back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

At Anton Xanoni (1862-1915)… dhe dy vjersha të tij

Gazeta

Shoqnia Bashkimi
Shoqnia Bashkimi

At Anton Xanoni – (1862-1915) 

dhe dy vjersha të tij

At Anton Xanoni, i njohur edhe me emrin Ndoc Xanoni, lindi në Durrës më 12 janar 1862, por që fëmijë u shpërngul në Shkodër, ku u rrit në gjirin e etërve jezuitë. Si kreu shkollën e mesme, duke parë talentin e tij, jezuitët e dërguan të kryente studimet e larta në Kuvendin Kartuzian “Porta Coeli” në veri të Valencies, në Spanjë (1883), në Kraljevicë, në bregdetin dalmat (1884), në Kremonë të Italisë (1886) dhe në Kolegjin Gregorian në Krakovit të Polonisë (1890-1892).
Më 1892 u shugurua meshtar në Krakovi dhe dy vjet më pas në u kthye Shkodër për të kryer misionin meshtarak e për të dhënë gjuhë shqipe në Kolegjin Saverian, ku kishte kryer studimet edhe vetë, trembëdhjetë vjet më parë. Më 1896, para se të kthehej në Shqipëri, dha mësim një vit në kolegjin Gregorian në Kier, në juglindje të Torinos në Itali. At Xanoni, së bashku me poetin e gjuhëtarin e shquar, dom Ndre Mjedën (1866-1937) si dhe me të vëllanë e tij, imzot Lazër Mjedën, ishte anëtar aktiv i shoqërisë letrare Agimi, themeluar më 1901, e cila punonte për nxitjen e krijimeve letrare në gjuhën shqipe, duke përdorur edhe alfabetin e ri.

Ndre Mjeda  (1866-1937)
Ndre Mjeda (1866-1937)

Ishte At Anton Xanoni ai që vendosi normat e retorikës dhe të stilit të shkrimit në dialektin verior të shqipes, në një shkollë me ndikim si Kolegji Saverian, norma që i parashtroi në “Prîsi në lâmë të letratyrës”, Shkodër 1911-1912. Ai mbante qëndrim purist në shkrimin e shqipes, ishte idhtar i zëvendësimit të shumë huazimeve nga italishtja, turqishtja dhe sllavishtja me rrënjë fjalësh më të lashta shqipe. Si autor vjershash, prozash letrare, dramash e punimesh studimore në gjuhën shqipe, që shërbyen si frymëzim i vazhdueshëm për studentët dhe kolegët e tij shkrimtarë, ai nuk qe vetëm novator në gjuhë, por edhe stilist i shkëlqyer për kohën kur jetoi.
Nga viti 1908 bashkëpunoi rregullisht me periodikun jezuit “Elçija e Zemers t’Jezu Krisctit” me artikuj për historinë, letërsinë, kulturën dhe politikën, por edhe me tregime të shkurtra e me vjersha apo përkthime, që pëlqeheshin shumë. Mbeti në histori edhe për veprat Gramatika shqyp, Shkodër 1909, Shkurtorja e historis së moçme, 1910, e në veçanti për vjershën me frymën e Rilindjes Rrnoftë Shqypnia, kushtuar shpalljes së pavarësisë. Një pjesë e mirë e veprës së tij ka mbetur e pabotuar edhe sot e kësaj dite. At Xanoni vdiq në Shkodër më 16 shkurt 1915, në moshën 53 vjeçare. Kujtohet si themelues i shkollës letrare të jezuitëve, si një veteran i arsimit e i kulturës shqiptare.
At Anton Xanoni (1863-1915)
Marrë nga Wikipedia

Veç teksteve shkollore, Anton Xanoni shkroi punime studimore në fushën e gjuhësisë dhe letërsisë. Permenden librat e tij me karakter teoriko-pedagogjik si “Prisi në lâmë të Letratyrës” 1911-1912 , “Shkurtorja e Historisë së Moçme” 1910. Xanoni është autor i veprës “Skënderbeu”, i botuar pas vdekjes së tij dhe autor i vjershës “Rrnoftë Shqypnia”, dedikuar shpalljes së Pavarësisë . Me rëndësi të veçantë është edhe libri biografik kushtuar Shën Françeskut të Saverit me titullin “Jeta e Shën Françesk Saverit”.
Veprimtaria e tij luajti një rol të veçantë në përmbushjen e një qëllimi madhor të intelektualëve shqiptar të periudhës së botimit të librave në gjuhën shqipe duke lënë pas kontributin e tij me vepra me rëndësi për pasurimin e gjuhës letrare, arsimit e kulturës shqiptare…

Jozef Radi 2001
Jozef Radi 2001

Anton Xanoni që m’vjen prej fëminisë…

nga Jozef Radi

Ndër kujtimet e mia të fëminisë, Anton Xanonin e kujtoj të m’jetë shfaqë qysh herët, me nja dy vjersha magjike të tij….
Ashtu mbramjeve, kur gjithçka ishte e pakët dhe e trishtë, ai ka ardhë dhe m’asht ngulitë në kujtesë me do vargje… që ia vlejnë gjithnji njeriut me i mësue, vargje të cilat nëna ime na mësonte me durim ne fëmijve. Ishin dy vjersha aq të ambla, sa më kanë mbetë të gdhenduna në kujtesë, e që sot mujta krejt me i shkruejtë, (sigurisht me ndonji gabim të vogël), dhe e gjeta me vend me i përcjellë lehtësisht, si të ishte fjala për vjersha të mësueme dje…
Ajo çka s’mund ta harroj kurrë asht morali i këtyne fabulave të thjeshta, të cilave në asnji kohë s’u humb vlera… bile mundem me thanë se njenën prej këtyre dy vjershave, e kam gjetë të arsyeshme me ia kam përsëritë do herë edhe vedit…
11 janar 2015

Mini

Na ishte n’katund nji mi,
Qi me shum paq’ jetonte.
Me gjet’ nji tjetër shpi,
Kurr nëpërmend s’i shkonte.

Nji shoq po i thot’ nji ditë:
“Eja me mue n’qytet;
Katundi fort t’mërzit
E shpesh me hangër s’qet.”

“Mirë, po shkojmë'” – tha mini;
E u nisën bashk’ tuj nga,
E, teksa n’qytet ai mbrrini,
“Ndër thonj t’nji daci ra.”

At vend, ku mir’ jeton,
N’e ndrrosh pa arsye, gabon!

Fili

Ecte “fili” n’për pazar
ishte veshun krejt me ar
Qen e lopë e dhen e dhì
kur e pane me njaq stoli
Për me i bamun Filit nder
ulnè kryet përnjiherë

U kthy Fili nji ditë tjetër
ishte veshe me rrobe t’vjetër
Qen e lopë e dhen e dhì
ma me kry s’ia ban njatij…

U kthye fili edhe tha:
S’po kujtohen k’ta tashti
Jam njaj fili që njat ditë
tan pazarin kam shetitë!
-Po, – i tha mzati – bash njaj je,
po njat rrobè m’ar s’e ke!

(Mini – asht fjala për miun, dhe Fili – asht fjala për elefantin)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.