhe i sinqertë i shqiptarëve, pikërisht ky që po vallëzon me këtë vajzë nga Floqi i Korçës, pas një viti, më 10 nëntor 1938, në orën 9 të mëngjezit do të vdiste në pallatin Dollmabahçe në moshën 57 vjeçare.
Marrë nga faqja e fb e Agustin Miraka, 17 korrik 2017

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.