back to top
12.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Arti i vërtetë dhe arti i drejtuar kundër jetës – esse nga Robert Martiko

Gazeta

Shkrimtari Robert Martiko
Shkrimtari Robert Martiko

Arti i vërtetë dhe arti i drejtuar kundër jetës

esse nga Robert Martiko

Jo më kot Iliada e Homerit të Lashtësisë është parë si gur themeltar, jo vetëm i letërsisë greke por edhe i asaj perëndimore. Mëson nga gjeniu i madh se Arti duhet të ketë si pikësynim vlerat jetësore nëpërmjet ndryshimit të Njeriut. Kjo është gjëja më themelore për një letërsi apo Art që di të respektojë vetveten, për të mbetur i pavdekshëm përjetë.
Mendohet se Lufta e Trojës ndodhi në shekullin e XII para erës së Krishtit. Homeri jetoi katër shekuj më pas. Të qe një tjetër në vend të tij, thjesht do të kishte bashkuar në mënyrë mekanike këngët e kënduara nga rapsodë të ndryshëm. Por Homeri nuk bëri këtë. Bëri shumë më tepër nga kaq, për të mundur të ndryshonte diçka përreth tij. Siç dihet, Lufta e Trojës është perioda e Eposit Heroik Grek. Të vetëvriteshe në Luftë me guxim e heroizëm ishte dëshira supreme e çdo luftëtari. Pikërisht në këtë kuadër Homeri vendosi të kthente egërsinë e natyrës njerëzore në vlerë, pa humbur kodin e nderit të luftëtarit.
Siç ndodh me çdo gjeni mendimi, Homeri jo vetëm përshkruan. Kryesorja në Art është t’iu japësh gjërave vlerë, për të mundur të shpëtojë Njeriu nga gjendja e egërsisë. Poezia ka vlerë se mbush gjërat me shpirt, i transformon ato. Natyra, ndryshe nga cilësia e saj për të mbajtur njeriun në gjendje kafshërie, në Art, vlen për ta ndryshuar atë. Kështu lindi Qytetërimi dhe Kultura. I krijohet mundësia njeriut të mund të futet në një botë ku mbizotëron bukuria. Ndodh zgjerimi shpirtëror për dalje nga gjendja e egërsisë. Të jesh i verbër, siç mendohet se ka qenë Homeri, d.m.th. të shikosh gjërat me sy të brendshëm shpirtërorë. Kjo është detyra bazë edhe për çdo njeri të sotshëm. Të mund të dalë nga verbëria në dritë. Veç se janë të pakët ata që e kuptojnë.
.
Iliada e Homerit - Gjon Shllaku
Iliada e Homerit – Gjon Shllaku
Homeri, kur përshkruan trima si Akili, Hektori, Agamemnoni, Diomedi, Odiseu, Ajaksi, Patrokli, etj, qëllimi i tij është të tregojë se vlera njerëzore nuk është vrasja, por nderi. Gjendjes së egër të njeriut këtu e tremijë vjet më parë përpiqet ti japë forma vlere. Vë në dukje se Njeriu nuk është vetëm qenia e mundësive të mëdha por dhe e dobësive të mëdha. E përshkruan Akilin si ambicioz, fodull, egoist, pra njeri edhe i mundësive më të larta, por edhe i dobësive të mëdha. Në Iliadë njerëzit paraqiten me kontradiktat e tyre. Kështu poeti i madh përpiqet të ndihmojë njerëzit e shekullit të tij, gati tre mijë vjet para erës së Krishtit.
Vargjet e bukura të Homerit mësojnë lexuesin se si lind bota nga ndjenjat. Vlerat qëndrojnë gjithmonë mbi jetën, sepse janë të dhëna shpirtërore. Rezulton një tjetër botë për të parë natyrën dhe gjërat. Homeri flet për to duke dashur të ringjallë Njeriun. Nuk ka rrugë tjetër për tu ringjallur bota përveç se nëpërmjet vlerave. Heronjtë vdesin e shembujt mbeten. Me mesataren nuk ndërtohet shoqëri. Mesatarja morale e vdes shoqërinë. Për të mos folur për shoqëri ku mbizotëron e ulëta dhe e neveritura.
Akili mban flakën e rinisë dhe të fuqisë. Homeri e paraqet atë si zjarr që djeg gjithçka në udhë e sipër. Është i etur për lavdi e urrejtje. Fuqia e Akilit është pasioni i egër në një masë të tillë që nuk është i brendshëm, por natyror. Është i pathyer dhe i pandërgjegjshëm. Ndjenjat e tij si zjarr qetësohen vetëm kur shpërndan vdekjen.
Mendja e Homerit ndriçon si yll kur bën Hektorin heroin e tij më të dashur. E çmon më shumë nga të gjithë. Është më humani. Trim po aq sa Akili pa fuqinë e tij fizike. Ka dhuratë mendjen. Urren luftën. Kontrollon frikën për të mos e mposhtur. Skena me Andromakën dhe birin e tij të vogël, Neoptolemin, para se të shkojë drejt vdekjes së sigurt, është mjaft prekëse. Nuk është aq i tmerrshëm sa Akili, veç se bëhet shembull për ata që dinë të përballojnë të keqen në jetë me nder e dinjitet. Hektori është Njeriu i Qytetit, ndërsa Akili njeriu i Natyrës.
Pikërisht këto mendime individësh me mençuri e inteligjencë të pa zakontë, qëndruan në themel të Qytetërimit Perëndimor. Homeri u shoqërua në Perëndim nga mijëra të tjerë gjenialë si ai. Këta individë të zgjedhur pikërisht, që nga Mikelanxhelo, Rembrant, Moxart, Betoven e Kant, ndërtuan Shoqëri dhe Botë. E kundërta mund të përfytyrohet lehtë me Artin e Realizmit Socialist përbri Diktaturës, për të shkatërruar njeriun dhe shoqërinë. Dhe ja doli mbanë. E Shkatërroi në DNA. Shqipëria sot nuk mund të krijojë dot Shtet, Ligje, Mirëqenie, Siguri. E mbyti dhe vijon ta mbysë emigracioni. Brenda në propagandën e fuqishme Arti i Realizmit Socialist iu mësoi njerëzve përçarjen, armiqësinë, vëllavrasjen, servilizmin, nënshtrimin, spiunllëkun. Ishte e kundërta e gjithë Artit Humanist Perëndimor, që largoi njeriun nga xhungla. Rezulton sot një Shqipëri tragjike që nuk mund të qëndrojë dot në këmbë. Prandaj do të vijoj të ngulmoj se Shqipërinë nuk do ta shpëtojnë veç dy gjëra, Dy dhe vetem dy: bukuritë e Individit Heroik si Mbinjerëzit e Diktaturës dhe Mendimi i Thellë i Kualifikuar me karakter Universal. Janë dy elemente që ndërtojnë Botë dhe nuk e shkatërrojnë atë nga themelet. Pa këto dy gjëra elementare shqipëria nuk shkon kurrkund. Vetëm tallemi gjithë ditën me njëri tjetrin, duke lënë brezin e ardhshëm në verbëri të thellë.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.