back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Arturi që prehet nën qerpikun e nënës… – nga Shpend Sollaku – Noé

Gazeta

Shpend Sollaku dhe Lefteri Kice
Shpend Sollaku dhe Lefteri Kice

Arturi që prehet nën qerpikun e nënës…

nga Shpend Sollaku – Noé

Artur Kice kish lindur në vitin 1961, në ditën e 11 të dhjetorit. Javën e parë të klasës së shtatë, ai ishte akoma një trembëdhjetëvjeçar. Qe java e parë e shtatorit, kur ia behën ata që e arrestuan. Në sytë e shokëve të klasës që, si ai, nën bangë mbanin akoma topat e llastikut. Për të lozur në pushimin e gjatë.
Ditëlinda e tij e katërmbëdhjetë Arturit as që do t’i kujtohej. Pasi kish bërë ndërkaq më shumë se tre muaj në qelitë e hetuesisë në Lushnje. Prindërit e tij ato ditë, pasi kishin përballuar edhe mësymjet e policisë në shtëpi, po i jepnin lamtumirën jo vetëm fëmijërisë së djalit të tyre, por edhe profesionit të mësuesit.
Ndërsa Arturi rezistonte akoma në hetuesi: “Nuk i kam shpërndarë unë ato trakte!”
Ndërsa ata i thonin: Ne e dimë që i ke shkruajtur ti. Ishte një drejtor shkolle, ai që i gjeti dhe na i solli, një mësues, si prindërit e tu. Eksperti thotë që ke qenë ti. Pranoje!
Jo, nuk kam qenë unë, ishte përgjigja e fëmijës Artur.
E ke të kotë që reziston, ngulte këmbë hetuesi. Nuk të mbetet veç që të tregosh se kush ishin bashkëpunëtorët e tu.
Arturi kish parë shumë filma me nazistë. Edhe ata kërkonin të dinin se kush ishin shokët e të arrestuarit. Ata nazistë tashmë kishin shqyer pëlhurën e kinemasë… i kishte përballë.
Sidoqoftë ai s’e kish ndërmend të ngatërronte askënd. Dhe të pranonte asgjë. Avokat i vetvetes, mendonte se kështu do ta linin të shkonte në shtëpi.
Për pesë muaj rresht. Kish mbushur ndërkaq 14 vjeç. Por intuita i thoshte: meqënëse e kishin arrestuar kur ishte 13 vjeçar, ligji nuk kish për ta kapur dot. Dhe shpresonte. Malli për motrën Xhilda, mamin Lefta dhe babin Leonidha… ia vishte sytë. Por ai u rezistonte dredhirave të hetuesisë, që e kishte vendosur tashmë dënimin e tij… Priste vetëm formalitetin e firmosjes prej atij fëmije të shkathët, të pranimit të krimit të agjitacion-propagandës.
Qe një lushnjar, fqinj i tyre, që u shfaq atë ditë, për të satën herë, me “rrëfimin” e daktilografuar, vetëm për t’u firmosur.
Ja, vëre një firmë këtu! Nuk do të të dënojmë. Jashtë po të pret babi yt, Loni, që të të çojë në shtëpi… – i thotë fqinji me liçencën për t’i marrë lirinë të tjerëve, sidomos atyre që cënonin partinë e tij.
Arturi s’i ngre sytë ta vështrojë. Po sikur të gënjejë ky? Asnjëherë nuk ka patur zë kaq të ëmbël sa sot.
Firmose, – i tha tjetri, me një zë pothuaj lutës, – firmose! Menjeherë pas kësaj do të jeshë i lirë.
Liria, sa më mungon. Jam i lodhur. Po sikur të firmos?! Pyet veten fëmija i rritur shpejt në qeli.
-Firmose! – këmbëngul fqinji “bamirës”.
Arturi: Babi është vërtet përjashta?
Tjetri: Sigurisht.
Arturi zgjat dorën. Dora zvarritet, dridhet, por mjafton ajo zhgarravinë që ka përshkruar për t’u quajtur firmë. Si pranim i krimit.
Me atë burrë Arturi do të shihej më pas vetëm në sallën e gjyqit.
Atë burrë, që duhej të kishte mbrojtur fëmijën e fqinjit, por që e shpuri drejt disa vite burgimi, kur kish hedhur nëpër rrugët e Lushnjes vetëm ca fletushka, kur ishte ende i padënueshëm për ligjin, pasi vetëm 13 vjeçar…
 .
Artur Kice dhe pasioni i tij për kitarrën
Artur Kice dhe pasioni i tij për kitarrën

***

…Përpiqem ta gjej Arturin diku në Lushnje, në një vendbanim që nuk është shtëpia e nënës së tij. Por u detyrova të kërkoj tek banesa e zonjës Lefteri.
Loti i saj ende i patharë. Ngjyra e syrit të saj – një liqen ku i biri vazhdon të notojë. E njëjtë si tek Arturi.
Nga ballkoni i shtëpisë së tij duket çatija ime. Që fsheh kobin që më ka rënë edhe mua.
Bashkoj lotin me atë të nënës së mikut tim të shuar.
Dal me këmbët marramendëse të këtij shkurti – vetëm plagë shpirti të lodhur.
.
Marrë nga gazeta “Dielli” https://gazetadielli.com/

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.