Arshi Pipa – themelues i kritikës letrare shqipe nga Behar Gjoka

Arshi Pipa (1920 - 1997)

Arshi Pipa (1920 – 1997)

Arshi Pipa – themelues i kritikës letrare shqipe

nga Behar Gjoka

“Besoj se Shqipëria do të jetë me të vërtetë e lirë,
vetëm athere kur shqiptarët do të kenë mundësi
të lexojnë, të studjojnë dhe të vlersojnë
veprat e shkrimtarëve të tillë të mëdhej si Arshi Pipa.”
Martin Camaj

Dalja e Arshi Pipës në skenën e kulturës shqiptare, përkon me njërin nga kulmet e letrave shqipe, ndërmjet harkut kohor të viteve 1912- 1944, koha kur shkruajnë mjeshtrat Fishta e Konica, Kuteli e Koliqi, Noli e Migjeni, Poradeci e Haxhiademi, etj. Momenti i artë në ligjërimin letrar, në lloje dhe teknika shkrimore, në mjete dhe shkollëza letrare, në tekste dhe autorë të spikatur, e bëri të pashmangshëm shqyrtimin e kësaj përvoje dhe prurjeje letrare. Pikërisht, fill mbas një përvoje shkrimi letrar, të larmishëm dhe modern, erdhi nga Pipa interpretimi kritik i faktologjisë artistike të përveçuar nga periudhat e tjera letrare. Ardhja e Pipës, me aspiratën dhe potencialet e prekshme, me kulturën dhe përthithjen e përvojës shkrimore kritike perëndimore, me shkrimin letrar autorial, e veçmas me plotërinë e vet, si poet, kritik dhe studiues, ishte fatlume për letrat shqipe. Letërsia shqipe e pjesës së parë të shek. XX, me sprovat dhe dështimet, eksperimentin dhe shkrimin modern, jep dorë për t’u interpretuar si fakt letërsishkrimor. Teoria letrare, tekstin letrar dhe metatekstin kritik, i vendos në marrëdhënie të ndërsjella:
-Letërsia është realitet i parë, dhe mandej vjen kritika dhe studimi, që përcjellin nivelin e substancës letrare, në përputhshmërinë e trajtimit shkencor dhe subjektiv.
-Metateksti ose kritika letrare, zakonisht ndjek ligjërimin letrar, pra shpreh qëndrimin për tekstet dhe autorët, dhe jo anasjelltas.
-Letërsia dhe metateksti kritik dhe studimor janë dy dukuri të mëvetësishme, të cilat bëjnë jetë të pavarur midis tyre.
Veprat kritike dhe studimore të Pipës, janë në pikëpërkim të plotë me nivelin teorik dhe me ligjësoritë e zhvillimit letrar. Arshi Pipa shfaqet pas një momenti thelbësor të letrave shqipe, dhe pikërisht mbas vibrimeve letrare të fillimshekullit të kaluar, i cili ka mbetur i këtillë edhe sot e gjithë ditën, dhe vërteton se letërsia është e para dhe jep shkas për t’u realizuar edhe shqyrtimi letrar. Interpretimet letrare, të realizuara nga ana e Pipës konfirmojnë se ka vlerë të flitet për kritikë dhe studime letrare, metatekste shqyrtuese, nëse ka tekste letrare, nëse letërsia ka shpërfaqur dhe shpalosur vlera të njëmendta artistike. Pra, Arshi Pipa, duket në qiellin e letrave shqipe, në kohën e duhur, madje ashtu siç e pohon edhe vetë: “…kritika zhvillohet mbas nji periode pjekunije o së pakut mbas nji prodhimi letrar të mjaftueshëm…” [2006: 6], dhe me veprimtarinë e gjerë zgjeron themelet e shkrimit kritik modern në letrat shqipe. Deri tek vepra e gjerë studimore e tij, kritika e shpallur si letrare, ka njohur disa nivele ligjërimi:
A-Kritikë letrare përshkrimore, me tekste dhe kontekste, me interpretim të letrares dhe joletrares, ku rrethana e dytë paraqitet më funksionale dhe argumentuese, me tonalitet reagues dhe nivel shprehësie recesionale, me tiparet e një kronike, e cila na dëshmohet e plotë në faqet e “kohëtores” tek “Albania”, dhe mbahet e gjallë nga fryma dhe këmbëngulja e Konicës, mjeshtrit të shkrimit letrar në gjuhën shqipe.
B-Kritika letrare, kryesisht me kahje teorike, që gjen shprehje në shqyrtimet e Fishtës, në revistën “Hylli i Dritës”, të Skiroit dhe Koliqit në shtypin e kohës. Tipi i metatekstit letrar, i kritikës dhe studimit të letërsisë, tenton që të zgjerojë frymëmarrjen e letrares, në raport me mjediset dhe rrafshet joletrare.

Arshi Pipa - vepra "Kritika"

Arshi Pipa – vepra “Kritika”

C-Kritika me tezë sociale dhe ideologjike, që sendërtohet me hyrjet e Nolit, të cilat bashkëshoqërojnë shqipërimet mjeshtërore të tij. Parathëniet ideore, që më tepër shpjegojnë realitetin e Shqipërisë së atëhershme se sa realitetin letrar të teksteve të përkthyera, i çelin udhën letërsisë së angazhuar, e cila kulmon me gjedhin letrar socrealist, dhe nëpër dhjetra vite do ta sundojë dhe determinojë hapësirën e zyrtarshme letrare në gjuhën shqipe. Në këtë tip kritike ecin edhe shkrimet e Nonda Bulkës, Dhimitër Shuteriqit, Vangjel Koçës, Tajar Zavalanit, etj, të cilët shkrimet e tyre i botonin, kryesisht në faqet e revitës “Bota e Re”, ku lëshonin thirrje për një letërsi ndryshe, për një letërsi të re, duke pasur parasysh përmbajtjen dhe ideshmërinë.
D – Kritikë afirmuese, e cila shoqëron botimin e librave, në poezi apo prozë, e ku përveçohen trajtesat e Kutelit, i cili arriti të botonte dy libra me kritikë letrare, sidomos të lidhura me rastet e botimit të poezive të Emineskut, Poradecit, Nolit. Kjo lloj kritike, megjithë shenjën dhe adresën afirmuese, nuk lë në harresë shprehësinë, figurshmërinë dhe vlerat letrare, që i përmbajnë tekstet e shqyrtuara.
E – Kritika letrare me nuanca të qarta studimore, që megjithatë nuk mbërriti të shkëputet prej shtysave jashtëletrarë, e cila kulmohet me studimet e mirëfillta të Krist Malokit, të cila mbeten gjithsesi një pikë referenciale e shkencës letrare shqipe, në lëmin e kritikës letrare, në pikëpamje të shqyrtimeve psikanalitike.
Pavarësisht nuancave dallimore, që vihen re midis formave të shpërfaqjes së lëvrimit të kritikës letrare, në të gjithë pentagramin e serenditur, dy tipare janë të prekshme:
-Shqyrtime kritike, përgjithësisht me shtysa jashtëletrare, bazuar në faktorë jashtëletrarë, me natyrë politike, biografike, sociale dhe ideologjike, pra duke u përqëndruar në kontekstet letrare, e jo në formësimin letrar.
-Në pjesën dërrmuese, mungesa e analizës së tekstit dhe të formës letrare, dhe përqëndrimi në analizën e brendisë, duke e lënë kështu shqyrtimin e shprehësisë letrare në periferi të trajtimit.
Me trajtesat kritike të A. Pipës, ka zënë fill dhe lulëzon kritika si institucion letrar dhe kulturor, çka lajmohet më herët nga vetë ai, teksa shprehet: “N’art e ndër letra, në shkencë e në filozofi, e deri në fe, kritika asht baza e çdo ndërtimi të sigurtë. Kritika asht sheji i mendjes së pjekun.” [2005: 163]. Si institucion letrar, sepse shqyrtimet e Pipës, kushtuar autorëve, teksteve letrare, dukurive dhe rrymimeve artistike, janë të lidhura ngushtësisht me përvojën shkrimore, me materien tekstologjike, si gjurmë thelbësore e shenjave letrare. Kritika në përgjithësi, ajo letrare veçmas, përjetohet si ndërhyrje e nevojshme për të verifikuar vlerat dhe jo vlerat, këto të fundit për t’i shmangur nga shtegtimi i letrares, duke u kthyer kështu në institucion rrezatues kulturor, që liron prej ngarkesave të tepërta qoftë individin, e po ashtu edhe shoqërinë njerëzore.
Vepra letrare poetike, studimore dhe kritike e A. Pipës, shndërrohet në institucion, që hodhi themelet ekzistenciale të kritikës së mirëfilltë letrare në historinë e kulturës në gjuhën shqipe. Ky përfundim lidhet ngushtas me disa faktorë qenësor të shqyrtimeve kritike, realizuar mjeshtërisht prej autorit:

Behar Gjoka - autor i shkrimit

Behar Gjoka – autor i shkrimit

Së pari: Në revistën “Kritikë”, organ i viteve 43-44, themeluar nga vetë Pipa, duke e shpërndërruar këtë lami të mendjes, e sidomos të verifikimit letrar, në një institucion funksional. Me daljen në dritë të kësaj reviste, merr goditje përfundimtare kritika empirike e trajtimit sipërfaqësor të problemeve të artit të fjalës. Kritika e këtillë, gjer tek Pipa, ishte vërtet shumëformëshe, përshkrimore, recesionale, replikuese, afirmative, përmbajtësore, sociologjike, ideore, hyrje librash të përkthyera, por letraren, kryesisht e kundronte në nivel të shërbesës ndaj brendisë dhe rrafsheve joletrare. Pra, letrarja, që materializon parësoren në dukurinë letrare, kalonte si dytësore, mbase në shumicën e herëve, në rrethinat e vlerave të interpretimit të tyre, jo si nevojë e dobisë, por vetëm si esencë letrare.
Së dyti: Shkrimet kritike, realizuar në faqet e revistës “Kritikë”, tashmë tregojnë për vendosjen në qendër të modeleve krijuese, të materies dhe dukurive letrare. Fokusimi i problematikës së substancës letrare të çon vetiu në shansin e lëvrimit të një kritike të mirëfilltë letrare. Përqëndrimi i vëmendjes, sidomos në tekstin letrar, në procesin kreativ dhe receptues [marrës] të vlerave letrare, është shenja më e qartë e funksionimit të kritikës letrare, si metatekst origjinal dhe i mëvetësishëm, i verifikimit të vlefshmërisë letrare.
Së treti: Faqet e revistës “Kritikë”, shenjojnë edhe aparatin kritik, gati me të gjithë treguesit e nevojshëm, qysh me objektin, qëndrimin dhe nivelin e trajtimit dhe të vlerësimit, të interpretimit të teksteve dhe karakteristikave të periudhave të caktuara.
Shqyrtimi i teksteve në nivel të zbërthimit të vlerave artistike të De Radës, Migjenit, Dantes dhe Montales, Camajt dhe Kadares etj, është dëshmia më domethënëse jo vetëm e hedhjes së themeleve të kritikës moderne shqipe, por veçanërisht e ligjërimit me nivel të ngritur në interpretimin e letrares. Përcaktimet e bëra nëpër kaq vite, për secilin autor, padyshim edhe për të tjerë, analizat e hollësishme të formësimit dhe shprehësisë letrare, edhe sot e gjithë ditën nuk janë kapërcyer ende.
Së katërti: Shkrimi prej Pipës në faqet e revistës “Kritikë”, por edhe përtej saj, gati i të gjithë llojeve të kritikës letrare, qysh me trajtat recensionale, ligjëratat problemore kushtuar figurës dhe veprës letrare të Migjenit, shqyrtimet e përthekuara të krijimtarisë së Camajt, De Radës, Kadares, etj, sendërtimin e dhjetëra esseve me nivel të ngritur ligjërimi, shqyrtimet studimore të dukurive letrare, të përqasjes midis Dantes dhe Montales, të ligjëratave teorike të artit dhe filozofisë, duke përmbushur një zbrazëtirë në lëmin e kritikës dhe studimeve letrare të shqipes. Ibrahim Rugova, ndërsa shkruan për Pipën, nënvizon: “…ai e përkufizon kritikën si rikrijim të veprës artistike… si letërsi për letërsinë”, duke zbuluar kështu edhe tiparet më qenësore të shkrimit kritik të Pipës, si shqyrtim estetik dhe historik, që karakterizohet:
-Nga shkrimi me shenja letrare, që përndrit dhe zbulon vlerat e pranishme letrare në tekstet e shqyrtuara.
-Nga shkrimi letrar me argumenta shkencorë, ku interpretimi autorial ndërthuret edhe me nivelin e teorive letrare moderne.
Qasja ndaj veprës letrare, kritikës dhe studimeve të Arshi Pipës është e brishtë, për vetë faktin se: “Është më e vështirë të interpretosh interpretimet se sa të interpretosh gjërat”, siç e sugjeronte Michel Montenji.

Marrë nga gazeta Albania 21 Korrik 2007

Një përgjigje
  1. Agron Luka Tha:

    Nuk e mendoj se domosdoshmërisht na duhet një kult personi si, “themeluesi i kritikës letrare shqiptare”! Ky këndvështrim besoj se është një inerci e mendësisë së kultit enverist në pjesën më të madhe dhe pjesërisht e trashigimive të kaluara. Në kohën e enverizmit na dolën edhe Enverët e vegjël me terma si, “themeluesit”, “klasikët” etj. Madje dolën edhe terma më specifikë si, “dekanët e arkeologjisë”, “dekanët e kritikës letrare”, “dekani i kritikës letrare e historike”, “dekani i migjenologjisë” etj, etj. Prof. Arshi Pipa, sigurisht se rradhitet ndër kontributorët e parë kolektivë të shquar të kritikës letrare shqiptare.

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook