At Gjergj Fishta – Projektues e ndërtues i Botës Shqiptare në tekst – Kristaq Jorgo & Edlira Birko

At Gjergj Fishta (1871-1940)

At Gjergj Fishta (1871-1940)

At Gjergj Fishta –

Projektues e ndërtues i Botës Shqiptare në tekst 

Kristaq Jorgo & Edlira Birko

Kumtesë e përbashkët, mbajtur në Konferencën Shkencore ad honorem,
me rastin e 150-vjetorit të lindjes së At Gjergj Fishtës (1871-1940),
organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 23 shtator 2021.[Fragment]
Kjo kumtesë, punë e përbashkët me kolegen dr. Edlira Birko,
u mendua si sprovë për t’i dhënë sa më sintetikisht një përgjigje pyetjeve: 

Programi me rastin e 150 vjetorit të lindjes së Fishtës

Programi me rastin e 150 vjetorit të lindjes së Fishtës

1.A është e mundur të bashkohen në një sintagmë të vetme:
a.thelbi i vizionit,
b.thelbi i misionit dhe
c.thelbi i funksionit të veprës së Fishtës në botën shqiptare;
2.A mund të identifikohet një thelb ndërlidhës i çdo fushe të veprimit të tij: letrar, kulturor, baritor, gjuhësor, publicistik, politik e të përgjithshëm;
3.A e shenjon i njëjti thelb praninë e fenomenit Fishta si në të djeshmen, ashtu dhe në të sotmen e në të ardhmen e bashkësisë sonë;
4.E katërta dhe e fundit: Nëse përgjigjet për tri pyetjet e para janë, siç besojmë e do të përpiqemi t’i argumentojmë, pohuese, a mund të konsiderohen ato tri thelbe si shfaqje të një kryethelbi të vetëm, unifikues?
Hipotezohet, pra e synohet më tej argumentimi i një thelbi unik të fenomenit Fishta në të gjitha përmasat: vizion, ndërmarrje, rezultate; në çdo lëmi të aktivitetit; veprues ky thelb si dje, si sot, si nesër.
Për ne, ky thelb i trifishtë e njëheri unik ekziston dhe ai mund të formulohet kështu: Gjergj Fishta shfaqet si projektues dhe ndërtues i botës shqiptare, në tekst dhe njëmendësi, jo i vetëm, por kryesori i një plejade që mbulon katër dekadat e para të shek. XX, kohështrirje e cila për hir të protagonizmit të Tij mund të emërtohej “epokë fishtjane” e kësaj bote, duke vijuar ndërkaq të mbetet projektues e ndërtues i saj si dje ashtu dhe sot e gjithë ditën.

Prof. Kristaq Jorgo gjate Konferences

Prof. Kristaq Jorgo gjate Konferences

Pika më kritike e hipotezës sonë është ky pohim i fundit: Vërtet, si mundet të konsiderohet Atë Gjergj Fishta projektues e ndërtues i botës shqiptare edhe tetë dekada pasi mbylli jetë-veprën e vet (1940)?
Përpos distancës gjuhësore (e këtu Fishta, më fort se kushdo tjetër, na bën thirrje për një reformë), të gjitha distancat e tjera: distanca kohore, distanca kontekstore, distanca qytetërimore e distanca estetike, të cilat mund të mendojmë se na largojnë nga Atë Gjergj Fishta, janë thjesht iluzive. Pasi projektimi e ndërtimi i botës shqiptare (fiksionale e) reale, që Ai urdhën dite i ka pasë, ende s’është kryer, jo më përkryer. Fishta – “Burri shqiptar më përfaqësonjës” me përkufizimin e Sivëllaut Lasgush Poradeci, si dhe të tjerë Etër të Mëdhenj tanët, vijon të jetë bashkëkohësi ynë, pse jo, edhe pararendësi ynë.
Të befason përherë aktualiteti i jashtëzakontë i teksteve të At Gjergj Fishtës, të cilët thuajse kurrgjë nuk kanë humbur, në mos kanë fituar pas kaq shumë dekadash. Arsyet janë dy: e para, aftësia e ndritshme për të rrokur më thelbësoren e jetës kolektive dhe e qenies së individit shqiptar, virtytet dhe sidomos veset e plagët e tyre; e dyta, ngadalësia e tepërmadhe me të cilën, sa i takon emancipimit e qytetërimit të mirëfilltë, individi e bota shqiptare bëjnë përpara në kohë.
Le të lexohet, ndër shumë të tjerë, fragmenti fare i shkurtër i mëposhtëm, për të rikujtuar se sa “arkaik” është Atë Gjergj Fishta i fillimshekullit XX për shoqërinë “e përparuar” shqiptare sot:
“-Babë, sa punë lypen per me kenë shqyptar i vertetë?
-Nuk lypen punë, por fjalë.
-Po fjalët i merr era, more Babë, e Shqypnija nuk asht veç nji fjalë për t’u folë.
-Mirë e ke, se Shqypnija nuk asht fjalë, por asht pare, e per me fitue pare, lypen pak punë e shum fjalë. [...]“
At Gjergj Fishta, 1923

.

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta  Etiketat: , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook