back to top
15.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

At Gegë Lumaj i Maleve të Dukagjinit… Fritz Radovani

Gazeta

Fritz Radovani
Fritz Radovani

At  Gegë  Lumaj  i  Maleve  të  Dukagjinit… Fritz Radovani

Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë…

At Gegë Lumaj O.F.M.
(15 Tetor 1904 – 18 Nandor 1980)

At Gegë Lumaj ka lé në fshatin Plan të Dukagjinit me 15 Tetor 1904. Mësimet e mesme i mori në Lice të Françeskanëve të Shkodres, ndërsa të naltat i ka përfundue në Romë… Vazhdoi Akademinë e Arteve për pikturë në Siena t’Italisë, dhe u laurue atje.
Shugurohet meshtar në vitin 1931. Filloi me shërbye në Malësi të Shoshit derisa shkoi së fundi në një nga qendrat atdhetare të Veriut, në Iballe të Pukës, ku u arrestue nga sllavokomunistët e Enver Hoxhës, kur po thonte Meshë, me 17 Janar 1945. U dënue me 28 Gusht 1945, mbas tetë muejsh tortura me një grup klerikësh që asnjeni nuk dinte me tregue per shka u “akuzuen” kur përfunduen dënimet ndër kampe shfarosje…
Asht Kleriku i Parë Katolik Shqiptar, që fillon Kalvarin e Gjenocidit komunist të viteve 1944-1991… dhe e mbyllë até me 18 Nandor 1980, po në Plan të Dukagjinit…
Kohën ma të gjatë ndër burgje e ka kalue në Burgun e Burrelit…
Ishte “trim i çartun”, i matun dhe i heshtun si Burrat e motit t’atyne Bjeshkëve.
Nuk kishte ma të voglën kreni për punët e mëdha që kryente në famullinë e Tij. Dallohej si trim. Në gjyq asht në bankën e të akuzuemve me At Dioniz Maken dhe At Giacomo Gardin S.J., edhe ky, i arrestuem në Shkodër ndër ato ditë. At Dionizi më tregonte aty nga viti 1994, se gjyqi po zhvillohej i rrebtë mbasi mendohej nga Sigurimi me hjedhë “themelet” e një “Partisë Demokristiane”, që as nuk i kishin ndigjue zanin se asht formue në Shqipni. Flitej për vitet 1943-44. At Gega vazhdonte me mohue para gjyqit akuzat false në drejtim të tij nga hetuesi Ali Xhunga. At Gardini, në krahun tjetër nuk pranonte se ka ardhë në Shqipni për qëllime spijunazhi ndërsa, At Dionizi, qëndronte në të tijën, se nuk asht marrë kurrë me politikë. Njëfarë Nuri Llazani, agjent i Sigurimit komunist, akuzon At Gegën, se ky i kishte ndjekë me kalë kur Nuriu ishte kenë me një grup partizanësh… At Gega mohon tue kërkue dëshmitarë tjerë që janë kenë me té, mbasi ishte i sigurt se ngjarja nuk asht e vërtetë, por asht trillim i Nuriut. Nuriu, jo vetëm, ngulë kambë se asht ashtu si thotë ai, por edhe kërkon nga trupi gjykues që At Gega, me shokët e tij në bankën e të akuzuemve, të marrin dënimin ma të randë.
At Gega, aty për aty çohet në kambë dhe, u thotë: “Po më vjen marre mue sesi nji turk Shkodret akuzon në rrenë nji klerik katolik, pa kenë kurrgja e vërtetë!”.
Fadil Kapisyzi që do të dëshmonte për At Dionizin, e zbutë “dëshminë” e tij, tue pasë frikë se edhe ai po merr një përgjegje si Nuriu, prej At Dionizit.
Kjo thanje e At Gegës, më tregonte At Dionizi, u ba shkak që na me marrë dënime të lehta, mbasi fjala e At Gegës mori dheun.
At Gega arrestohet më 17 janar 1945, lirohet në mars të 1962.

At Gegë Lumaj (1904-1990)
At Gegë Lumaj (1904-1980)

***
E njoha në vitin 1966, kur pata hapë një ekpozitë pikture personale. Erdhi si vizitor me At Aleks Baqlin, dhe mbasi më la dhe një përshtypje modeste të vetën, mbas pak ditësh erdhi me pi nji kafe urimi te shtëpia. Ishte hera e parë që kam ndigjue nji prift tue folë me detaje për artin… dhe ishte prap hera e fundit që mbas pak muejsh do të zhdukeshin përfundimisht gjurmët e mbetuna pa u shkatrrue mbas vitit 1944, prap nga pushtuesit sllavokomunistë e anadollakë në përmbytjen përfundimtare të Shkodrës, që do të zbulonin fëtyrën e tyne prej terroristësh me 6 Shkurt 1967…
Asht Ai, prap i Pari Klerik që u arrestue në “Revolucionin Kultural” të vitit 1967, kur u thirr me u demaskue në Istitutin Pedagogjik të Shkodres, në mars të po atij viti…
At Gega ishte i bindun se do t’arrestohej, po nuk iu tremb syni fare…
Me arrestimin e dytë At Gega, në vitin 1967, në “Revolucionin Kultural”, prap akuzohët për “Partinë Demokristiane”. Ai deklaron në hetuesi dhe në gjyq: “U kam thanë në vitin 1945 hetuesve Ali Xhunga me shokë, dhe prap tashti në 1967 Elham Gjikës dhe Dhimitër Shkodranit, si edhe shokëve që kanë mendue se nuk asht keq me pasë në Shqipni nji Parti Demokristiane, mbasi mund të lidhemi me vendet e Europës Perëndimore sot nëpërmjet kësaj partie… duhet me pasë shumë kujdes dhe mos me e formue kurrë këtë parti, mbasi barra ka me i ra Klerit Katolik. Ka 20 e sa vjet që vazhdoni me akuzue Klerin, pa kenë kurrkund partia, po ba me pas kenë shka paskeni dashtë me ba ndër né, ju kështu, edhe po na qitni fare!?” (Dosja 2291, Arkivi M.M.Tiranë).
I pathyeshem deri ditën e vdekjes!
Arrestohet në vitin 1967, dhe lirohet në vitin 1977.
At Gegë Lumaj ka vdekë në vitin 1980, i rrethuem nga dashnija e pakufi e kushrinjve të Tij, ndër malet e egra e shumë të dashtuna të Alpeve, prej të cilave At Gega, trashigoi karakterin e fortë burrnor e trim të Tij.

Françeskanet: "Fe dhe Atdhe"
Françeskanet: “Fe dhe Atdhe”

***
At Gegë Lumaj, nji Françeskan i vërtetë, e nisi i pari Golgotën Shqiptare, dhe deri në vitin 1977 kishte vetëm pesë vite pa pranga, hekura rrethues dhe policë…
Bashkë me përmbytjen në zjarrin e luftës civile në Shkodër, filloi dhe lufta kundër Klerit Katolik Shqiptar, një luftë e pashembullt në Historinë e Shqipnisë, e cila shumë shpejtë merr përcaktimin e saktë: “Gjenocid komunist” i zbatuem nga sllavo-anadollakët tanë.
Në gjysën e dytë të shekullit XX (1944-1991), komunizmi në Shqipni ishte: urrejtja sllave shekullore antishqiptare, që ushtroi Gjenocidin kundër Klerit Katolik Shqiptar, inteligjencës dhe Atdhetarëve tanë, përmes nji grupi anadollak e antishqiptarësh të shitun!
Melbourne, Shkurt 2014.

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. “Rrno veç për me tregue”, si ti Fritz duhet të shkruejnë edhe gjithë ata që kanë dijeni për këto ngjarje. Tuj kenë dhandër i Makajve më pëlqeu shkrimi se mbasi njoha ma mirë Dionisin që mbas daljes nga burgu jetoj në nji qoshe të shtëpisë (dhomë 3×2). E kam vizitu shpesh duke krye porositë për me i ble ndonjë kafe-cigare, etj. që mungonin në treg (pasi isha punonjës tregëtie). Bisedat me të ishin të kandshme si njeri me kulturë të gjanë, si asnji nga ne të dipllomuem në U.T. Guximi i At Geges burrnor, ndikoj në demaskimin e shpifsave…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.