back to top
22.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

At Bernardin Palaj – folkloristi i Visareve Kombtare

Gazeta

40 Martirët e Kishës - te Bulevardi Deshmorët e Kombit
40 Martirët e Kishës – ne Bulevardin “Deshmorët e Kombit”

At Bernardin Palaj –

folkloristi i Visareve Kombtare

Nëse Elias Lonrost (1802-1884) mblodhi këngë të moçme, histori dhe legjenda duke udhëtuar në të gjitha tokat e tij, që i përdori si për rindërtimin e poemës kombëtare finlandeze, të njëjtën gjë e bëri edhe At Bernardin Palaj duke jua risjellë shqiptarëve nga mjegulla e kohërave…”1*
Sot fare pak të rijtë dinë për këtë fatos të folkloristikës sonë, që i nxorri në dritë të diellit visaret tona kombtare të mbuluara nga mjegullnajat e zymta të moteve “Rapsoditë e Alpeve Shqiptare” të përmbledhura në “Visaret e Kombit”, një fond i gjallë prej 10 mijë vargjesh, janë testamenti më i vyer që na la pas At Benardin Palaj, vargjet e të cilave burojnë si kroje të dëlira: “…Kur rapsodët këndojnë variantet ma të bukura të këtij cikli, gjenden mes njerëzve shqiptarë dhe nuk njohin asnjë fjalë sllave…”2*
Palaj qe i tërhequr dhe i magjepsur nga historia e popullit të vet, nga folklori i maleve të veta atnore. Ai kaloi 15 vjet të jetës së tij në kulmin e aktivitetit krijues. Në këtë ambient të vrazhdë, ku sundonte skamja dhe mjerimi, ai arriti të zbulonte vitalitetin e fisit malësor, ku shquante vazhdimësinë e racës ilire, dhe forcën e kombit. Palaj me skrupolozitetin e një shkencëtari të apasionuar, mblodhi shumë prej këngve të vyera shqiptare, duke jetuar vetë me popullin, duke u përballur edhe vetë me vështirësi e sakrifica të panumërta, por asnjëherë s’u lodh, asnjëherë s’u mërzit, pasi qëllimi i tij ishte t’u zbulonte dhe t’ua ruante shqiptarëve visaret e kombit, bukuritë e paprekshme e të mrekullueshme të këngës popullore, të injoruara dhe të konsideruara të parëndësishme deri atëherë.
Përmbledhja e tij, u botua bashkë me atë të Donat Kurtit në vëllimin e dytë të “Visareve të Kombit me 1937”.
Ernest Koliqi i befasuar dhe i etuziasmuar për vlerat e pazëvendësueshme të kësaj kryevepre të krijimtarisë popullore të mbledhur nga Palaj dhe Kurti do të nënvizonte: “I u deshën disa vjet botës sonë letrare me arritë në shijimin e kangëve të lahutarve të veriut”3*
Bernardin Palaj vrapoi, bajrak më bajrak, katund me katund, nga Prekali në Theth e Curraj të Eper, nga Pulti në Mërtur, nga Nikaj në Toplanë, nga Temali në Shllak, nga Shoshi në Kelmend, nga Mirdita në Zadrimë… gjithkund duke e eksploruar kështu gjithë Gegëninë, dhe pas mbledhjes së çdo kënge shënonte vendin ku rapsodia këndohej, emrin e lahutarit apo të shqipëruesit kur kënga e legjenda përcillej pa muzikë e pa vokal…

Martirët katolikë masakruar nga komunizmi
Martirë katolikë – masakruar nga komunizmi

Palaj pohonte se: “…variantet e rapsodive ma të gjalla e ma të kullueta gjendeshin në Curraj të Epërm, në Palç të Mërturit kishte disa arka të vogla plot me fletë e me tefterë të mbushura me kangë të mbledhura në krejt Shqipnisë së Veriut dhe një pjesë të asaj të mesme…”4*
Vepra e Palaj nuk qe thjeshtë përmbledhëse. Ai i përpunoi variantet e shumë prej tyre në mënyrë të veçantë si poet dhe si shkrimtar i fuqishëm që ishte, me një mjeshtëri të atillë pa cënuar freskinë origjinale, duke mos ia cenuar autenticitetin, bile duke ia shtuar më tepër shkëlqimin poetik. Rapsoditë ma të goditura në gjithë at dyzinë krijimtarie popullore janë pa dyshim “Muji tu Mreti”, “Martesa e Halilit”, “Gjergj Elez Alija”, “Muji e Behuri”, etj. “…Ku ma ke edhe ndër leteratyra të kombeve të qytetnume, një përshkrim, pru me ngjyra ma të gjalla me shëmbëlltyra ma të përshtatuna e me nji burrni ma bujare, ma fisnike!”5*
Këto këngë të vjetra të quajtura ndryshe edhe këngë kreshnikësh, këngët e lahutës së moçme, janë bazamenti litologjik, janë palca e gjuhës sonë shprehja ma e gjallë e fizionomisë dhe tipologjisë psiko-sociale të kombit tonë të vjetër. At Bernardin Palaj i frymëzuar nga ky epos marramendës asnjëherë nuk u deh, por me stilin e vet mjeshtëror eci pa u ndaluar drejt vatrave ku spunza e zjarrtë e nervit kombëtar rrinte e priste të dilte si flakë në horizont. Natyrisht spunzën flakë e ndezi me pishtarin e tij At Benardini. Ai kishte mësuar të njihte deri në toponiminë, onomastikën dhe rendi të mos i lente pleqtë t’i merrnin me vete në varr, kangët e kreshnikëve, apo legjendat, që aq bukur i voli, i vizatoi duke ruajtur karakterin psikologjik e moral të këtyre këngëve të mëdha e gjeniale, ku shprehet muza e gjallë e popullit tonë.
Mirtush Kuteli i dashuruar deri në infinit me këto rapsodi, të cilat ai to t’i përshtaste në prozë ka shkruar: “Rapsoditë e Mujit e Halit me shokë, janë këngë me frymëmarrje të gjerë poetike. Aty bashkohen me një ndjesi të plotë, epika dhe lirika, humori dhe tragjedia, tregimi dhe përshkrimi, dialogu dhe mençuria e madhe popullit, trimëria dhe qëndresa e fortë në çaste vështërsie”6*

Visaret e Kombit - At Bernardin Palaj e At Donat Kurti
Visaret e Kombit – At Bernardin Palaj e At Donat Kurti

Mirash Ndou – Shosh, Mëhill Preka – Curraj i Epër, Tomë Sokoli – Mërtur, Marash Sokoli – Theth, Kolë Vata – Kastrat, Shan Zefi – Curraj i Epër, Zef Gjeloshi – Kotaj, Palok Ujka – Kastrat, Dedë Nikoll Loshi – Vukël, e plot të therë, janë disa ndër ata qindra e qindra rapsodë e kallëzues popullorë që u takua dhe i intervistoi me kalem e letër, pa asnjë tjetër mjet në terrin e netëve dimërore me bishtuk pranë vatrave malësore të Dukagjinit, Mirditës e Malësisë së Madhe. Në ato zona të largëta, ai bashkëpunoi ngushtë edhe me rreth 40 famullitarë, të cilëve iu linte detyra për mbledhjen e Eposit të Kreshnikëve të Veriut dhe dokeve e zakoneve të ndryshme të atyre fshatrave ku shërbenin ata.
“Visaret e Kombit” kanë tërhequr dhe vazhdojnë të tërheqin vëmendjen jo vetëm të folkloristëve shqiptarë, por veçanërisht të studiuesve të huaj, ndër të cilët vlen të përmendet Lambertez e disa të tjerë që kanë shkruar studime mbi ciklin e Kreshnikëve, dhe disa pjesë nga Visaret e Kombit II, që më pas u botuan në italisht, frëngjisht dhe rusisht. Për “Visaret e Kombit” kanë shkruar një sërë personalitetesh shqiptare si Ernest Koliqi të revista “Shejzat”, (Le pleiadi nr. 5-8 Romë 1972”. Mitrush Kuteli tek “Tregime të moçme shqiptare” ku ndër të tjera thekson “Në këtë qerthur s’di ç’të adhurosh ma parë…!”, për t’u pasuar nga Gjergj Zheji, Fulvio Cordignano dhe Alfred Çapaliku, më gjerësisht se çdo tjetër studiues. Ndërsa At Zef Pllumi ka nenvizuar: “Ky do ishte shpërblimi i vetëm ndonëse postmortum, për argatin e folklorit Benardin Palaj dhe bashkëpunëtorin e tij Donat Kurti”7*
Bernardin Palaj është palca e ashtit malësor dukagjinas, kjo palcë e ushqeu dhe brumosi si folkloristin e paepur, që me sakrificën e tij patriotike dhe intelektuale e përjetësoi këtë epos që Palaj i dha pavdekësinë, qe ai i cili e nxorri në piedestal nga moskokëçarja e shekujve dhe na e la të skalitur me pendën e tij, duke zënë vendin e merituar në panteonin e kulturës kombëtare si themel i gjitha gjinive të kultivuara klasike e moderne të letërsisë sonë.

At Bernardin Palaj (1894-1947)
At Bernardin Palaj (1894-1947)

1*Prof. Dr. Alfred Çapaliku -“At Bernardin Palaj – Jeta dhe veprat” Shkodër, 1999 fq.22
2*Prof. Angela Cirricione: “Frati i këngëve të maleve shqiptare”, art i cituar.
3*Ernest Koliqi: Vepra nr. 5, Prishtinë viti. 2003, fq.231.
4*Ernest Koliqi: po aty.
5*Gjergj Fishta: parathënie “Kanuni i Lekë Dukagjinit” – Shkodër 1933, faqe XXII
6*Mitrush Kuteli: “Tregime të moçme shqiptare”, Botimi i dytë Tiranë fq.7
7*Revista “Hylli i Dritës” Nr. 4, 1993. Tiranë. Fq. 18

.
(Marrë nga http://prelemilani.com)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.